E shtune, 20.04.2024, 03:25 PM (GMT+1)

Kulturë

Gjon Mili - fotografi më i shquar shqiptaro-amerikan i shekullit

E enjte, 06.04.2006, 11:39 PM


100 vjetori i lindjes së fotografit me famë botnore, të cilit atdheu ja mbajti gjithmonë deren e mbyllun.

Në numrin e 16 shkurtit 1984, gazeta me tirazhin më të madh në botë, „Nju - Jork Tajms”, njoftoi vdekjen një ditë më parë të fotografit të madh amerikan me origjinë shqiptare, Gjon Mili.

Po kush është Gjon Mili, ky fotograf i njohur në botë, por i panjohur dhe i padëshiruar, jo për faj të tij, në Shqipërinë e para nëntëdhjetës?

U lind në Korçë në vitin 1904, në një familje po nga ky qytet. I ati quhej Vasil Mili, ndërsa e ëma, Viktori Çekani, një stërmbesë e iluministit të njohur të Akademisë së Voskopojës, Konstandin Çekani. Në atë kohë Shqipëria ndodhej në një gjendje shumë të vështirë ekonomike dhe si nga shumë vende të tjera kish filluar largimi në masë drejt rajoneve me nivel më të lartë jetese. Kështu, familja Mili, kur Gjoni ishte ende 5 vjeç, emigroi në Rumani. Këtu djali mbaroi shkollën e mesme dhe në vitin 1923 mbërrin në SHBA, ku kishte një dajë. Atje filloi të merrej me punë të ndryshme ndër to edhe me fotografim si amator.

Gjatë punës Mili kuptoi se një nga faktorët më të rëndësishëm të fotografimit ishte ndriçimi i duhur i objektit. Ndërkohë filloi të shkruajë. Tri novela të tij me tituj „Larg”, „Ëndër” dhe „Nëna”, të botuara në revistën „Studenti shqiptar” që nxirrte Odise Paskali në Torino në vitin 1929, shquhen për ndjenjë, mall e dashuri për atdheun dhe nënën, të shkruara me një shqipe të bukur e të pastër. Më vonë studioi në Institutin Teknologjik të Masaçustesit, ku diplomohet inxhinier ndriçimi, profesion me të cilin punoi në ndërmarrjen e prodhimeve elektrike „Westinghouse”, të krijuar që në vitin 1886.

Mili përdori për herë të parë „fleshin elektronik” dhe „dritën stroboskopike”, të shpikura nga profesori Exherton (Harold Edgerton) më 1931, me të cilin bashkëpunoi gjatë. Në vitin 1937 mori titullin profesor. Ndërkohë Mili, bashkë me studimet dhe eksperimentet në fushë të teknikes, vazhdoi të fotografonte, duke u dalluar përherë e më shumë edhe në lëmin artistik. Bota e tij e pasur nuk po gjente ngopje me atë që po krijonte. Kështu, ai si shumë paraardhës, siç e shohim në historinë e artit botëror, iu drejtua shkencës. Dhe nuk u gabua, ajo e ndihmoi që të bënte vepra, të cilat do ta qetësonin trazimin e tij shpirtëror. Fotografitë e tij me ekspozim ultra të shkurtër, përbëjnë një nga dukuritë më interesante të lidhjes së shkencës me artin.

"Pikaso duke vizatuar me dritë", 1949
Rëndësi të madhe në jetën e Milit pati njohja dhe miqësia me euriditin e njohur shqiptar Faik Konica, i cili, duke parë dhunti artistike tek ai, e nxiti të drejtonte dhe të thellonte krijimtarinë e tij në fushë të artit. Për 15 vjet Mili, „shqiptari zemërbardhë”, siç e ka quajtur dramaturgu irlandez Shon O’Kejsi, ka punuar si fotoreporter për revistën e njohur amerikane „Llajf” (Life), përvojë që e bëri të vizitojë shumë vende të botës, duke fotografuar çaste nga ngjarje të ndryshme, ndeshje sportive e koncerte, vepra me vlera arkitektonike, skulptura dhe personalitet të njohur. Në vjeshtën e vitit 1946 u hap në Paris ekspozita e tij vetjake që pati vizitorë të shumtë dhe cilësorë. Filozofi Sartr (Jean-Paul Sartre) shkroi për këtë ekspozitë lavdërime disi të veçanta: „- Mili iu vë tërësisht në grackë, në fotografitë e tij gjendeni në luftë me vetveten - si i zënë në kurth”. Në vitin 1942 Mili kishte fotografuar predhën e një topi avioni kalibër 37 mm, me një kohë ekspozimi prej një të miliontën pjesë të sekondës.Kjo foto u quajt nga shtypi i kohës „shpikje e shekullit”. Po atë vit hapi ekspozitën vetjake „Valltarët në lëvizje” në Muzeun e Artit Modern (Moma) të Nju Jorkut.Më 1952 hapi ekspozitën kushtuar Pikaso-s në Galerinë e Parisit. Mori pjesë dhe në ekspozitën kolektive më të madhe të fotografëve të shekulit të kaluar me emrin „Familja e njeriut”, hapur në Nju - Jork me 1955. Këtu Mili u përfaqësua me foton „Nudo duke zbritur shkallët”, një version shumë interesant i pikturës kubiste të Dukanis.

Periudha 15 - vjeçare e punës si fotograf te revista Llajf (life) i mundësoi atij njohjen me figura të shquara të artit, kulturës dhe politikës. E veçantë mbetet sidomos njohja e më pas miqësia me piktorin e shquar Pikaso. Në vitin 1949, një seri fotosh të artistit në Valori të Francës Jugore, të mënjëanshme, ato ku „vizaton në ajër me dritë”. Ndër to, ajo me titull „Pikaso duke vizatuar me dritë”, dhe që gjendet në shumë albume të ajkës së fotografisë botërore e që komentohet pareshtur, përbën një ekzemplar themi të vetëm të shfrytëzimit tekniko-artistik të dritës me një fantazi hyjnore. Të tërheqin vëmendjen dhe disa foto të Milit bardhë e zi, të realizuara kundër dritës (contro luce) ku konturet e figurave, të përndezura nga drita krijojnë një harmoni të ëmbël volumesh. Po ashtu, përshtypje bënë edhe disa foto, me teknikë stroboskopike, balerinash dhe instrumetistash, ku megjithë „ngrirjet” e zhvendosjes së trupit të njeriut ose instrumentit, në to jepet mirë e bukur ndjesia e lëvizjes.

Ekspozitën e parë vetjake Mili e ka hapur me 1934, ndërsa të fundit, më të zgjedhurat e gjithë krijimtarisë me 140 foto, më 1980 në Nju - Jork me rastin e 75-vjetorit të lindjes. Për nder të tij, dhjetë vjet pas vdekjes, në fund të vitit 1994, në Haward Greenberg Gallery të Nju - Jorkut u paraqiten punë të bëra prej tij në harkun kohor 1930-1970, si dhe objekte nga jeta dhe vepra e Milit në lëmë të fotografisë dhe filmit. Interesi për këtë ekspozitë retrospektive ishte i tillë, saqë nga kritikët dhe vizitorët u quajt „ngjarja e vitit në fushën e fotografisë”. Në studion e tij para djegies (1966), që fotografi i madh francez Henri Kartie-Breson e quante „Athina e Nju - Jorkut”, mbaheshin sesione me tema të ndryshme artistike, ku debatonin figura të tilla si Duke Hellington, Billi Hollydey, Gene Krupa, Ted William etj. Djegia e studios ishte një humbje e pazëvendësueshme; u kthyen në hi mijra fotografi, dhurata, letrat e Pikaso-s dhe të personaliteteve të tjerë që Mili i ruante me kujdes prej shumë vitesh.

Në vitin 1970 u botua në Nju - Jork album-monografia „Picasso’s third dimension” i Gjon Milit. Dhjetë vite më vonë, më 1980 Shoqata „New - York Graphic Society” vuri në qarkullim „Gjon Mili - Photographs & Recollections” (Gj. Mili - fotografi e kujtime).

Të dy këta libra, përpos përfshirjes së krijimtarisë artistike të begatë dhe të larmishme, tregojnë edhe për nivelin e pëlqyeshëm letrar të Milit, çka e kishte shfaqur dhe në fund të viteve ‘20. Gjon Mili është marrë edhe me kinematografi, duke xhiruar me skenar të vet gjashtë filma dokumentarë, si kushtuar veprës së Pablo Kazals-it, Shon O’Kejs-it, Kuarteti Devi Brubikut, Henri Kartje-Breson-it etj.

Veprimtaria artistike e fotografit Mili përfshin me sukses shumë zhanre të fotografisë si peizazhin, reklamën, foton dokumentare, politike, atë të arteve (teatër, kinema, koncerte, vallëzime etj), sportive, eksperimentale etj. Ai ka pasqyruar në fotoportrete interesante figura të tilla të artit e kulturës botërore si regjizorin Hiçkok, kompozitorin Stravinski, dramaturgun Shon O’Kejsi, piktorin Brak, pjanistin Rubinshtajn, dramaturgun Jonesko, vilonçelistin dhe dirigjentin Kazals, piktorin Matis, këngëtaren Zhyljet Greko, aktoren Helen Vajgel, këngëtarët Frenk Sinatra dhe Pol Robson etj. Po ashtu, ai ka fotografuar politikanë të njohur të kohës si Presidentin Truman, Ministrin Molotov, Lordin Halifaks e shumë të tjerë. Një fotografi të atypëratyshme, në bisedë e sipër, shumë interesante të Milit ka bërë fotografi shumë i njohur francez H. Kartje - Breson, një nga bashkëthemeluesit e agjencisë prestigjoze të fotografëve „Magnum”.

Disa vlerësime

Për Gjon Milin flitet dhe shkruhet vazhdimisht. Në një album me foto të shekullit XX, „Century” (qindvjeçari), të botuar nga shtëpia prestigjoze e Londrës „Phaidon” në verën e vitit 2002 dhe që përmbante fotografitë më përfaqësuese të historisë të asaj periudhe, përfshihet edhe ajo e Milit që paraqet në burg kriminelin nazist Ajhman. Shumë të njohura janë edhe fotot „Pikaso duke vizatuar me dritë” dhe „Ndeshje basketbolli”. E para është renditur ndër 500 fotot më të mira të botës për 150 vjet në albumin „The photo book”, të botuar në Londër në vitin 2000. E dyta, fotoja nga një ndeshje basketbolli ndërmjet universiteteve amerikane, bërë në vitin 1951, është zgjedhur ndër 100 fotot sportive më të mira të shekullit XX.

Në një botim të „Tajm” (“Time”) me titull „Dëshmitar okular” (Eyewitness) të vitit 1995 (SHBA), një foto e bërë nga Mili shoqërohet nga disa komente. Ja ç’shkruhet ndër të tjera: „… njohuritë e tij për paisjet elektronike i dhanë mundësi atij të krijojë fotografi unike nga sporti, teatri dhe vallëzimi”. Profesori Harold Exherton (Edgerton), shpikësi i fleshit elektronik dhe i dritës stroboskopike, duke e njohur nga afër si bashkëpunëtor të tij, shkruan për Milin: „Ai ishte një vizionar i vërtetë. Ai e njohu forcën e dritës strobe dhe për vite udhëhoqi në këtë fushë me shumë imagjinatë. Ai na drejtoi, ai na nxiti”. Prej vitit 1995, MIT (Instituti Teknologjik i Masaçusetsit) ka organizuar një konkurs të përvitshëm të fotografisë për studentët e emërtuar „Exherton - Mili”, duke përkujtuar kështu dy figurat e shquara të fotografisë të dalë nga kjo shkollë. Piktori Pablo Pikaso, mik i Milit, kur pa fotografitë që ai i kish bërë, u shpreh: „Edhe me teknikë krijohen vepra artistike”. Fotografi i madh francez, Henri Kartje-Breson në vitin 1980 ka shkruar për Milin: „Shoqërimi i ngushtë me Milin për mua paraqet këndelljen e shpirtit dhe fisnikërimin e mendjes. Madhështia e Milit buron nga personaliteti i tij kompleks, i përmbushur me urtësi filozofike dhe me pasion për përsosmëri... Studioja e tij për një numër të madh prej nesh ka qenë Athina e Nju - Jorkut. Unë ngre në qiell përkushtimin dhe profesionalizmin e tij, sikur të kishte hyrë nën urdhrat hyjnore 1000 vjet më parë”. Një nga fotoreporterët më të mëdhenj të luftës, amerikani David Douglas Dunkan i revistës „Time - Life” ka thënë: „Episodi me Pikason tregon inteligjencën e veçantë të Milit. Ai zbuloi plotësisht për publikun „Pikason tridimensional”. Të dy, Mili dhe Pikaso ngelen miq të mirë për gjithë jetën”. Në një libër të studiueses amerikane, Susan Kismaric, „Americans Politicans - photographs from 1883 to 1993” (Politikanë amerikanë të fotografuar nga 1883 - 1993), të botuar nga „The Museum of Modern Art”, Nju - Jork, 1994, ndërmjet shumë fotove gjenden edhe dy të Gjon Milit. Filozofi i madh francez Zh. P. Sartr në fjalën e hapjes së ekspozitës së Milit në Paris më 1946, ndër të tjera ka thënë: „Para se të takoja Milin isha mësuar të shihja vetëm ata fotografë çapaçulë që bënin fotografi nga një farë marazi, ashtu si të vrisnin diçka. Mili nuk ka maraz. Ai nuk kënaqet thjesht me kapjen e njerëzve të famshëm me kamerën e tij. Çdo fotografi e kthen në studim, në përvojë. Për të ka aq mënyra fotografimi, sa ka edhe tipa”. Edhe kritikët e njohur të fotografisë botërore, Andreas Fajninger (Feininger) dhe Zhan-Klod Gotran (Gautrand) janë marrë me analizën e fotove të Milit. I pari komenton foton e njohur „Pikaso duke vizatuar me dritë”, ndërsa i dyti, Gotran i vlerëson lartë ato sportive. Një përshkrim interesant dhe i ngrohtë për Gjon Milin gjëndet edhe në një libër të dramaturgut të shquar amerikan Artur Miler, me titull „Timebends”, ku vlerësohet sidomos përkushtimi dhe pasioni i artistit për fotografinë. Kjo ndoshta është vetëm një pjesë e asaj që është folur dhe shkruar për fotografin e madh me origjinë shqiptare Gjon Mili.

Emri i Gjon Milit është bërë i njohur në Shqipëri qysh para viteve nëntëdhjetë në disa artikuj të kujdesshëm të botuar në organe të ndryshme të shtypit. Po ashtu, nga „kujdesi” i tepërt, emri i tij ashtu si dhe i Nënë Terezës nuk u përfshi në „Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” të vitit 1985, një emër që nderon çdo vend e komb. Ai mbeti gjatë gjithë jetës një amerikan me origjinë të fortë shqiptare, duke mos ndryshuar shumë gjëra, që nga emri i tij, të cilin e shkroi gjithmonë „Gjon”, duke thënë vet se „ai shkruhet dhe lexohet kështu vetëm në Shqipëri”, kombësinë dhe sidomos përdorimin e gjuhës shqipe të cilën e fliste dhe e shkruante sakt e bukur.

Për një kohë të gjatë Gjon Mili u mundua të vizitonte Shqipërinë, vendin ku kish lindur dhe kishin origjinën prindërit e tij. Por më kot, dyert për të ishin gjithmonë të mbyllura. E kështu bashkëkombasi ynë i madh mbyll sytë përgjithmonë në Nju-Jork në shkurt të 1984-ës me disa brenga qoftë vetjake dhe po aq të rënda edhe ato që lidhen me vendlindjen, e cila e mohoi padrejtësisht këtë figurë të shquar të fotografisë botërore. Këto brenga mbase shërbejnë si kambana për ata që kanë në dorë për ta „risjellë” në Shqipëri një nga bijtë e saj më të nderuar në botë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora