E premte, 19.04.2024, 12:23 PM (GMT+1)

Mendime

Gjergj Kabashi: Disa mbresa e kujtime për Qerim Lubeniqin, mësimdhënësin e shquar dhe atdhetarin nga Istogu

E merkure, 17.11.2021, 08:19 PM


Disa mbresa e kujtime për Qerim Lubeniqin, mësimdhënësin e shquar dhe atdhetarin nga Istogu

Autori i shkrimit me Dajën Qerim Lubeniqi …

Nga Gjergj - Bajram Kabashi, Revista Drini

Qerim Hyseni, i njohur më shumë si Qerim Lubeniqi nga Gurrakoci i Istogut, është një ndër veteranët më të njohur të arsimit në mbarë Rrafshin e Dukagjinit. Jeta e tij si mësimdhënës nëpër vende të ndryshme të Kosovës, është një golgotë e vërtetë vuajtjesh e përpjekjesh në edukimin e gjeneratave të reja të nxënësve.

Qerim Lubeniqi është ndër ata mësimdhënës të Kosovës që si profesor i Gjuhës e Letërsisë Shqipe, ka punuar para se Kosova të bëhej autonome në kuadër të federatës ish-jugosllave, në vitet të thuash të arta të autonomisë së Kosovës dhe pas rrënimit të dhunshëm të asaj autonomie nga ana e Serbisë së Slobodan Milosheviqit.

Fillim e mbarim, jeta profesionale e Qerim Lubeniqit ka qenë jo vetëm një përpjekje e madhe për edukimin e gjeneratave të reja, por edhe e luftës me dukuritë negative e sidomos në një mospajtim të plotë me qarqet serbomëdha, që në vendin tonë përfaqësoheshin nga pakicat e kolonëve serbë e malazez.

Përpos në Prishtinë dhe Mitrovicë, Qerim Lubeniqi ka punuar për vite të tëra në Gjimnazin “Haxhi Zeka” të Istogut si dhe në Shkollën e Mesme Teknike të Gurrakocit, ku pas rrënimit të autonomisë së Kosovës, ishte për shumë vite drejtor i asaj shkolle, në kohën kur të pakët ishin ata shqiptarë që me ëndje qëndronin në krye të udhëheqjes së shkollave të mesme e fillore, për shkak të presionit e dhunës së madhe e të pandalshme të policisë (milicisë) serbe.

Une Qerim Lubeniqin e kam konsideruar dhe vlerësuar si një personalitet të rrallë,  inteligjent prej natyrës, si një njeri të zgjuar e të fortë, që ka qenë bekim i vërtetë ta kishe përkrah në kohë të vështira të pushtimit.

Dajën Qerim, e kam pasur më shumë se sa të afërm në jetë, pasi ai më ka ndihmuar e qëndruar afër kur isha pothuaj i pa mbështetur e pa asnjë përkrahje reale pas burgosjes së Xhafer Shatrit me shumë vite të rënda burg dhe të vëllait, Sali Kabashit.

Qerim Lubeniqi më ka ndihmuar që të regjistrohesha edhe në fakultet në degën e Letërsisë e Gjuhës Shqipe të UP-së, pasi të ishe sadopak i anatemuar në atë kohë dhe i identifikuar si “familje nacionaliste”, nuk të përshëndetnin me ëndje as njerëzit në rrugë dhe mund të të afroheshin vetëm naivët, dashamirët e vërtetë dhe spiunët për qëllimet e tyre antikombëtare.

Të ishe në “synin e keq të Državës”, ishe në një mënyrë i leçitur dhe i padëshiruar prej të tjerëve!

Qerim Lubeniqi nuk ka qenë gjithfar burri, por sipas mendimit tim një njeri i veçant, njëherit shumë i butë në sjellje e mirësjellje, por edhe trim që kurrë nuk ia ka lëshue rrugën të praptes e së keqës. Një burrë i hijshëm dhe edhe sot e kësaj dite flokëkaçurrel, Qerim Hyseni – Lubeniqi ka ndodhur që edhe e ka rrahur shqelma e grushta ndonjë çetnik të tërbuar serb të kohës, që të tjerët me vetëdije u janë shmangur konfliktit me të tillët, pasi ata gjithnjë e kishin shtetin e Serbisë që u rrinte pas.

Prandaj, për shkak të paepjes së tij ndaj së keqës, padrejtësisë e poshtërimit, jo rralë edhe ka mbajtur burg.

Më rrëfente shpesh për shqetësimet e mëdha që ua shkaktonte policia serbe, kur ai ishte drejtor i shkollës së mesme në Gurrakoc. Qerimi gjatë gjithë asaj kohe pa dëshirën e tij është detyruar të ngatërrohej me policinë serbe (milicinë e atëhershme), e cila vetëm për pikën e qefit dhe me synim e qëllim për të nxitur shpërnguljet e familjeve shqiptare, i rrihte nxënësit që “ua vrisnin syrin” edhe në oborrin e shkollës apo edhe brenda shkollës.

Në një rast, rrëfente Qerimi , ishte ngatërruar keq me dy milic serbë që kishin hyrë në oborrin e shkollës, sa që milicët e pranishëm duke dyshuar se mund të pësonin nëse e godisnin thërrasin në përforcim edhe milicë të tjerë të armatosur me armët luftarake kallashnikov dhe dhunshëm e detyrojnë që ta dërgoj një derë të një klase të shkollës duke e bartur në shpinë në Stacionin e Milicisë së Gurrakocit, që udhëhiqej nga krimineli e zullumqari i njohur Milosh Stojkoviç!

Ja me ç’farë provokimesh dhe ngacmimesh mizore ndesheshin mësimdhënësit e asaj kohe, sidomos udhëheqësit trima të shkollave të mesme e fillore, siç ishte Qerim Lubeniqi.

Marrëdhëniet e mija me Qerim Lubeniqin janë më shumë se marrëdhënie në mes të afërmve, janë marrëdhënie që bazohen në mirënjohje dhe respekt të thellë për njeriun që të ka kuptuar e ndihmuar në periudha të veçanta jete.

Sa herë që jam në Kosovë, kryesisht verës, Profesori Qerim Lubeniqi vije për me më vizitue, ashtu që edhe une e takoj atë. Megjithëse i ka pothuaj 80 vjet jete, vije me biçikletë tek shtëpija ime, gjë që për mua është një shenjë e madhe nderimi dhe respekti që nuk mund ta harroj.

Kah fillimi i korrikut 2019 e pash të mërzitur ashtu qysh nuk isha mësuar ta shihja dhe iu afrova në Gurrakoc që të bisedoja me të. Pas përshëndetjeve e pyetjeve të zakonshme, nisi të më tregonte se gruan e kishte të sëmurë nga kanceri dhe se pas operacionit në Shkup i paskan thënë që vetëm pritet vdekja e saj. Ia filloi të qante. Qerim Lubeniqi. Njeriu i qëndresës dhe mosdorëzimit ndaj asnjë rrethane të vështirë jetësore, i cili i kishte dalë gjithmonë përballë të keqës e zezonës ndaj popullit të vet.

U preka nga pikëllimi, sinqeritei dhe dashunia e madhe që e tregonte për gruan e tij Ryve Bicaj, arsimtaren e njohur dhe shumë të dashur nga shkolla fillore “Martin Camaj” e Gurrakocot.

Nuk pajtohej me faktin se tashmë numroheshin çastet e fundit jetës të shoqes së tij të jetës, asaj me të cilën kishin kaluar shumë gëzime e hidhërime sëbashku.

Ryve Bicaj – Lubeniqi vdiq ndërkohë, pikërisht ashtu siç paralajmëroj Qerim Lubeniqi dhe u varros të nesërmen me 10 korrik 2019 , tek “Vorret e Kabashve” në Tomoc.

Qerim Lubeniqi ende e vazhdon jetën e tij me disiplinë dhe etikë tradicionale, krejt e ngjashëm me ata burrat e moçëm.

Në mëngjes del në ndonjë restaurant për të zhvilluar ndonjë bisedë me të njohshmit e shumtë e për ta pi ndonjë gotë raki rrushi.

Pastaj Qerimi kthehet në shtëpi apo shkon me e vizitue tokën, arat e livadhet e tij në Tomoc.

Përherë shkon në këmbë apo me biçikletë.

Si një djal i ri që nuk do t’ia l’eshoj rrugën moshës e as që i numëron vitet.

Të gjithë kemi nevojë për njerëzit si Qerim Lubeniqi, për njerëz që janë sinonim i traditës së mirë dhe të zakoneve të vërteta shqiptare, andaj shpresojmë dhe lutemi që kësi burrash shembullor të jetojnë sa më gjatë, që të na japin mësim dhe shpresë se si duhet jetuar e qëndruar me përvojën e jetës së tyre të bujshme.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora