Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nje Portret Per Mjeshtrin E Madh Te Karnavaleve Shkodrane, Kole Shiroka

| E enjte, 06.07.2006, 11:37 PM |


Kole Shiroka u lind me 16 gusht.1900 ne Shkoder. Rridhte nga nje familje e vjeter peshkataresh.(Sic duket mbiemrin e ka marre nga vendi ku ka jetuar, ne Shiroke). Ishte djale i vetem mes tri motrave. Edhe pse i tille, nderkohe qe i ati Lushi dhe e ema Silja e shikonin si syte e ballit, ne moshen 13 vjecare ai merr rruget e dhimbshme te mergimit. I merr ato rruge, duke lene pas si nje peizazh te trishtuar femijerine dhe plot endrra lundrimi me varke... Do te punoje sherbetor e berber neper dyert e shtepive te Cetines, ne Mal te Zi, deri ne vitin 1918.

Rruget e mergimit do te sjellin perseri ne vendlindje. Tani i nenshtrohet profesionit te berberit, ndonese nuk e ka me qejf. Keshtu, hap nje dyqan ne lagjen Gjuhadol. Shpesh dyqani kthehet ne studio e ne klub ahengxhinjsh. Kola nis te pikturoje e, se bashku me disa shoke, formon edhe nje orkester. Gjithashtu, ai do te jete i pranishem edhe si instrumentist ne Kafe te Madhe, duke i rene xhezit e duke shoqeruar profesorin italian Muc, qe i binte pianofortes.

Peneli i piktorit Kole Shiroka la ca peizazhe nga Shkodra, portrete te ndryshme e deri reklama tregtie. Allcia e skulptorit Kole Shiroka na la te skalitur nje grua, e cila mbante nje shtambe per te mbushur uje te truma e Dugajve te reja. Te vjen keq qe kjo veper u shkaterrua dhe humbi pergjithnje. Sidoqofte gjurmet e talentit te Shirokes i shikon ende sot. Deshmitar i heshtur eshte tavani i nderteses se Prefektures se Shkodres. Ne kater cepat e saj jane punuar me allci kater shqipe.

Kola, ne orkestren qe do te formoje, do te jete bashke me Kole Lufin e Kole Vjerdhen. Tre Kolat... se bashku ishin thjeshte nje rastesi. Pervec kitares, Kola do t’i bjere edhe violines, mandolines, bracit, etj. Me vone, me disa miq te tij, si: Cin Daija, marangoz, Simon Rranxi, kepucar, Luigj Dajci, mekanik, Ndoc Tivari, Loro Kovaci, Shuk Paloka, Kole Krajni, Gjon Kole Daja,, Shuk Radoja, etj., formojne shoqerine “Rozafa”, me 1918. Per kete shoqeri, aktori veteran Gjon Karma ka thene: “... “Rozafati” ishte e vetmja shoqeri ne Shkoder, ku anetaret e saj mblidheshin me familje, burra, gra, vajza dhe kalonin mbremjet me bufete dhe kercime moderne e valle popullore, recitime dhe fjale gazi, etj. ... Kole Shiroka ishte vjershetari, skenografi e aktori i grupit. Ka interpretuar ne lojerat e gazit “Dy te fejuam ne nji burg”, “Serreti”, “Lejleku ne Shiroke”; ne komedite “Njeri me hane”, “Batakcia”, ne dramat “I merguemi”, “Vdekja e Skenderbeut”.”

Talenti i Kole Shirokes preku shume gjini te artit, por vecanetisht ai shkelqeu dhe u be personazh me karnavalet, qe Shkodra i kishte tradite. “Dialogu” i Kole Shirokes me karnavalet, permes viteve 1931, 1932, 1934, 1936, e ai qe s’doli me 1937; ka shume peripeci, histori e ngjarje te kendshme e te pakendshme, gezime e zhgenjime, censure dhe tentative per burgosje...

Duke njohur historikun e karnavaleve, mesojme se ata pergjithesisht beheshin me maska te perpunuara e me kostume te vjetra. Gjithsesi kjo iniciative ishte e mire, por tingellonte disi anakronike per kohen. Hyrja e Koles ne kete hulli interesante humoristiko satirike bene qe karnavalit, ne nje mase te konsiderueshme, t’i nderrohej fytyra duke i vene “maske” te re mendimi, problematike e humori. Ai luftoi dhe e konceptoi karnavalin me foles, me shprehes i nevojave e halleve te njerezve e me nje ngjyrim sa me te kohes. Aq sa per disa vjet rresht doli i vetem para publikut shkodran...

Ne vitin 1931 Kole Shiroka formoi nje grup, shumicen e te cilit e perbenin anetaret e shoqerise “Rozafat”. Ky grup doli rrugeve me karro alegorike qe mbarte nje flutur te madhe, ne krahet e saj dukeshin maskat e pikturuara te anetareve te grupit.

Ne vitin 1932 Shiroka me grupin e tij u veshen bukur me rrobe moderne dhe kaluan rruges se qytetit hipur mbi nje vapor te madh, duke iu rene veglave muzikore e duke deklamuar bejte qe trajtonin krizen e papunesise. Ne vitin 1934 grupi i Kole Shirokes u shpernda se kishte rene ne sy te qeverise per kritikat ndaj saj. Kesaj radhe Kola u maskua dhe doli vetem. Beri nje karro simbolike, mbi te cilen vuri globin e tokes. Vete u vesh si astronom. Me anen e bejteve trajtonte problemin e krizes qe kishte mberthyer boten e njekohesisht kritikonte kumarxhinjte, alkoolistet, dembelet etj, qe ishin shnderruar ne fenomen shqetesues per qytetin.

Ne shkurt te vitit 1936, Kole Shiroka kurorezoi apogjeun e karnavalit shkodran. Me fantazine e tij vuri mbi karro, diten e karnavaleve, nje lope te dobesuar kocke e lekure, gjinjte e se ciles i thithnin me radhe ministrat e asaj kohe. Bejtja e thurur me kete rast demaskonte me humor e sarkazem punen e ministrave. Mjafton te permendim keto vargje; “S’ka njofte ligje as rregullore/ ka kene raje cdo zyrtar/ ma randesi ka pas nje horre/ se ma i nderti qytetar. // Ne e pac pasun ndoj kusheri/ minister a deputet/ ke pas te drejte per nepunesi/ pa dite te shkruaje emnin e vet”. Dhe 34 strofat e ketij karnavali, perfundojne me nje humor paksa tragjik nga bejtexhiu Shiroka, i cili thote; “T’gjitheve mbare tue iu pershendete/ pleq e t’ri sido qit jeni/ po ju tham, si sot nji vjete/ per ne m’pafshi qar e keni...”

Nga kjo kritike e rende ne adrese te qeverise, Kola pesoi shume telashe, te cilat i kaperceu me shume veshtiresi. Ai u denua qe te mos dilte kurre me ne karnavalet pergjate tere jetes se tij. Kremtimi i karnavaleve vazhdoi edhe per disa vite. Pushoi se qeni ne vitin 1939. Qe nga ky vit e deri me 1944, ne rruget e Shkodres nuk u duken surretnit e karnavaleve. Neper vite karnavalesh Kola doli here me maske kucedre, here me maske triumfi, here mbi karrocen qe e meremetonte vete me kujdes e gjithe humor, ku do te recitonte bejtet. Karnavalin e Kole Shirokes nuk e pane me sy te mire autoritetet e kohes.

Po t’i shikosh sot pjeset e mbetura dhe te arkivuara nga familja, shume strofa jane te ngjyera me te zeza. Ajo ngjyre e zeze e keqdashese nuk ishte e zonja te rezistonte, sepse shume strofa gjithe humor kapercyen vitet dhe erdhen gjer ne kohen tone, e na “flasin” qarte qe gazmoret e Kole Shirokes sfiduan anakronizmin e kohes e censuren e asaj kohe...

Kole Shiroka vdiq me 14.10.1984 ne Shkoder, ne moshen 84 vjecare. Ai na la vargje humori qe s’harrohen lehte nepermjet udhetimeve te karnavalit. Por Kole Shiroka nuk u mjaftua vetem me strofat e begata humoristike qe na la si nje trashegimi te vyer ne fushen e karnavalit, por si nje kujtim lirik shkroi dhe librin “Lamtumire, djaleri”! (Shtypshkronja “Nikaj”, Tirane, 1932), liber qe pothuajse ka kaluar ne heshtje.

Krahas poezive humoristike te tipologjise karnavaleske qe autori i kishte per merak dhe per zemer, pershihen edhe nje tubez lirika me shfrime e permallime djaloshare te kohes qe “iken e nuk vjen me”, me kujtime nostalgjike e deri diku edhe ne shfaqjen e ndonje pesimizmi te pranuar e te perligjur. Mbizoterimi i dialogeve idilike me vashen, vizatimi i elementeve te natyres, recepsioni i gjendjeve shpirterore flasin se Kole Shiroka ishte edhe nje poet lirik, qe ia vlen te studiohet.

Ende sot, shkodranet kujtojne vargje te shumta nga krijimtaria e karnavaleve te autorit Kole Shiroka. Teksa i kujtojne, ne fytyrat e tyre i ravijezohet buzeqeshja... Ndoshta s’mund ta kuptojne emrin e komikut Kole Shiroka pa humor e buzeqeshje. Dhe kane te drejte...

Xhahid Bushati - Koha Jone