E premte, 29.03.2024, 06:18 AM (GMT)

Kulturë

Sotir Athanasi: Romancë nën Harkun e Triumfit

E diele, 05.12.2021, 12:00 PM


Romancë nën Harkun e Triumfit

(Paramnezi)*

Nga Sotir Athanasi  

- Ai s’qe thjesht një vështrim, por vetëtimë e nisur nga matanë kaltërsisë përqendruar në ato qelqe, të cilat si pickimin e bletës, tejet ëmbëlsisht provova. Por kur ula kryet në dritarezën çark, kuptova se ishin në të vërtetë dy shigjeta të ngulura thellë në kraharorin tim. Prandaj ndjeva dhimbjen e një lëkurëkuqi, raca e të cilit jo vetëm me të bardhët, por edhe brenda llojit përplaset.

- Po. Dhe kur ndodhi kjo katastrofë femërore? - e ngacmova, mikun tim si garanci përqendrimi.

- Pesë vjet më parë.

- Pesë vjet dhe e mban mend me detaje atë?

- Po. Dhe s'do t'a harroj gjithë jetën.

- Atëherë duhet të kesh qenë rreth të dyzetave mendoj?

- Në kokë më ke rënë.

- Po ajo?

- Besoj te të tridhjetat. Por mos më ndërprit se nuk është si ngatërrimi i çantës, për të cilën të kam folur dhe bëra pesë vite burg.

- Pa ma kujto pak, se ty çdo pesëvjeçar do të të ndodhë diçka për t’u rrëfyer, - e ironizova për t’i dhënë shtytje të mëtejshme gjasës.

- Mos u tall se nuk është roman.

- Atëherë duhet të jetë romancë.

- Po. Ngjason edhe si romancë..., veçse nga më të dhimbshmet që mund t’i ndodhë një të dashuruari me shikim të parë. Zaten, pse isha i hutuar m’u ngatërrua çanta me atë të njeriut-mafioz kur ndërruam avionin për shkak të atij defekti serioz. Aty rrezikohej jeta e të gjithë pasagjerëve. Kurse ajo çantë e zezë prej meshini do të më fuste në burg dhe do të ma nxinte jetën. Qe një ndëshkim dyfish i rëndë edhe sepse më shkëputi pesë vjet nga dashuria ime e vërtetë. Një shoku të burgut pendimi për fajin e bërë i kishte goditur pak trurin dhe për të më rikthyer humorin, më fliste si të qe për herë të parë.

- Dëgjo se si i ndriti fati një mbarështuesi papagajsh kur Bonaparti u shpall Perandor. Ky dëgjoi se një rritës i ngjashëm qe bërë fitues I një

shume të majme kur papagalli i tij i tha NAPOLEONIT: “Të uroj, Perandor i Perandorëve!”. Kaq duhej që ai të niste punën rraskapitëse me papagallin e vet "të pa'aftë’ për ta mësuar lehtësisht këtë shprehje. Prandaj ai herë pas here, me dëshpërim, thoshte:

- A i mjeri unë, i mjeri, ç’po më venë mundimet dëm!

Gjithsesi, mbërriti ta mësojë dhe ia doli t’u mbushë mendjen edhe kujdestarëve të NAPOLEONIT që ta prisnin. Ky i fundit, kur dëgjoi thënien standard e të stërpërsëritur edhe nga të tjerë papagaj: “Të uroj, Perandor i Perandorëve!", - vari menjëherë buzët. Pikërisht pas kësaj papagalli aspak "i paaftë", por tepër i zgjuar, përsëriti plot dramacitet shprehjen e dëshpëruar të pronarit të tij:

- A i mjeri unë, i mjeri, ç’po më venë mundimet dëm!

NAPOLEONI entuziast nuk ngurroi të urdhërojë shpërblimin e tij.

- Ta lëmë shokun tim të burgut dhe të kthehemi, miku im, te vështrimi i asaj tridhjetëvjeçareje.

Ai kridhej ndër yje drite e hijeje bashkë ku brenga, vuajtja e ndrydhja pa vështirësi shquheshin. Dhe shkaku, arsyeja, motivi pa dyshim mbulohej. Se ngjante i përhershëm dhe kurrsesi spontan. Aq më tepër teksa mundohej t'a fshihte me një buzëqeshje të sforcuar, të turbullt e krejtësisht të natyrshme. Ai portret megjithatë e tregonte tejet më të hutuar, por edhe më joshëse. Se... dalldinë e zalisjen shfaqja e saj provonte. Sepse, si shitëse, bashkë me grishjen për tregtimin e mallit ishte e detyruar të buzëqeshte; por ç’e kishte, që e marrtë djalli e marrtë, atë strukje? Tabloja e asaj konizme i ngjante busullës. Dhe unë pyesja veten: pse qarkonin në drejtim të kundërt ata akrepa? Cili qe meraku i saj? Kë priste dhe çfarë kërkonte? Se unë i kisha propozuar tashmë dhe ajo: as nuk i flakte tej si marrëzi të çastit fjalët e përbetimit e përgjërimit tim tronditës, (më duhet të pranoj se të tilla ato ishin); por, nuk është se i miratonte, sido që u shfaqën ato. (Ndonëse të siguroj që: nga shpirti më kishin dalë.)

Kurse ajo vetëm buzëqeshte hidhur, si të qe e sigurt për jonjëmendësi- në e tyre, që ... dëshpërimisht, por më duhet të pranoj se për të rezultonin tërësisht të parealizueshme. Pra, të pavlera. Dhe pyesja veten: po pse, o Zot i Madh? Cili qe shkaku? Në mos në Rubikon, ku fshihej ngërçi e rrugëdalja e Çezarit? Që për çastin do të mbetej plotësisht monopol i saj?

Gjithsesi, sa më përkiste mua, nuk besoja për ndonjë kauzë që e pengonte të dashuronte një shqiptar. Ndonëse frëngjishten e flisja rrjedhshëm dhe ajo as që e vuri fare në diskutim kombësinë time. Përveç faktit që ishim në Paris dhe këto koncepte kanë shekuj që janë gremisur. Të nesërmen avioni më ktheu në Tiranë të gjallë, ndonëse katastrofa ishte nisur. E mbase jo për të gjithë pasagjerët me defektin e avionit. Por vetëm për mua. Sa zbrita në Rinas. Më prangosën duke më larguar çdo tentativë për ta riparë atë... kometë. Se e tillë m’u shfaq në qiellin parisien dhe... (me shumë trishtim) por, po me atë ngut edhe m’u zhduk. Megjithatë, të vërtetën do ta mësoja vetëm pesë vjet më vonë. Saktësisht javën e shkuar, kur u ndodha sërish i Lirë, në Paris. Veçse të mos shkëputemi edhe për një grimë herë nga çasti i parë: “Pagova kravatën bordo që ma paketoi ndihmësi i saj, vërsniku, për të cilin (siç do të mësoja pesë vjet më vonë,) ishte adashi im, por algjerian. Unë, tejet i hutuar, si i goditur jo nga rrufeja, por nga ai fat i mbrapshtë, u bëra gati të largohesha pa marrë kusurin. Ajo më ndaloi vetëm me një fjalë: "Monsieur!", dhe bëri shenjë për reston. Më kot kurseu fjalorin. Ndofta ngaqë e dinte se zëri i saj qe një tjetër tregues magjepsjeje dhe donte të mënjanonte humbjen e rëndesën tek unë. Dhe kishte plotësisht të drejtë. Toni i atij zëri qe radiofonik dhe plot muzikalitet. Ajo e njihte vetveten. Kurse unë, si përpara një ndriçimi, isha jo vetëm larg dallimit të çdo tipari të saj, që fekste me pamje breroreje e trupi qiellor e mbase si një njollë e ndritshme deri në verbim, por kisha harruar tanimë edhe emrin tim. Veç kësaj, një ngazëllim i beftë më largonte edhe nga çdo arsyetim. Algjeriani, që me sa dukej e kishte zakon të numëronte mbetjen në kohën që pronarja e tij i nxjerr të hollat nga arka, vuri re që ato ishin me tepri. Kur ia tha, zonjusha bëri rinumërimin dhe bashkë me purpurin në fytyrë më hodhi mua një buzëqeshje të plotë që të zbrisja nga qielli i shtatë. Dhëmbët e saj si inxhi në atë gojë të bukur për mua qenë një tjetër befasim e një tjetër ngasje që s’kishte të bënte me përcjelljen e klientit. Por mbase me të kundërtën: mbajtjen, gozhdimin a robtimin e tij. Portreti i saj, o Shën Mari, pas kësaj qe kthyer në një aoreorë të mëvetshme. Në atë kioskë Hëna shfaqej e Plotë edhe pse ishte mesditë! Mua më mjaftonte edhe vetëm ky hutim i natyrshëm, që të bindesha se edhe ajo e kishte gëlltitur, pa e kuptuar, atë që e quajmë jo thjesht dëshirë, por dashuri me vështrim të parë. Se miklimin tim ajo pati përthithur. Të them se ndihesha gati të fluturoja pas kësaj, qe e pamjaftueshme. Nuk e di se ç’ishte. Por vetëm trupërisht gjendesha aty, se mendërisht kisha kapur majën e Kullës Eifel. Dhe kjo ngjante kaq e vërtetë, sa në çastin që më lindi një përshtypje e tillë, pranë meje, o Zonjë e Bekuar, bëri ballë ajo: “E shtrenjta pa emër”. Tani të dy të gatshëm drejt kozmosit. Dhe e kuptoja se: në mos ishte hipnotizim, një pushtet qiellor nga një galaktikë e panjohur tek unë vepronte.Të ketë kaq forcë, potencë, a virilitet dashuria? Apo ajo është diku brenda nesh dhe braktis strukjen, të përditshmen, të rëndomtën e tokësoren për diçka më të shtrenjtë, e pse jo: më të shenjtë? Për atë që shfaqet një herë të vetme në jetën e njeriut, ku gjaku merr cilësinë e një vullkani dhe shpërthimi është në prag? Por çuditërisht asgjë nuk ndodhi pas kësaj. Algjeriani i bëshëm, në fillim me ëmbëlsi dhe tejet i mirësjellë, më tregoi paketën e kravatës mbështjellë me kujdes dhe të lidhur me një fjongo tejet të hijshme, si paping. Por kur pa hutimin tim, me një qesëndi ngacmuese deri në cingërisje më çiku paksa në gjoks që të më përmendte. Atëherë ndjeva gravitetin e humbur vetëm nga një buzëqeshje përzier me një skuqje e hutim të atij portreti kthyer tashmë në kometë të vërtetë në ikje dhe..: zbritjen time të detyruar me këmbë në tokë, nga vetëm cikja e një dore arabe.

2

- Pesë vjet më pas. Sa von’, o Qiell a parajsë hyjnore! Sa von', o Eden!

I gjithë grupi i vizitorëve u nis për në Luvër. Kuptohet: pavijonet e tij janë objekt i gjithkujt. Për mua Mona Liza ishte zonjusha në atë kioskë, emrin e së cilës nuk e mësova që nuk e mësova dot. Ndonëse në përfytyrimin tim e kisha quajtur: "E shtrenjta pa emër", ose anonime".

Kuptohet: këtë s’guxoja t’ia thosha kurrkujt... Nuk e di pse m’u kujtua Madam Baterflsj. Jo për ta zëvendësuar rolin e amerikanit e as për të krahasuar heroinën japane me francezen. Qe thjesht një lloj vetëtime. E mbase një largim si ato të dallëndysheve që kalojnë kontinente për t’u kthyer në folenë e tyre. Por edhe këtu krahasimi çalon. Se nuk isha i gjuajturi. Mbase gjuajtësi. E ndofta në të dy rolet njëkohësisht...?

Po të merresha me muzikë, mbase do ta gjeja çelësin e këtij akordi që paralajmëronte një fund tragjik. Dhe ngutesha të mbërrija përpara se të bëhej pushimi i drekës, siç u tha. Apo se do të kishte grevë dhe lokalet nxitonin mbylljen për të shmangur përplasjen me demonstruesit, siç pëshpëritej.

Dhe ashtu ndodhi. Unë vrapoja dhe dallova që nga larg se qepeni i sapoulur u ngrit. Një përndritshmëri, si atij që po mbytej në detin e errët. Për shpirt të nënës, po të them. Fari iu shfaq dhe unë qartësisht dallova. Kë do të thuash ti, miku im? Vajzën, emrin e së cilës nuk e dija, po e dalloja dhe isha i sigurt që më kishte njohur. Ishte

"E shtrenjta pa emër", ose "anonime". Portat e Qiellit për mua befas u hapën. Unë, me po atë veshje (si ngjyra të para pesë viteve) dhe përveç kësaj, në këmishë shquhej që tutje edhe kravata bordo, blerë në dyqanin e saj, që e kisha ruajtur si të ma kishte dhënë një ditë më parë vetë ajo me dorën e saj.

Eh! Dëgjo tani dialogun më të dhimbshëm midis dy njerëzve që... janë pëlqyer në shikimin e parë:

- Mirë se erdhët, zotëri!

- Mirë se ju gjej, zonjushë enigmatike! - iu përgjigja.

- Gaboheni, zotëri. Nuk jam më zonjushë dhe as enigmatike, por jam zonjë.

Portat e Qiellit në një grimcë të sekondës u mbyllën. Unë shtanga nga befasia, ndonëse kalimi i saj në një tjetër shkallë respekti qytetarie, ishte plotësisht i natyrshëm.

- Zotëri i mistershëm e disi i padepërtueshëm, që shfaqeni pas një gjysmë dekade, mos dëshironi një tjetër kravatë bordo?

Pas goditjes së parë, erdhi edhe e dyta. Vetja më ngjau me një penglënës. Ajo më kujtonte kravatën. Më barazonte me blerësit e rëndomtë të saj. Dhe toni ishte ai kur zhgënjehemi apo trishtohemi nga mos përmbushja e shpresave, apo humbja e mirëbesimit.

Unë pohova duke ulur kryet dhe jo me tundjen, siç edhe ndodh rëndom. Në këtë mënyrë, instinktivisht pranoja në njëfarë mënyre kërkesën dhe klasifikimin e saj, por edhe kotësinë e rishfaqjes sime kaq vonë, pas pesë vjetësh. Ndjeva sikur i kisha dalë bese. Ndërsa Ajo, kishte po atë zë

Zërë Ishte po radiofonik, po ata tinguj me muzikalitet veçse... një vështrim krejt i ndryshëm. Jo si përpara kësaj gjysmë dekade. Jo vetëtimë! Jo si shigjetë! Jo dhe jo, do të përsëris njëqind herë. Se “Jo”-ja duhet të ketë brenda dridhjen. Aspak vetëm të buzës e të zemrës. Por të të gjithë trupit. Shkaku? Tepër i thjeshtë: dikur, të gjitha tiparet në atë portret më dukeshin në shpërpjesëtim me botën e saj të brendshme ku një lloj trishtimi dilte më në pah. Kurse tani? Ai vështrim qe plot dritë. Për më tepër se pranë trotuarit ndali një “Peugeot”. Prej andej zbriti algjeriani me një fëmijë tre a katër vjeç. E zonja e kioskut iu drejtua arabit:

- Ali! Zotnisë paketoji një kravatë bordo dhe fjongon vure Natalinë tonë t’ia lidhë, se ajo është me fat.

Unë, me duart që s’ishin më të miat, zbërtheva kravatën time, e cila, çuditërisht, nuk më dukej gjithashtu imja. Dhe ia lashë në dorë vogëlushes për ta paketuar. Kurse të renë e vendosa në qafë dhe u ula që të ma shtrëngonte miturakja Natali. Dhe të mendosh çfarë fati!?! Duart e njomëzakes e kryen me dëshirën fëminore tërheqjen e atij rripi bordo. Pagova si përpara pesë viteve me monedhë që kërkonte resto. Francezes, edhe asaj po i dridheshin duart tek përgatiste kusurin. Turbull, por vëreja në ato duar një tejnderje. E zonja u mundua ta paraqiste si tejnxitje, aty më parë, kur i tha të shoqit që të vinte të bijën Natali, këtë dëlirësi kristali si më të denjë, a si një kujtim lamtumire të kësaj romance shikimesh e dialog shpirtrash vetëm në heshtje. Unë i mora të hollat dhe… bashkë me faturën e blerjes edhe një copë pusullë, të cilën s’guxoja ta hapja e ta lexoja. Në çast qepeni u ul me ulërimë si të donte të ilustronte britmën që ndrynte shënimi. Se të tillë parandjenja ma sillte. Por brenda gjoksit tim një tjetër klithmë a ulërimë trishtimi s’guxonte të ngrinte krye nga përpjekjet e mia për të mbrojtur statusin e një burri. Sikur të kishin shpërthyer nga Qielli bubullima e vetëtima me shtrëngatë, mbase do të bënin ndonjë efekt më të butë e paqësor. Gjest që fliste për ndërprerjen përfundimtare të çdo... dialogu. Pas një grime herë zonja e kioskut më hodhi një vështrim që u përplas me timin. I saj fliste për keqardhje e mbase pendim e një vetëndësh- kim. I imi me siguri kishte të shpërfaqur brerjen e ndërgjegjes se ndieja dhimbjen e një faji që ende s’po e kuptoja, ndonëse e pranoja braktisjen. Por që, e lidhur me atë ngatërresë çantash, do të më dënonte padrejtësisht pesë vjet burg dhe do të më ndryshonte tërësisht fatin e jetës me  Dashurinë time të vërtetë.

Pas disa sekondave të papërballueshme e tejet të rënda, pesha e të cilave më shtypte në kraharor, më bëri mua një përshëndetje me dorë përpara se të më kthente shpinën dhe shprehu po me atë zë plot muzikalitet, por tanimë toni tingëllonte mbase orakullitaritar dhe Ajo më ngjasonte me një medium që shqiptoi vetëm një fjalë:

- Orvuar!

Qytetaria kishte fituar mbi çdo mëdyshje. A më duhej falja e saj, e cila vetëm për mua tingëllonte e tillë? Apo të qe kjo shenja e një dëshpërimi kur duam të shpallim diçka si një kujtim i hidhur?

- Orvuar ZONJË, Orvuar, Natali!

- përsërita dhe e ndjeva se sytë m’u njomën. Fatmirësisht, ajo më kishte kthyer shpinën dhe nuk m’i pa. Gjykatësja që më dënoi qe një femër tejet e pashpirt. Kurse kjo qenie femërore herë më ngjante si ajo e herë me një zanë mali që mezi priste të fluturonte në hapësirat e saj. Po pse e ktheu për një dekikë, vetëm një grimë portretin? Ç’donte të thoshte, o Qiell?!?

Fjalët më përziheshin me dhimbjen e natyrshme të një ndarjeje përgjithmonë. Zëri më dridhej. Sërish m’u kujtua Madamë Batërflaj dhe ndjeva në shpirt diçka që më dogji thellë. Ajo që i shkakton farkëtari kuajve në veshë me hekurin e skuqur për t’i matrikulluar, mbase do t’i ngjante, por aspak të krahasohej me dhimbjen thellë në shpirt që më shkaktoi ajo ndarje. Francezja uli qepenin me rrapëllimë si të rrëzohej shpati I një mali.

Në rini kishim tallur poetin arbëresh që kishte shkuar deri në BRAZIL për të dashurën e tij. Unë isha gati atë çast të shkoja deri në fund të BOTËS, apo edhe t’i ngjitesha me duar e thonj Himalajës, ose të rrëmoja tokën si fiset ZULU, për të kryer një vetëdënim, thjesht të mos e humbja... Atë: Të shtrenjtën pa emër. E... mbase do të pranoja edhe pesë vjet të tjera burg, vetëm kur të kthehesha, të kisha mundësi të njëmendësoja  Dashurinë time të  vërtetë.

Përkitas ndali hapin një afroamerikan. Papagalli i tij tha diçka anglisht:

- E ka me ju, zotni, - m’u kthye i zoti.

- Dhe çfarë thotë?

- Ai është i veçantë, zotni. Ju ka studiuar nga larg dhe e kanë zënë ethet e tij që quhen psitakozë. Ai mezi pret t'ju... qesëndisë.

- Flisni më qartë, zotni!

- Ethet e papagallit, zotni! Ato shfaqen me përqeshje. Por për ta dëgjuar, zotni i nderuar, duhet një... stimulim.

Unë i dhashë një bakshish dhe ndjeva përqeshjen e njëmendtë të shpendit, i cili i kënaqur që i zoti mori shpërblimin, ashtu si papagalli te Bonaparti, u ndje i përfillur dhe tha diçka si shtesë:

- Paraselenë.**

Ktheva edhe një herë kryet nga zonja, emrin e së cilës nuk e mësova që nuk e mësova kurrë. Hapat e saj largoheshin dhe vetëm atëherë kuptova se ku ishte burimi i atij trishtimi e  mosbesimi në propozimin tim të para pesë viteve. Këtë ma tregoi ajo pusullë. Aty shkruhej:

"U ndodha në kohën e gabuar, në vëndin e gabuar.

Lamtumirë! "

Afroamerikani, si të qe fallxhor, tundi kryet dhe pohoi atë që lexova te pusulla. Të bindesha për vërtetësinë e tyre, më tregoi me shenjë që të shihja Zonjën e dyqanit.

Unë bëra atë që më tha dhe nuk u çmenda! Por kapa kryet me të dyja duart si të kisha frikë mos më fluturonte mendja nga kafka që më dukej se po çahej nga dhimbja.

Pashë në profil atë që po e shtynte arabi ALI mbi një karrocë invalidi.

Ishte e shtrenjta pa emër, ose anonime.

Në prehër qëndronte e bija: vogëlushja Natali,  që i gëzohej nënës së saj.

Afroamerikani më shpjegoi:

-Ajo zonjë përpara katër a pesë viteve u ndodh në

sahatin e lajthitjes në . . .një zonë të minuar.

Një islamik - kamikaz, hodhi veten në erë dhe ajo u paralizua nga të dyja këmbët.

Ai qeshi pak si për të nënvizuar diç mospajtuese në këtë botë:

Ali, edhe ky islamik, është bashkëshorti i saj shëmbëllor.

Tutje papagalli përsëriste:

- Paraselenë, paraselenë, paraselenë**)

Atë çast nga Harku i Triumfit, një vetëtimë çau qiellin dhe ca bubullima të frikshme e shoqëruan atë. Sa do të dëshiroja të kishin shkarkuar mbi mua dhe ndjeva se isha ende gjallë ndërsa lotët po më zinin grykën.  

Athinë, 9 prill 2016

-----------------

Paramnezi*)    = Përzierje e realitetit me trillin artistik. Shtysa është marrë nga një rrëfejnë e rioshit Aleksandër Moisiu. Atëhere ai shkonte në teatër me biletën e nxjerë nga . . . "Shefi i duartrokitjeve"....

Paraselenë**) = Njollë në breroren e hënës.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora