E enjte, 18.04.2024, 08:20 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Mrekulli që shijon syri, fryma, shpirti...

E marte, 30.11.2021, 08:30 PM


MREKULLI QË SHIJON SYRI, FRYMA, SHPIRTI...

Një ditë mes bukurive të vjeshtës plot ngjyra, në zonën mitike, kulturore, historike dhe turistike të Pustecit

EKSKLUZIVE NGA PËLLUMB GORICA

Kur udhëton, mënyra më e mirë për t'u shkëputur nga rutina e përditshme është të ikësh larg në kërkim të panjohurës, për të "pushtuar" në mëndje dhe "hipotekuar" bukurinë fotografike të natyrës. Emocionet të vijnë nga të gjitha anët, nga flladi i mëngjesit dhe freskia e muzgut, nga dielli dhe lotët e qiellit, nga ngjyrat, fëshfërimat e gjetheve, përplasjet e dallgëve në breg të ndonjë liqeni, deti apo lumi, nga historitë plot mistere që lëvizin dashur pa dashur me njerëzit dhe ëndrrat e veta. Ato të pasurojnë shpirtin e të shtyjnë vetvetiu të shkruash.

Udhëtojmë drejt Juglindjes. Ecnim ngjitur rrjedhës së lumit Shkumbin, që sa vinte e tëhollej si tërkuzë, ndërsa ai për tëposhtë, drejt detit të panë. Të shoqërojnë imazhet e pakapshme të drurëve dhe vendbanimet e përhapura, si tesha shumëngjyrëshe, që të mbajnë të "burgosur", pa e ndjerë kohën e udhëtimit. Ngjitim Qafën e Zvezdës, mbi 1025 m te shkëmbi "zemrak", që i kishin gërryer "brinjët". Aty në kapërcyell të saj, rruga të çon në zonën e Pustecit, në këtë virgjereshë të hijshme. Qielli i ngjyer nga një tymnajë ngjyrë plumbi, dukej sikur ruante shejtërinë e majave të maleve. Ja, mali i Thatë zotërues në tërë fushgropën e Korçës dhe liqenin e Prespës! Në të djathtë ngrihet madhështor maja e malit të Ivanit, me lartësi 1768 m, por ne na mbetën sytë te maja e Peristerit, ku shqiptarët me princin e tyre, Andrea Muzaka, më 1372 e thyen ushtrinë e mbretit serb, Vukashin (madje e zunë edhe rob e ia dorëzuan perandorit të Bizantit). Gjon Muzaka, në kronikën e tij të famshme të viti 1510 shkruan për këtë fitore dhe thotë se maja e Peristerit (ngjitur me Manastirin), është deformim i emërvendit Iperi stere, toka e Iperisë.

E përshkojmë shpejt rrugën që futet thellë në zonën e Pustecit, të mbushur me kureshtjen e jashtëzakonshme për të panjohurën e saj, që po t'i shtosh misterin e historive interesante dhe legjendave, mëson aq shumë. Liqeni i Prespës së Madhe shtriqej, në një dremitje të paqtë, i mbështjellë nga një mjegull, që shtohej në gjithë endjen teksa ngjitej kodrave e maleve për të vazhduar përqafimin në qiell, por për ca çaste me atmosferën surreale ta le të panginjur kureshtjen. Ashtu, duke i marrë ca fytyra ditës, dielli dërgon rreze të ngrohta, po aq edhe brenda vetes.

Prespa e Madhe është një prej liqeneve më të vjetër dhe më tektonik në Ballkan prej 318.9 km2. Në kohën e akullnajave duhet të ketë qënë një luginë e madhe, por si pasojë e cikleve klimatike, që e kanë përcjellë planetin tonë nga momenti i krijimit të tij, si një krater u mbush me ujë, i rrethuar nga shkëmbinj dhe veshur nga shkurre të dëndura. Shqipëria, Maqedonia dhe Greqia takohen në këtë liqen, i cili është pjesë e Parkut Kombëtar "Prespa", me një sipërfaqe prej 27.750 hektarë. Të vjen në mendje gjysma e dytë e shekullit të kaluar, ku si zonë kufitare të udhëtoje nëpër fshatrat e Pustecit duhej një leje e veçantë prej Degës së Punëve të Brendshme. Për ne atje mbaronte Shqipëria, ajo në fakt është edhe përtej Prespës. Zona e Pustecit është e pacënuar nga ndërtimet shumëkatëshe dhe nga të paktat vende në Shqipëri, që është ashtu si duhet të ishin edhe të tjerët. Duart e "kanibalëve natyrorë" s'kanë arritur ende aty për ta gllabëruar e shndërruar në modern me beton. Në këtë reliev të larmishëm, si të prera nga parajsa, aty-këtu, me tone të lehta, jo verbuese, as të forta pikture, shtrihen përgjumësh: Lajthiza, Liqenasi (Pusteci), Zaroshkë, Diellasi (Shuli), Gollomboçi, Gorica e Vogël, Kallamasi (Tumineci) dhe Gorica e Madhe. Të banuara nga një bashkësi e etnisë maqedone, të cilët dominojnë në zonat për rreth liqenit, Herodoti i lashtësisë i citon bregas, ata që banonin në breg të liqenit, Presida apo Presda.

Jetesa e banorëve (besoj se ka edhe përjashtime) është njësoj si e shqiptarëve. Njerëzit e këtij vendi kaq paqësor jetojnë realitete jetike të brishta e të dhimbëshme, por edhe dritësuese. Ndodh që disa, kur kacafyten me dallgët e jetës, të cilat varen nga kahët që fryejnë erërat, mbeten në udhëkryqet që ngre jeta, të tjerë fluturojnë andej-këndej, në brigjet e shpresës. Kjo sigurisht është diçka që ndodh në rrugët, vendbanimet, arat dhe pyllin e zonës së Pustecit, ku rrallë takon njerëz, aq sa ndjen një trishtim kur mendon kohën e dikurshme, tokat e punuara e bagëtitë në kullotat; mëngjeset dhe mbrëmjet e mbushura me zëra, gratë me shatin a kazmën në krahë dhe disa rroba për t'i larë pas pune në liqen, burrat hypur mbi gomar duke tundur këmbët barkut të tij për të ecur më shpejt.

Pusteci me rrugicat e ngushta dhe shtëpitë me çati të mbuluara me tjegulla të kuqe, është një qendër banimi tërë kulturë. Një kishë e madhe zbukuronte sheshin e Pustecit. Emërtimi Pustec, rrjedh nga rrënja Pus, që mbart kuptimin themelor të fjalës, atë të një pusi të madh plot me ujë të kulluar të liqenit të Prespës së Madhe, sepse këtë e vërteton edhe vetë gjeofizika e këtij toponimi. Sllavishtja te toponimet tona ka parashtesat ilire dhe Pucest është Pus. Dhe jo larg, pak më tutje, Zaroshkë të ngjan si një qytezë e vogël, me shtëpitë, pemët frutore, kopshtet dhe udhët e shtruara me gurë të gdhendur. Peizazhi i ndryshuar i këtij vendbanimi është një vlerë e shtuar, nga lidhje e brendshme e banorëve, me shpirt të butë, që manifestojnë tiparet e veta teksa çmojnë natyrën, qetësinë dhe mëvetësinë e jetës, me anë të shfrytëzimit të burimeve natyrore (liqeni është magji), tradicionale, kulturore e historike.

Ndaluam në Parkun "Aleksandër", si një çlodhje e udhëtimit prej disa orësh, aty ku dora e njeriut ka bërë mrekullira, me mjedisin motivues për syrin, gjithçka në funksion të argëtimit. Është cilësi e njerëzve me prirje për zhvillim të gjejnë mundësi për t'u shkëputur nga gjendja e rehatisë, duke revolucionuar çdo gjë, edhe shijen e kuzhinës së trevës, midis tradicionales e modernes. "Aleksandri” është një nga më të mirët e zonës, ku gjen peshk të sapo nxjerrë nga liqeni. Porositëm tavën me krap dhe dreka kaloi gëzueshëm mes humorit, ushqimit të shijshëm dhe mbi të gjitha në një mjedis magjik. Në mes të liqenit ngrihet një ishull, që përveçse i bukur e i vogël, të ngjan si anije e errët, sa të krijohet përshtypja se ka mbirë nga uji (kënaqësitë më të mëdha janë ato të cilat fshihen pas një diçkaje kaq të vogël). Nisemi me varkë të prekim misterin e “Ishullit të gjarpërinjve" sic quhet ndryshe, vend magjik i paqes në shpirt, i frymës së shenjtë që të rrethon me legjenda e histori. Duke shtrirë vështrimin tutje në liqen rrezet e diellit, sikur duan të shkrihen me njëri-tjetrin në ngjyrën blu të errët të ujërave; vijëzohej vende-vende edhe ngjyra e bardhë e shkumës së dallgëve. I mahnitur nga bukuritë kurreshtjendjellëse, më bëhet sikur shoh hije misteresh që nderen rreth tij, atë strehë për Sirenat, Floçkat, Zanat, Shtojzovallet, Të Bukurën e Dheut. Kujtoj edhe tragjedinë e mbytjes së 13 nxënësve në liqenin 25 vite më parë. Ajo histori tashmë i takon së kaluarës, por të krijon një dhimbje të veçantë. Ishulli i Maligradit është 1800 m larg bregut, me një gjatësi prej rreth 500 m e gjerësi rreth 180 m. I banuar në të gjitha ciklet e zhvillimit të qytetërimeve të hershme, që në periudhën e Bronzit të Hershëm (3000-2500), vazhdoi të banohet edhe në periudhën e Bronzit të Mesëm (2500-1500) dhe atij të Vonë (1500-1100), si dhe në periudhën e hershme të epokës së Hekurit (shekujt XI-IVIII). Me ndërprerje të vogla jeta vazhdoi deri në periudhën e vonë antike (shekujt V-VI pas Kr.).

Emri "Maligrad" rrjedh nga koha e pushtimit bullgar (851-1018), gradë qytet, ku gjen gjurmë të objekteve arkeologjike si tjegulla, kollona e kapitele. Në kishën e Shën Marisë, të ndërtuar në shkëmb rreth viteve 1200, afresket e mrekullueshme të kohës mesjetare, fytyrat e apostujve, aty-këtu pas restaurimit ishin bërë më të qarta, ku spikaste një e kuqe e bukur.

Rruga gjarpëron kodërzave të buta me bimësi, që shpalosin ngjyra nga më të ndryshmet e ku sundojnë e arta me të blertën, sa e bëjnë udhëtimin të këndshëm. Nxirrja kokën prej xhamit të makinës dhe gjithë sy e vesh vështroja copat e arave të mbjella, pjesërisht të hijezuara, që flasin për një bujqësi aspak të zhvilluar, sa edhe sot ato dhe pemtaria, kullotat, blegtoria janë në tkurrje. Djathtas rruga të çon në Diellas. Të gjitha vendbanimet e zonës së Pustecit janë të bukura, por Diellasi është me të vërtetë magjepsës për nga pozicioni gjeografik, si një kon vëzhgimor i liqenit të Prespës, me një pamje prej një qënieje të fjetur.

Nuk e di se ku tjetër vjeshta mund të jetë kaq e bukur sa në Prespë. Përgjatë kësaj ëndje të vjeshtës të artë, siç thuhet poetikisht, me kaq shumë ngjyra dhe aroma (ajo ngjan me plakat, të cilat i kanë sosur ditët e tyre të jetës dhe i shtyjnë me zor), edhe pse po vjen, ashtu si mijra vjet, të bëhet zot dimri për ta mbuluar me borë. Ngjyrat e njollosura aty-këtu të japin përshtypjen, sikur pylli ka marrë zjarr dhe ti ecën, me ndjesinë se gjethet që bien njëra pas tjetrës në dheun e spërkatur nga vesa, luajnë "valset e Johan Shtrausit". Të jetosh mes kësaj natyre, të dëgjosh heshtjen, më shumë se kaq nuk do të donte syri dhe shpirti për t'u mrekulluar; nga pëllitjet e një lope, nga poterja e rosave që grinden aq shumë, teksa përgjojnë llokoçitjet e peshqëve në liqen, nga peshkatarët e sapo kthyer nga gjuajtja, me varkat e tyre të vogla lyer në blu; nga gratë që lajnë rroba buzë liqenit. Ca zogj me ngjyra të zbërdhyluera, kalojnë mbi kokat tona, herë vetëm, herë në çift, hera-herës në grup, derisa bëhen si një ansambël valltarësh krahëndehur. Më tutje të ngjeth shpirtin kënga e beftë e mëllenjave të zeza sqepverdhë, që s'u zënë këmbët në një vend, shkurre më shkurre teksa ngrinin kokën përpjetë.

Është pak freskët, nga ajri i ftohtë i nëntorit, që mbështjellë me një drithërimë të lehtë pyllin dhe liqenin. Duke parë nga ujërat e liqenit që farfurijnë bukuri mahnitëse, ku më të rrallë dëgjohej klithma e ndonjë shpendi që s'dihet se pse nuk kishin shtegëtuar në të tjera vende, ne futemi në Gollomboç. Pemët me kokrra të pjekura sipër gardheve, të përkulura nga barra e rëndë vareshin gjer përdhe. I ndjen pranë aromat e tyre. Një pushim i shkurtër në Gollomboç, vendlindjen e shkrimtarit Sterjo Spasse, një nga përfaqësuesit më të spikatur të atij brezi shkrimtarësh të viteve '30 që në historinë e letërsisë shqipe u quajtën "Shkrimtarët e brezit të humbur" me vepra letrare, tepër aktuale dhe realiste. Sterjo Spasse me pafundësinë e mendimit filozofik, në kërkim të thelbit njerëzor pasqyroi të vërtetat e jetës në Prespën magjike. Ai ështe autori i romanit "Pse?". E kam lexuar me kureshtje në rini, duke më tërhequr me forcën gati mistike, aq sa do dëgjoja një shprehje, tashmë të kthyer në proverb: Pse-në nuk e ka gjetur as Sterjo Spasse!

Kur po bëheshim gati që të largoheshim nga Gollomboçi, aty pranë bustit të Sterjo Spasses, buzë liqenit të Prespës, të cilin Ai e deshi aq shumë, takojmë Jovan Malen.

-Shumë kanë ikur nga këtu -thotë Jovani, -dhe ne të pakët që nuk kemi lëvizuar, po e mbajmë me dhëmb Gollomboçin, duke jetuar me sakrifica e duke i shërbyer tokës me dashuri.

Të merr përdore Spasse Thanasi, duke të shëtitur në vezullimin e dritëhijeve historike, nga ka kaluar fati i banorëve të zonës së Pustecit. Mrekullohesh nga rrëfimi i legjendave dhe mistereve çudibërëse të liqenit, që dukej sikur sillte ca kohëra të largëta e të shurdhëta, të një bote të panjohur e të pa zë. Të rrëfyera e të rirrëfyera mjeshtërisht nga gjyshërit e stërgjyshërit kanë ardhur deri në ditët tona.

"Të moshuarit thonë se Prespa ka qënë një qytet shumë i madh. Një ditë, djali i mbretit që drejtonte qytetin, kishte dalë në pyll dhe aty rastësisht takon një Zanë pylli shumë të bukur, të quajtur Nereida. Djali i mbretit mahnitet nga bukuria e saj dhe i kërkon dorën për t'u martuar me të. Por Nereida refuzon, duke i thënë djalit të mbretit se, nëse ata martoheshin, do të ndodhte një fatkeqësi shumë e madhe. Djali i mbretit, i verbuar nga dashuria, e mori për nuse Zanën e bukur Nereida, por shumë shpejt pas martesës u hap qielli dhe ra një shi shumë i madh dhe i rrëmbyer, që mbyti të gjithë qytetin, duke krijuar një liqen të madh aty, ku ndodhet sot liqeni i Prespës së Madhe. Dhe lulet që ndodhen sipër sipërfaqes së liqenit, sipas legjendës, janë shpirtrat e njerzëve të mbytur". Spassja të tregon se liqeni i Prespës është më lart si nivel nga ai i Ohrit dhe "duke u grindur" me zgafellat shkëmbore të Malit të Thatë e furnizon atë me ujë nëpërmjet një llagëmi që quhet Zaver. Kureshtja nuk të le, ndërsa ecim drejt këtij vendi të vërtetë mistik, që i ka dhënë rrugë edhe historive të largëta, aty, ku gjaku i deleveve të therura përfundonte nëpër një lum deri në Tushemisht të Pogradecit. "Ishte një at që kishte tre djem. Rronin me vjedhje. Djemtë vidhnin bagëti në rrethinat buzë liqenit të Prespës dhe i hidhnin në Zaver. Ati i priste te Liqeni i Ohrit. Një herë, dy, pesë, dhjetë... Një ditë në vend të deleve uji i nxori të atit tre djemtë e vrarë".

Gorica e Vogël, mbi kurriz të një bregoreje, ka një pamje që tërheq vemendjen e çdo udhëtari. Shtëpitë me tjegulla të kuqe rreshtohen ngjitur njëra-tjetrës, në rrugicat e ngushta, ku makina mezi mund të kalojë. E sodit me më shumë kënaqësi kur edhe dielli hedh vezullime rrezesh. Pavarësisht se ishte mesditë njerëzit ishin të pakët në ara, rrugë e lokale. Në mes të rrugës, aty ku ndahen drejtimet për nga do të mbash, u përshëndetëm me Vasil Nikollën. Pas pak u ulëm për të pirë një kafe. Biseda nisi për gjëra pa interes të veçantë, por shpejt hyri në historinë, traditat dhe lidhjen e ngushtë të banorëve me liqenin.

-Zona jonë, -thotë Vasili, -është e pasur me histori të lashtë dhe vlera, që janë përjetësuar në legjenda dhe lartësuar në folklor. Kanë humbur shumë gjurmë materiale, se edhe kultura e jetesës nuk ka qenë në nivelin e duhur, në çdo familje njësoj. Prandaj edhe shumica e njerëzve janë tulatur brenda guackës së tyre familjare.

Qysh larg shfaqet Tumneci, i ngritur mbi shkëmb, disa metra larg kufirit me Maqedoninë. Këtu ndodhet një kishë e vogël e ndërtuar në një shpellë, e njohur nga vendasit me emrin Shën Maria, si një vendbanim i hermitëve. Ajo ka qënë e pikturuar nga Aleksius, një punëtor i Jeromonarkut Makarie. Nga fundi i shekullit XIII dhe fillimi i shek. XIV disa ikona kanë qënë të piktuaruara nga Teofan Popa. Në hyrjen kryesore të saj gjendet një arkëz e zbukuruar me lule, dy kokë luanësh, një përfaqësim i bukur i virgjëreshës Shën Mari me Krishtin bebe. Në brendësi është plot me piktura, të cilat përshkruajnë festat e mëdha fetare dhe personalitetet e shenjta.

Të gjitha këto janë një pjesëzë e vogël e asaj çka ofron ky vend magjik, një dhuratë e bukur e natyrës, e cila në çdo cep të saj, kudo hedh vështrimin të befason. Është e madhe kënaqësia e një ditë të bukur vjeshte, që ti ke dëshirë të mos mbarojnë kurrë e të përsëritet sa më shpesh.

Dielli i praruar nga ngjyrat e perëndimit të gozhdon vështrimin me një të kuqe flakë, sikur do të ndezë më shumë pyllin. Prej andej plepat e lartë, me gjethe në ngjyrë të verdhë pak si në të portokalltë, të ngjanin me fytyrat e njerëzve në linogravurë. Ja dhe një biçikletë mbështetur në një trung plepi, si biçikleta e Vangjush Mios, piktorit që vinte këtu nga Korça, të pikturonte të bukurën e natyrës. Mbaronte së pikturuari dhe kthehej përsëri në Korçë, me biçikletën dhe berretën në kokë e telajon në sup. Malet shtrijnë hijet e tyre të stërzgjatura, sikur duan të zgjaten më shumë, të bëhen të padukshme si ngjyrë akuareli, po kjo zgjat pak dhe errësira dalëngadalë sa vjen të mbështjellë me vellon e saj. Yjet ofronin vezullime mahnitëse. Herë pas here, ndonjëri prej tyre shkëputej si fishekzjarr dhe shndërrohej në grimca që shuheshin ngadalë, për t'u transformuar më pas në të padukshëm.

Merr kthesën e fundit të rrugës, që hap krahët drejt Korçës. Një kënaqësi tjetër të pushton aty, në dashurinë e saj, që ka një shije dalldisje e të ledhaton mendimet e ngrohta. Por, m'u duk se Korça mbërdhinte. Kishte ftohtë pa mbërritur dimri. Këtë e pohonin rrugët e saj nëpër të cilët hasje pak, fare pak njerëz. Madje edhe ata nxitonin si të shtyrë nga vrundujt e një ere, që s'dihej nga ç'anë ngrihej, herë me klithje si qarjet e fëmijëve të sapolindur e herë si zemërimi i një plaku të urtë.



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora