E enjte, 28.03.2024, 05:46 PM (GMT)

Speciale

Xhemaledin Salihu: Presheva në Lëvizjen Kombëtare për Çlirim

E marte, 16.11.2021, 12:25 PM


PRESHEVA NË LËVIZJEN KOMBËTARE PËR ÇLIRIM DHE BASHKIM(LKpÇB) DHE KËRKESAT PËR BASHKIM ME SHQIPËRINË ETNIKE

Shkruan: Xhemaledin SALIHU, profesor

Themelimi i Organizatës Studentore Shqiptare “Besa” në Beograd

Presheva, asnjëherë nuk u nda nga ngjarjet dhe ndodhitë në etnikumin shqiptar, por gjithmonë ishte pjesë e këtij etnikumi si dhe pjesë e Lëvizjes Mbarëkombëtare. Ajo mori pjesë në të gjitha proceset e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Presheva pati emra të njohur, personalitete të shquara, veprimtarë të dalluar të Rezistencës dhe të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, duke filluar që nga Mbretëria Dardane e deri në Luftën e UÇPMB-së.

Shqiptarët e Preshevës nën sundimin e Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene nuk i gëzuan të drejtat politike elementare qytetare dhe kolektive. Ata nuk e patën të drejtën e shkollimit në gjuhën amtare, përdorimin e gjuhës, flamurit si dhe kultivimin e kulturës kombëtare. Bile, edhepse Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene nënshkroi Marrëveshjen e Sen Zhermenit, më 10 shtator 1919, për të drejtat qytetare dhe politike të pakicave kombëtare, ajo më vonë kërkoi anulimin e kësaj Marrëveshjeje, sepse nuk i përmbushi obligimet që dalin nga  Marrëveshja.

Kështu, Shqiptarët e Preshevës qenë të detyruat të vazhdojnë luftën për të drejtat kombëtare edhe pas viteve të 30-ta të shekullit XX. Pra, në të gjitha trojet shqiptare filloi një lëvizje kombëtare, gjegjësisht e inicuar nga studentët shqiptarë që studionin në Univesitetin e Beogradit. Pra, në mars të vitit 1935, në Beograd,  u themelua Organizata Studentore Shqiptare “BESA”.

Këtë organizatë në fillim të vitit 1935, e ndihmoi Sekretari i Parë i Legatës Shqiptare në Beograd, Shermet Xherxhuli. Me ndihmën e tij, filloi së vepruari kjo organizatë nacionaliste me seli në Beograd. Ky diplomat shqiptar në fillim arriti të anëtarësoj 12 studentë nga Kosova dhe Shqipëria Lindore. Ky diplomat shqiptar  organizatën “Besa” e organizoi pastër në baza kombëtare. Kjo organizatë politike, kishte për detyrë ngritjen e vetëdijes kombëtare te popullata shqiptare, në luftë kundër regjimit të egër jugosllav.

Nismëtarët e themelimit të kësaj organizate ishin: Tahir Ismaili, Jahja Osmani nga Kumanova, Shaip Mustafa nga Presheva, Abdulla Saqipi nga Presheva, Sokol Dobroshi nga Gjakova, Xhevdet Pallaska nga Gjakova, Shaip Kamberi nga Tetova, Esat Berisha nga Gjilani, Qazim Bllaca nga Bllaca e Malishevës, Ibrahim Lutfiu nga Prizreni etj., që të gjithë studentë në Universitetin e Beogradit.

Parimet kryesore të Organizatës Studentore Shqiptare “BESA” ishin:

“1. Veprimtaria themelore në zgjimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët.

2. Bashkëpunimi politik me popujt tjerë të robëruar apo të pakënaqur nga regjimi i atëhershëm jugosllav.

3. Fshehtësia e domosdoshme dhe veprimtaria gojore.

4.Betimi i detyrueshëm dhe asnjë dokument i shkruar për veprimtarinë e organizatës.”

Veprimtaria e Organizatës Studentore “Besa”, së shpejti shtrihet në disa qendra të mëdha shqiptare, posaçërisht në  Shkup, Tetovë, Kumanovë, Preshevë, Gjilan, ku kontribut të çmueshëm për këtë do të japin përfaqësuesit e konsullatës shqiptare në Shkup: Rexhep Stablea dhe Sylejman Ashkiu.

Takimet, zakonisht mbaheshin në kafenenë “Bojali Han” në Shkup, të pronarit Hasan Shukriu. Ky lokal, më vonë  do të shndërrohet në qendër të rezistencës shqiptare, për të drejtat e Shqiptarëve, kundër politikës hegjemoniste serbe.

Programi themelor i kësaj organizate ishte, çlirimi i trojeve shqiptare me Kosovë, Preshevë, Shkup deri në Veles dhe bashkimi  i tyre me shtetin amë. Anëtarët e organizatës “Besa”, kanë pasur për detyrë, sipas programit të tyre kombëtar që në kontaktet me qytetarë të përhapin idenë për bashkimin e trojeve shqiptare të aneksuara me dhunë nga pushteti Jugosllav dhe  t’i bashkëngjiten Shqipërisë.

Programi politik i organizatës “Besa”, të Beogradit :

“1. Përhapja e propagandës midis myslimanëve, se ata kurrsesi nuk mund të jenë turq, por janë shqiptarë.

2. Çdo anëtar e kishte për detyrë që të përhapte idenë për Shqipërinë Etnike dhe të luftonte për bashkimin e shqiptarëve; në Kosovë, Preshevë, Bujanovc dhe luginën e  Vardarit.

3. Ti jepet rëndësi mësimit të gjuhës shqipe, historisë dhe kulturës shqiptare.

4. Kërkohej një regjistrim i plotë i popullatës shqiptare, që struktura e saj të jetë më bindëse para diplomacisë evropiane.

5. Kërkohej që turqit të deklaroheshin shqiptarë dhe të mësonin shkrim dhe lexim në gjuhën shqipe.”

Organizata Studentore Shqiptare “Besa” në Beograd brenda udhëheqjes së saj kishte dy rryma, dy drejtime: drejtimi  djathtist, e cili synonte dhe angazhohej që trojet shqiptare t’i bashkangjiten Shqipërisë Etnike, ishte më radikal dhe  nuk pranonte bashkëpunim me studentët serbë. Përfaqsuesit më të denjë ishin: Tahir Ismaili, Abdulla Saqipi-Presheva, Sokol Dobroshi, etjerë dhe orientimi majtist, me ideologji komuniste jugosllave, anëtarët e të cilit drejtim anonin dhe angazhoheshin për bashkëpunim më të ngushtë dhe të domosdoshën me studentët serbë. Në këtë drejtim vepronin edhe disa studentë shqiptarë që studionin në Universitetin e Beogradit: si Ali Shukriu, Meto Bajraktari, Zejnel Ajdini, Hivzi dhe Azis Sylejmani, Shaip Mustafa, Selim Selimi. Të gjitha takimet e Organizatës “Besa” mbaheshin në klubin “Kosova” në Beograd.

Sipas studiuesit Qerim Litës: “Synimi kryesor i Organizatës “Besa” ishte: “Ribashkimi i Kosovës dhe Maqedonisë Perëndimore(dhe të gjitha viseve të tjera të banuara me shqiptarë) me Shqipërinë…”

Në këtë kohë, pandamë Organizatës Studentore Shqiptare “Besa” në Beograd u themelua edhe Shoqata e Studentëve, Serbë, Malazezë, Shqiptarë e quajtur “Kosmet”. Ajo  ishte Shoqatë e Studentëve të Kosovës dhe Metohisë, si e quanin atëherë Republikën e Kosovës, e cila kishte për qëllim t’i ndihmojë Komitetit Krahinor të LKJ, në luftën për Vëllazërim dhe Bashkim të Shqiptarëve, Serbëve, Malazezëve dhe të tjerëve.

Në këtë Shoqatë bënin pjesë edhe disa studentë shqiptarë: Ali Aliu, Zejnel Hajdini e të tjerë. Mirëpo, kjo Shoqatë nuk pati aq ndikim te shumica e studentëve shqiptarë në Beograd, të cilët u përcaktuan për idetë përparimtare të Organizatës Studentore “Besa”. Pra, ishte një luftë e pakompromis për përfitimin e studentëve shqiptarë nga ana e këtyre dy organizatave. Mirëpo, propagimi i Organizatës “Besa” ishte më i fuqishëm dhe nuk lejuan që në atë kohë studentët shqiptarë të bijnë pre e ideologjisë komuniste, pos disa prej komunistëve shqiptarë që u përcaktuan për organizatën “Kosmet”

Shaip Mustafa (1912-1964)

Shaip Mustafa lindi më 12 qershor 1912, në fshatin Bukurocë të Preshevës, nga babai Ibrahim-Mulla Hima dhe nëna Hatixhe. Mësimin fillor e kreu në Preshevë, në gjuhën serbe, të mesmen në Medresenë “Isa Beg” në Shkup, ndërsa Fakultetin e Drejtësisë në Beograd, më 1940. Ishte anëtar i organizatës “Besa” nga viti 1935, kurse gjatë viteve 1938-1941, ishte sekretar i organizatës së PKJ-së të Preshevës.

Në vitin 1941 organizon demonstratat e njohura të Shqiptarëve në Shkup, të cilat karakterizohen me kërkesën që Shkupi, Kumanova, Presheva, Gjilani, Kaçaniku dhe viset tjera shqiptare të okupuara nga Bullgaria të bashkohen me Shqipërinë. Por, organet e pushtetit bullgar e arrestojnë dhe e internojnë në Bullgari, pastaj e burgosin dhe më pastaj e çojnë në një burg shtëpiak, ku qëndron 6 muaj. Por organizata shqiptare “Besa” në krye me Abdullah Saqipin-Presheva, më vonë  avokat në Shkup, mblodhi një shumë parash dhe e shpëtuan nga burgu bullgar.

Pas lirimit nga burgu, Shaipi bashkë me Jahja Osmanin, kthehen në vendlindje dhe pastaj shkojnë  në Tiranë ku u pritën  nga kryetari i Qeverisë së Shqipërisë së asaj kohe, z. Mustafa Kruja.

Në vitin 1943 erdhi në konflikt me Svetozar Vukmanoviq - Tempon për shkak të statusit të ardhshëm të Kosovës e viseve tjera shqiptare. Pas lufte u zgjodh kryetar i Qarkut të Prishtinës, ku qëndron deri në nëntor të vitit 1947.

Më 15 qershor të vitit 1948, pushteti i ri jugosllav, ngrit aktpadinë kundër tij në Gjyqin e Rrethit në Prishtinë dhe në gusht të vitit 1948 ia shqiptojnë dënimin me vdekje, pastaj merr burgim të përjetshëm. Pas ankesës që e bënë Shaipi, dënimin ia zbresin në 20 vjet dhe atë e vuan në burgun e Nishit, plot 14,5 vjet.

Nga burgu lirohet në prill të vitit 1962 dhe jeton në Preshevë te motra Xhevaire, te nipi Sadri Ymeri – mësuesi, deri në vdekje, më 12 maj 1964.

Abdullah  Saqipi-Presheva

U lind në Golemidoll të Preshevës. Kreu shkollën fillore, ate të mesme dhe fakultetin e drejtësisë në Universitetin e Beogradit.

Koordinator i parë i Lëvizjejes djathtiste në Organizatën “Besa”ka qenë studenti i drejtësisë në Universitetin e Beogradit, Abdulla Saqipi nga Presheva. Ky në fillim të lëvizjes njihet edhe si Kryetar i Këshillit Iniciativë, të kësaj organizate studentore, para mbajtjes të Kuvendit. Aktiviteti i Abdullah Saqipit, në këtë vijë është ndër të parët nismëtar dhe organizator i organizatës “Besa”, njëherit edhe kundërshtar i përbetuar i regjimit serb. Sipas dëshmive që na  ofrojnë dëshmitarët e organizatës “Besa”, Abdulla Saqipi-Presheva ka qenë një ndër studentët e parë shqiptar në Beograd.

Në Kuvendin themelues, Abdullah Saqipi-Presheva u zgjodh kryetar i Organizatës Studentore Shqiptare “Besa” në Beograd. Atij iu ngarkua detyra e propagandës dhe punoi shumë për përhapjen e idesë për bashkim kombëtar. Ky punoi me të madhe kundër nacional-shovinizmit serb në mbrojtje të çështjes  kombëtare. “Abdullahu para se të themelohej organizata “Besa”, ka pasur marrëdhënie të mira me konsullin shqiptar në Beograd. Ka qenë kryesori që ka mbrojtur fuqishëm rrymën djathtiste në organizatën “Besa”.  Ky kërkonte me çdo kusht që Kosova t’i bashkohej Shqipërisë, pa marrë parasysh se çfarë regjimi shoqëror ka Shqipëria e Ahmet Zogut. Po ashtu ishte kundër bashkëpunimit të studentëve shqiptarë me komunistët, qofshin ata edhe shqiptarë, në veçanti me organizatën studentore “Kosmet”, ku bënin pjesë edhe disa shqipfolës si; Meto Bajraktari, Ali Shukriu e disa të tjerë”.(Vebi Xhemaili, Organizata “Besa” simbol i luftës për Shqipërinë Etnike, Rrugëtimi i Organizatës Studentore “Besa” drejt bashkimit kombëtar(1935-1944), Zemra shqiptare, 18.04.2010)

Abdullah Saqipi-Presheva pas Luftës së Dytë Botërore, në Jugosllavinë socialiste devijoi nga qëndrimet e mëparshme politike e atdhetare dhe thuhet se si avokat i njohur në Shkup u angazhua drejtpërdrejtë në shpërnguljen e Shqiptarëve dhe familjeve shqiptare për në Turqi, duke u siguruar “visika” pasaporta për Turqi.

Themelimi i Lëvizjes Kombëtare për Çlirim dhe Bashkim/LKpÇB/ në Shkup

Gjermania fashiste më 6 prill 1941 sulmoi Jugosllavinë Mbretërore, e cila kapituloi dhe nuk rrezistoi kundër kësaj force të madhe. Me pushtimin e Mbretërisë Jugosllave përfitoi edhe Bullgaria fashiste, e cila ishte aleate e Gjermanisë. Kështu i përvetësoi shumicën e tokave shqiptare, duke thënë se ato toka ishin bullgare.Me këtë edhe fillon dhuna e paparë e ushtrisë bullgare kundër popullatës të pa mbrojtur shqiptare.Ajo nën pretekstin e kërkimit të armëve bënte terror të paparë, duke vrarë, rrahur, plaçkitur shqiptarët nëpër të gjitha tokat shqiptare. Në tokat shqiptare dhe në popullatën shqiptare u bë një gjenocid i pa parë deri atëherë dhe fushatë e egër. Thuhet se popullata maqedonase, ushtrinë bullgare e priti me lule, sepse e pa shpëtimin nga ajo, ndërsa trajtimi i Shqiptarëve ishte shumë i ashpër. Kështu okupatori bullgar ndaj sllavëve pati politikë tjetër fare, më të butë, ndërsa ndaj shqiptarëve shumë të egër.

Patriotët preshevarë: Abdullah Haxhi Veliu, Hafëz Lutfi Ahmeti, dhe Abdullah Saqipi-Presheva, të indinjuar nga gjendja e vështirë e popullatës shqiptare në Preshevë e rrethinë vendosën të shkojnë në Kumanovë, për ta takuar dhe biseduar këtë situatë me Shaban Efendinë.

Më 15-16 prill të vitit 1941 Shaban Efendia kthehet nga Nishi. Pas dy ditësh e thërrasin  në shtëpi për të shkuar në kafenenë e Sali Abdullahut në Kumanovë, Abdullah Veliu, Hafëz Lutfi Ahmetin nga Presheva, Abdullah Saqipin-Presheva nga Golemidolli i Preshevës dhe Jahja Osmani nga Kumanova, ku bisedohet për luftën dhe vendosjen e bullgarëve në trojet shqiptare : Kumanovë e Preshevë, e gjetiu si dhe sjelljet e tyre ndaj shqiptarëve. Më pas është shkuar në Shkup, në Bojali Han, ku u mbajt Konferenca e LKpÇB.

Katërshi në anën e djathtë, nga e majta : i pari i pa njohur, Shaban Efendia, Hafëz Lutfi Ahmeti dhe Shaban Haziri i Bugarinëve

Qëllimi  për shkuarjen e tyre në Shkup ishte që të informoheshin se ardhja e bullgarëve ishte e vërtetë apo jo, sipas Shaban Efendisë. Mirëpo, qëndrimi i tij dhe qëndrimi i shokëve gjatë shqyrtimit të kësaj çështjeje ishte mundësia dhe qëllimi kryesor i tyre që viset ku jetonte shumica e popullatës shqiptare t’i bashkëngjiteshin Shqipërisë, e cila ishte nën sundimin  e Italisë fashiste.

Grupi i përmendur posa arritën në Shkup u vendosën në dhomat e sipërme të “Bojali Hanit”, sepse poshtë në restorant kishin drojë se vëreheshin nga ana e okupatorit bullgar.

Kështu, më 19 prill 1941, në lokalet e Bojali Hanit në Shkup, u mbajt Konferenca e drejtuesve të Lëvizjes Kombëtare për Çlirim dhe Bashkim /LKpÇB/, ku morën pjesë: Shaban Jashari, Aqif Tetova nga Gjilani, Shaip Mustafa nga Presheva, Jahja Osmani nga Kumanova, Abdullah Veliu nga Presheva, Hafëz Lutfi Ahmeti nga Presheva, Abdullah Saqipi nga Presheva, me vendbanim në Shkup dhe Idriz Ymer-Cërcëri nga Tetova.

Në Konferencë është diskutuar për tri pika të rendit të ditës:

1.Informatë nga të pranishmit për gjendjen në territoret  shqiptare, pas vendosjes së ushtrisë bullgare,

2.Themelimi i Lëvizjes për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shqipërinë dhe

3. Formimi i një delegacioni, i cili menjëherë do të udhëtojë për Tetovë, Gostivar, Dibër, Tiranë dhe qendra të tjera shqiptare me qëllim të informimit reciprok për situatën e përgjithshme shqiptare.

Konferenca për shkaqe sigurie zgjati dy ditë. Në fund të saj pjesëmarrësit sollën  vendimet si më poshtë:

1.U themelua LKpÇB, e cila në të ardhmen do të angazhohet që krahinat shqiptare të pushtuara nga okupatori bullgar, siç ishin Shkupi, Kumanova, Gjilani dhe Presheva, të bashkohen me Shqipërinë Etnike,

2.Me qëllim të informimit sa më të gjerë, nga pjesëmarrësit e kësaj Konference u formua delegacioni, i cili do të udhëtonte për Tetovë, Gostivar, Dibër dhe Tiranë, ku do të bisedonte me autoritetet e atjeshme shqiptare, përfshirë këtu edhe me krerët e qeverisë së Shqipërisë. Delegacionin e udhëheq Shaban Jashari, ndërsa anëtarë tjerë ishin: Abdullah Saqipi-Presheva dhe Aqif Tetova.

Shaban Efendia (1900-1981)

Shaban Efendia, lindi në vitin 1900, në Kumanovë, shkollën fillore e mbaron në gjuhën turke në vendlindje me një sukses të lartë. Prindërit e Shabanit si arsimdashës, menjëherë pasi e mbaron filloren, e regjistrojnë, në gjimnazin e ulët “ruzhdie”, në Kumanovë. Edhe këtu ai tregon suksese të larta, ndërsa me ndihmën e xhaxhait të vet, posa e kryen “ruzhdien”, regjistrohet në Medresenë private të Kumanovës, drejtimi gjuhë arabe dhe persishte, të cilën me sukses e kryen në vitin 1914.

Në kohën e Luftës së Parë Botërore, ku siç dihet, Bullgaria, kishte okupuar një pjesë të madhe të trojeve shqiptare, përfshirë këtu edhe Kumanovën, Shaban Efendiu, në pamundësi që ta vazhdojë shkollimin, sepse okupatori bullgar nuk lejonte një gjë të tillë, ai, bashkërisht me familjen e tij, vendoset në  fshatin Relan të Preshevës,  duke u marrë me bujqësi. Më vonë, në vitin 1916, arrestohet - respektivisht internohet, nga ana e ushtrisë okupatore bullgare

Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore dhe ripushtimit të tokave shqiptare nga okupatori serbë, Shaban Efendiu, kthehet në Kumanovë dhe menjëherë ndërmori aktivitete të ndryshme politiko-organizative, të cilat, kryesisht u përqendruan në “vetëdijesimin e popullsisë shqiptare në regjionin e gjerë të Kumanovës”, si edhe në “ndërprerjen e shpërnguljes” në këtë regjion, vala e së cilës kishte marr karakter të një “pastrimi etnik”, sidomos kjo në fshatrat shqiptare që shtriheshin mes Kumanovës dhe Kratovës. Menjëherë, posa formohet “Xhemieti, ai jo vetëm që bëhet anëtar i kësaj partie, por madje bëhet edhe një ndër udhëheqësit e saj në Kumanovë.

Lutfi Ahmet i(1904-1981)

Hafëz Lutfi Ahmeti u lind në Preshevë, më 1904, në një familje arsimdashëse. Ai ka pasur arsimim fetar. Hfz Lutfi Ahmeti  hoxhë i shkolluar, karrierën e mësuesit e filloi në vitin 1946 në shkollën fillore shqipe në lokalet e Medresesë së re, te  Xhamia e Poshtme në Preshevë bashkë me mësuesit Fejzi Ahmeti nga Lotovica, Kadrije (Qerimi) Kelmendi, Demirali Ibrahimi, Shukri e Hilmi Qerimi dhe Mehmet Jusufi. Por, profesionin e mësuesisë e ushtroi deri në vitin 1956, pastaj vazhdoi të ushtrojë detyrën e hoxhës.

Punën e vazhdoi si imam i Xhamisë së Vjetër, Ibrahim Pasha, në qendër të qytetit dhe myfti në Preshevë. Me titull ishte Hafëz.

Hafëz Lutfi Ahmeti ishte njohës i mirë i rrethanave politike, kulturore, arsimore të Preshevës e më gjerë. Sipas djalit, Sylejman Ahmetit, Hfz Lutfi Ahmeti e filloi ta mbajë ofiqarin që nga vitit 1933 dhe të parin e regjistroi djalin e tij, te lindur, Hfz Zihni Ahmetin. Hfz Lutfi Ahmeti paska vërtetuar se Presheva ka marrë emrin si fushë e preshëve.Librat e Ofiqarisë i mbajti deri pas Luftës së Dytë Botërore, gjegjësisht më 1945 i dorëzoi në Ofiqarinë e komunës së Preshevës.

Hafëz Lutfiu ishte ndër themeluesit e LKpÇB dhe veprimtar i denjë i kësaj Lëvizjeje atdhetare. Bënte pjesë në parinë e Preshevës dhe gjithmonë ishte prezent sa herë që bisedohej apo vendosej për Preshevën. Në jetë ishte me profesion hoxhë i xhamisë, por edhe dashamir i këngës, valles dhë humorit. Me nje fjalë bohem i kohës.Vendndejat më të mira të tija me parinë e Preshevës dhe shokët ishte Kafja e Xhavit Qorrit te lumi, pronë e Abdullah Haxhi Velisë, rruga e Gjilanit dhe berberhania e Qani Ramadanit. Aty mblidheshin kryesisht burrat e parisë së Preshevës, ku bisedonin  për rrethanat politike dhe shoqërore të Preshevës e më gjerë.

Sipas Sylejman Ahmetit, Në elitën preshevare bënin pjesë : Esat Aga, më vonë djali i tij Halil Aga, Adem Kamberi, Ymer Efendiu, Hafëz Beqiri dhe Abdullah Haxhi Veliu, te cilët shpesh rrinin në kafenë e Xhavit Qorrit, te lumi, pron e Abdullah Haxhi Velisë, ku bisedonin për rrethanat politike e shoqërore dhe bënin muhabet për përditshmërinë preshevare. Atyre i bashkangjitej edhe ndonjë tjetër si Hafëz Lutfi Ahmeti e tjerë.

Jetoi dhe vdiq në Preshevë, më shtator të vitit 1981.

Abdullah Haxhi Veliu (1896-1969)

Abdullah Haxhi Veliu i lindur më 18 shkurt 1896, para 115 vjetëvë, në Preshevë.

Abdullah Haxhi Veliu rjedh nga një familje e pasur tregëtarësh të Preshevës. Edhepse ishte tregtar, për Abdullah Veliun, popullata e Preshevës dhe më gjerë, sidomos Malësia e Preshevës gjithmonë foli fjalë të mira. Abdullahu Veliu, jo vetëm që ishte humanist, ndihmonte popullatën e varfër, ai ndihmoi edhe Lëvizjen kombëtare. Bile ishte ardhetar i devotshëm për çështjen shqiptare.

“Abdullah Haxhi Veliu ishte themelues i Lëvizjes Kombëtare për Çlrim dhe Bashkim të Trojeve Shqiptare, e cila u themelua më 1941, në Shkup. Abdullahu ishte një krerë nacionalist, intelektual i kohës dhe figurë e nacionalizmës shqiptare, e cila gëzonte autoritet të madh tek popullata shqiptare në Preshevë dhe më gjerë.”

Sipas disa informatave dhe dëshmitarëve thuhet se Abdullah Veliu i mbante lidhjet e Komitetit të NDSH në rajonin e Preshevës me Shaban Efendinë e Kumanovës.

Për punën e palodhshme atdhetare të Abdullah Veliut mori vesh edhe policia bullgare. Andaj më gusht të vitit 1942, ajo e arrestoi Abdullah Veliun me 28 qytetarë të tjerë të Preshevës, tregtarë dhe personalitete të tjera, më me ndikim në radhët e shqiptarëve. Atëherë Nijazi Kurbalia punonte sëbashku me Abdullah Veliun dhe kryente rolin e tregtarit, por edhe mbante lidhjet në mes të anëtarëve të Lëvizjes Kombëtare. Me të marrë vesh për burgosjen e Abdullah Veliut, ai shkon në shtëpinë e Shaban Efendisë, për të intervenuar që të lirohet nga arresti Abdullahu. Shaban Efendia e merr shumë seriozisht këtë punë, mirëpo për shkak se vet nuk mundi të shkonte në Shkup, ai e luti Mulla Dullën e Kumanovës të shkojë deri në Shkup, për të intervenuar te Hamit Kokollari, konsul i Ambasadës së Shqipërisë në Shkup. Më vonë, sigurisht me intervenimin e tij u liruan të arrestuarit sipas listës së Shaban Efendisë.

“…Shaban Efendia në shtabin e Sylë Hotlës i dërgoi njerëzit e tij më të afërt, siç ishin : Azem Hoxha, Mulla Hajdari, Adem Shiti, Abdullah Veliu, Refik Tairi, Mulla Xhaferi etj.”

Këtu vërtetohet dhe qëndron rëndësia e atdhetarizmit të Abdullah Veliut.

Në informatën e UDB-së së Bujanocit, gjerësisht përshkruhet aktiviteti politik i Abdullah Veliut, veç tjerash thuhet :”Gjatë kohës së reaksionit shqiptar nga shtatori deri në pjesën e dytë të nëntorit të vitit 1944, ai u dallua si nacionalistë me vet faktin që ishte në reaksionin shqiptarë. Ai nën flamurin e reaksionit shqiptarë doli mbi Preshevë, në fshatin Buhiç, që ta presë ushtrinë shqiptare…Gjatë kohës së okupacionit ka udhëtuar për Shkup. Qëllimi i udhëtimit nuk na është i njohur. E dimë vetëm atë se gjatë kohës së okupacionit në këto ka ekzistuar Lëvizja e Bashkimit të këtyre viseve me Shqipërinë.”

“Në shkurt të vitit 1945, pas LDB në Preshevë qëndronte një atmosferë e pa durueshme, në realitet flitej e bisedohej se Presheva kujt do t’i bashkangjitet, do të mbetet me Maqedoni apo do ta marre Serbia. Kështu këto brenga i pati edhe Hafëz Luta me Hafëz Beqirin, të cilët shkuan në shtëpinë e Ymer Efendiut dhe në prani të tij kërkuan nga Ali Aliu që t’i mundësojë një takim me Abdullah Krashnicën. Pos këtyre, në këtë bisedë ishte prezent edhe Abdullah  Haxhi Velia. Në bisedë i pari e mori fjalën Hafëz Beqiri, i cili tha se njerëzit nuk dojnë të mbesin as me Maqedoni, po as me Serbi, por dojnë ti bashkangjiten Kosovës. Mirëpo sipas kujtimeve të Ali Aliut, Abdullah Krashnica nuk i dha kurrfarë garance lidhur me fatin e Preshevës. Kështu edhe mbaroi ai takim i shkurtit 1945.”

“Atëbotë, vila ishte ndërtesa më e bukur e lagjes tonë. Kishte dhe shtëpi tjera, të larta e të ndritshme, por përtej mureve të tyre s’ kishte ndodhur asgjë që të konsiderohej  historike. Me vilën ndryshonte puna. Ajo s’ ishte “ historike”sepse ishte e bardhë dhe dykatëshe, por sepse pronari i saj, Abdullah agë Velia, e kishte pagëzuar me emrin e gocës së madhe, Letafetes. Kjo kishte ndodhë në kohën  e Kralit, kur Mbretëria Serbe bënte gjithçka që t’ i dëbonte shqiptarët nga Presheva dhe aga Abdullah, si shqiptar që ishte, duhej t’i shiste arat e të ikte në Turqi. Por ai nuk luajti nga vendi dhe atë kryeneçi shqiptare e pagoi me lloj lloj gjobash.
Sa për fillim, të gjithë ata që kalonin atej pari, duke filluar nga bullgarët e Car Borisit e deri te partizanët e Marshal Titos, e përdornin vilën si kuvli të ushtarakëve të lartë. Sapo mbaroi Lufta e Dytë Botërore, vilën ”Letafet” e konfiskuan organet e pushtetit lokal dhe banesat e saj ua dhanë arsimtarëve të ardhur nga Vranja dhe Piroti. Më vonë, pas ikjes së këtyre të fundit, në katin e saj të poshtëm ia behën edhe ca familje shqiptare. Në mezin e tyre ishte edhe familja e Mark Gashit, referentit për arsim kulturë.”

Abdullah Haxhi Veliu tregtar i njohur në relacionin Preshevë-Selanik, e ngulfasin forcat komuniste pas triumfit në LDB, i marrin, i konfiskojnë, i nacionalizojmë shumë prona të tij.

Pas mbarimit të LDB, në Sekretariatin e Këshillit të Frontit të Rrehit, z Abdullah Veliu nga Presheva, zgjidhet nënkryetar, edhepse nuk ishte anëtar i Frontit, por pse gëzonte autoritet dhe  popullaritetit në popullatën shqiptare.

“Abdullah Veliu ishte tregtar i madh, shiti një magazinë të madhe në Shkup për ta ndihmuar vendin, popullatën shqiptare. Presheva është e vogël, por ka njërëz të mëdhenj, Abdullah Veliun e tjerë. Ishte pronar i “Villa Letafet” që e ndërtoi Abdullahu i Haxhi Velisë që më vonë luajti rolin e shkollës së parë shqipe, ku Hilmi Qerimi (Recki), preshevarëve të vegjël ia mësoi alfabetin e Manastirit.”

Me Abdullah Veliun në Preshevë e rrethinë lind borxhezia e re, me te si pjesëtar i saj,  borxhezia nuk kishte për qëllim gllabërimin dhe shfrytëzimin e popullatës, por ndihmën e saj. Për këtë humanizëm, edhepse nga mësimet teorike thuhet se borgjezia asnjëherë nuk mendoi dhe praktikoi humanizëm ndaj popullatës, por tek Abdullah Veliu kemi virtytet e humanistit dhe ndihmëtarit të popullatës. Për këtë flasin shumë shembuj nga jeta e popullatës së Preshevës dhe Rrehinës.  Shumë banorë të Malësisë së Preshevës tregojnë për ndihmat që u bëri Abdullah Veliu kësaj popullate, duke i dhënë hua në pare dhe mallra. Poashtu në bisedë më Haxhi Isa Latifin e ndjerë, mësova se në vitin 1945 e ndihmoi me 4.ooo dinarë familjen e Ramadan dhe Qemal Begajve të Abës Hazbije, të shkuar në Shkup, edhe ate për Ditën e Bajramit.

Për humanizmin e Abdullah Haxhi Velisë u vërtetua edhe autori i këtyre rreshtave. Më 1977 isha drejtues i Universitetit të Punëtorëve në Preshevë, në kuadër të cilit punonte edhe SHKA “Abdullah Krashnica”. Në kuadër të saj ekzistonte edhe Grupi i Valltarëve, të cilit për koncerte i duhej veshje kombëtare dhe plisat. Një ditë të vitit 1977, mora rrugën për Shkup dhe drejt e në Bit-Pazar për të blerë plisa. Në dyqanin e parë që hyra më priti shitësi me miredita. I tregova për blerjen e plisave dhe menjëherë ra pyetja nga të kemi bre djalë. U përgjigja nga Presheva. Po bash nga Presheva. Po, i thashë. Më tha : Burra të mirë ka Presheva. Nuk fola. Vazhdoi e tha, a e ke njohur Abdullah Veliun. Ia ktheva, po. Me admirim të madh tha : Tregtar edhe i ndershëm dhe tri herë e përsëriti. Më erdhi mirë, fjalë miradije. Pastaj pyeti për familjen, për dy djemtë e Abdullah Veliut. Ky ishte Ibrahim Meça, djali i Hetem Meçës, tregtar në Preshevë me Abdullah Krashnicën dhe atdhetar i njohur. E ndihmoi Lëvizjen kombëtare, por edhe Luftën Atifashiste në Preshevë.

Udhëtimi i delegacionit të LKpÇB në Tiranë

Në Konferencën e Lëvizjes Kombëtare për Çlirim dhe Bashkim të Trojeve Shqiptare me Shqipërinë, në “Bojali Han” të Shkupit, më 19 prill 1941 pos tjerave u diskutua edhe për formimin e një delegacioni, i cli do të udhëtonte për Shqipëri. Delegacioni do ta njoftonte pushtetin shqiptar me zullumin e popullatës në trojet shqiptare nën pushtimin e Bullgarisë fashiste dhe kërkesën Shqiptarëve tëe Trojeve Shqiptare : Shkup, Kumanovë, Preshevë dhe Gjilan për Bashkim me Shqipërinë Etnike.

Delegacioni u formnua në përbërje të Shaban Efendisë, Abdullah Saqipit-Presheva dhe Aqif Tetovës.

Shpenzimet e rrugës i hoqën dhe i siguruan : Abdullah Veliu nga Presheva dha 4.ooo dinarë, Shaban Efendia dha 700 dinarë, ndërsa Abdullah Saqipi dhe Aqif Tetova i siguruan shpenzimet e rrugës nga burimet vetanake.

Delegacioni i përmendur gjatë rrugës u ndalën në Tetovë, tek Shuaip Kamberi, ku biseduan për situatën politike në rajon. Këtu delegacionit iu bashkangjit edhe Udriz Ymeri nga Tetova. Më vonë, delegacionit rrugës për Tiranë iu bashkua edhe përfaqsuesi i Gostivarit, Kadri Salihu.

Në Tiranë kishin arritur të takoshin me këta persona zyrtarë : Fuat Dibra, këshilltar politik në qeveri, Shefqet Vërlaci, kryetar i Qeverisë së Atëhershme,  i cili, pasi delegacioni ia elaboroi situatën, nuk u tregua shumë i entuziazmuar për kërkesat e delegacionit, shprehu njëfarë indiference sikur edhe të tjerët zyrtarë, Avni Gjilani, pensionist, këshilltar politik në qeveri, Memedali Gjilani, ish nëpunës, Ramadan Kosova, ish kapiten i Ushtrisë Zogiste, Zeqir Rexha, profesor në Gjimnazin e Tiranës, Ahmet Gashi, profesor në Normalen e Tiranës, Maliq Bushati, ministër i punëve të brendshme të qeverisë shqiptare.

Delegacioni kishte ngelur disa ditë në Tiranë dhe pastaj kishte marrë rrugën për Preshevë, Kumanovë e Shkup nëpërmjet Kosovës. Me ta për Kosovë kishin ardhur edhe shumë  mësues nga Tirana.

Demonstratat e Shkupit, më 10 maj 1941

Gjatë udhëtimit për në Shkup, delegacioni njoftohet se autoritetet ushtarako-policore bullgare janë duke kryer një terror të paparë ndaj popullatës shqiptare, në Shkup, Kumanovë dhe në Preshevë. Një informacion të tillë, atyre u kishte arritur, madje, edhe gjatë qëndrimit të tyre në Prizren. Shumë qytetarë të këtyre rretheve, kishin shkuar në Prizren: "për tu ankuar kundër terrorit bullgar. Kjo sjellje barbare e okupatorit fashist bullgar, kishte arritur deri në atë shkallë, saqë një pjesë e madhe e familjeve shqiptare, i kishin lëshuar shtëpitë e tyre, duke u strehuar në vende më të sigurta. Situata e krijuar në krahinat shqiptare, nën pushtimin bullgar, e kishin detyruar inteligjencën e atëhershme shqiptare të aktivizohet. Kjo shihet edhe nga fakti, se një numër i konsiderueshëm i tyre, shumica ish- studentë të universiteteve të Beogradit dhe Zagrebit, kishin ardhur në Shkup dhe me padurim pritnin ardhjen e delegacionit të Lëvizjës për Bashkim të Trojeve Shqiptare(LpBTSH).

Përderisa delegacioni i LpBTSH, qëndroi në Tiranë, krahas takimeve protokollare, që patën me zyrtarët më të lartë të qeverisë shqiptare, ata disa herë do të takohen edhe me Rexhep Stablen, një zyrtar i lartë i konsullatës shqiptare në Shkup, i cili në këtë kohë qëndronte në Tiranë. Këto takime me diplomatin shqiptar, nuk ishin të rastësishme, përkundrazi, mirë të paramenduara, sepse, Shaban Efendiu, me të njihej që nga viti 1935, kur Rexhepi ishte konsull i Shqipërisë në Shkup. Në këto takime u bisedua për situatën e përgjithshme shqiptare, posaçërisht për territoret që ishin nën administrimin bullgar. Duke biseduar rreth kësaj çështjeje, kishin ardhur në përfundim, se nevojitet një aktivitet më i dendur, si nga ana e LpBTSH, po ashtu edhe nga zyrtarët e konsullatës shqiptare në Shkup. Në kuadër të kësaj, ata gjithashtu janë pajtuar që aktiviteti i tyre të fokusohet në dy drejtime edhe atë: “organizimi i  popullatës shqiptare si dhe zhvillimi i një fushate propaganduese, e cila fushatë do ta demaskonte tërë propagandën bullgare, pretendimet e së cilës nuk ishin vetëm marrja e krahinave të Shkupit, Kumanovës dhe të Preshevës, por edhe Maqedoninë Perëndimore, Kosovën, madje edhe disa krahina të Shqipërisë londineze.”

Delegacioni posa kthehet në Shkup, mban mbledhje në Bojali Han, ku krahas themeluesvë të LKpÇB marrin pjesë edhe shumë intelektualë të tjerë shqiptarë. Në këtë mbledhje vendoset që në Shkup të organizohen demonstrata mbarëkombëtare, në të cilat do të kërkohet që Shkupi, Kumanova, Presheva dhe Gjilani t’i bashkohen Shqipërisë Etnike.

Menjëherë prijësit e LKpÇB u shpërndanë nëpër krahinat shqiptare për të propaguar unitet dhe vendosmëri deri në arritjen e qëllimit kryesor, bashkimit kombëtar. Popullata shqiptare u furnizua me plisa nga prijësit e LKpÇB. Por ky aktivitet nuk mbeti pa u hetuar nga policia bullgare, e cila ndërmori masa për ta ndaluar këtë aktiviteët, por nuk pati sukses.

Kështu më 10 maj 1941 u organizuan Demonstratat Shqiptare në Shkup, për të cilat deri tani thuhej se janë organizuar në mënyrë spontane edhe atë nga Shaip Mustafa. Ato u organizuan nga LKpÇB e Tokave Shqiptare, në krye të së cilës qëndronin: Shaip Mustafa, Shaban Efendia, Hafëz Lutfi Ahmeti, Jahja Osmani, Abdulla Veliu, Aqif Tetova, Idriz Ymeri, Shaip kamberi, Xhafer Sylejmani si dhe shumë intelektualë të tjerë shqiptarë.

Demonstratat në Shkup erdhën menjeherë pasi delegacioni i LPBTSH  u kthye nga Tirana.

Pra, më 10 maj 1941 u caktua data e Demonstratave, ndërsa demonstruesit shqiptarë  u nisën nga Bojali Hani, qendra e Lëvizjes Kombëtare. Demonstruesit mbanin plisa të bardhë dhe pankarta të shkruara: “Shkupi, Kumanova Shqiptare” Demonstruesve në ndërkohë iu bashkangjitën edhe profesorët dhe nxënësit e Medresesë “Gazi Isa Beu”, të cilët sëbashku nga Bojali Hani, nëpër qendrën e Shkupit, ndalen në Urën e Gurit dhe aty e vejnë flamurin shqiptar.

Shaip Mustafa ishte vetëm njëri ndër organizatorët, por jo edhe kryeorganizatori, sepse këtë epitet e mban Lëvizja Kombëtare për Bashkim të Trojeve Shqiptare(LKpBTSH).

Këtë e dëshmon edhe UDB-a jugosllave, e cila kur shkruan për Shaip Mustafën thekson : “Shaip Ibrahim Mustafa nga Presheva, gjatë kohës së okupacionit ishte agjitator i propagandës dhe kundërzbulimit itali-shqiptar në Shkup dhe njëri ndër organizatorët e aksionit të muajit maj 1941.”

Po të njëjtin konstatim e bënë edhe Lazar Kolishevski për Shaip Mustafën në librin e tij.

Themelimi i NDSH në Preshevë

Nacionalistët shqiptarë assesi nuk mund ta pranonin realitetin e krijuar, prandaj vazhduan organizimin e tyre, i cili si qëllim kishte luftën për bashkimin e të gjitha tokave shqiptare në një shtet etnik shqiptar.

Nga mesi i prillit të vitit 1945-së, celulat politike të lëvizjes së rezistencës u shndërruan në Njësitë e Ushtrisë Popullore të Organizatës Nacionale Demokratike Shqiptare të NDSH-së, përkatësisht të “Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare.”

Në bazë të të dhënave të NDSH-së, veprimin e saj në Luginë të Preshevës e kishte shtrirë nëpërmjet Komitetit të NDSH-së, në Shkup.

“Unë i përkisja organizatës së NDSH-së për Preshevë e Bujanoc. Aktivitetet e para i kemi shtrirë këtu në bashkëpunim me Azem Maranën, me të cilin kemi qenë nxënës në Medresenë e Isa Begut në Shkup. Në grup me mua kanë qenë të kyçur edhe disa aktivistë nga Tërnoci i Madh. Së pari, në Shkup, organet e sigurimit kanë burgosur një grup të madh shqiptarësh me në krye me Azem Maranën, të cilin e dënuan me pushkatim, ndërsa më vonë u burgosëm edhe ne. Unë u dënova me 31 muaj burg, të cilat i mbajta në Stara Gradishkë të Kroacisë dhe në Nish të Serbisë”, - sqaron njëri prej anëtarëve të parë të NDSH-së, në Luginë të Preshevës, Hilmi Qerimi.

Njëri prej prijësve të NDSH-së, njëherësh edhe udhëheqësi më i njohur i kësaj organizate, ishte Gjon Sereçi (1920 –1947) vetë kishte qëndruar në trevat e Luginës së Preshevës, më saktësisht në Tërnoc të Madh afër Bujanocit. Qëllimi i qëndrimit ishte shtrirja e aktivitetit të NDSH-së edhe në këto treva.

Atëherë, sekretar Komiteti i NDSH-së, për këto treva ishte emëruar Zita Lushi, komandat batalioni, Aziz Maliqi dhe komandant xhandarmërie, Rexhep Salihu nga Presheva, që pas vuajtjes së dënimit me burg me vite të tëra, punoi si mësues në Preshevë dhe rrethinë.

Gjatë pranverës së vitit 1957-të, Metush Krasniqi do ta formojë Partinë Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë. Metush Krasniqi lindi më 19 gusht 1928-të në fshatin Dajkoc të Kamenicës. Krasniqi njëherësh është edhe veprimtari i parë kosovar që pas LDB-së, dhe pas dobësimit së NDSH-së, do ta shtrijë aktivitetin e organizatës së tij në trevat e Luginës së Preshevës. Mirëpo, si me rastin e veprimit të NDSH-së, edhe Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë veprimtarinë e saj do ta fillojë nga Shkupi. Gjatë vitit 1957-të, Metush Krasniqi me bashkëpunëtorët e tij, Mark Gashi, nëpunës në Këshillin Komunal të Preshevës, Sejdi Kryeziun e Qemal Kallabën mbajtën mbledhje në Shkup. Në këtë mbledhje ata vendosën që nëpërmes propagandës e me anë të trakteve, parullave, pamfletave e formave tjera ilegale e legale të pengojnë ikjen e shqiptarëve për Turqi. Në këtë mbledhje u shqyrtua mundësia që të vendoseshin lidhje me përfaqësuesit e disa konsullatave në Shkup e të ambasadave të huaja në Beograd, nga të cilat do të kërkohej ndihma dhe përkrahja e tyre morale e politike. Kështu, Mark Gashi u ngarkua që përmes miqëve të tij të vendoste lidhje me përfaqësuesit diplomatikë të shteteve perëndimore në Shkup dhe në Beograd. Por, nuk kishte kaluar as një muaj, aktiviteti i organizatës u shtri edhe në Preshevë. Takimi i dytë i Organizatës ilegale ndodhi në Preshevë, në shtëpinë e Mark Gashit, në korrik të vitit 1958, ku moren pjesë shumë veprimtarë të devotshëm të këtij rajoni. U bisedua për masovizimin e kësaj organizate. Mirëpo, edhe kjo organizatë u zbulua, veprimtarët u burgosën dhe kështu dështoi edhe një tentim i bashkimit kombëtar.

Më 3 nëntor 1958-të u burgos Metush Krasniqi, ndërsa në Preshevë, më 2 nëntor 1958-të u burgos Mark Gashi. Gjykimi i Metush Krasniqit dhe i bashkëmendimtarëve të tij, filloi më 1 mars 1959 në Gjykatën e Qarkut në Gjilan. Më 7 mars në Gjilan u shqiptua dënimi. Metush Krasniqi u dënua me 18 vite burg të rëndë dhe 3 vite kufizim të të drejtave qytetare, Mark Gashi e Sejdi Kryeziu u dënuan me 10 vjet burg dhe 2 vjet kufizim të të drejtave qyetare, Mehmet Dërmakun me 2 vjet burg dhe Qemal Kallaba e Mehmet Ajeti, me nga një vit e gjysmë burg.

Në mbarim të vitit 1947 dhe në fillim të vitit 1948 në Rajonin e Preshevës dhe Bujanocit , nën pretekst se kanë zhvilluar aktivitet illegal kundër pushtetit popullor jugosllav, Shërbimi sekret jugosllav arrestoi shumë personalitete me peshë në këtë pjesë të truallit shqiptar edhe atë: Myftiun e Preshevës  Lutfi Ahmetin,  tregtarin dhe atdhetarin e njohur të kësaj ane Abdulla Veliun, Nijazi Nuhiun nga Kurbalia, Ahmed Ibraim Hajrullahun nga Presheva, Shaip Latifin, Jusuf Shabanin, Nazmi Mustafën, Nijazi -Azi Kamberin, etj. Sipas burimeve të UDB-së, të gjithë këta, kanë qenë anëtarë të Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare dhe se kanë zhvilluar propagandë antijugosllave.

Abdullah Haxhi Veliu(1896-1969)

Abdullah Haxhi Veliu i lindur më 18 shkurt 1896, para 115 vjetëvë, në Preshevë.

Abdullah Haxhi Veliu rjedh nga një familje e pasur tregëtarësh të Preshevës. Edhepse ishte tregtar, për Abdullah Veliun, popullata e Preshevës dhe më gjerë, sidomos Malësia e Preshevës gjithmonë foli fjalë të mira. Abdullahu Veliu, jo vetëm që ishte humanist, ndihmonte popullatën e varfër, ai ndihmoi edhe Lëvizjen kombëtare. Bile ishte ardhetar i devotshëm për çështjen shqiptare.

“Abdullah Haxhi Veliu ishte themelues i Lëvizjes Kombëtare për Çlrim dhe Bashkim të Trojeve Shqiptare, e cila u themelua më 1941, në Shkup. Abdullahu ishte një krerë nacionalist, intelektual i kohës dhe figurë e nacionalizmës shqiptare, e cila gëzonte autoritet të madh tek popullata shqiptare në Preshevë dhe më gjerë.”

Sipas disa informatave dhe dëshmitarëve thuhet se Abdullah Veliu i mbante lidhjet e Komitetit të NDSH në rajonin e Preshevës me Shaban Efendinë e Kumanovës.

Për punën e palodhshme atdhetare të Abdullah Veliut mori vesh edhe policia bullgare. Andaj më gusht të vitit 1942, ajo e arrestoi Abdullah Veliun me 28 qytetarë të tjerë të Preshevës, tregtarë dhe personalitete të tjera, më me ndikim në radhët e shqiptarëve. Atëherë Nijazi Kurbalia punonte sëbashku me Abdullah Veliun dhe kryente rolin e tregtarit, por edhe mbante lidhjet në mes të anëtarëve të Lëvizjes Kombëtare. Me të marrë vesh për burgosjen e Abdullah Veliut, ai shkon në shtëpinë e Shaban Efendisë, për të intervenuar që të lirohet nga arresti Abdullahu. Shaban Efendia e merr shumë seriozisht këtë punë, mirëpo për shkak se vet nuk mundi të shkonte në Shkup, ai e luti Mulla Dullën e Kumanovës të shkojë deri në Shkup, për të intervenuar te Hamit Kokollari, konsul i Ambasadës së Shqipërisë në Shkup. Më vonë, sigurisht me intervenimin e tij u liruan të arrestuarit sipas listës së Shaban Efendisë.

Punën e vazhdoi në Kumanovë, ku punoi deri në pensionim më 1985. Jetoi në Kumanovë dhe vdiq më 2010.

Mark Gashi (1900-1990)

U lind në Selishtë të Karadakut, më 1910. Shkollën fillore e kreu në Zhegër, gjimnazin në Gjilan, Vranjë e Shkup, studioi edhe në Akademinë Ushtarake dhe ishte njëri nga pilotët e rrallë shqiptarë. Mirëpo pas një letre denoncuese të një të afërmi nga Shqipëria, pushohet nga puna. Në kohën e Luftës së Dytë Botërore arrestohet nga italianët, ndërsa pas LDB nga pushteti jugosllav dënohët si pjesëtar i Ballit Kombëtar. Pas vuajtjes së dënimit  kthehet në vendlindje dhe prej vitit 1950 punon si mësues në Caravajkë të Preshevës. Më pas kryen detyrën e përgjegjësit të arsimit në komunën e Preshevës dhe hap shkollat e reja në Kurexh, Terziaj, Dunav, Maxhere dhe Ilincë. Mirëpo kjo veprimtari arsimore dhe patriotike, anëtar i NDSH për Preshevë, u pengonte organeve të pushtetit serbo-sllav. Marko Gashi u burgos dhe pas vuajtjes së dënimit nuk e lejuan të kthehej në arsim. Pastaj Marko bashkë me të shoqen Çiçelinë, poashtu mësuese shërbyen në Preshevë e Miratoc. U shpërngul në Bosnje e pastaj në Maqedoni,ku edhe vdiq më 1990. Djali i tij ishte Mirk Gashi, poet i njohur dhe nipi Antonio Gashi, violinçelist i njohur në Kosovë.


Historia ynë ka qënë e kursyer me veprimtarinë e Mark Gashit, njërit nga bashkëpunëtorët më besnik të Metush Krasniqit. Marku ishte i martuar dhe kishte katër fëmijë: një djalë e tri vajza. Për arsye konspirative dhe për t’ i mbuluar lidhjet e tij me”Lëvizjen Revolucionare për Bashkimin e Trojeve Shqiptare”, ai i kishte regjistruar fëmijët në paralelen serbe. Kjo s’ishte aq e  tmerrshme, sepse bashkshortja e Markut ishte nga Kraleva.

“Një ditë, kur ai po kthehej nga një takim që kish patur me përfaqsuesin e Legatës Italiane në Shkup, UDB-a e arrestoi në tren dhe Marku u dënua me 11 vjet burgim të rëndë.
Por fati qenka shumë kapriçioz. Pak kohë pas arrestimit të Markut vdes bashkëshortja e tij dhe lë katër jetimë. Më i madhi prej tyre është Mirku, më e vogla Elizabeta. S’ ka mëdyshje se gjendja shpirtërore e fëmijve Gashi ishte rrënqethëse, por falë solidaritetit të shquar shqiptar, të cilin e kam përshkruar edhe në romanin ”Stina e emrave të bukur”, halli i tyre u zgjodh më mirë seç mendonte Udba. Një ditë, kur askush s’ e priste ardhjen e saj, n’ oborrin e vilës “Letafet” ateroi një engjull me rroba të bardha e bistekë të gjatë. Ishte kjo zonja Çeçilia, gruaja e dytë e Markut, që kishte ardhur për t’ ia ruajtur fëmijët dhe për ta pritur nga burgu. Atë detyrë ajo e mbaroi në mënyrë shembullore.”



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Lutfi Alia: Meditime rreth kujtimeve të Prof. Dr. Albert Sotirit Sabile Basha: Metamorfoza e ëndrrave Lutfi Alia: Nderim dhe respekte për kolegët mjekë që humbën jetën nga Covid-19 Lutfi Alia: Arratisja e Kazanovës nga burgu i Plumbit Fatbardha Demi: Emri i qytetit nga e ka origjinën miti i Adamit Sabile Basha: Formimi i organizatës ilegale ‘Komiteti Nacional-Demokratik Shqiptar' në Kosovë, 1943 Qazim Namani: Gjurmët historike dhe arkeologjike në qytetin mesjetar të Bërvenikut Lutfi Alia: Dante Alighieri në botën shqiptare Lutfi Alia: Në përvjetorët e Shën Nënë Terezës shqiptare Ilia Karanxha: Gentile Bellini dhe Skënderbeu ynë Sabile Basha: Lidhja e Dytë e Prizrenit, 1943 Sabile Basha: Jugosllavia përballë lëvizjeve ilegale shqiptare në Kosovë, 1945-1981 Ilia S. Karanxha: Arti rilindas në Romë, Papati dhe Skënderbeu Fotaq Andrea: Tablotë e Izanos, paradigma ekzistenciale të një “Prilli të Thyer” kadarean Saimir Lolja: Trimëreshat suliote Fotaq Andrea & Dritan Muka: Portreti i vërtetë i Skënderbeut nga Belini, pasuri e çmuar e mbarë kombit shqiptar Lutfi Alia: Letrat e Papa Kalisti III, dërguar Gjergj Kastriotit Skënderbeu në vitin 1457 Saimir Lolja: Arb, Alb, Alp, Arbi, Albi, Alpi, Arba, Alba, Alban, Albania Pajazit Hajzeri: Kontributi i Klubeve, Komiteteve shqiptare në mërgim dhe brënda vendit për çështjen kombëtare – deri në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë Fotaq Andrea & Dritan Muka: Gjergj Kastrioti Skenderbeu - figura qe sintetizon dashurine dhe unitetin kombetar

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora