E enjte, 18.04.2024, 08:04 AM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Kur Islamerikanizmi ulërin edhe më fort arabisht në Shqipëri

E diele, 21.11.2021, 08:44 PM


Kur Islamerikanizmi ulërin edhe më fort arabisht në Shqipëri nga megafonët e minareve se Islami i deritanishëm

Nga Kastriot Myftaraj

Një fe e re është krijuar në Shqipëri. Kjo fe mund të quhet Islamerikanizëm, pra Islami sipas Ambasadës Amerikane.

Në mbledhjen e përbashkët të 18 nëntorit, të drejtuesve të organizatës zyrtare të muslimanëve suni të Shqipërisë, Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe Ambasadës Amerikane, ambasadorja amerikane Yuri Kim, në krah të kryetarit të Komunitetit Mysliman, Buhar Spahiu na bëri me dije hyrjen në një fazë të re të partneritetit mes Ambasadës Amerikane dhe Komunitetit Mysliman që paska nisur në 2014 për të luftuar ekstremizimin e dhunshëm.

Tani ky partneritet do të ketë si qëllim mbështetjen te të rinjtë për fuqizimin e demokracisë. Por demokracia është veprimtari politike, ndërsa Komuniteti Mysliman si organizatë fetare e ka të ndaluar me ligj të merret me politikë.

Gjithsesi, ajo që vihet re që prej 18 nëntorit është se megafonët e minareve që ulërijnë në arabisht pesë herë në ditë, e kanë volumin më të lartë se më parë. Në SHBA nuk lejohet thirrja e ezanit nga minaret me megafonë.

Partneriteti i Ambasadës Amerikane me Komunitetin Mysliman për luftën kundër ekstremizimit të dhunshëm na solli si pasojën më të ndjeshme fuqizimin e ulërimave në arabisht që përhapin pesë herë ditën megafonët e minareve të xhamive në Shqipëri.

Pra, Islamerikanizmi ulërin edhe më fort në arabisht.

Arsyeja për të cilën bëhet kjo gjë është që t’ u mbyllet goja kundërshtarëve brenda rrethit të muslimanëve praktikues të cilët do të thonë se Bujar Spahiu dhe grupi i tij në krye të Komunitetit Mysliman e kanë vënë organizatën e muslimanëve nën kontrollin e ambasadës amerikane. Ja, thotë Bujar Spahiu me të vetët, ne e ngremë volumin e megafonëve të minareve edhe më lart se më parë.

Dhe vërtet thirrja “Allahu Akbar” dëgjohet edhe më fort se më parë, pas 18 nëntorit.

Por thelbi i ekstremizimit të dhunshëm islamik është formula “Allahu Akbar” që përhapet pesë herë në ditë nga megafonët e minareve të xhamive dhe që në shqip ka kuptimin “Zoti është më i madhi”. Më i madh se kush? Se zotat e feve të tjera, nënkuptohet. Pra ka shumë zota por njëri ndër ta është më i madhi. Dhe ky zot që është më i madhi quhet Allah, zoti islamik. Formula duhet thënë në arabisht sepse kështu saktësohet se cili ndër zotat është më i madhi. Pra bëhet fjalë për njërin ndër zotat, me një emër të caktuar, i cili është më i madhi, për Allahun.

Domethënë qëllimi i kësaj formule rituale nuk është që të thirren muslimanët praktikues që të kryejnë ritualin e lutjes por qëllimi është që t’ iu thuhet besimtarëve të feve të tjera se zoti i tyre është i vogël dhe i parëndësishëm në krahasim me zotin islamik.

Pra Islami është një fe që në ritualin e saj të përditshëm përçmon fetë e tjera. Secila fe ka zotin e vet, na thotë Islami pesë herë ditën me megafonë dhe zotat tuaj janë të vegjë, yni është më i madhi.

Pikërisht kjo është arsyeja që drejtuesit fetarë islamikë nuk kënaqen vetëm me atë që thirrja “Allahu Akbar” të bëhet brenda xhamive. Ata duan që kjo thirrje  t’ u drejtohet jo vetëm ushtruesve të fesë islame por edhe jobesimtarëve të kësaj feje, qofshin të feve të tjera, qofshin jofetarë. Këtu është qëllimi i thirrjes së formulës islamike me megafonë nga minaret në hapësirën publike jashtë xhamive. Pra qëllimi është provokues dhe kërcënues.

Allahu Akbahr është një thirrje kërcënuese për nënshtrim.

Kjo thirrje bëhet qëllimisht në hapësirën publike laike, si thirrje për nënshtrim ndaj besimtarëve të feve të tjera dhe qytetarëve laikë, si atyre afetarë ashtu dhe atyre ateistë.

Thirrja “Allahu Akbar” në hapësirën publike është një provokim i kryer nga feja islame ndaj feve të tjera, shoqërisë, shtetit laik.

Të gjitha fetë iu kërkojnë njerëzve që t’ i nënshtrohen zotit por vetëm një fe, Islami iu kërkon atyre që t’ i nënshtrohen një zoti të caktuar me emër arab për të cilin thotë se është më i madhi.

Nuk është rastësi që “Allahu Akbar” ka qenë dhe mbetet thirrja luftarake e ushtrive muslimane që nga koha e Muhamedit, te pushtimet arabe, osmane dhe deri te terroristët e sotëm islamikë.

Thirrja “Allahu Akbar” është formula e ekstremizimit të dhunshëm islamik.

Thirrja “Allahu Akbar” ka të njëjtin funksion si thirrja “Hail Hitler”, që kishte funksion imponues, nënshtrues. Pra Hitleri është lideri më i madh ndaj të gjithë duhet të shprehin nënshtrimin ndaj tij.

Zoti ka emra të ndryshëm në fe të ndryshme me gjuhë rituale tradicionale të ndryshme. Zoti është “Deus” në latinisht, “Theos” në greqisht, “bog” në sllavisht, “Elohim” në hebraisht etj.

Asnjë fe nuk ka një ritual ku të thuhet se zoti në versionin tim është më i madhi. Këtë e ka vetëm Islami. Pra thirrja “Allahu Akbar” është një sfidë ndaj feve të tjera, por jo vetëm ndaj tyre por edhe ndaj qytetarëve laikë, qofshin këta afetarë apo ateistë, si dhe ndaj vetë shtetit laik.

Qytetarëve laikë iu thuhet në hapësirën publike laike se Allahu është më i madh, më suprem se parimet në të cilët besojnë ata.

Nga të gjitha fetë që ushtrohen në Shqipëri vetëm njëra, feja islame, përhap çdo ditë, madje pesë herë ditë, në hapësirën publike jashtë ndërtesave të kultit përkatës, fjalë rituale në një gjuhë të huaj, në këtë rast arabisht. Pesë herë ditën nga megafonët e minareve të xhamive dëgjohet një formulë rituale e quajtur ezan (thirrje për lutje) e cila nis me fjalët “Allahu Akbar”.

Unë jam qytetar i Republikës së Shqipërisë që është një shtet i përcaktuar me Kushtetutë si laik (sekular), ku nuk ka fe zyrtare dhe duhet të ketë barazi kushtetuese midis feve. Por feja islame ka fituar praktikisht statusin e privilegjuar të fesë zyrtare pa qenë ligjërisht e tillë.

Shteti im duhet të më shpjegojë kuptimin e fjalëve “Allahu Akbar”, meqënëse ato janë në një gjuhë të huaj dhe meqënëse ato fjalë më drejtohen mua në hapësirën publike jashtë ndërtesave të kultit përkatës. Hapësira publike është laike, pra neutrale nga pikëpamja fetare. Bashkësitë fetare mund ta përdorin atë për të kryer ritualet në ditë të caktuara, me leje të autoriteteve publike, por nuk mund ta përdorin gjatë gjithë kohës pa ndërprerje, siç bën Komuniteti Mysliman i Shqipërisë.

Çfarë kuptimi kanë fjalët “Allahu Akbar”? Si intelektual unë e di kuptimin e fjalëve “Allahu Akbar” nga leximet e mia. Por si qytetar unë do të doja të dija një shpjegim zyrtar nga autoritetet shtetërore përkatëse që janë përgjegjëse për administrimin e hapësirës publike laike.

Në shtetin laik autoriteti më i lartë është ligji kushtetues, ndërsa feja i përket pjesës private të jetës së njeriut dhe “sovraniteti” i fesë kufizohet brenda hapësirës së kufizuar të objekteve të kultit, tempujve fetarë. Thirrja “Allahu Akbar” e përhapur në hapësirën publike laike sfidon në mënyrë të përhershme sipëraninë e Kushtetutës duke thënë se Kurani është mbi Kushtetutën.

Shteti laik shqiptar duke lejuar fenë islame të kryejë ritualet e saj, aq më tepër duke pushtuar pesë herë ditën hapësirën publike laike, shkel parimin kushtetues të barazisë mes feve, si dhe atë të barazisë së të drejtave mbi hapësirën publike të qytetarëve besimtarë fetarë ose jo. Njëra fe lejohet që të përdorë hapësirën publike laike për t’ iu thënë besimtarëve të feve të tjerë dhe qytetarëve laikë se zoti i saj është më i madhi.

Dhe tani ulërima arabisht nga megafonët e minareve është bërë më e fortë se kurrë.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora