E premte, 19.04.2024, 03:03 AM (GMT+1)

Faleminderit

Gjekë Gjonaj: Historia e dhimbshme e pushkatimit të Nikollë Gjolajt në lulen e rinisë

E enjte, 02.12.2021, 10:00 PM


Fshati Muzheçk

Historia e dhimbshme e pushkatimit të  Nikollë Gjolajt në lulen e rinisë

Nga Gjekë Gjonaj

Partia Komuniste e Jugosllavisë i solli  shumë vrasje, krime e tortura   edhe  malit të Trieshit,  sikur të gjitha trevave  të tjera shqiptare.  Kjo forcë ushtarake , e cila në emër të luftës  për çlirim,   shtriu  rrënjët  e  saja ideologjike  staliniste  dhe ushtroi dhunë e barbarizma ndaj popullsisë vendase, ndaj nacionalistëve e antikomunistëve trieshjanë ( shqiptarë), të cilët nuk pranuan diktatin e urdhëruar nga emisarët  sllavë ( serbo-malazez). Gjatë dhe pas  Luftës së Dytë Botërore   nga armiqtë shekullorë të shqiptarëve u vranë  dhjetëra trieshjanë.   Për këta  trima të kësaj krahine atdhetare,  viktima të komunizmit, të cilët  nuk u pajtuan dhe kundërshtuan planet djallëzore   antikombëtare të  komunistëve  sllavë, është shkruar shumë pak.  Angazhimi dhe veprimtaria e tyre në mbrojtje të   tokave të tyre arbërore ka mbetur histori e pashkruar deri në ditët e sotme, edhe nga historianët shqiptar, jo vetëm në Mal të Zi, por për fat të keq  edhe në Shqipëri.  Deri para  pak dekadash   familjet e  këtyre viktimave kryesisht kanë heshtur.  Jo  për arsye se  nuk dëshironin të ndriçohet e vërteta e tyre. Por, kishin frikë  nga  pasojat e regjimit  të egër komunist dhe shërbëtorët e tyre  të verbër. Kjo ishte arsyeja kryesore pse  familjarët e  viktimave të komunizmit  në Triesh, dhe jo vetëm  nuk  guxonin as të flisnin për ta, sepse  e kishin  trashëguar nga baballarët e tyre shprehjen  rrëqethëse shekullore   të shqiptarëve “  Hesht ,  mos fol , edhe  muri ka vesh ! ”

Familja  Gjolaj , nga fshati Muzheçk i Trieshit  për herë të parë theu heshtjen  76-vjeçare të  pushkatimit të  birit të saj,  Nikollë  Gjon Curit , në moshën  24 vjeçare. Gjon Dodë Gjolaj, i cili jeton në Tuz, duke iu referuar dëshmive gojore të   gjyshit, Prekë  Ucit dhe  gjyshes,  Mri Baces  tregon   për jetën, veprimtarinë dhe historinë e  dhimbshme  të vrasjes së kushëririt, Nikollë Gjonit, nga regjimi komunist.

Nikollë Gjolaj u lind në vitin 1921 në fshatin Muzheçk, në një familje  të ndershme  atdhetare.  Prindërit e tij  Gjon Cura Deda dhe Katrinë Lushkja Dushaj nga Traboini i Hotit kishin edhe një djalë , Antonin.  Nikolla ishte djali i dytë i tyre.  Ai erdhi në jetë tri vjet pas vëllait të madh.  Të dy vëllezërit,  njëri në moshën  4 vjeçare, kurse tjetri në moshën 1 vjeçare   mbetën jetimë, pa baba, i cili  humbi jetën tragjikisht në detin Adriatik,  në afërsi të Ulqinit. Katër vite më vonë   u vdiq tragjikisht edhe  nëna, derisa ruante bagëtinë ( gjanë e gjallë).   Për fatin e tyre të hidhur  Antoni dhe Nikolla në moshën e fëmijërisë  humbën  më të dashurit,  nënën dhe babanë.  Këta të dy jetimë  i mori në përkujdesje dhe i rriti  kushëriri, Prëk Ucë Deda me bashkëshorten,  Mari Bacen.  Nikolla në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare  shkoi në Shkodër, ku qëndroi rreth një viti te vëllai i Prëkës, Marash Uci.  Pastaj   shkoi  në Velipojë, ku qendroi rreth tri vitesh. Ai në vitin 1942,  i bashkangjitet Ballit Kombëtar, duke luftuar  kundër forcave partizane komuniste. Falë trimërisë dhe aftësisë ushtarake, rrëfejnë  familjarët,  Nikolla u emërua zëvendëskomandant i Ballit Kombëtar për Shqipërinë e Veriut. Ai i qëndroi besnik kësaj ideje, megjithëse  lufta  zhvillohej në favor të regjimit komunist.

Në dimër të vitit 1944, pasi Balli Kombëtar pësoi disfatë, Nikolla u kthye në vendlindje, në Muzheçk.   Në vjeshtën e   vitit 1945  Nikollën  e ftojnë     Zyrën e Vendit të Trieshit   në fshatin Stjepoh.  Atje   i japin një letër në zarfë të mbyllur me dyllë të kuqe, për ta dërguar pa e hapur në  Kazermën Ushtarake në Tuz.  Nikolla e merr letrën. Kthehet në shtëpi, në Muzheçk. I tregon Mri Baces për detyrën që i kishin dhënë komunistët trieshjanë. Mria kishte një parandjenjë  se kjo letër  mund të paraqiste rrezik për Nikollën e ri. Ajo, duke  dyshuar në pabesinë e komunistëve, edhe përkundër deklarimeve të tyre se  kjo letër nuk paraqet kurrfarë rreziku për  Nikollën,  e këshillon atë që mos të  shkojë në Tuz, por  më parë  të shkojë  në Cem të Trieshit  tek Prekë Uci, të hapë  letrën  dhe  pastaj të vendosin së bashku se  si të veprojë.   Nikolla  e kundërshton atë, duke i thënë që   mos    merakoset  se   nuk do ta   tradhëtojnë shokët e ti, vëllezërit trieshjanë, me të cilët  shoqërohej  dhe rrinin bashkë çdo ditë.  I bindur se nuk do t’i ndodhi asgjë e keqe ai  niset për  në Tuz.  Mri Bacja, e shqetësuar për  fatin e Nikollës , shkon tek kushëriri i burrit,  Pjetër Gjoka. E njofton me  situatën e Nikollës dhe kërkon nga ai që  ta ndalojë  atë të mos shkojë në Tuz, por të shkojë në Cem të Trieshit te Prekë Uci. Pjetër Gjoka menjëherë i vihet mbrapa dhe e nxënë    Nikollën në vendin e quajtur Qafë të Nagrivës.  U mundua t’ia mbushë   mendjen dhe ta bind atë  që të heq ë dorë nga shkuarja në Tuz, por pa sukses.  Nikolla  vazhdoi rrugëtimin e tij  të vdekjes në Tuz, prej nga  pas dy ditësh  në gjithë  Malësi u hap   lajmi i hidhur  për pushkatimin e tij  në oborrin e   Kazermës Ushtarake të Tuzit, në  ish-objektin e  Repartit të Fabirkës së Tekstilit “ Titeks” .   Thuhet se  atë ditë  Nikolla,  në lulen  e rinisë ,  u pushkatua me dy malësorë të tjerë  nga  plumbat vrastarë të komunistëve dhe se trupat e tyre të pajetë i hodhën   diku në afërsi të Liqenit të Shkodrës,   buzë fshatit Nënhelm.  Familja Gjolaj  e di se kush ishte njeriu që dyshohet se e spiunoi    Nikollën, 76 vjet më parë.    Por,  ajo, sot  e kësaj dite  nuk di asgjë më shumë  për  vrasjen e   djalit të tyre , madje as vendin ku  i kanë mbetur atij eshtrat.   Për të qenë   edhe më keq familja Gjolaj  nuk ka guxuar të bëjë asnjë kërkesë zyrtare  për gjetjen e eshtrave të djalit  të tyre   gjatë  kohëzgjatjes së  sistemit komunist.

Pjesëtarët e kësaj  familjeje gjithnjë  kanë qenë  të vëzhguar  nga   pushteti i kohës.  Administrata e Sigurimit Shtetëror ( UDBA) nuk  e ka lënë të qetë as kushëririn e Nikollës,  Dodë Prekën, në Gjermani , i cili për tri vite nuk ka guxuar të vizitojë familjen e tij në Triesh.

Kjo është dëshmia  ekskluzive e familjes Gjolaj   për historinë e  panjohur  të vrasjes  së djalit të tyre  nga  komunistët,  i cili luftoi  bashkë me luftëtarë të tjerë nacionalistë shqiptarë   për lirinë e shqiptarëve,  për një Shqipëri  të lirë, demokratike dhe të vëllazëruar, kundër  regjimeve  komunist diktatoriale në Shqipëri dhe në Mal të Zi.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora