E enjte, 28.03.2024, 03:47 PM (GMT)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Lea Fenomenale

E enjte, 18.11.2021, 07:01 PM


Lea Fenomenale

Nga Edison Ypi

"Të Lirë" i autores fenomenale Lea Ypi është një libër absolutisht mahnitës, definitivisht kryevepër.

Lea Fenomenale ka shkrujt librin më të vërtetë, më të saktë, më të qartë, më të besueshëm, për tranzicionin shqiptar.

"Të Lirë", Lea Fenomenale e ka shkruar me seriozitet dhe sinqeritet absolut. Pa asnjë hile, asnjë hije, asnjë dredhi.

Librin ku nuk ka asnjë gjurmë mediokriteti, konformizmi, konvencionalizmi, dhe nuk i përket asnjë mode kalimtare, asnjë trendy snobist, Lea Fenomenale e ka teshtitur nga shpirti.

Lea Fenomenale ka thurur një libër nga ata fort të rrallët që pasi ke nisur ta lexosh, të rrëmben dhe nuk të lëshon më kurrë, bëhet gjymtyrë e jotja, dhe udhëton bashkë me ty, deri në varr.

Lea Fenomenale ka skalitur një libër aq të lartë saqë leximi i të cilit të zhyt në meditime sipërore për shenjtërinë e ekzistencës, shijen e Jetës, Harmoninë e Natyrës.

Leximi i kësaj kryevepre nga Lea Fenomenale, të degdis në një Univers pa gravitacion ku s'ka rëndësi në cilën faqe je, edhe sa të kanë mbetur, madje harron ku dhe pse ndodhesh, sa është ora, cila është data, stina, viti, shekulli.

Lea Fenomenale në këtë libër të përsosur gdhendur me daltën dhe çekiçin e Mikelanxhelos, ka zgjedhur çdo fjalë me përgjegjësi jet' a vdekje, ka thurur çdo fjali me përpikmëri inxhinierike, ka vendosur me rigorozitet tmerrues çdo shenjë pikësimi, ka arkitektuar çdo paragraf, ka strukturuar çdo fjali, ka analizuar çdo tingull.

Rrëfimi i Leas Fenomenale është plot me të papritura. Por nuk ka asnjë ngecje, asnjë kërrcitje. Rrëfimi i Saj është aq i ëmbël, aq i butë, aq i njerzishëm, sa mund të krahasohet vetëm me uniformitetin e rrjedhjes së kohës.

Libri i Leas Fenomenale nuk lexohet. Vetëm rrufitet si terjaqiu kafenë. Ose rrëkëllehet ngadalë si pijetari rakinë nga frika mos dehet dhe mbetet përgjithmonë as i gjallë e as i vdekur brenda faqeve të librit.

Libri i Leas Fenomenale ka brenda gjithçka përmban jeta fëminore dhe adoleshenciale e një vajze shqiptare që u rrit në zgrip të Historisë dhe iu desh të bëjë zap: Lartësinë e Genit, lavdinë e të parëve patriotë dhe Rilindas të shquar, gjenialitetin e vetes, sofistikimin e gjyshes, urtësinë e babait, racionalitetin e mamit, egërsinë e Diktaturës, rreziqet e biografisë, vështirësitë e përditshmërisë.

Libri i Leas Fenomenale është aq integral, aq kompakt, aq harmonik, sa duket si një det brenda të cilit mund të kridhesh nga çdo breg. Për shembull, e fillon në mes, e vazhdon në fund, e mbaron në fillim, pa shkaktuar në trurin tënd asnjë rrëmujë.

Libri i Leas Fenomenale është një rrëfim i përsosur me vërtetësi rrënqethëse që s'të lë asnjë shteg, për asnjë dyshim, asnjë keqkuptim, asnjë evazivitet.

Libri i Leas Fenomenale është kaotik dhe harmonik po aq sa, dhe po ashtu si, Universi.

Libri i keq mbetet i keq kushdo që ta përkthejë.

"Të Lirë" është shkruar Anglisht nga Lea Fenomenale, dhe përkthyer Shqip po nga Lea Fenomenale, në mënyrë aq virtuoze sa nuk kuptohet nëse është shkruar anglisht dhe përkthyer Shqip, apo shkruar Shqip dhe përkthyer Anglisht. Si i tillë, i njëjti superlibër Anglisht dhe Shqip, janë dy kryevepra të shkruara nga e njëjta autore, Lea Fenomenale.

Mënyra si shkruan Lea Fenomenale s'ka asnjë lidhje me mender librat që zhgarravisin eskrementet e Lidhjes së Shkrimtarëve, apo Gazetës Drita, apo Revistës Nëntori, të cilët, duke pasur mizën në kësulë, mbledhin dëshmira për të provuar se nuk kanë qënë spiuna.

Talenti letrar, laryshia e gjuhës, teksti i përsosur, aftësia improvizuese, koherenca, stili klasik, ritmi kalorsiak, që buçasin si llavë vullkanike nga truri inkandeshent i Leas Fenomenale nuk do lërë indiferent asnjë shqiptar që di shkrim e këndim.

Librat dhe autorët mediokër rrinë kokë më kokë dhe bythë më bythë me njëritjetrin si kopè delesh rrëzë ferrave nga frika se vjen i çan ujku.

"Të Lirë" i Leas Fenomenale dhe vetë Lea Fenomenale, janë Yj të paarritshëm nga asnjë çakall, asnjë hienë.

Lahu, shplahu, kollitu, teshtitu, fshi qurrat, pastro veshët, kapsalliti sytë, përtyp diçka, gjerb një kafe, mbaj pranë një gotë ujë për çdo të papritur me zemrën, mbahu pas ndonjë sendi mos rrëzohesh nga mahnitja, mbushu me frymë, arratisu nëpër vende të largëta me Kisha dhe Monastere, harrohu nëpër qiejt e Krijimit, fillo lexo librin më serioz dhe më të dobishëm të jetës, "Të Lirë" nga fenomenalja Lea Ypi.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora