E shtune, 20.04.2024, 02:30 PM (GMT+1)

Speciale

Kastriot Dervishi: Si u sollën eshtrat e Ismail Qemal Vlorës në Vlorë

E diele, 28.11.2021, 09:50 PM


1932/Si u sollën eshtrat e Ismail Qemal Vlorës në Vlorë

Nga Kastriot Dervishi

Ismail Qemal Vlora (1844-1919), ndërroi jetë në Itali më 24.1.1919. Trupi pa jetë i tij iu soll në Vlorë, ndërsa ceremonia e varrimit u zhvillua më 12.2.1919. U varros në Kaninë, pranë eshtrave të Ferit pashë Vlorës.

Vite më vonë, çështja e mirëmbajtjes së varrit të tij dhe kthimit në një vend pelegrinazhi u shtrua në Parlament. Në mbledhjen e datës 11.12.1931, deputeti Petro Poga tha se vizitoi së bashku me kolegun e tij Ibrahim Xhindi, varrin e Ismail Qemalit në Kaninë dhe se ishin befasuar nga gjendja jo të mirë që kishin parë. Pasi u bisedua për rregullimin e varrit, sjelljen e eshtrave të tij në Vlorë si dhe ngritjen e një monumenti këtu, deputeti Abdurrahman Salihu deklaroi se për një qëllim të tillë, Mbreti Zog kishte paguar shumën e 1 mijë frangave ar.

Më 22.11.1932 Parlamenti nisi punimet në sesionin e parë të tij pas zgjedhjeve të reja. Përpara se të zgjidhte kryesinë e tij, zgjodhi përfaqësuesit e vet që do merrnin pjesë në ceremoninë e rivarrosjes së Ismail Qemal Vlorës, deputetët Eshref Frashëri dhe Zoi Xoxa.

Përveç tyre në ceremoni morën pjesë edhe përfaqësuesi i Mbretit Zog, gjenerali Leon de Gilhardi, si dhe përfaqësuesit e Këshillit të Ministrave, Milto Tutulani dhe Hilë Mosi.

Ceremonia u zhvillua në Vlorë më 28.12.1932. Et’hem Vlora i dorëzoi prefektit Abedin Nepravishta, flamurin e 28 nëntorit 1912. Prefekti ia përcolli ministrit të Arsimit, Hilë Mosi, i cili do ta dorëzonte në Muzeun Kombëtar. Pas zhvarrimit në Kaninë, u zhvillua ceremonia në Sheshin e Flamurit në Vlorë. Këtu varri i ri ishte bërë prej mermeri, i punuar nga skulptori i talentuar Odise Paskali, përfshi përmendoren e rojës së përhershme.

Gjeneral Leon de Gilhardi, në emër të Mbretit Zog zbuloi pllakën e monumentit dhe mbajti fjalën në emër të Mbretit. Pas tij ministri i Arsimit, Hilë Mosi ka thënë midis të tjerash: “I dashtuni Mbreti ynë, Zog I, i frymëzuem nga ndjenja e nderimit për hartonjësin plak të indipendencës sonë, desh që eshtnat e këtij veterani të prehen në një varr madhështor në një shesh të dukshëm historik të qytetit të tij lindor, për t’i simbolizuar brezave të sotëm e të ardhshëm, bindjen e dashuninë që duhet të kenë rrënjosur ndër zemrat e tyne për atdhe e për flamur”.

Në foto ceremonia e vitit 1932, çasti sapo janë rivarrosur eshtrat e Ismail Qemal Vlorës



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora