Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: E kush beson se ike?!

| E merkure, 08.12.2021, 10:40 PM |


E  KUSH  BESON  SE  IKE ?!

Nga Fritz RADOVANI

ASKUSH ! Po bahet një muej plot pa Ty, o Zeqir Lushaj! E pabesueshme!

Prania Yte per të gjithë ne ishte e padiskutueshme. Ku nuk ishte Emni Yt?!

Ku nuk ishte fjala e ambel e Ytja o Zeqir? Ku nuk ishte këshilla e Mikut tonë?

E ku, mungonte mendimi dashamirës i Yti o Mik i shtrenjtë? Po ku nuk gjindeshin vargjet Tua, aq joshëse e bujare o Fisnik, i Bjeshkve tona aq të bukra e burrnore?

Të kerkova, të dergova mesazh… Por, kot! Nuk kuptova asgja! Asnjë pergjegje!

Plot një muej që nuk e kuptojmë as sot mungesen Tande o Zeqir Lushaj!

Perditë të kam kujtue e më duket se Ti, m’ ke kuptue ma mirë o Mik i shtrenjt!

Asht buzqeshja Yte që, nuk na lejon me harrue asgja të mirë të karakterit Tand!

Prej buzve Tua të sheqerosuna veç fjalë t’ ambla rrjellën si Valbona! E ambelsia e Vargjeve Tua bujare shperthei si dikur motit dashunia per Mikun e Madh t’ Kombit!

E cilin nuk kujtove Ti o Zeqir Lushaj, n’ ato ditë të bukra të Nandorit të Flamurit?!

Cili nuk ishte i pranishem tek sofra Yte: Gjergji, Luigji apo Ati i Lahutës s’ Ate?!

O, jo jo, nder mendimet Tua nuk gjej mangut Burra që me shpatë e penë Ata, kanë ba Historinë e lavdishme t’ Atyne Bjeshkve t’ Nêmuna… Ku Ti, u leve, dhe u rrite.

E kur në Shkoder u nise, kurr porosinë e Nanës Maleve nuk e harrove o Bir’ i denjë!

Me Té n’ krahnor udhtove e nder banka të shkolles e rroke fort per parzem.

I rrethuem prej Kirit e Drinit, i këndove Bunës e Rozafës sonë, si t’ ishte Djali Saj!

Shiroka  t’ priti e të percolli si Mik i shtrenjt’ i emi… O Burr’ i Grisë kreshnike!

E as nepërmend nuk më shkonte se nuk do të shof ma buzqeshjen Tande...

E, prap, një shpresë më mban! Zeqir Lushaj asht prap nder Zemrat Shqiptare!

E buzqeshja Yte nen ato thinja, do t’ jetë sa t’ jetë jeta: E Paharrueshme per të gjithë ne, e freskët, e kandëshme, joshëse, e dashtun, ashtu si ishte Ti, o Zeqir Lushaj!

Melbourne, 7 Dhjetor 2021.