E premte, 29.03.2024, 06:49 AM (GMT)

Editorial

Bedri Tahiri: 113-Vjetori i Kongresit të Manastirit

E merkure, 17.11.2021, 07:30 PM


HISTORIKU I ALFABETIT SHQIP

113-Vjetori i Kongresit të Manastirit - Alfabetit

Nga Bedri TAHIRI

“Shqipja është një gjuhë e lashtë, por me një alfabet të ri. Shqipëria një truall që ka nxjerrë dhe u ka dhënë historisë dhe kulturës së popujve të tjerë njerëz të shquar, ka pritur me shekuj një Buzuk, një Veqilharxh, një Sami, një Kongres të Abesë që të vendosë grafinë e shkronjave shqipe, veçori kjo në fushën e kulturës sonë të vjetër dhe të re, një mbijetesë heroike e gjuhës sonë amtare”.

Alfabeti i gjuhës shqipe apo më mirë të themi abëcë ja jonë ka një histori të gjatë, të mundimshme, përplot vuajtje e sakrifica. Deri të kristalizimi i shkronjave shqipe dhe pastaj edhe për mbrojtjen e tyre, u derdh shumë djersë e gjak. Fati i tij qe edhe fati i popullit shqiptar, siç do të shprehej i madhi Pjetër Bogdani.

Shqipja e shkruar dokumentohet që nga shekulli 14 me alfabetin latin. Autorët e shekujve 16 dhe 17 përdorën alfabetin latin, të plotësuar me pesë shkronja të posaçme. Gurin e parë themeltar e vuri Buzuku me Mesharin e tij, për tu pasuar nga Budi e veçan nga Bogdani, i cili e ngriti në një shkallë më të lartë, duke na dhënë një sistem shkrimor më të plotë dhe më të saktë.

Po këtë alfabet, të plotësuar me ndonjë shenjë greke, e përdorën edhe shkrimtarët arbëreshë. Duke qenë se greqishtja përdorej si gjuhë e kishës ortodokse, shqipja u shkrua edhe me shkronja greke. Nën trysninë e islamizmit dhe të pushtuesve osmanë, në shkrimin e shqipes, që nga fillimi i shekullit 18, u përdor edhe alfabeti turko-arab, nga bejtexhinjtë...

Të mos harrojmë se, për shkrimin e shqipes, u ndoq edhe një rrugë tjetër- ajo e krijimit të alfabeteve të veçanta. Në këtë drejtim u dallua veprimtari dhe mësuesi i gjuhës shqipe Teodor Haxhifilipi, i njohur me emrin Dhaskal Todri.

Në një frymë të re, thellësisht kombëtare, e shtroi dhe e zgjidhi çështjen e alfabetit të shqipes ideologu i parë i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, mendimtari i shquar iluminist dhe veprimtari i shkollës shqipe Naum Veqilharxhi, me Ëvetarin prej tetë faqesh, ku krijoi alfabetin me 33 shkronja.

Përpjekje të mëtejshme për caktimin e një alfabeti të përgjithshëm për gjuhën shqipe u bënë gjatë Rilindjes Kombëtare, ku u shquan: lëvruesi dhe studiuesi i dalluar i gjuhës shqipe, Kostandin Kristoforidhi, poeti dhe publicisti patriot Pashko Vasa, atdhetari i madh, filozofi dhe mendimtari i shquar në fusha të ndryshme të diturisë, Hasan Tahsini, atdhetari dhe mendimtari shquar Jani Vreto, ideologu kryesor i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, dijetari i madh, shkrimtari dhe publicisti Sami Frashëri etj.

Përgjithësisht, atdhetarët tanë, edhe për problemin e alfabetit iu drejtuan Evropës së qytetëruar, pra, u mbështeten në alfabetin latin. Përpjekjet e tyre u kurorëzuan me sukses në kohën e Lidhjes së Prizrenit.

Në fillim të viteve 1879 u pranua alfabeti i parashtruar nga Sami Frashëri, i njohur me emrin “alfabeti i Stambollit”, mbështetur në alfabetin latin, duke u plotësuar me disa shkronja greke dhe me shkronja të tjera të veçanta. Me të u bënë shumë botime, u përhap gjerësisht dhe deri në fund të shekullit 19 ishte alfabeti kryesor i Rilindjes Kombëtare.

Nga fundi i shekullit 19 dhe në fillim të shekullit 20 një përhapje jo të vogël pati edhe alfabeti i shoqërisë “Bashkimi” të Shkodrës. Kur numri i botimeve shqipe u shtua, ndërsa rrjeti i shtypjes së tyre u zgjerua, kushtet teknike dhe arsye të tjera bënë që të krijohen e të përdoren alfabete të ndryshme.

Shumë nacionalistë shqiptarë ushqyen besim te lëvizja e turqve të rinj, por shpejt u zhgënjyen, ngase politika e tyre, në thelb, nuk solli asgjë të re. Megjithatë, ajo situatë u shfrytëzua për të mirë. Kështu, në këtë kohë, prej 14 deri më 22 nëntor 1908, u mblodh Kongresi i Manastirit, për të shqyrtuar në atë fazë disa çështje të rëndësishme të Lëvizjes Kombëtare, në radhë të parë për të zgjidhur çështjen e alfabetit të gjuhës shqipe, njësimi i të cilit ishte bërë një problem i mprehtë politik, arsimor dhe kulturor dhe një kërkesë e ngutshme e Lëvizjes Kombëtare.

Nismëtar i thirrjes së këtij kongresi kombëtar, që ka hyrë në histori si Kongresi i Manastirit ishte klubi “Bashkimi” i Manastirit, kryesuar nga Fehim Zavalani. Në Kongres morën pjesë 50 delegatë (32 me drejtë vote e 18 pa të drejtë vote), që përfaqësonin mbi 23 qytete, shumë shoqëri, klube, organe kombëtare të pjesës më të madhe të trevave shqiptare, si dhe të kolonive shqiptare në vende të ndryshme, shkrimtarë e gazetarë, lëvrues të gjuhës dhe mësues të shqipes, veprimtarë të njohur të lëvizjes kulturore dhe politike kombëtare.

Për të studiuar çështjen e alfabetit dhe për të dalë me propozime, Kongresi zgjodhi një komision prej 11 anëtarësh, të përbërë nga përfaqësues të tre alfabeteve kryesore që ishin në përdorim. Në komision bënin pjesë Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Sotir Peci, Mithat Frashëri, Shahin Kolonja, Dhimitër Buda, Ndre Mjeda, Gjergj Qiriazi, Bajo Topulli, Nyzhet Vrioni, Grigor Cilka.

Kongresin e drejtoi Mithat Frashëri, bir i Abdyl Frashërit, ndërkaq kryetar i Komisionit u zgjodh Gjergj Fishta, i cili luajti rol vendimtar. U arrit menjëherë mendimi i përbashkët që, pavarësisht nga alfabeti që do të përcaktohej, kryesorja të ruhej uniteti kombëtar. Këtë ide Fishta e shprehu duke thënë: “Sado që jam dërguar prej shoqërisë Bashkimi, s’kam ardhur për të mbrojtur atë abece, po për të gjetur një mënyrë që të bashkohemi të tërë”.

Tre alfabetet kryesore që u morën në shqyrtim qenë:

1. Alfabeti i shoqërisë “Agimi” të Shkodrës, i propozuar nga N. Mjeda;

2. Alfabeti i shoqërisë “Bashkimi” të Shkodrës, hartuar nga Prenk Doçi;

3. Alfabeti i Stambollit, i hartuar nga Sami Frashëri.

Para Komisionit u parashtruan tri mundësi:

a) të përshtatej njëri nga tre alfabetet në shqyrtim,

b) të bëhej një kombinim i këtyre tre alfabeteve ose

c) të krijohej një alfabet i ri.

Pas disa ditësh të përshkuara me diskutime, dhe duke marrë gjatë kësaj kohe edhe telegrame nga mbarë Shqipëria, me kërkesën që të vendosej njëri apo tjetri alfabet, Komisioni zgjodhi variantin e tretë për të hartuar një alfabet të ri për shqipen, bazuar në alfabetin latin.

Pra, pas mjaft diskutimesh, ditën e shtatë, u vendos për alfabetin e ri, i mbështetur i tëri në alfabetin latin, struktura e të cilit ishte: 25 shkronja të thjeshta latine (a, b, c, d, e, f, g, h, i, j, k, l, m, n, o, p, q, r, s, t, u, v, x, x, y, z); dy shkronja me shenja diakritike (ç dhe ë); pesë dyshkronjësha të ndërtuar me faringalën h (dh, sh, th, xh, zh) e dy me qiellzoren j (gj e nj); dhe dy shkronja të dyzuara (ll e rr).

Pra, në fund Komisioni dhe Kongresi vendosën që të lejohej përdorimi, si i alfabetit të Stambollit, që kishte një përhapje të gjerë ndër shqiptarë, ashtu edhe i alfabetit të ri, të cilët ndryshonin vetëm në shtatë shkronja.

Vendimet e Kongresit, që ishin kurorëzim i përpjekjeve të shumë brezave lëvruesish të shqipes për afrim e njësim, u mirëpritën nga rrethet kulturore shqiptare brenda dhe jashtë vendit dhe u vunë menjëherë në zbatim. Brenda pak vitesh (në fund të LPB) alfabeti i krijuar nga Kongresi i Manastirit fitoi epërsi dhe u bë shpejt alfabeti i vetëm i shqipes. Njësimi i alfabetit ishte një hap i rëndësishëm për njësimin e drejtshkrimit dhe të gjuhës letrare shqipe.

Kongresi i Manastirit pati rëndësi të madhe jo vetëm për alfabetin dhe për gjuhën letrare kombëtare, për arsimin dhe për kulturën, por edhe për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në përgjithësi.

Në përfundim mund të themi se Kongresi i Manastirit u dha shqiptarëve përfundimisht një alfabet latin, i cili ua ktheu përfundimisht syrin nga Perëndimi, i largoi ata prej kthetrave të turqve dhe lakmive territoriale të fqinjëve. Nga vetë natyra e saj, gjuha shërbeu si mjet për formësimin kombëtar.

Urime e gëzuar kjo ditë e shënuar!



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora