Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gjon Keka: 578 vite nga ngritja e flamurit arbëror dhe shpalljes së pavarësisë

| E shtune, 27.11.2021, 07:57 PM |


578 vite nga ngritja e flamurit arbëror dhe shpalljes së pavarësisë

Gjergj Kastrioti e udhëhoqi vendin në kohët më të vështira, ia riktheu popullit shpresën, e ringjalli ndjenjën e lartë kombëtare te ky popull, e nxiti atë për të jetuar krenar dhe i lirë në shtetin që ai ndërtoi së bashku me ta dhe po ky shtet shkëlqeu edhe përtej kufijve arbëror

Nga Gjon Keka

Fakti se shpesh njerëzit janë të lumtur në disa shtete është se ata udhëhiqen nga lidershipë vizionarë, të urtë dhe të drejtë. Këtë ndjesi qytetarët e shtetit të Arbërit e kanë përjetuar në mbretërinë e Gjergj Kastriotit, strategut dhe shpëtimtarit të çështjes kombëtare iliro-arbërore nga hordhitë turke. Territori arbëror përbëhej nga shkëmbinj dhe male të pakapërcyeshme, qytete të bukura dhe të lashta, fshatra të begata me peizazhe të mrekullueshme. Diku në mes të kësaj parajse natyrore shtrihej edhe kryeqyteti i shtetit arbëror, Kruja, prej nga mbreti arbëror Gjergj Kastrioti qeveriste në mënyrë të suksesshme popullin arbëror.

Qytetarët, në përgjithësi, nuk ishin të pasur, por jo edhe shumë të varfër, sepse punonin dhe jetonin të lumtur nën mbretërinë e Kastriotit, si dhe e ndërtonin dhe e zhvillonin çdo ditë e më tepër truallin e tyre. Jeta për këtë popull fisnik, me një udhëheqës që kujdesej për ta dhe të ardhmen e tyre përgjatë tërë kohës që ai e qeverisi shtetin e Arbërit, kishte qëllim.

Qytetarët e shtetit arbëror, nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit ishin moralisht mirë, ndiheshin të kënaqur, sepse në liri kishin një jetë më të mirë. Çdo qytetar i shtetit të Arbërit, që i përkiste moshës 17 deri në 50 vjeç, ishte ushtar nën komandën e përgjithshme të Gjergj Kastriotit, ndërsa këshilltar besnik ishte ipeshkvi Pal Engjëlli njëherësh edhe sekretar për punë të jashtme në këtë shtet me famë.

Pozita politike e brendshme dhe e jashtme, pra ajo ndërkombëtare e shtetit të Arbërit ishte tepër e avancuar, si dhe jepte siguri të lartë. Ky shtet luftonte një të keqe të madhe dhe, njëkohësisht, kishte marrëdhënie diplomatike ndërkombëtare me shumë shtete, çka tregon zhvillim dhe bashkëpunim të domosdoshëm për një shtet. Shteti i Arbërit ishte i rrethuar me troje të rëndësishme të kulturës shpirtërore dhe materiale gjë që, në fakt, ishte edhe thelbi i shtratit të civilizimit të përgjithshëm europian, mbi të cilin Europa si familje ekziston, jeton dhe zhvillohet edhe në ditët tona. Këto zona me vlera dhe objekte arkeologjike, dëshmi të lashtësisë dhe kulturës shqiptare, i ruante dhe i restauronte lideri i shtetit të Arbërit, Gjergj Kastrioti. Ai ishte tepër i kujdesshëm në ruajtjen dhe rritjen e këtyre vlerave të trashëguara, si dhe të rrezatimit të kulturës, artit dhe të gjitha fushave të tjera që ishin me rëndësi për vendin.

Kështu që, në periudhën e viteve 1443 e deri më 1468-n, në këtë shtet ndihej shpresa, krenaria dhe mirësia e përgjithshme. Gjithashtu, më duhet të nënvizoj se ekzistenca e këtij shteti është bazuar në një mrekulli, sepse nga ky vend doli guximtari, vizionari dhe i urti, mbreti arbëror Gjergj Kastrioti, i cili e udhëhoqi atë dhe e çoi drejt lulëzimit. Heroin tonë Kombëtar e ndoqën edhe apostujt e lirisë dhe të së vërtetës; realisht edhe sot ky vend mbart në historinë e vet apostujt e tij të trashëgimisë, që mbajnë në zemrën e tyre testamentin e Heroit, ndërsa në vena gjakun e tij.

Porse mrekullia e këtij shteti nuk ishte vetëm një arbëror, siç qe Skënderbeu, shpëtimtari i Arbërisë, ai që solli lirinë, por që u shpreh se “e gjeti këtë liri në mesin e shumë zemrave dhe mendjeve arbërore”, të cilët e ndiqnin atë, bashkëndërtonin të ardhmen dhe luftonin të keqen. Ja se ç’shkruan një kronist i njohur europian për atë vend: “Në kohën e Skënderbeut njihej një i shenjtë me emrin Pal, i cili jetonte në kodrën e Prizrenit (aludohet ndoshta në hapësirën e Hasit – shënimi im) dhe, i vetëm, ky shenjt bekonte hapat e heroit të shqiptarëve dhe lutej për fitoret e tij, si dhe për vendin, që të dëbohet sulltani dhe e keqja bashkë me të”.

Sidoqoftë, ajo çka tregon më shumë është tradita e origjinës së këtij shteti, themelet dhe lashtësia e tij, sepse shteti i Arbërit kishte një histori të vjetër, në kuptimin se mbi ç’parime ishte ndërtuar ai dhe cili shpirt e mbante atë lidership që udhëhiqte, pra Gjergj Kastrioti, bir i Gjon Kastriotit, mbretit të Arbërisë, themeluesit të kodit shtetëror dhe politik në trojet arbërore e deri në Dalmaci. Asgjë nuk ishte në kundërshtim me themelet dhe traditën në këtë shtet, gjithçka atje ekzistonte mbi vlera të lashta dhe në traditën e kulturës të mirëfilltë, sepse shpirti i lashtësisë gjallonte në brendësinë e secilit, ndërsa fryma e zhvillimit të së mirës së përgjithshme dhe jetës ishte në unitet të shtetit të Arbërit. Jo të gjitha republikat në periudhën e mesjetës ishin kaq të fuqishme, të lulëzuara dhe krenare, si dhe nën mbrojtjen e ndonjë shenjti, vizionari, strategu dhe të urti, siç ishte shteti arbëror nën udhëheqjen e mbretit Gjergj Kastrioti. Dhe, me të drejtë, shkruante një shkrimtar europian i shekullit XIX, në lidhje me shkëlqimin dhe pamposhtjen e këtij vendi, pra të Shqipërisë nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit: “Një gjë është tepër e dukshme, se nën këtë qiell tanimë u shtua edhe një vlerë më shumë (...)”. Është po ky vend dhe po ky shtet që ka mbrojtur ekzistencën e tij, lirinë dhe të drejtën e tij kundër pushtuesit barbar osman, si dhe çdo pushtuesi tjetër, si ai sllav etj. Kështu që, “Skënderbeu, ai prijësi i famshëm i ushtrisë kombëtare, e dëshironte me tërë zemrën e tij luftën kundër turkut, për ta shpëtuar Shqipërinë”. Prandaj, siç nënvizohet më tej, “Ku asht nevoja ma e madhe, ndihmon Zoti ma tepër”. Kështu shihet angazhimi vertikal dhe horizontal, kështu është parë edhe porta hyrëse e kombit, e cila mbahej nga duart e mbretit dhe strategut Gjergj Kastrioti. Po ashtu, ai fuqishëm mbante nën kujdesin e tij edhe çelësin e ruajtjes së kufijve shtetërorë të kohës, sigurinë për të ardhmen e brezave, gjë që vërehet edhe në këtë shekull, në të cilin jetojmë si popull, komb dhe shtet.

Nisur nga e gjithë kjo, Gjergj Kastrioti me bashkëkohësit e tij si bashkatdhetarë e shpallën pavarësinë e shtetit të Arbërit(28 nëntor 1443), pavarësinë e etërve, pavarësinë e heronjve, pavarësinë që i nevojitet çdo shteti. Ndërkaq, duhet ditur se në atë kohë shteti i Arbërit kishte lidershpin, Kuvendin (e Lezhës, më 2 mars1444), kishte ushtrinë, arkën shtetërore, monedhat, tregtinë, gjyqësinë, diplomacinë, institucionet e jashtme shtetërore etj. “Ndër ato kohë të vështira doli pra ndër ne nji njeri prej nji shpijes të madhe e të moçme, e ky kje Gjon Kastrioti, qi atherë zotnote Matin [...].”

Megjithkëtë jo pak herë është shkruar për heroizmin e madh të arbërorëve, për trimërinë dhe talentin e tyre në artin ushtarak. Kështu, shumë studiues e kronistë kanë përshkruar se “shqiptarët besohet të jenë ushtarët më të mirë të vendit të tyre dhe në botë”.

Për ta përforcuar këtë që u tha për heroizmin arbëror, po nënvizoj një historian të njohur europian, i cili ka shkruar kështu në lidhje me këtë: “Këta shqiptarë krenarë do të ishin akoma heronj, vetëm nëse ata do t’i printe një Skënderbe...”.

Sidoqoftë, ishte Gjergj Kastrioti ai që e udhëhoqi me urtësi dhe strategji vendin; me ushtrinë e tij të paktë ai mori pozicione të fuqishme, “duke e nxjerrë vendin në avantazh”përballë ushtarëve të shumtë të sulltanit. Ai nuk i lejoi sulltanët të arrinin progres në trojet arbërore, por as edhe më gjerë, as t’i fusnin hundët thellë në Europë dhe mes kombeve të saj. Skënderbeu u bë vetë mburojë dhe i mbrojti vlerat jo vetëm të kombit të tij të lashtë, por edhe të gjithë familjeve të kombeve europiane. Bëmat e tij janë tepër të njohura, pasi me trimërinë e tij ai e riktheu kurorën e atit të vet, e shpëtoi atdheun e tij dhe e udhëhoqi atë në dritën e zhvillimit, duke e bërë Arbërinë kombin më të admiruar në botë. Të gjitha kombet donin të kishin në atë kohë një Skënderbe për vendin e tyre, por ja që ky trim i madh, i urtë dhe vizionar kishte lindur në tokën e lashtë të Aleksandrit, Konstantinit dhe Pirros, aty ku ky vend gjithmonë ka qenë i njohur në mbarë botën për heroizëm.

Nën udhëheqjen e të madhit Gjergj Kastrioti, Arbëria u bë një nga vendet më të njohura, më të respektuara, më të fuqishme e më madhështore në kontinentin e lashtë të Europës. Kështu, ai Gjergj i vogël që u mor peng dhe që u rrit në duart e perandorisë osmane u bë një Gjergj i madh për vendin e tij dhe mbarë Europën. Duhet cilësuar se nga rrënjët e kombit arbëror gjithnjë kanë dalë filiza shpëtimtare, vizionarë të urtë që nuk e kanë lënë kombin e tyre të nëpërkëmbet, që të shkatërrohet dhe të bëhet plaçkë lufte në barbarinë armike. Pra, ky Gjergj u rrit me ëndrrën e fshehur për t’u kthyer në vendin e tij, pasi ai ishte pasardhësi i denjë i një fisi të madh dhe të lashtë të kombit tonë, për t’u bërë kështu mbrojtës i atdheut të tij dhe shpëtimtar i saj. Si Davidi përballë Goliatit,ai qëndroi i pamposhtur dhe triumfoi përballë një perandorie të kohës, e cila ishte më e egra në periudhën e mesjetës dhe më pas. Por me talentin, trimërinë dhe strategjinë e tij ai e mundi Goliatin e mesjetës, e mundi të keqen, e dëboi errësirën nga Arbëria, e mposhti në mënyrë triumfale bishën e egër osmane.

Kthimi i Skënderbeut në atdhe përbën kthimin e shpresës për Arbërinë, si dhe realizimin e projektit të kamotshëm të tij për shpëtimin e atdheut dhe rikthimin e plotë të vendit në duart e një trashëgimtari të ligjshëm mbretëror të Arbërisë.

Kështu, më 10 nëntor ai u largua në pyjet e maleve të Drinit, ku mblodhi 300 arbërorë trima për të nisur udhën drejt Krujës e për ta marrë atë në duar të tij, si dhe më pas pjesë të tjera arbërore. Këtu u konkretizuan ideja e shpëtimit dhe e ndërtimit të shtetit të Arbërit nën lidershipin e Gjergj Kastriotit. Këtë ide dhe qëllim-projekt Skënderbeu e kishte që nga vegjëlia, por e mbante fshehur në mendje e në zemrën e tij. Me këtë pjesë të vogël të ushtrisë së tij ai “qëndroi për shtatë ditë nëpër Shqipëri”,vetëm 10 milje larg nga kryeqyteti i saj, nga Kruja. Ai u njoh në çdo qytet dhe fshat dhe të gjithë brohorisnin me gëzim për rikthimin e tij, duke iu bashkuan të rinj e të vjetër. Madje, ata ia puthnin atij duart; ata sollën kupën e nderit për të, iu gëzuan rikthimit të tij me lule nëpër rrugën e shpëtimit të atdheut. Skënderbeu kishte vështirësi të mëdha për ta ndalur lajmin e afrimit të tij, para se ai të arrinte vetë në Krujë, sepse populli kishin filluar ta përhapte lajmin e gëzuar anekënd Arbërisë. Në këtë betejë Gjergj Kastrioti me bashkatdhetarët e tij arbërorë, të cilëve ua kishte komunikuar më parë planin e tij të madh të shpëtimit, filluan betejën kundër të keqes, ku së pari e dekurajuan plotësisht ushtrinë turke e më pas, në mënyrë të shpejtë, kryen edhe shpartallimin universal të saj. Jo rastësisht, planin e tij të madh të shpëtimit apo çlirimit të atdheut ia kishte lënë dimrit; për faktin se pikërisht kjo ishte koha e çmuar që ai zgjodhi dhe shfrytëzoi, ngaqë dimrit lufta është shumë më e vështirë dhe me shumë pengesa. Aq më tepër, kjo periudhë paraqiste avantazh për të, sepse vetë ai ishte një strateg i madh dhe vizionar.

Skënderbeu e udhëhoqi vendin në kohët më të vështira, ia riktheu popullit shpresën, e ringjalli ndjenjën e lartë kombëtare te ky populli, e nxiti atë për të jetuar krenar dhe i lirë në shtetin që ai ndërtoi së bashku me të e që po ky shtet shkëlqeu edhe përtej kufijve. Në këtë kontekst, duhet nënvizuar fuqishëm se hapi i parë që ai bëri ishte që të gjithë prijësit të betoheshin për flamurin e tij; dhe këtë e bënë të gjithë arbërorët e tij besnikë. Kështu filloi epoka e lirisë dhe e fitoreve të njëpasnjëshme me në krye të madhin Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Kthimi i tij përbënte edhe ndryshimin e politikës vizionare për vendin. Me strategjinë e tij luftarake ai e shkatërroi në themel ushtrinë turke, mposhti sulltanët dhe rimori menjëherë së paku 230 qytete arbërore që i kishte pushtuar barbarisht perandoria osmane.

Gjergj Kastriot Skënderbeu ishte i qetë dhe i palëkundur deri në shkatërrimin e përgjithshëm të perandorisë osmane. Kjo gjë shihej te guximi i tij, te siguria që ai kishte në vetvete dhe te ndjekësit; ai nuk e njihte frikën, atë e shoqëronte zelli i madh. Shqetësimi i madh për atdheun rëndonte në mendjen e tij të talentuar, porse njihej edhe si njeri i rezistencës së madhe, i cili futi besimin e madh te ndjekësit e tij. Me anë të këtij besimi ai ngriti shpresën e suksesit dhe të fitoreve të mëdha përballë së keqes. Ishte Skënderbeu ai që e ndezi përsëri entuziazmin dhe shpresën e vjetër për atdheun dhe lirinë e tij në Arbëri.

Ashtu siç e nënvizon edhe Marin Barleti në veprën e tij mbi Gjergj Kastriotin, “liria ishte në gojën e të gjithëve, emri i lirisë bëri jehonë kudo”. Ai ushqeu në zemrën e tij dëshirën për t’u kthyer në atdhe dhe për të luftuar kundër pushtuesit osman, i cili i kishte okupuar dhe shkretuar atdheun e tij. Skënderbeu shkëlqeu me talentin e tij luftarak dhe këtë më së miri ai e tregoi në mbrojtje të vendit të tij. Ai ishte i rrethuar me kurorën e lavdisë, ishte modeli i gjeneralëve të vjetër, të urtë dhe të shkathët, ashtu si Aleksandri i Madh. Sapo u rikthye në Krujë, e shpalli veten armik i përbetuar i turqve, jo më pjesë e Oborrit, siç e kishte pasur që nga pengmarrja. Kështu ai filloi ofensivën e tij duke i goditur ata nga të gjitha rastet, si dhe duke korrur fitore të mëdha. Madje, e gjithë bota mbarë ishte mrekulluar se si një vend i vogël si Shqipëria bëri të mundur që të dështojnë planet e turqve barbarë. Me trimëri dhe në sajë të virtyteve që kishte, Gjergj Kastrioti arriti t’i dëbojë turqit jo vetëm nga Arbëria, por bëri të mundur që të mos i lejojë ata të futen në brendësi të kontinentin europian për ta shkretuar atë.

Ky arbëror trim ishte i pamposhtur, burrë i urtë e vizionar, tregojnë kronistët europianë, të cilët shkruajnë se, “sapo ai (sulltan Mehmeti II) nisi me qeverinë e tij, ai i ofroi paqe Skënderbeut, me kusht që ai të mbajë vendin e tij, por ai duhet të paguajë tribut (lloj haraçit) vjetor për të. Tani, kur Skënderbeu ia preu shkurt këtë propozim të tij me përbuzje, sulltani dërgoi dy ushtritë e tij kundër Epirit”.

Gjergj Kastrioti dhe historia e pavarësisë së Shqipërisë në shekullin XV kanë luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e popujve të Europës, duke gëzuar respektin e famën te të gjithë.

Realisht, siç shkruante një kronist, “ishte heroi shqiptar Gjergj Kastrioti, i quajtur si Skënderbeu, i cili i mundi turqit disa herë, dhe se jeta e tij u rrethua me aureolën e madhështisë. Ai ishte trim, i talentuar, ndërsa veprat e tij ishin të admirueshme nga të gjithë”.

Duke parë se ishte e pamundur ta pushtonte shtetin e Gjergj Kastriotit, Sulltani arriti ta fusë farën e shkatërrimit nga përbrenda, duke kërkuar bisedime me Moisiun dhe Hamzanë. Ata i përdorën si veglat e tyre, duke iu dhënë atyre një shumë të paparashikueshme parash, vetëm e vetëm që ta merrnin Krujën dhe të gjitha vendet që zotëronte mbreti Gjergj Kastrioti. Me gjithë tendencat e tyre për ta kapur dhe pushtuar vendin nga brenda, kurrë nuk arritën t’i realizojnë, sepse Gjergj Kastrioti tanimë e njihte edhe këtë strategji të tyre demoniake, dhe se të gjitha të papriturave ai ishte i gatshëm t’u përgjigjej duke e mbrojtur dhe ruajtur vendin me të gjitha mjetet, si dhe me jetën e tij prej trimi të madh. Duke e ditur historikisht se kombi iliro-arbëror kishte rrënjë të thella, si dhe duke pasur parasysh ndikimin e shumë personaliteteve mbikohore që kanë lënë gjurmë, Gjergj Kastrioti ishte vazhdimësi e natyrshme e paraardhësve të guximshëm. Ai kështu u bë lavdia e kombit të tij. Kjo tregon më së miri se kombi arbëror kurrë nuk është shuar, por, edhe nëse është lodhur nga skllavëria dhe pushtimet, ai sërish është zgjuar dhe ka reflektuar nga rrënjët frymën e tij të bujarisë, trimërisë, vizionit dhe guximit të pashoq.

Një grup autorësh, në një nga veprat e tyre nënvizojnë: “Po, unë besoj te Kastrioti, ne takojmë një person të madh, siç ka pasur edhe më parë, si ai i Leonidasin ose Themistoklin. Unë shoh Pirron dhe shikoj në të Aleksandrin, dhe se ai kishte armikun e tij më të fuqishëm sesa këta”,(por që triumfuan gjithmonë – shënimi im). Këta të gjithë lulëzuan, i dhanë formë kohës dhe jetës së tyre me anë të veprave madhështore dhe gjurmëve të pashlyera.

Nuk e dinte sulltani, ky Goliat, se qëndronte përballë Davidit të kohës së tij! Nuk e dinte sulltani se kishte përballë, ashtu siç e kanë quajtur shpesh, “Dragoin e Shqipërisë”.Dragoi është simboli i të gjitha miteve pellazge apo iliro-arbërore, ndaj dhe jo rastësisht është cilësuar kështu Gjergj Kastrioti. Kjo tregon edhe rrënjën e prejardhjes së tij, si dhe vazhdimësinë e frymës që nga lashtësia, me të cilën e ka përcjellë kombin iliro-arbëror.

Sidoqoftë, Kruja tanimë nuk ishte vetëm kryeqyteti i shtetit të Arbërit, por edhe kryeqendra e rezistencës në Europë; aty u mbrojt atdheu, aty u mbrojt shteti i Arbërit, aty u mbrojtën vlerat, kultura burimore arbërore europiane dhe civilizimi i tërë kombeve europiane. Pikërisht aty u vulos fati i arbërorëve dhe i familjes europiane; po aty Europa ka avokatin e saj të madh, që nuk lejoi të kontaminohet i tërë kontinenti me ideologjinë e perandorisë osmane.

Edhe pse po kjo Europë – që Skënderbeu e mbrojti deri në ditët e fundit të jetës së tij – i admiroi veprat e tij të mëdha dhe ia çmoi sakrificën, nuk bëri asnjë hap për ta ndihmuar dhe mbështetur atë në përpjekjet e gjakosura për liri, në ruajtjen e vlerave, të identitetit etj., për ta dëbuar përgjithmonë pushtuesin barbar osman nga kontinenti i përbashkët i kësaj familje. Edhe pse ndihma dhe mbështetja e duhur nuk iu ofrua, kur ai kishte më së shumti nevojë, ishte i vetmi që e ruajti parimin e tij dhe nuk u dorëzua asnjëherë. Kështu Skënderbeu u bë edhe më i fuqishëm, një avokat i patundur i themeleve dhe kulturës europiane, i atdheut dhe vlerave të tij, si dhe fytyra e vetme guximtare e Europës përballë perandorisë turke dhe sulltanit.

Skënderbeu ishte i vetmi mbret në Europë që u bë imazhi kalorësiak triumfues në betejën me të keqen nga ku doli fitimtar, sepse atë betejë ai e bëri deri ditët e fundit të jetës së tij, duke mbrojtur shtetin e tij dhe tërë civilizimin europian.

Me pak fjalë qeverisja e Gjergj Kastrioti ishte mbi të gjitha monument i një qeverisjeje të mirë, vizionare dhe patriotike. Në shtetin e Arbërit patriotizmi triumfonte mbi çdo bindje, religjion etj., pra në thelb aty qëndronte e konservuar ruajtja e qenies kombëtare, e identitetit të lashtë arbëror, e kulturës të vlerës së besimit të krishterëve arbërorë. Kështu vazhdoi gjatë gjithë jetës së tij Gjergj Kastrioti si lidershp, të veprojë si një udhëheqës, strateg i mençur, komandant i patrembur dhe njeri i madh. Liria ishte për të shpirti i shtetit arbëror, forca lëvizëse e gjithë manifestimit të tij, ndërsa e vërteta qe qëllimi i tij politik. Prandaj ai, me fuqinë e tij, e ka dëshmuar po fuqishëm të vërtetën e parimit të lirisë.

Pasi ai i dha jetë sërish lirisë së arbërorëve, pas shumë vuajtjeve dhe persekutimeve të popullit nga barbarët turq, mund të themi se kjo lloj lirie e fituar me shumë sakrifica është sinteza e vërtetë e politikës së ndjekur prej tij, dhe se liria si koncept nuk ishte thjesht një fjalë për Gjergj Kastriotin dhe shtetin e Arbërit; ajo ishte më tepër se kaq, ishte mishërimi i idealit të paraardhësve.

Në përputhje me rrethanat e kohës, Skënderbeu shpalosi vetëm një pamje të vetme, që e vërteta ishte objektiv i politikës së tij vizionare. Duhet rikujtuar këtu se në fjalimin e tij në Kuvendin e Lezhës, para të pranishmëve ai shpalosi strategjinë e tij të rikthimit të natyrshëm të hapësirës së plotë të Ilirisë në vendin e vet. Ky fjalim, në lidhje me këtë bashkim apo lidhje është transmetuar nga dëshmitarët venecianë në këtë asamble apo kuvend kombëtar, të cilët e kujtojnë të ngjashëm me stilin e madh të heronjve të Homerit. Luftëtarët shqiptarë ngjasonin tashmë si në ditët e lashta të Epirit dhe Ilirisë, oratorë dhe poetë. Ndërkaq, duhet nënvizuar edhe ajo çka shkruajnë kronistët, se Pavarësia, edhe pse ishte e shkurtër, ajo qe si një meteor mbi qiellin kombëtar të arbërorëve.

Nisur nga kjo dëshmi, Gjergj Kastrioti ishte jo vetëm hero, por edhe një udhëheqës, një mbret, si dhe një shpëtimtar, i cili ndiqej edhe nga energjia pozitive, kurajuese dhe guximtare e arbërorëve dhe luftëtarëve që ishin krah tij në luftën kundër barbarëve turq. Po ashtu, duhet nënvizuar fort se çështja e tij – dhe për të cilën ai luftoi deri në vdekje – ishte më tepër nacionale sesa religjioze, sepse ai erdhi për ta shpëtuar popullin e tij, për t’ia këputur atij zinxhirët e skllavërisë, për të mos i lënë më të jetojnë në persekutim dhe të vdesin si skllevër, por të jetojnë e gëzojnë si arbërorë të lirë dhe me të ardhme të ndritur për brezat në vazhdim.

Në kohën kur jetoi dhe veproi Gjergj Kastriotit shteti i Arbërit ishte shtet i shpresës, i mbrojtjes dhe i krenarisë kombëtare, madje ky shtet ishte model edhe për vetë Europën dhe kombet e saj të periudhës së mesjetës. Ndërkaq, ai kishte themeluar shtetin dhe kishte shpallur pavarësinë e gjerë kombëtare mes popullit arbëror; energjia dhe aftësia e tij tashmë ishin pranuar pothuajse pa përjashtim nga të gjithë prijësit arbërorë, me të cilët qeveria e Gjergj Kastriotit përfaqësonte interesat e shtetit në të gjitha drejtimet, duke e fuqizuar atë në themel dhe duke siguruar se do të kishte marrëdhënie ndërkombëtare e diplomatike të fuqishme me aktorë të kohës në shumë vende europiane.

Për shtetin e Arbërit, Gjergj Kastrioti ishte fanari që bënte dritë, dhe kjo dritë u ndez për t’i treguar popullit dhe vendit udhën nga duhej të shkonte; këtë dritë Perëndia e vuri shpejt mbi altarin e tij, si dhe të vetë kombit arbëror, por edhe të familjes europiane.

Dashuria, në kuptimin e përgjithshëm, në thelbin e saj është një zjarr shpirtëror, ndërsa dashuria për atdheun që Gjergj Kastrioti shihet tepër qartë në rikthimin e tij për ta shpëtuar atë, për ta bërë të lirë si dhe për të ndërtuar shtetin e Arbërit. Realisht, kështu ishte edhe veprimi i tij, çka do të thotë se ai zjarr i brendshëm për atdheun shpërtheu jo vetëm në Fjalët e tij pas rikthimit, në kuptimin e dashurisë së tij shpirtërore e fizike për vendin e tij, por edhe në Veprat e mira në shërbim të vendit, që ai bëri më pas gjer në vdekje.

Pra, për fat të mirë, shteti i Arbërit kishte një lider të papërsëritshëm, një guximtar të pashoq e të madh, një vizionar e strateg largpamës, si dhe një diplomat të urtë. Sidoqoftë, Skënderbeu ishte vërtet një patriot i madh arbëror, vizionar, strateg dhe diplomat, i cili gjatë jetës së tij rezistoi dhe u bë mburojë e civilizimit të familjes europiane. Ishte ai i vetmi që e paralizoi Portën e sulltanit, e dobësoi atë dhe i ndaloi ambiciet e sulltanit për ta pushtuar tërë kontinentin europian. Me pak fjalë, Gjergj Kastrioti, ky vizionar i Arbërisë, bëri gjithçka mund të arrinte “vetëm një komandant i madh dhe i mençur, ndaj jo rastësisht mbante edhe pseudonimin Aleksandri i Madh (Skënderbeu)”. Duke parë gjithçka që ai bëri dhe ndërtoi me dashuri për atdheun, shtetin dhe kombin e tij, me urtësi dhe trimëri, plotësohet kuadri i besimit që ai kishte në vetvete, i cili në të vërtetë ishte bërë një mburojë e fuqishme kundër shigjetave të së keqes.