E premte, 29.03.2024, 11:12 AM (GMT)

Mendime

Berat Buzhala: Mirë se vjen, EULEX

E hene, 08.12.2008, 01:15 PM


Berat Buzhala
Mirë se vjen, EULEX

Ky armiqësim i kosovarëve me EULEX-in, ende pa u takuar me të, i ka anët e veta pozitive. Kah fundi i misionit, kurdo që të jetë ai, ne do ta kemi kuptuar se vetëm fillimi i njoftimit ishte fatkeq. Prandaj, i vetëdijshëm se disa prej jush do ta pështyni këtë koment, unë i them EULEX-it, hajde bujrum

Nga Berat Buzhala

Gjërat ndodhin për një arsye.

Sot është dita e parë e fillimit të punës së misionit të EULEX-it në Kosovë, që është edhe misioni më i madh dhe më i shtrenjtë që ndonjëherë ka ndërmarrë Bashkimi Evropian.

Sot pritet që anekënd Kosovës të fillojnë të shtrihen 2 mijë policë, prokurorë dhe gjyqtarë të Bashkimit Evropian.

Sot pritet që këta trupa të marshojnë edhe në pjesët e paprekshme për pushtetin e Kosovës, Veriun e vendit.

Sot pritjet e kosovarëve për ketë mision janë zero.

Prej momentit kur filloi të përmendej Gjashtëpikëshi i famshëm i marrëveshjes së OKB-së dhe Serbisë për pranimin e misionit të EULEX-it, e deri me sot, entuziazmi i kosovarëve për mundësinë që ky mision të jetë i suksesshëm, erdhi duke u zbehur. Kulmi i pakënaqësisë ishte më 2 dhjetor, kur kundërshtarëve të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian iu bashkuan ndoshta mbi 20 mijë veta. Me kaq pakënaqësi në Kosovë, nuk është pritur ndonjë mision në këto 10 vitet e fundit. Kaq shumë veta kanë protestuar në rrugë, vetëm kundër ushtrisë dhe policisë serbe. Aq shumë fyerje ndaj një misioni ndërkombëtar, nuk janë dëgjuar kurrë në Kosovë. Një popull që e ka ëndërr integrimin në Bashkimin Evropian, po e pret në ethe një mision të këtij asociacioni shtetesh.

Madje, as forcat ruse të KFOR-it nuk janë pritur me kaq mllef dhe skepticizëm.

Ata që e mbajnë mend fillimin e shtrirjes së UNMIK-ut në Kosovë, mund ta kujtojnë atmosferën e gjysmës së dytë të vitit 1999. Hare e madhe. Francezi Bernard Kushner ishte top politikani i vendit. Qeshte, qante, puthej dhe përqafohej me secilin qytetar që e takonte në rrugë. Filloi të belbëzonte edhe shqip. Dhe kështu entuziazmi vazhdoi së paku edhe për dy vjet, për t’u kthyer pingul drejt pikës më të ulët të dëshpërimit. Kulmi i dëshpërimit u arrit në kryengritjen e paorganizuar, në marsin e vitit 2004, kur u kuptua se misioni i UNMIK-ut vendin tonë nuk po e shpinte askund. Partneriteti ynë me UNMIK-un mund të zgjaste edhe disa shekuj, por ky ishte një partneritet që nuk kishte asnjë lloj qëllimi.

E kundërta po ndodh tash. Me vetulla të ngrysura, qytetarët e vendit po e presin zbarkimin e misionarëve të EULEX-it, shumica absolute e të cilëve vijnë prej shtetesh që e kanë njohur Kosovën shtet të pavarur, fill pas shpalljes së pavarësisë.

Interesant. Po e urrejmë një mision miqësor, që vjen prej vendeve mike dhe aleate të Kosovës. Po e urrejmë një mision, që qëllim final e ka ta dërgojë vendin tonë në familjen e vendeve evropiane. Pra, për dallim prej UNMIK-ut, EULEX-i ka qëllim.

Por ndoshta nuk është edhe gjithaq keq. Ndoshta prej kësaj situate absurde mund të dalin elemente pozitive. Ndoshta pritjet e ulëta për EULEX-in, po ndodhin për një arsye. Ndoshta, për dallim prej UNMIK-ut, EULEX-i do ta çojë përpjetë disponimin e kosovarëve.

Kështu si është puna tash, dhe kështu si u është vizatuar kosovarëve fytyra e EULEX-it, nuk do të befasohesha sikur këtij misioni t’i kërcente rejtingu brenda pak muajsh. Jam i bindur që kjo do të ndodhë shpejt. Kosovarët presin, ose kështu u kanë thënë gardianët e shoqërisë civile, se ky mision do ta ndajë shtetin në dysh. Kur kjo nuk do të ndodhë, ose nëse EULEX-i në vend se ta ndajë, do t’i vërë ca kontura bashkimit të territoreve të Kosovës, që edhe ashtu de facto janë të ndara, atëherë këtyre misionarëve do t’u jepet duartrokitje. Njëjtë do të ndodhë nëse këta misionarë arrijnë ta ndalin kontrabandën enorme që po zhvillohet në Veriun e Kosovës, ku tashmë janë të rrafshuara për toke, dy pika kyçe doganore. Kur atje do të fillojnë të dalin doganierët e EULEX-it, ka mundësi që të hyrat në buxhetin e Kosovës, të rriten për disa për qind. Ju skeptikët do të thoni që të hyrat që do të mbledhin në veri të vendit, do të shkojnë si investime po në veri të vendit. Nën 1, nuk është keq nëse investohen në atë pjesë dhe, nën 2, kur pikat doganore do të vendosen në Veri, një pjesë e mirë e importit për në Kosovë do t’u kthehet rrugëve normale, duke mos kërkuar shtigje të kontrabandës. Në kohën kur në veri të vendit nuk ka dogana, një numër i madh i importuesve i kanë braktisur rrugëtimet e tyre të rregullta, duke u përbiruar qëllimshëm kah Veriu. Tash, nëse atje paguajnë taksa doganore, ata më nuk kanë ndonjë motiv që të ikin prej Hanit të Elezit, Merdarit, apo Kullës së Pejës.

Për dallim prej misionit të UNMIK-ut, popullariteti i të cilit u varros përfundimisht kur filluan gjykimin e pjesëtarëve të UÇK-së për krime të luftës, gjyqtarët dhe prokurorët e EULEX-it nuk do ta kenë këtë barrë. Prokurorët e EULEX-it nuk e kanë të ndaluar të merren edhe me krime të luftës, por kjo gjë ose nuk do të ndodhë kurrë, ose do të ndodhë shumë rrallë. Parimisht ata do ta kenë nderin dhe detyrën që të merren me krimin e organizuar dhe korrupsionin, gjë e cila, nëse ata e bëjnë këtë, do t’u sjellë vetëm përkrahje dhe solidarizim të qytetarëve.

Shyqyr zotit, që për dallim prej misionit të UNMIK-ut, ky i EULEX-it nuk do t’ua hapë gojën kosovarëve, që, duke ndenjur nën hije, duke numëruar mizat, kishin shprehi të thoshin: “Kush janë këta afrikanë dhe aziatikë që dëshirojnë të na mësojnë ne evropianëve çka është demokracia”.

Tash jo. Nuk është ajo situatë. Tash afër nesh janë evropianët e vërtetë, që ka mundësi të na mbajnë edhe ca ligjërata për demokracinë, rendin dhe ligjin. Shyqyr që janë dhe shyqyr që nuk po na lënë vetëm.

Pra, gjërat mund të ndodhin për një arsye.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora