E marte, 23.04.2024, 10:14 AM (GMT+1)

Kulturë

Prend Buzhala: Pegasiana e Visar Zhitit

E premte, 03.12.2021, 09:44 PM


PEGASIANA E VISAR ZHITIT

(Interpretime të poezisë lirike të Visar Zhitit “ARDHJA E PEGASIT NË QELINË TIME”.

Në ditëlindjen e tij.)

Nga Prend BUZHALA

Poeti është një lajmëtar për lirinë dhe për lirimin nga errësira. Te Psalmet 68:5,6, këndohet: “Zoti i vendos të vetmuarit në familje, i nxjerr të burgosurit me këngë...” Në poezinë “Ardhja e Pegasit në qelinë time” përballen dy qenie në formë të botës shtazore: njëra, reale, përbindësh, siç ishte përbindëshi real i diktaturës, tjetra, imagjinare, në formën e një Pegasi, me pamje engjëllore; një si fluturim imagjinativ, frymëzim, që kapërcen muret, që e mposht realitetin përbindësh. Të jesh i lidhur në pranga dhe të fluturosh? Poeti heziton. Porse aty e ka qenien e tillë, përballë vetes.

1.

Këto rrezatime përsiatjesh na i zgjon poezia “Ardhja e Pegasit në qelinë time” të Visar Zhitit. Në Fjalorët letrarë thuhet se “simbolika e Pegasit, sunduesit thundror të tokës dhe sunduesit me krahë të ajrit, vazhdon të përfaqësojë shpejtësinë, forcën dhe frymëzimin artistik. Duke përfshirë bukurinë dhe ndjenjën e madhështisë, ai është një udhërrëfyes për njerëzimin përtej botës fizike drejt mbretërisë ku shpirti mund të fluturojë pa kufi.”

Po!

Pak romancë në qelinë e errët.

Një fluturim jashtë vetvetes.

Mirëpo, aty ka edhe përplasje e përpëlitje dramatike. Përveç burgut, edhe frymëzimi është një tjetër torturues. Paradoksi: është një torturues shpëtimtar!

Në strukturën tesktuale thuret një simetri kontrastive: fluturimi dhe prangimi, frymëzimi dehës dhe përjetimi dramatik i kësaj situate, harrimi pas frymëzimit dhe situata reale, ethet e frymëzimit dhe çasti dramatik i kësaj situate, alkimia krijuese me analogjitë konceptuale të frymëzimit. Arti krijon analogjinë e vet kundruall botës përreth. Analogjia (edhe si figurë letrare) i shërben për përsiatje, për t’u hapur në botën e tij të brendshme, për ta nxitur dhe gjallëruar forcën e tij, dritën dhe kreativitetin burimor. Me figurën e tillë të analogjisë artistike, ai ndjehet në shtëpinë e tij, si do të shprehej Sigmund Freud.

Ta dëgjojmë se ç’ thoshte Bajroni: “Asgjë nuk është më e vështirë se sa fillimi në një poezi, ndoshta përveç fundit; sepse shpeshherë, kur na duket që Pegasi e fiton garën, ai e përdredh njërin krah dhe ne priremi të hidhemi poshtë, si Luciferi kur hidhet nga Parajsa për mëkatin e bërë; mëkati ynë është i njëjtë, dhe është vështirë për t'u ndrequr, siç është të qenët krenar, që e çon mendjen të fluturojë shumë larg, derisa dobësia jonë të na tregojë se çfarë jemi. Por koha, që i sjell të gjitha qeniet në nivelin e tyre, Dhe fatkeqësia e mprehtë, më në fund do t'i mësojë Njeriut, - dhe, siç do të shpresonim, - ndoshta djalli, që asnjëri nga intelektet e tyre nuk është i madh: Ndërsa dëshirat e nxehta të rinisë në venat tona të kuqe kënaqen, Ne nuk e dimë këtë - gjaku rrjedh shumë shpejt; Por ndërsa përroi zgjerohet drejt Oqeanit, ne meditojmë thellë mbi çdo emocion të kaluar."

Njëri krah lëndohet? Kjo përdredhje është metaforë bajroniane e frymëzimit, e dramës së brendshme, e lëndimeve shpirtërore të poetit, e përsosmërinë që nuk merr fund asnjëherë.

2.

Për t’u këndellur, për ta drejtpeshuar qenien e tij, midis ndërdijës, subkoshiencës së krijimit, dhe realitetit, ndërgjegjësimit, vetëdijes së zgjuar, poeti shikohet në pasqyrë. Mirëpo, përsëri, në vend të pasqyrës, realitetit, ai ka përpara një tjetër pasqyrë (përsëri në fluturimet e imagjinatës së kthjellë), sytë e Pegasit:

Kisha kohë pa u parë në një pasqyrë,

pothuaj e kisha harruar fytyrën time,

u pashë në sytë e kalit

kaq shumë njerëzorë

dhe me një si brengë shndritëse.

Isha i qethur tullë,

pis dhe me mjekër…

U mënjanova

se mos i dukesha kalit i egër.

Është syri i tretë i poetit, iç do të thoshte E. M. Forster. Lirika e mirë nuk njeh as mure burgu. Madje, ai jo e gjen mënyrën se si të shkruhet, qoftë edhe duke u memorizuar, si kujtesë mbretërore e poetit. Qoftë edhe duke i shprishur përmasat e realitetit. Qoftë edhe duke i tërhequr në dy skaje çmendurinë (dehëse) krijuese dhe vetëdijen e zgjimit. Është, pse jo, edhe arti i mbijetesës në errësirë, duke prodhuar dritën e brendshme. Atë dritë që mistershëm depërton në qenien e tij. Është kërkimi i paqes së brendshme me gjërat që të rrethojnë. Pegasi është një legjendë, një mit, dhe jeta e poetit në burg ngjet në këso legjende pegasiane. A ka arritur ta nënshtrojë këtë fluturim, pa dalë i lënduar?

u pashë në sytë e kalit

kaq shumë njerëzorë

dhe me një si brengë shndritëse.

Isha i qethur tullë,

pis dhe me mjekër…

Frymëzimi që zbret në qeli, vjen si një kalërim i hirshëm e fisnik, si një frymëtim dhe frymëzim i zjarrtë pegasian që zbret nga retë qiellore. Poeti ka nevojë për krijesat mitike, për ndjesinë e fluturimit për t’u drejtuar kah fryma e hirshme e Hyjit.ky kalërim i hirshëm shpërthen muret, një metaforë e shpirtit të lirë, e lirisë vetë. Tashmë ai e ka në dorë ta drejtojë këtë qenie mitike (këtë frymë të hirshme). Frymëzimi i tillë është fuqi supreme. Që vjen nga Dora e perëndishme. Por, në ato rrethana burgu e ideologjie të ateizmit, këtë frymë të perëndishme poeti e metaforizon përmes zbritjes engjëllore të Pegasit, para të cilit ligjëron si në një rrëfyestore.

Mos je ti Pegasi?!

Kam pasur edhe unë dëshira të blerta

Të njoma si bari.

Ca m’i kanë shkelur,

ca i kam mbajtur.

Ty po t’i hedh –

haji!

Dhe me buzët e thara

Mërmërita ngadalë

Siç mërmëritet nëpër dashurira:

-Kalë, o kalë…

E, megjithatë, këto dy realitete, ai i jetës dhe ai imagjinativ-artistik, i kanë të përbashkëtat e tyre nëpërmes kësaj analogjie si figurë të ndërliqshme ligjërimore letrare, duke dhënë kuptime të reja, gjithnjë e më të thella.

Mos je ti Pegasi?!

Kam pasur edhe unë dëshira të blerta

Të njoma si bari.

Ca m’i kanë shkelur,

ca i kam mbajtur.

Ty po t’i hedh –

haji!

Në shtresimet semantike të kësaj lirike lexojmë edhe fifurën e analogjisë ligjëlrimore letrare.

3.

Analogjia e dëshirave me Pegasin, zbulon marrëdhëniet mes ligjërimit figurativ-metaforik dhe fjalëve që konkretizojnë dhe provojnë lidhjet e ndërsjella midis folësit lirik dhe Pegasit. Së këndejmi, dihet që analogjitë, ngjashmëritë, krahasimet dhe metaforat janë të lidhura ngushtë, “sepse të gjitha përdoren për të krahasuar gjëra të ndryshme.” Analogjia poetike gjithnjë është një ligjërim metaforik.

Në këso rastesh, poeti parapëlqen dialogun (“Mos je ti Pegasi?!”).

I rrëfen apo i pëshpërit?

Dhe me buzët e thara

Mërmërita ngadalë

Kryesorja, poeti është bashkë me të, me Mitin e Frymëzimit, me Lirinë, me të hyjnueshmen. Me poezinë në aktin e saj të krijimit. Romansierja amerikane Julie Garwood, na thotë të hyjmë më thellë brenda kësaj pëshpërime: “Një pëshpëritje, e shtuar me një mijë të tjera, bëhet një ulërimë pakënaqësie.” Pëshpëritja është vetëmbrojtje. Ajo s’ka si të vritet. Pakënaqësia s’ka si të mbërthehet në pranga. Trupi po, por jo gjithçka tjetër që ka të bëjë me botën e brendshme, shpirtërore. Ajo është edhe një thirrmë e plotë. Poeti nuk ndjen nevojë të bërtasë, as të bëjë zhurmë, sepse pëshpërima dëgjohet më larg. Dhe, me anë të saj, folësi lirik i kthehet engjëllores:

Siç mërmëritet nëpër dashurira:-Kalë, o kalë…

Mërmëritjet e dashurive janë pëshpërima shpirti e poezie. A nuk e ndërton poeti, kësisoj, edhe një analogji kontrastive të situatës, jashtëzakonisht të gjetur? Mërmëritja është tingulli më i butë, diktatura është zhurmë e tmerrshme, është dhunë e papërshkrueshme. Në këso psiko-situatash jetësore e krijuese, ai frikësohet të mos i ngjajë jonjerëzores, egërsisë, si atribute të kërkimit të kësaj butësie, paqeje, engjëlloreje pegasiane.

u pashë në sytë e kalit

kaq shumë njerëzorë

dhe me një si brengë shndritëse.

Isha i qethur tullë,

pis dhe me mjekër…

U mënjanova

se mos i dukesha kalit i egër.

Brenda këtij të foluri nën zë, ai gjen më të butën, më engjëlloren, dashuritë dhe trokitjet e zemrës së tij. Të folurit e tillë shndërrohet në prirje të brendshme, në udhërrëfim a udhëzues jo vetëm i artit, por edhe i jetës, i situatës jetësore në qeli. Le të ketë jashtë britma dhunuesish e prangash, le të ketë errësirë qelie; ai e ka dritën e tij. Ai ka zgjedhur diçka tjetër: bashkëbisedimin nën zë me Pegasin me sy njerëzorë. Imazhi poetik (pasqyra, sytë) dhe tingulli lirik, fonostilemat (mërmëritja) njësohen. Shndërrohen në pikturë dhe muzikë.

Te qetësia e tillë sikur ai gjen zërin hyjnor, të brendshëm. Është pëshpëritja e të vërtetës së hidhur: burgimi dhe qelia. S’ka asnjë forcë të së pavërtetës a shpifjes që qëndron mbi këtë të vërtetë. Në këtë ndërkëmbim situatash me komunikimin e tillë, foklësi lirik merr e jep njerëzore dhe brengat e tij. Butësia është komunikimi i hyjnueshmes, njerëzores, pegasianes, të cilin e marrin vesh më mirë qoftë njerëzit me shpirt të dëlirë, qoftë Qenia Supreme, Absoluti, pegasiana. Sa shumë jehona dhimbjesh ka në shpirtin e poetit, të cilat derdhen nëpër poezi të ngjashme, te proza e eseistika, si dhe tek shkrimet tjera të këtij autori! Tashmë ai e ka krijuar një nocion të ri letrar e që quhet burgologjia, e ngritur në sistem shkrimi te dhjetëra libra, te qindra shkrime të tjera. Ai ka arritur që me mërmëritjet e tilla të qelisë, ta zgjojë nga gjumi botën e shurdhër rreth nesh e brenda nesh.

Mbi të gjitha, këtu është poezia që na ligjëlron më mirë se secili shkrim për të.

_________

VISAR ZHITI:

ARDHJA E PEGASIT NË QELINË TIME

Ditën –

paradite, mbasdite,

Natën –

paramesnate, në mesnatë, pasmesnate

çdo trokëllimë më rrëqethte…

…më dukej si prangat,

sikur do vinte polici të më merrte

të më flakte në një shpellë

ku do tmerroheshin dhe tmerret.

Çdo trokëllimë…

Ç’do trokëllimë?…

Ç’kërkon?…

Një trokëllimë…

Vura veshin si me frikë…

Afër frëngjisë,

nëpër barin e pakët-patkonj.

Kulloste një kalë

si dikur,

si në ëndërr.

Trupi i tij i bukur –

muzg i larë me shi dhe hënë.

Ç’e mirë të solli kështu?

Mos je ti Pegasi?!

Kam pasur edhe unë dëshira të blerta

Të njoma si bari.

Ca m’i kanë shkelur,

ca i kam mbajtur.

Ty po t’i hedh –

haji!

Dhe me buzët e thara

Mërmërita ngadalë

Siç mërmëritet nëpër dashurira:

-Kalë, o kalë…

Ngriti kokën,

u pamë sy më sy.

Kisha kohë pa u parë në një pasqyrë,

pothuaj e kisha harruar fytyrën time,

u pashë në sytë e kalit

kaq shumë njerëzorë

dhe me një si brengë shndritëse.

Isha i qethur tullë,

pis dhe me mjekër…

U mënjanova

se mos i dukesha kalit i egër.

Dhjetor 1979



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora