Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Hajdin Islami: British Airways i jep ANP-së vendin e parë për përmisimin e shërbimeve

| E marte, 09.12.2008, 11:56 AM |


Kosovë, 9 dhjetor 2008 - Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, ka marrë mirënjohje nga kompania prestigjoze British Airways me seli në Londër, për përmisimin e shërbimeve gjatë sezonit të verës, Prill - Tetor 2008, duke u radhitur aeroporti numër një në këtë kategori.“Stacioni i British Airways në Prishtinë sot ka marrë lajmin e zgjedhjes si stacioni i “artë” për progresin e bërë në rritjen e kualitetit të shërbimit gjatë periudhës Prill - Tetor 2008.Kriteret në të cilat bazohet ky çmim intern i kompanisë janë përpikmëria dhe tranportimi i bagazhit në kohë. Meritat për këtë ndahen nga departamenti i British Airways për shërbim ndaj klientit në aeroportin e Prishtinës dhe ANP-ja.”, tha Albion Idrizi, menaxher Shtetëror Komercial i British Airways në Kosovë dhe Shqipëri.Që para fillimit të sezonit veror, në një konferencë për media, Drejtori Menaxhues i ANP, Agron Mustafa, ishte zotuar publikisht se ky sezon veror do të jetë më ndryshe nga të tjerët, për shkak se në fokus të tij dhe pjesës tjetër të menaxhmentit dhe punëtorëve, do të jenë shërbimet ndaj udhëtarëve dhe aviokompanive.Për këtë qëllim u rrit numri i cheking-ve, u zgjerua hapsira e terminalit si dhe iu kushtua prioritet mbartjes së bagazheve, në mënyrë që udhëtarët të mos humbin kohë  në pritje dhe të procesohen sa më shpejtë.  ”Jemi jashtëzakonisht të kënaqur sepse kemi arritur që në një kohë rekord të procesojmë aeroplanët dhe udhëtarët. Në dallim me vitin e kaluar, kur koha e procesimit të aeroplanëve, nga momenti i aterrimit e deri në nisjen sërish për në destinacionin tjetër ka qenë 1:08 minuta, (një orë e tetë minuta), këtë vit kemi një mesatare të procesimit për 37 minuta, apo 31 minuta më pak se një vit më parë. Kjo i kursen shumë kohë udhëtarëve dhe aviokompanisë. Në kontratat e nënshkruara  me aviokompanitë ne kemi marrë obligime që një aeroplan të procesohet për 40 minuta” tha drejtori gjeneral i ANP-së, Agron Mustafa.Meritë të jashtëzakonshme për përpikmërinë në shpërbime dhe procesimin e shpejtë të udhëtarëve në ANP, kanë edhe Policia e Kosovës dhe Shërbimi Doganor i Kosovës, të cilët ishin shembullorë në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive si kontrollin e pasaportave dhe të bagazheve.Mirënjohja për përmisimin e shërbimeve bëhet edhe më e rëndësishme, kur të merret parasysh se sivjet për herë në parë në historinë e këtij aeroporti, numri i udhëtarëve arriti shifrën prej 1 million udhëtarëve komercialë, që në fillim të muajit Nëntor, ndërsa deri në fund të vitit sipas parashikimeve numri i udhëtarëve pritet t’i afrohet shifrës 1.2 million udhëtarë.Vitin e kaluar në ANP kishte 990 mijë udhëtarë komercialë.“Para 10 vjetësh bëhej fjalë nëse i përmbush apo jo Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës kushtet e larta të British Airways për një operim kualitativ dhe të sigurtë.  Sot ky aeroport jo vetëm që i përmbush këto kushte, por konkuron suksesshëm edhe me aeroportet e tjera të kategorisë së njejtë në Evropë. Shpresoj që ky sukses të vazhdojë sa më gjatë”, vijoi Albion Idrizi, menaxher Shtetëror Komercial i British Airways për Kosovë dhe Shqipëri.British Airways, është e vetmja kompani  që ofron linjën e vetme direkte midis Prishtinës dhe Londrës.

Hajdin ISLAMI,Vushtrri-Kosovë