E hene, 08.08.2022, 02:36 AM (GMT+1)

Speciale » Alia

Lutfi Alia: Legjenda e të Bukurës të Liqenit të Valit

E enjte, 02.12.2021, 10:05 PM


LEGJENDA E TË BUKURËS TË LIQENIT TË VALIT

Nga Lutfi ALIA

Në fshatin tim të lindjes Vali, tregohet një legjendë e ardhur nga lashtësitë pagane, një legjendë me ngjashmëri impresionante, ose më saktë, një variant i miteve të Artemisa - Diana – Zana-Thana dhe i amazonave, nimfave, orëve dhe shtojzovalleve. Këtë legjendë, në vitin 1968 e ka transkriptuar mësuesi i apasionuar Abdulla Keta, i cili, gjatë ekspeditave për mbledhen e folklorit në trevën e Martaneshit, e dëgjoi nga disa plaka të fshatit Val, dhe e shkruajti me hollësi dhe mjeshtëri, ashtu si ia treguan.

Legjenda e të bukurës që del nga liqeni i Valit dhe e hutoi djaloshin bari, i cili u dashura marrëzisht me perrinë, tregohet nga valatosët, por dhe nga malësorët e fshatit Lena, e lidhur me Liqenin e Zi, ashtu si tregohet në trevën e Klosit, e lidhur me liqenet Balgjat dhe në Gollobordë me varjantin e “E bukura e shkëmbit”, si e ka përshkruar me mjeshtri dhe art studiuesi dhe shkrimtari Lazër Radi. Në të katër këto fshatrat tregohet e njëjta legjendë, që përmbanë të njëjtën ngjarje mitike, me disa variacione në vartësi të kushteve specifike të trevave, si p. sh në Gollobordë ku nuk ka liqe, andaj e bukura dilte nga shkëmbi.

Legjenda e të bukurës të liqenit të Valit: “Një djal bukurosh, çdo mëngjes, kur kalonte me tufën e dhenëve  buzë liqenit të fshatit, shihte një vajzë të bukur, që dilte nga liqeni dhe krihte flokët e gjata, duke e vështruar veten në pasqyrën e ujit. Ndërsa krihej, sirena këndonte bukur, por sapo konstatonte se po e shihte bariu, çdukej në ujin e liqenit. Për tre ditë me rradhë, bariu e vështroi dhe i dëgjoi këngët e vajzës me bukuri mahnitëse. Këtë ngjarje, Ai ia tregoi një plake, që banonte pranë Perroit të Shtrigës dhe i kërkoi këshilla, si të vepronte ta kapte bukuroshen, para se ajo të zhytej në ujin e liqenit. Plaka e këshilloi të qepte një këmishë të bardhë të gjatë, pa grykë dhe ta linte buzë liqenit e të priste kur vajza të dilte nga uji dhe kur ajo ta vishte këmishën e bardhë, të nxitonte ta kapte.

Kështu veproi djaloshi. Si çdo ditë, të nesërmen në mëngjes, pa lindur dielli, sirena doli nga liqeni duke kënduar dhe sapo e pa këmishën e bardhë e veshi. Në çast, djaloshi doli nga vendi ku ishte fshehur, e kapi dhe çoi në shtëpi. Vajza ishte shumë e bukur e shumë punëtore, por nuk fliste, megjithatë bariu u martua dhe lindën një djal shëndeverë. Kështu kaluan tre vite së bashku, por gruaja vazhdonte të mos fliste. Bariu i mërzitur shkoi përsëri te plaka t’i kërkoi këshilla si të vepronte, që bashkëshortja e tij e bukur të fliste. Plaka, pasi e dëgjoi, i tha: Kur të kthehesh në shtëpi, merr një thikë dhe bëj sikur do ta therish djalin, ajo do të trembet dhe do të flasi. Bariu veproi si e prositi plaka. Gruaja kur e pa këtë skenë u tmerrua dhe thirri me zë të lartë: “Çfarë po bën mor burrë? Kështu më humbe mua dhe djalin tonë. Po të kishe duruar dhe tre javë, do të kishim gëzuar jetën së bashku”. Kështu foli gruaja e bukur dhe në çast ajo së bashku me djalin ranë në tokë të vdekur dhe bashkë me ato vdiq dhe djaloshi”.

Një legjendë e ngjashme tregohet dhe nga banorët e fshatit Lena, me bariun dhe të bukurën e Liqenit te Zi, por në këtë rrefenjë shfaqet dhe prania e dashit: “E bukura që dilte nga liqeni i Zi dhe krihte flokët e gjata, duke u vështruar në pasqyrën e ujit dhe që këndonte bukur, shoqërohej me një dash të zi, i cili kulloste me dhentë e bariut, madje nga ndërzimi me ato, lindën 12 qingja leshzi. Këtë ngjarrje djaloshi ia tregoi plakës dhe i kërkoi mendim si ta kapte vajzën e bukur. Plaka e këshilloi të qepte një këmishë të bardhë pa grykë dhe ta linte buzë liqenit. Kështu veproi dhe pasi e kapi sirenën e bukur u martua dhe lindën një djalë. Së bashku jetuan tre vjet, por e bukura e liqenit nuk fliste dhe djali shkoi përsëri të plaka dhe i kërkoi një këshillë si të vepronte që gruaja e tij të fliste. Plaka, pasi e dëgjoi, i tha: Kur të kthehesh në shtëpi, merr një thikë dhe bëj sikur do ta therish djalin, ajo do të trembet dhe do të flasi. Bariu veproi si e prositi plaka. Gruaja kur e pa këtë skenë u tmerrua dhe thirri me zë të lartë: “Çfarë bëre mor burrë? Kështu më humbe mua dhe djalin tonë. Po të kishe duruar dhe tre muaj, do të kishim gëzuar jetën së bashku?”. Kështu foli gruaja e bukur dhe në çast ajo së bashku me djalin dhe me dashin leshzi me të 12 qingjat, u kthyen brenda në liqe dhe djaloshi vdiq nga dëshprimi.

Në këto dy legjenda përsëritet numuri 3 simbolik i folklorit të popullit tonë, 3 ditë, 3 javë, 3 muaj, 3 vite, ashtu si shfaqet dhe numëri biblik 12, që shpreh plotësinë humane; në apokalipse shpreh 12 patriarkët dhe 12 apostujt, ashtu si shpreh dhe 12 hënëzimet komplete brenda një viti diellor, ora dhe numërin e shenjave zodiakale. Në këto dy legjenda si dhe në atë të liqenit Balgjat vajza bukuroshe del nga uji, pra ishte sirenë dhe këndonte bukur si sirenat e Odises (Homeri libri XII i Odisea), që i magjepsnin burrat që dëgjonin këngët e tyre melodioze. E njejta legjendë tregohet në Gollobordë, por me veçori se e bukura dilte nga poshtë shkëmbit. Rrëfimi i këtyre legjendave pagane në fshatrat Val, Lena, Klos dhe në Gollobordë, shpreh lidhjen historike dhe kulturore mes tyre, sepse këto katër fshatra bënin pjesë në trevën dhe Dioqezën e Kunavisë antike dhe mesjetare e shquar në ato kohë.

Këto legjenda me origjinë në antikitetin pagan, të treguara si mite dhe përralla, janë pasuri e çmuar kulturore e malësorëve të këtyre trevave, i perkasin traditës të rrëfenjave gojore, të formuluara në zanafillë nga një person e më pas të përsëritura dhe të pandryshnara nga shumë të tjerë, duke bashkuar disa elemente të vërteta, me fantazinë, që ia shtonte bukurinë dhe emocionet legjendës, mitit dhe përrrallës.

Mitet (nga greqishtja – rrëfime) dhe legjendat (nga latinishtja - gjëra që duhen lexuar), rrefimet popullor tradicional me argumenta mitike, lindin si kërkesë e natyrshme e njerëzve për të përshkruar dhe për të kuptuar ndodhi të rralla, të cilat i përshkruajnë me fantazi admiruese, duke shtuar personazhe imagjinare si zanat, orët dhe shtojzovallet, hyjnitë dhe hyjneshat, sirenat, divat (eposi i kreshnikëve), shtrigat, dragojt, djallin etj, të cilët krijuesi popullor ua shton ngjarjeve të ndodhura në vendlindjen, duke i bërë sa më tërheqëse dhe më të bukura legjendat. Këto krijime popullore të lashta, janë transmetuar brez pas brezi, kësisoj të pa ndryshuara deri në ditët tona. Mitet dhe legjendat janë rrëfime të kohëve të shkuara pagane, madje të kohëve para se të shkruhej historia e njerëzimit dhe të transmetuara gojarisht, duke ruajtur me besnikëri përmbajtjen.

Kur njihemi me legjendën e të bukurës të liqenit të Valit dhe me tre të tjerat të fshatrave Lenë, Klos dhe

Gollobordë, llogjikshëm lind pyetja? Kush është origjina e tyre, nga u frymëzua krijuesi popullor për t’i

përshkruar me kaq art, romantizëm dhe dramacitet këto legjenda?

Përgjigjia është bindëse: Legjenda e Valit e ka zanafillën në lashtësinë pagane, evokon mitet e hyjneshave Artemisa helene, Diana romake dhe Zana-Thana iliro-arbërore, tre hyjneshat që lahen në ujin e liqenit dhe të lumejëve ashtu si lahet dhe hiroshja në liqenin e Valit. Në këtë legjendë është dhe miti i nimfës Eko, miti i Narçizit; edhe miti i hyut Pan, që i ka dhënë dhe emrin liqenit, i mirënjohuri liqeni i Panit – Panjetit – i Valit dhe kulti i plakës – shtriga. Kjo ndërthurje e traditës tonë popullore, me mitet antike helene, romake dhe iliro-arbërore, dëshmon se bashkfshatarët e mi të lashtësisë e njihnin historinë e antikitetit, i njihnin dhe i nderonin hyjneshat Artemise, Diana, Zana – Thana dhe Hyun Pan, ata njihnin historitë e nimfave, të sirenave të Odiseas që rrëfen Homeri, njihnin dhe shtrigat dhe pikërisht kjo kulturë shprehet qartë, përgjithësohet në legjendat e të bukurës të liqenit, madje përshtatet mjeshtërisht me realitetin e liqejve të Valit, liqenit të Zi (dashi leshzi), të liqeneve të malit Allaman, ndërsa në Gollobordë e bukura del nga poshtë shkëmbit.

Artemisa helene, Diana romake, Zana iliro-arbërore dhe e hiroshja e liqenit të Valit.

Ilirët kishin dhe nderonin perënditë e veta, hyjnitë ilire, që me pas u përzien me ato helene dhe romake, ose u zëvendësuan me hyjnitë e panteizmit romak. Ashtu si helenet nderonin Artemisen, romakët Dianën, iliro-arbërorët nderonin hyjneshën Zana-Thana. Lexuesi mund të pyesi: Vallë a ka lidhje teonimike ndërmjet Artemisës helene, Dianës romake. Zanës iliro – arbërore dhe të bukurës të liqenit të Valit? Natyrisht kanë të njejtin matriks, kanë vazhdimësi dhe ngjashmëri, të diktuara nga ndikimet, huazimet dhe shkëmbimet ndërmjet kulturave helene, romake dhe iliro-arbërore. Të tria hyjneshat jo vetëm ngjajnë, por në thelb janë të njejta, vazhdimësi e njera tjetrës, nga thellësitë e lashtësisë.

Krijimi i kultit dhe rritja e hegjemonisë të hyjneshës Diana në ilirët, dëshmohet me tempullin  madhështor të Dianae Candaviensis - Diana e Kandavias, që sipas burimeve historike romake, ndodhej në verilindje të Skampës, disa studiues thonë se ishte në Çermenikë, të tjerë thonë në Babje të Librazhdit, të tjerë mendojnë se ishte i ndërtuar thellë në malësi dhe nga atje, festimet për nder të kësaj hyjneshe u përhapën në trevat e tjera. Njoftimin e parë për këtë tempull e dha austriaku Camillo Praschniker, i cili zbuloi mbishkrimin Add Dianae Candaviensis - tempulli i Dianës të Kandavias. Ashtu si objektet e tjera të kulteve pagane ilire dhe tempulli i Diana i Kandavia, ka lënë gjurmët në toponimet e trevës ku ishte ngritur, ashtu dhe në kulturën e malësorëve, që ruajnë shumë rite të lashta dhe legjenda, që shprehin nderim për kultin e hyjneshës Diana. Pas dyndjeve të barbarëve të Teodorikut (shek IV-VII pas K), tempulli Diana i Kandavias, u rrënua plotësisht, por malësorët kanë ruajtur plot toponime, legjenda dhe rite pagane, që sugjerojnë se tempulli ishte i ngritur në malet e larta të Martaneshit, si shprehet me bindje të plotë Eqerem Bej Vlora, kur përshkruan bukuritë mahnitëse të maleve dhe pyjeve të kësaj treve. Toponimet Lugu i Deas, Gurra e Deas, Luçiana, Zana e Mansit, Qoshja e Zanës, Linjat e Zanës, Përroi i Shtrigës etj, janë emëra të lidhur me hyjneshën Diana dhe me Zanën iliro – arbërore. Eruditi Eqerem Çabej, duke e lidhur origjinën e emërit Zana ilire, me Dianën e romakëve, ka theksuar: “Kulti i fortë i Dianës në Shqipëri dhe në mbarë Gadishullin e Ballkanit të kohës antike, sikundër shihet nga dëshmia e mbishkrimeve, na shtynë të pranojmë se me Diana kemi të bëjmë me një ‘interpretatio latina’ të hyjnisë epike vendase pararomake, pra të Zanës ilire.”

Artemisa helene, Diana romake, Zana ilire me Orët e Shtojzovallet, laheshin lakuriqe në lum, ose ne liqe dhe vallëzonin nën dritën e hënës, larg njerëzve. Të tria këto hyjnesha i ndëshkonin burrat, që tinëzisht guxonin t’i shihnin kur laheshin, ose gjatë ekstazës në vallëzim, ose kur cënonin lirinë dhe mëvehtësinë e tyre. Kështu dhe e bukura e liqenit të Valit lahej larg syve të tjerëve dhe kur e shihte bariu bukurosh kridhej brenda në ujin e liqenit. Në kontekst të fuqisë të Zanës, për të ndëshkuar ata që cënonin intimitetin e tyre hyjnor, populli ynë përdor mallkimin “të shitofshin Zanat”, njëlloj si mallkimi “të vraftë Zoti”, një ndëshkim i mistershëm dhe i rëndë, që e zotëronte vetëm Zana hyjnesha, e cila i shitonte burrat, duke i lënë pa mend në kokë për tërë jetën. Në legjendën e Valit, e bukura e liqenit zotëron fuqitë ndëshkuese të hyjneshës Zana, si shprehet në finalen e ngjarjes, kur bariu bashkëshort, e provokoi me nje veprim barbar, duke i lënduar rëndë dashurinë amëtare për fëmijën dhe e bukura e liqenit u vetflijua tragjikisht së bashku me të birin, por me fuqinë e saj ndëshkuese, e dënoi me vdekje dhe bashkëshortin.

E bukura e liqenit të Valit, mishërim i mitit të nimfës Eko

E bukura e liqenit të Valit përshkruhet si nimfë, plot hire, me flokë të gjatë, që i krihte duke u parë në pasqyrën e ujit të liqenit, që vallzonte dhe këndonte me zë mëlodioz e të magjishëm, që e hutonte cilindo që e dëgjonte. Me bukurinë e rrallë dhe zërin melodioz e magjepsi dhe bariun bukurosh të Valit, i cili e rrëmbeu dhe u martua me hiroshen e liqenit. Në bashkëjetesë lindën një djalë shëndeverë. Ajo ishte e dashur, e sjellshme dhe shumë e zellëshme në punët e shtëpisë, por nuk fliste. Kështu kaluan tre vite së bashku, por gruaja vazhdonte të mos fliste. Ky qëndrim i të bukurës të liqenit të Valit evokon mitin e metamorfozës të nimfës Eko, të cilën Era (gruaja e Zeusit) e kishte ndëshkuar të mos fliste, e kish shndërruar ne memece, por me të drejtë të shqiptonte vetëm fjalën e fundit të bashkëbiseduesit. Kështu ndodhi, e bukura e liqenit të Valit foli vetëm pas provokimit të rëndë që i bëri bshkëshorti, fjalët e fundit ishin fatale, ishin ndëshkimi, shitimi i rëndë i burrit që e lëndoj në sekretin e mëvehtësisë së saj si nimfë.

Në mitologjinë helene Eko, e bija e Ajrit dhe Tokës, ishte një nga nimfat e pyjeve, e shquar për karakterin e butë dhe mirësjelljen, me zërin e dlirtë, që i mbushte me ëmbëlsi zemrat e atyre që e degjonin, por këto virtyte ia kishte mohuar hyjnesha Era, e cila për hakmarrje e kishte ndëshkuar të mos fliste. Nimfa Eko ishte dashuruar marrëzisht me Narçizin ngrehaluc, por në pamundësi t’ia shprehte dashurinë, e mërziste duke i persëritur fjalën e fundit që ai shqiptonte, kështu Narçizi nuk iu përgjigj sentimenteve të saj, duke menduar se Eko tallej me të. Raportet e Ekos me Narçizin i përshkruan Ovidi ne librin III – Metamorfoza (vargjet 413 – 467), ku dashuria e Ekos u transformua në rrokje, që jehonin nëpër male, ndërsa Narçizi me pa aftësinë e tij për të vështruar tej vehtes, u largua pa e kuptuar nimfën Eko. Këto raporte munduese të Ekos me Narçizin, Ovidi i shndërroi në mit, John William Warehouse i përjetësoi në një kuadër të bukur, ndërsa Sigmund Froud i përgjithësoi në nje realitet psiqik, të njohur me termin Narçizizëm.

Mitet e Narçizit në legjendën e liqenit të Valit

Në mitologjinë helene, Narçizi ishte i biri i nimfës Liriope dhe hyut të lumenjëve Cefiso, si e përshkruajnë Partenio i Nikea dhe Konone (shekulli 36 para K – 17 pas K), por përshkrimin më të plotë e ka bërë Ovidi në Metamorfozën. Kur lindi Narçizi, profetia Tiresia parashikoi fatin e tij, duke i thënë nimfës Liriope se “Narçizi do të jëtoi deri sa të të mos njohi vehten”, një profeci e dykuptimëshme, që u realizua në mënyrë fatale kur ai mbushur 16 vjeç. Narçizi bukurosh ishte i apasionuar pas gjuetisë, rendëte nëpër pyje dhe male dhe në një nga këto shtegëtime njohu nimfën Eko, e cila u dashurua marrëzisht me Narçizin, por ai nuk iu përgjigj kësaj dashurie të zjarrtë, duke e konsideruar vehten djalë shumë i bukur, që nuk mund të dashurohej me një nimfë të thjeshtë. Pra Narcizi i dashuruar me e veten, nuk shihte tej vehtes, ishte xheloz për bukurinë e vet.

Kur Narçizi e refuzoi dashurinë e Ekos, hyjnesha Nemesi, vajza e dytë e Zeusit, e cila mbante drejtësinë hyjnore, duke ndëshkuar paudhësitë, krimet e pazgjidhura, sjelljet e këqia, mosmirënjohësit, shtjerrakeqësit etj, vendosi ta ndëshkoi Narçizin, duke e detyruar të shihte fytyrën në pasqyrën e ujit të kthjellët të një pëllgu dhe i mahnitur nga pamja e bukur e fytyrës së vet, thërriti me zë të lartë: “ç’bukuri sublime, nuk mund të jëtoj pa e parë kështu shkëlqimtare çdo ditë”. I dashuruar me vehten Narçizi qëndroi pa lëvizur, i magjepsur me bukurinë  e fytyrës së vet, nuk hante, nuk pinte, gradualisht i humbi forcat dhe vdiq. Në mëngjezin e ditës së nesërme, kur Najadat (nimfat e burimeve) dhe Driadat (nimaft e maleve) e morën trupin pa jetë të Narçizit, nën trupin e tij gjetën lulen petla-bardhë, që u quajt me emërin e tij narçiza (Narcissus poeticus).

Miti i hyut Pan në legjendën e liqenit të Valit.

Nimfa Eko e dërrmuar nga dhimbja, zërin e saj e shndërroi në fenomenin akustik të ekos, pra mori emërin e saj. Kështu ndodhi me të bukurën e liqenit të Valit, e tmerruar nga veprimi i rëndë i burrit, filloi të flasi, por

ishin fjalët e fundit, ishte sentenca fatale për të tre.

Një ditë, kur nimfa Eko po shetiste e mblidhte lule në një lëndinë dhe këndonte, i doli përballë hyu Pan, i cili i magjepsur nga bukuria e Ekos, iu afrua dhe i tha: “O krijesë e mrekullushme, ti do të bëhesh gruaja ime!”. Nimfa Eko e terrorizuar nga pamja e shëmtuar e Panit, u largua duke vrapuar drejt pyllit, deri sa gjeti një shpellë ku u fsheh. Pani ishte hyu i barinjëve, i kullotave dhe i kafshëve të egra, i biri i hyut Hermes dhe i hyjneshës Driope. Në disa mite helene përshkruhet një ndër hyjnitë më të vjetër të Olimpit, që së bashku me Zeusin kishte pirë qumështin nga dhija Amalthea, ishte kujdesur për qentë e Artemisës dhe i kishte mësuar Apollonit artin hyjnor. Hyu Pan kishte pamje të shëmtuar, fytyrë të përçudnuar, të rrudhur, me mjekër dhe mustaq, me veshët të gjatë me majë, në vend të këmbëve kishte thundra cjapi dhe në kokë brinjët e cjapit. E kalonte ditën duke kënduar dhe duke i fryrë pipëzave me kallamat e liqenit. Hyu Pan u dashurua me nimfën Eko por ajo e refuzoi, madje i përgjigjej pyetjeve të tij vetëm me fjalën e fundit që shqiptonte Pani, kështu fjalës së tij amore – e dashur, Eko iu përgjigj në formë të ndryshuar Ah muore - ahhh ai vdiq, duke iu referuar Narçizit që kishte vdekur. Ndonëse në legjendën e Valit nuk përmendet Pani, në fakt ai është i pranishëm, sepse ky liqen quhet liqeni i Panit – i Panjetit, ashtu si njihet dhe me emërin liqeni i Valit.

Bariu dhe plaka e Prroit të Shtrigës

Në legjendën e liqenit të Valit, paralel me figurat mitologjike, ndeshim dhe figurën e plakës – shtriga. Në këtë plan është interesante ndërthurja e figurës të plakës, që në traditën tonë kulturore shpreh mençuri dhe përvojë, por në legjendë është me vend banim pranë përroit të Shtrigës. Ndonëse këshillat e plakës nuk shprehin mitin e Kasandrës, pra fundin fatal, fakti se rrëfimtari popullor e vendos pranë përroit të Shtrigës, nënkupton dhe ndërhyrjen e saj indirekte dhe ndjellakqe në ngjarjen e bariut dhe të bukurës të liqenit të Valit.

Natyrshëm lind pyetja, cilën shtrigë përfaqëson kjo legjendë?

Në antikitetin pagan, protagonistët e kulturës vetëquheshin stregani – shtrigan, në kuptimin pozitiv, persona me kulturë, andaj në këtë legjendë shpreh pikërisht plakën që jep këshilla për zgjidhjen e kërkesës të bariut të dashuruar me të bukurën e liqenit. Në periudhat e më vonëshme, sidomos në mesjetë, emërtimi shtriga u përdor për të cilësuar femrat që praktikonin magjitë, të pajisur me fuqi të fshehta e të mistershme mbinatyrale. Sipas opinioneve mesjetare, shtrigat e përdornin këtë fuqi për të dënuar të tjerët, andaj u persektuan dhe u ndëshkuan rëndë nga kisha, madje shumë prej tyre u dogjën në turrën e zjarrit. Ndonëse në katër legjendat kemi elemente që nënkuptojnë tërthorazi përsëritjen e ngjarjeve të plakës shtriga, si ato me shtrigën e Borëbardhës, ndodhi të lidhura me shtrigat e Kastratit, me shtrigat e Salemit, por dhe me shtrigat-magjistricat e Makbethit, mbetet konfuz trajtimi i konceptit shtriga.



(Vota: 13 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora