Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Latifi: Filozofia përbën kodin gjenetik të mendimit shkencor

| E enjte, 18.11.2021, 07:58 PM |


FILOZOFIA PËRBËN KODIN GJENETIK TË MENDIMIT SHKENCOR. KY KOD E KA NJË EMËR TË MIRËNJOHUR: SHPIRTI KRITIK

Me rastin e Ditës Botërore të Filozofisë

Hegel : Institucionet e lira politike dhe filozofia shkojnë dorë për dore! Liria e mendimit dhe liria politike janë të lidhura në mënyrë të pashmangshme me njëra tjetrën! Filozofia është shfaqur në skenën e historisë vetëm atëherë kur kanë lindur institucionet e lira politike.

Nga Prof. Blerim Latifi

I

Filozofia ka një histori të gjatë, e cila shtrihet në harkun kohor të dhjetëra shekujve, prandaj, nisur nga kjo pikëpamje, është vështirë të jepet një përkufizim brenda të cilit do të mund të përmblidhej e gjithë tradita e mendimit filozofik.

Termi filozofi, sikurse dihet, është sajuar në Greqinë e Lashtë, por domethëniet që i janë përshkruar këtij termi kanë ndryshuar në rrjedhën e shekujve. Këto domethënie gjenden në vetë historinë e filozofisë, por ajo që është më rëndësi të theksohet është se në shumësinë e këtyre domethënieve mund të dallojmë dy koncepe themelore të filozofisë: konceptin e filozofisë si emër i përbashkët për dituritë e një kohe dhe konceptin e filozofisë si një degë e veçantë e diturisë apo njohjes.

Koncepti i parë ka dominuar në pjesën më të madhe të historisë së filozofisë, deri në fillimet e Idealizmit Gjerman.

Sikurse vëren filozofi amerikan Richard Rorty, me Kantin ndodhë kthesa e profesionalizmit të filozofisë, që nënkupton shndërrimin e saj një profesion të veçantë, të dallueshëm nga profesionet tjera të diturisë. Nga Kanti e tutje filozofia nuk është më ombrella nën të cilën futen të gjitha dituritë, as e ashtuquajtura mbretëresha e shkencave, por një mënyrë e veçantë e mendimit dhe e njohjes, e cila i ka çështjet e sajm dhe fushën e saj të përkufizuar të hulumtimit. Kanti mendonte se kjo fushë përbëhet prej tri çështjeve themelore : çështjes epistemologjike, çështjes etike dhe çështjes estetike. Me fjalë të tjera filozofia ka për detyrë të përgjigjet në tri pyetje : çfarë mund të njohim? çfarë mund të bëjmë? çfarë mund të shpresojmë?

E gjithë filozofia postkantiane, në mënyra të ndryshme, merret me këto detyra të përcaktuara nga Kanti. Në këtë kontekst, sot, të jesh filozof do të thotë të kesh një kompetencë diskursive në fushën e njohjes, në atë të etikës dhe atë të estetikës. Secila prej këtyre tri fushave pastaj diversifikohet në rryma e drejtime të ndryshme teorike. Për shembull: të marrim çështjen e njohjes. Angazhimi filozofik në këtë çështje mund të marrë formën e filozofisë së shkencës ose të filozofisë së religjionit.

II

Më lart e bëmë dallimin midis filozofisë si emërtim i përbashkët për të gjitha dituritë dhe filozofisë si degë e veçantë e diturisë?

A kanë diçka të përbashkët këto dy koncepte? Sigurisht që kanë. Jo vetëm emrin formal, por edhe diçka substanciale. Kjo diçka është mendimi kritik.

Filozofia, gjatë gjithë historisë së saj, është dalluar nga format tjera të mendimit njerëzor, pikërisht përmes dimensionit të mendimit kritik. Mendimi kritik parasegjithash nënkupton qëndrimin e mospranimit të të vërtetave të gatshme. Nënkupton shqyrtimin e një të vërtete para pranimit të saj si të tillë. Ky shqyrtim në filozofi merr formën e shqyrtimit logjik dhe racional. Dekarti në tekstet e tij “Ligjërata mbi metodën” dhe “Parimet e filozofisë”, e paraqet në mënyrën me të mirë thelbin e kriticizmit filozofik. E vërteta nuk është një e dhënë e gatshme. Ajo duhet të gjurmohet me instumentet e mendimit të lirë. Filozofia fillon aty ku ndahet çështja e autoritetit nga çështja e të vërtetës. Ose thënë ndryshe: filozofia fillon aty ku e vërteta kërkohet dhe përcaktohet në mënyrë të pavarur nga autoriteti, qoftë ky politik ose religjioz. Filozofia fillon me shpalljen e autoritetit të së vërtetës, si kundërvënie ndaj të vërtetës së autoritetit. Kjo gjë është definuar herë si kundërvënie midis kriticizmit dhe dogmatizmit, e herë si kundërvënie midis dyshimit dhe besimit. Pushtetet e ndryshme, qofshin ato politike apo religjioze gjithmonë synojnë që të vërtetat e tyre të pranohen si të vërteta finale, të padiskutueshme, të pacenueshme dhe nëse ky synim i tyre shndërrohet në ligj, atëherë aty shkatërrohet çdo mundësi për zhvillimin e filozofisë. Kjo gjë ka ndodhur në kush e di sa raste gjatë historisë dhe filozofia në po aq raste ka rënë viktimë e të tilla synimeve. Pushtetet sajojnë ideologjitë për të ruajtur veten. Këto ideologji kanë për qëllim të mirëmbajtjen masën e besimtarëve të pushteteve, do të thotë masën e atyre që e pranojnë pushtetin dhe nuk revoltohen kundër tij. Filozofia lëviz në kahun e kundërt. Ajo, në mënyrë imanente, është e prirur t’i shndërroj besimtarët në dyshues, marrësit e pandërmjetësuar të të vërtetave, në marrës shqyrtues të tyre. Ideologjitë dhe religjionet e organizuara, duke qenë se kanë për qëllim besimtarët dhe jo dyshuesit, gjithmonë janë të prirura drejt politikave të tkurrjes së kapaciteteve të njeriut për të menduar në mënyrë të pavarur . Filozofia synon saktësisht të kundërtën : zgjerimin e këtyre kapaciteteve. Në këtë pikëpamje, filozofia është edukim në mendimin logjik dhe autonom. Filozofia është ngritje në nivelin më të lartë e lirisë së mendimit. Shelingu e thotë në mënyrë shumë të drejtpërdrejtë : Liria është fillimi dhe qëllimi i filozofisë. Do të thotë: ajo lindë nga liria e njeriut dhe i shërben asaj. Në rradhë të parë, lirisë së mendimit, e pastaj edhe lirisë si praktikë sociale e politike.

Edhe Hegeli e thotë të njëjtën gjë në veprën e tij “Leksione mbi Historinë e Filozofisë”: “Institucionet e lira politike dhe filozofia shkojnë dorë për dore! Liria e mendimit dhe liria politike janë të lidhura në mënyrë të pashmangshme me njëra tjetrën! Filozofia është shfaqur në skenën e historisë vetëm atëherë kur kanë lindur institucionet e lira politike”.

Po çfarë kupton Hegeli me institucione politike të lira?

Ai e ka fjalën për ato institucione të cilat nuk i kundërvihen të vërtetës racionale, e cila përbën substancën e mendimit filozofik. Në këtë pikëpamje, të jesh filozof do të thotë të përdorësh lirinë e mendimit në mënyrë racionale dhe të angazhohesh edhe në mbrojtje të lirisë si praktikë sociale dhe politike. Indiferenca e filozofit ndaj fatit të institucioneve të lira politike është braktisje e etikës së filozofisë, në mos tradhëti e saj.

A ka ndodhur ndonjëherë kjo tradhëti ndaj etikës së filozofisë?

Sigurisht që po. Ka shumë raste që filozofët kanë hequr dorë nga lidhja filozofi-institucione të lira dhe janë rreshtuar në taborrin e ideologjieve të ndryshme politike e religjioze, të cilat e kanë shkatërruar lirinë. Ata janë shndërruar nga kritikues të dogmave e miteve në apologjet të tyre. Julien Benda e quan këtë fenomen “tradhëtia e intelektualëve”.

Por ne po flasim për tradhtinë e filozofëve? Sigurisht, ama përkufizimi që Benda u bën intelektualëve është një përkufizim që u përshtatet edhe filozofëve. Benda i quan intelektualë ata që flasin për botën në mënyrë transcendentale. Mënyra trasncendentale të folurit është mënyra e vetë filozofisë. Të flasësh në mënyrë transcendentale mbi botën do të thotë të mendosh mbi të i pavarur nga kushtet dhe interesat e saj. Do të thotë të kërkosh të vërtetën i pandikuar nga interesat e ndryshme. Do të thotë të kesh për interes vetëm të vërtetën. Kur filozofi apo intelektuali ia nënshtron interesin e të vërtetës ndonjë interesi tjetër politik, religjioz apo ekonomik, atëherë ai kryen aktin e tradhëtisë ndaj filozofisë. Atëherë ai shndërrohet, siç thotë vetë Benda, në lojtar të pasioneve politike, prapa të cilave gjithmonë qëndrojnë interesat pushtetore. Kemi rastin e Hajdegerit. Në vitin 1927 ai botoi njërën nga veprat më të rëndësishme në gjithë Historinë e Filozofisë Perëndimore, veprën “Të Qenit dhe Koha”. Vetëm pak vite më vonë ai pranoi të bëhej shërbëtor i sistemit nazist, duke u bërë rektor i Universitetit të Freiburgut. Kemi rastin tjetër, atë të filozofit hungarez Gjergj Lukaç. Një filozof që shkruan tekste të arrira në fushën e estetikës, befas një ditë ulet dhe shkruan tekste filozofike në të cilat bëhet apologjia e sofistikuar e stalinizmit. Ka plot raste të tjera. Jogjithëherë filozofët i kanë rezistuar joshjes së pushtetit dhe kanë përfunduar duke bërë punën e pandershme të ideologut të tij. Kështu ata, siç thotë Morin, nga kritikues të miteve, janë shndërruar në sajues të tyre. Të përdorësh filozofinë për të sajuar mite, do të thotë të tradhtosh vetë origjinën e saj, e cila lidhet me emancpimin e mendimit njerëzor nga shpjegimi mitik i botës. Ky emancipim së pari ka ndodhur në Greqinë e Lashtë. Ishin grekët e lashtë të cilët morrën guximin për të zhvilluar një pikëpamje mbi zanafillën e botës të ndryshme nga pikëpamjet mitike. Grekët mahniteshin mbi botën në të cilën jetonin. Ata mendonin shumë për zanafillën e kësaj bote dhe një ditë vendosën që të mos pajtoheshin me ato që tregonin mitet dhe legjendat e tyre mbi këtë zanafillë. Grekët guxuan të mendojnë se natyra mund dhe duhet shpjeguar vetëm përmes natyrës. Ky guxim bëri të mundur lindjen e natyralizmit, metodës e cila qëndron në themel të filozofisë dhe vetë shkencës.

Natyralizmi metodologjik i grekëve të lashtë është revolucioni ma i madh intelektual në historinë e njerëzimit. Ky revolucion i ka tri etapa të mëdha : çlirimin e natyrës nga shpjegimet mitike, çlirimin e institucioneve sociale nga shpjegimet mitike dhe çlirimin e konceptit të zotit nga përmbajtjet natyralisto-antropomorfike. Shkencat e sotme të natyrës, shkencat sociale, por edhe teologjia, e kanë zanafillën në këto tri çlirime intelektuale.

Kështu mund të thuhet se filozofia përbën kodin gjenetik të mendimit shkencor. Dhe ky kod e ka një emër të mirënjohur: shpirti kritik.