Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Eshref Ymeri: Hyrje për fjalorin frazeologjik anglisht-shqip

| E marte, 16.11.2021, 11:34 AM |


Hyrje për fjalorin frazeologjik anglisht-shqip*

Nga Prof. Dr. Eshref Ymeri

Shprehjet frazeologjike janë thesare të gjuhës. Në to  gjejnë pasqyrimin e vet historia e popullit, veçoritë e kulturës dhe mënyra e jetesës. Ato i japin lexuesit larminë e botës së mbartësve të gjuhës, sepse në kuptimin e tyre përcillen drejtpërsëdrejti rezultatet e përvojës kulturore të popullit. Si pasuri e gjuhës, ato krijohen me qëllimin që jo vetëm ta pasqyrojnë mjedisin ku populli jeton, por edhe për ta interpretuar, për ta vlerësuar dhe për të shprehur një qëndrim të caktuar ndaj tij.

Në punën e vet, përkthyesi, duke studiuar shprehjet frazeologjike të dy gjuhëve, ka mundësi të ndjekë zhvillimin e shoqërisë në mjedisin e dy popujve, duke filluar nga lindja e traditave dhe e dokeve të tyre, deri në arritjet më të fundit në lëmin e shkencës dhe të teknologjisë bashkëkohore, si edhe të ballafaqojë natyrën origjinale të evolucionit të dy shoqërive të ndryshme.

Shprehjet frazeologjike, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose tërthorazi, mbartin në vetvete informacion kulturor për botën, për jetën ekonomike dhe për problemet shoqërore të njerëzve. Në nivelin frazeologjik të gjuhës, vjen e ravijëzohet veçanërisht qartë lidhja e ndërsjellë e bagazhit kulturor të njeriut dhe e zgjedhjes së njërës ose tjetrës shprehjeje frazeologjike në një situatë të caktuar komunikimi.

Me ndihmën e shprehjeve frazeologjike, të cilat nuk përkthehen fjalë për fjalë, por perceptohen përmes rikuptimësimit, del në pah aspekti estetik i gjuhës.

Shprehjet frazeologjike të gjuhës angleze kanë zënë vend në gjuhën e folur dhe kanë përftuar një ngjyrim karakteristik anglez. Ato lidhen me traditat, me zakonet dhe me botëkuptimin e popullit anglez, si edhe me legjendat dhe me faktet historike nga jeta e tij.

Gjuha angleze është njëra nga më të pasurat nga pikëpamja e strukturës frazeologjike. Siç rezulton nga pasuria frazeologjike e këtij fjalori, shprehjet e saj frazeologjike janë shumë të larmishme për nga semantika dhe forca e tyre shprehëse. Gjuha nuk është diçka statike, ajo është në zhvillim të përhershëm, duke u pasuruar ose duke i “konservuar” disa fjalë ose shprehje që kanë dalë nga sfera e përdorimit të përditshëm. Shprehjet frazeologjike të anglishtes, si të çdo gjuhe tjetër, janë jo vetëm pasqyrë e kulturës së popullit anglez dhe e reflektimit të realitetit, por edhe e shpërfaqjes së këndvështrimeve për botën mbarë, e mendësisë së tij, e karakterit të tij kombëtar, e traditave, e sistemit të vlerave që ai ka krijuar në rrjedhën e shekujve dhe e veçorive etnike që e karakterizojnë. Për nga natyra dhe krijimi, ato shërbejnë si një burim i drejtpërdrejtë të dhënash për mënyrën e jetesës dhe për veçoritë karakteristike të popullit anglez.

Çdo popull ka diçka të vetën, diçka origjinale. Në shekullin tonë, kur mundësia e udhëtimeve nëpër botë është lehtësuar, vihet re se njerëzit e një vendi tjetër janë si gjithë të tjerët, se ata kanë po ato probleme fatkeqësish dhe gëzimesh, urrejtjesh dhe dashurish. Megjithatë, në një grumbull njerëzish të përzier, nuk ka ndonjë zor të madh për ta dalluar anglezin nga francezi, amerikanin nga gjermani, italianin nga shqiptari e kështu me radhë.

Gjithsesi, shprehjet frazeologjike të çdo gjuhe janë pasqyrë e mbartësve të saj. Prandaj edhe pasuria frazelogjike e këtij fjalori është pasqyrë e popullit anglez. Në ballafaqim me pasurinë frazeologjike të gjuhës shqipe, lexuesi zbulon specifikën kombëtare të gjuhës angleze.

Vlera kombëtare e shprehjeve frazeologjike qëndron në vërtetësinë e padiskutueshme të përmbajtjes së tyre. Si kurrfarë mjetesh të tjera të gjuhës, ato përthithin historinë e mbarë kombit, veçoritë e kulturës dhe të mënyrës së jetesës, ngjarje të shënuara në jetën e vendit, traditat e popullit, disa prej të cilave edhe mund të mos ekzistojnë më, por që janë ruajtur në thesaret e gjuhës.

Ekzistojnë disa burime të pasurimit të shprehjeve frazeologjike të anglishtes. Por burimi që bie më shumë në sy është letërsia artistike. Në saje të veprave artistike të shkrimtarëve dhe të poetëve, si të Britanisë së Madhe, ashtu edhe të vendeve të tjera anglishtfolëse, gjuha angleze numëron në ditët tona një sasi të madhe shprehjesh frazeologjike.

Veprat e Shekspirit, të këtij klasiku të madh të kulturës angleze, siç vihet re edhe në këtë fjalor, janë njëri nga burimet më të rëndësishme për nga numri i shprehjeve frazeologjike që kanë pasuruar gjuhën angleze.

Kontributi i Shekspirit, si një dramaturg i madh, në lëmin e pasurisë frazeologjike së gjuhës angleze, është i konsiderueshëm dhe i paçmuar. Kjo për arsye se shumë shprehje të goditura frazeologjike, nga gjuha e veprave të shkrimtarit, kanë kaluar në gjuhën kombëtare, çka dëshmon për gjenialitetin linguistik dhe për popullaritetin e tij kolosal.

Shprehjet frazeologjike që Shekspiri ka krijuar në të gjitha veprat e veta, kanë hyrë përfundimisht në indin e gjuhës letrare dhe të folur dhe tani ato mund të konsiderohen si idioma tradicionale të saj. Veprat e Shekspirit janë burimi më i pasur, pas Biblës, i idiomatikës angleze.

Kontribut të shquar në pasurimin e shprehjeve frazeologjike të anglishtes kanë dhënë edhe mjaft shkrimtarë të tjerë anglezë, si Çarlz Dikensi, Gollsuorthi, Valter Skoti, Xhon Mltoni, Xhonatan Suifti dhe shumë të tjerë.

Në pasurinë frazeologjike të gjuhës angleze vihen re edhe huazime brendagjuhësore. Është fjala për huazime nga anglishtja amerikane, australiane, irlandeze, kanadeze dhe neozelandeze. Domosdo që më të shumta janë huazimet nga anglishtja amerikane (paçka se shprehjet frazeologjike, të krijuara nga shkrimtarë amerikanë, në krahasim me ato të shkrimtarëve anglezë, janë të pakta) dhe pas tyre vinë ato nga anglishtja australiane. Tek-tuk bien në sy huazime nga anglishtja irlandeze, kanadeze dhe neozelandeze.

Huazimet ndërgjuhësore, domethënë shprehjet frazeologjike, të huazuara nga gjuhë të huaja përmes njërës ose tjetrës mënyrë përkthimi, janë një dukuri që haset shpesh në gjuhën angleze.

Huazime të tillë vihen re sidomos nga frëngjishtja. Kjo për arsye se kjo gjuhë, si gjuha më me autoritet e Evropës Perëndimore në shek. XVII-XVIII, fill pas latinishtes, e pati shtuar ndikimin roman mbi zhvillimin e frazeologjisë ndërkombëtare, duke luajtur një rol të konsiderueshëm mbi formimin jo vetëm të gjuhëve evropianoperndimore, por edhe të gjuhëve të tjera të Evropës.

Si në gjuhën angleze, ashtu edhe në gjuhë të tjera, një pjesë e caktuar e shprehjeve frazeologjike të huazuara përcillet përmes kalkimit. Galicizmat e përkthyera patën një përdorim të gjerë edhe në anglishten e folur, edhe në anglishten e shkruar, si, fjala vjen:

affaire de cœur - affair of the heart (çështje zemre, punë dashurie, intrigë dashurore),

brûler la chandelle par les deux bouts - burn the candle at both ends (“e ndez qiriun nga të dyja anët”, bën jetë të shfrenuar, e kalon jetën yrrja-byrrja, e ngrys jetën nëpër darka e dreka, jepet pas qejfeve, zdërhallet nëpër gostira, e shkatërron jetën me duart e veta).

Një pjesë e mirë e kalkeve frazeologjike nga frëngjishtja, erdhën e u asimiluan në mjedisin e anglishtes, duke e humbur lidhjen me gjuhën burimore dhe duke përftuar statusin e proverbave dhe të fjalëve të urta. Këtu mund të përmendim disa prej tyre :

c’est le premier pas qui coûte - it is the first step that costs (is difficult) (çdo fillim është i vështirë, vetëm hapi i parë është i vështirë, fillimi i mbarë është gjysma e punës).

chercher une aiguille dans une botte de foin - look for a needle in a bottle of hay [kërkon gjilpërën në kashtë (në  bar, në mullar), prashit (mih, lëron) në ujë, prashit në të thatë, numëron qimet (fijet) e postiqes].

l’appétit vient en mangeant - appetite comes with eating (oreksi vjen duke ngrënë).

les mariages se font dans les cieux - marriages are made in heaven [burrin (gruan) ta ka taksur Zoti; martesa është e shkruar].

si jeunesse savait, si viellesse pouvait - if youth but knew, if age but could [“sikur rinia të kishte dijeni (aftësi), kurse pleqëria - mundësi].

Kur bëhet fjalë për proverba dhe për fjalë të urta, nuk mund të anashkalohet fakti që shumë kalke të anglishtes nga frëngjishtja lidhen me gjuhën burimore, me zanafillë latinishten. Ja disa shembuj:

finis coronat opus (lat.) - la fin couronne l'œuvre (fr.) - end crowns the work (fundi i vë kapak punës).

nil novi sub luna (lat.) - rien de nouveau sous le soleil (fr.) - nothing new under the sun (s’ka asgjë të re në këtë botë).

procul ex oculis, procul ex mente (lat.) - loin des yeux, loin du cœur (fr.) - out of sight, out of mind (larg syve, larg zemrës).

quot capita, tot sententiae (lat.) - autant de tête, autant d'avis (fr.) - many men, many minds (mendja mendjes nuk i ngjan; sa kokë, aq mendje; secili ka mendjen e vet).

Veç kësaj, në jetën e përditshme të anglezëve dhe të francezëve ekzistojnë një sërë shprehjesh-kalke fluturake, me zanafillë latinishten, kuptimi i vërtetë i të cilave del në pah vetëm kur njihesh me mitin përkatës, me gojëdhënën ose me faktin historik. Le të ndalemi në shembujt e mëposhtëm:

corne d'abondance (fr.) - horn of plenty [“briri i begatisë”, burim bollëku (mirëqenieje, pasurie)].

fil d'Ariadne (fr.) - Ariadne's clew (thread) (“filli i Arianës”, rrugë shpëtimi).

pomme de discord? (fr.) - an apple of discord [“mollë sherri”, shkak grindjeje (mosmarrëveshjesh, përçarjeje, sherri)].

talon d'Achille (fr.) - the heel of Achilles [thembra e Akilit (e dikujt)”, pika e dobët e dikujt].

victoire à la Pyrrhus (fr.) - a Pyrrhic victory (“fitore si e Pirros”, fitore me humbje të jashtëzakonshme, fitore e barasvlershme me disfatën).

Më të pakta janë huazimet nga gjermanishtja dhe, shumë rrallë, në ndonjë rast të vetëm, mund të vihet re edhe ndonjë huazim nga arabishtja dhe nga kinezishtja.

Si tjetër burim i rëndësishëm për pasurimin e shprehjeve frazeologjike të anglishtes shërben Bibla. Ajo ka pasuruar me shprehje frazeologjike jo vetëm anglishten, por edhe shumë gjuhë të tjera të botës. Dhe këtu s’ka asgjë për t’u habitur, sepse besimi dhe përgjithësisht doktrina fetare kanë pasë luajtur një rol të konsiderueshëm gjatë gjithë historisë së Britanisë së Madhe. Bibla, gjatë shekujve, ka pasë qenë libri më i lexuar dhe më i cituar në Angli. Jo vetëm fjalë të veçanta, por edhe shprehje të tëra idiomatike, patën hyrë në gjuhën angleze nga faqet e Biblës.

Anglia, siç dihet, është një “rezervat” gjigant i traditave dhe i dokeve të vjetra, të cilat ruhen dhe nderohen me kujdes për shekuj me radhë. Ato pasqyrojnë plotësisht tablonë botëkuptimore të popullit të saj me bindje konsevatore, i cili e shfaq hapur atdhetarinë dhe frymën kombëtare. Anglezët janë populli më enigmatik. Ata janë të përmbajtur në emocione, si në publik, ashtu edhe në rrethin e ngushtë familjar. Kërshëria karakteristike e tyre ka bërë që ata të njihen me gjërat më të mira nga ato që zotërojnë popujt e tjerë. E megjithatë, ata u kanë mbetur besnikë traditave të tyre. Ata e vlerësojnë lart hapësirën personale, e cila në gjuhë përcillet me termin e posaçëm “privacy” (gjë personale). Anglezët parapëlqejnë të mbajnë distancë kur komunikojnë me dikë. Shtëpia dhe familja për anglezin janë vlera fundamentale, çka shprehet fare qartë në proverbin “my house is my castle” (në shtëpinë time jam vetë zot, në shtëpinë time bëj si dua).

Të gjitha dukuritë e lartpërmendura të jetës angleze kanë gjetur pasqyrimin e vet në pasurinë e shprehjeve frazeologjike. Prandaj është e pamundur ta zotërosh anglishten, pa prekur pasurinë e shprehjeve frazeologjike, sepse pa zotërimin e tyre është shumë e vështirë të hysh në bisedë me një përfaqësues të kulturës britanike, sidomos kur nuk ke si rezervë disa nga shprehjet më të përdorshme të fondit frazeologjik.

Përkthimi i shprehjeve frazeologjike është një punë fort e vështirë. Kjo për arsye se ato i përkasin një stili të caktuar ligjërimor dhe mbartin në vetvete një karakter të theksuar kombëtar, aq më tepër që anglishtja është një gjuhë idiomatike.

Në këndvështrimin e përkthyesit, shprehjet frazeologjike ndahen në dy grupe. Në grupin e parë përfshihen ato shprehje që i kanë barasvlerësit në gjuhën përkthimore, kurse në grupin e dytë hyjnë shprehjet që nuk i kanë barasvlerës të tillë. Dihet që barasvlerësit mund të jetë të plotë dhe të pjesshëm. Me barasvlerës të plotë nënkuptohen ato shprehje frazeologjike, të cilat përputhen me shprehjet frazeologjike të anglishtes për nga kuptimi, për nga përbërja leksikore, për nga ana figurative, për nga ana stilistikore dhe për nga struktura gramatikore. Por duhet theksuar se shprehje të tilla të anglishtes nuk janë të shumta në ballafaqim me shqipen. Le të sjellim disa shembuj nga fjalori:

armed to the teeth - i armatosur deri në dhëmbë.

be between two fires - është (gjendet, ndodhet) midis dy zjarreve

better late than never - më mirë vonë se kurrë

find a common language with smb - gjen gjuhën e përbashkët me dikë

fish in troubled waters - peshkon në ujë të turbullt.

have (got) one foot in the grave - është me një këmb në varr

in other words - me fjalë të tjera

kill time - vret kohën

lies have short legs - gënjeshtra i ka këmbët të shkurtra

set the wolf to keep the sheep - vë ujkun bari

thread breaks where it is the weakest - peri këputet ku është më i hollë

walls have ears - muret kanë veshë

with a stone kill two birds - me një gur vret dy zogj (bën një udhë e dy punë)

Siç shihet nga shembujt e mësipërm, në strukturën e çdo shprehjeje frazeologjike të anglishtes dhe të barasvlerësit të saj në gjuhën shqipe, është e njëjta vatër kuptimore.

Problem serioz për përkthyesin përbëjnë ato shprehje frazeologjike që përcjellin tradita gojëdhënore, që lidhen me doket e vjetra dhe me fakte nga mënyra e jetesës së popullit anglez. Për përkthimin e saktë të shprehjeve të tilla, sidomos të atyre të stilit të zhargonit gjatë përkthimit të letërsisë artistike, përkthyesit i duhet të konsultohet paraprakisht me fjalorë frazeologjikë dhe sidomos me fjalorë idiomatikë të anglishtes, duke arritur shkallë-shkallë deri në zotërimin e fondit të saj frazeologjik.

Le të ndalemi në përkthimin e disa shprehjeve të tilla të vështira:

let the world wag (as it will) - “lëri njerëzit të dërdëllitin (si të kenë qejf)”, gojës së botës s’i vë dot peshqir, fjalët e hallkut e vrimat e gardhit s’mbyllen kurrë.

live on borrowed time - jeton me kohë (me ditë) “borxh”, i ka ditët të numëruara.

saw wood zharg - “sharron pyllin”, bën gjumin e ariut, e bën gjumin top, gërhet për shtatë palë qejfe.

the old woman is picking her geese - “plakushja u shkul pendët patokëve të vet”, po bie borë.

Dihet që struktura e shprehjeve frazeologjike përbëhet, të paktën, prej dy fjalësh. Por në këtë fjalor, në tre raste, hasen fjalë të vetme në rolin e shprehjeve frazeologjike. Ato janë renditur në fjalor për arsye se kuptimi i tyre në gjuhën shqipe përcillet me shprehje frazeologjike. Këto tri fjalë janë :

astonishing! - çudi e madhe! mbetesh pa mend! të lësh mendjen!

nicely! - të lumtë!

true! - ashtu është! është e vërtetë! s’e luan topi!

Duke pasur parasysh shkallën e vështirësisë së përkthimit të shprehjeve frazeologjike të anglishtes, mund të mendohet se është e pranueshme edhe njëfarë përshtatjeje në gjuhën shqipe. Por autori nuk e ka parapëlqyer përshtatjen. Ai është munduar të qëmtojë barasvlerësit frazeologjikë të gjuhës shqipe që i përgjigjen mundësisht sa më shumë kuptimit të shprehjeve frazeologjike të gjuhës angleze.

Shprehjet frazeologjike këtu janë të renditura alfabetikisht. Në fillim jepen shprehjet frazeologjike që fillojnë me vatrën kuptimore. Le të marrim si shembull disa shprehje me vatrën kuptimore time (kohë):

TIME ? time after time - 1. herë më herë, herë pas here, kohë pas kohe, në mënyrë të përsëritur. 2. sa herë.

time and tide wait for no man - koha nuk pret, nuk ka koh?, koha s’premton, duhet vepruar sa m? shpejt (me urgjenc?), punën e sotme mos e lër për nesër. Fjala tide këtu përdoret në kuptimin e saj të vjetruar kohë.

time and (time) again - një e dy, një më dy, në mënyrë të përsëritur, orë e çast, orë e minutë, pa pushim, përsëri e përsëri, sot e gjithë ditën, sot e mot, shumë herë.

times are bad for them - për ta kanë ardhur kohë të vështira.

Mandej vazhdon renditja me përbërësit e tjerë, po alfabetikisht, që i paraprijnë vatrës kuptimore time.

a dozen times - dhjetë herë, në mënyrë të përsëritur.

a short time after - pak kohë pas.

about time - më në fund. Përdoret si shprehje kënaqësie me rastin e realizimit të diçkaje të shumëpritur.

abreast of (ose with) the times - me hapin e kohës, në një hap me kohën, pa mbetur prapa jetës.

after a short time - pas pak kohe.

against time - 1. shumë shpejt, me revan të madh. 2. brenda një afati të shkurtër (një afati minimal).

Një renditje e tillë është bërë me qëllim  që përkthyesi ta gjejë me lehtësi shprehjen që i intereson.

Kur qëllon që në strukturën e shprehjeve frazeologjike shërbejnë si vatra kuptimore emra që kanë tema të ndryshme në numrin njëjës dhe në numrin shumës, atëherë ata janë marrë si vatra kuptimore më vete. Si shembull mund të shërbejnë emrat foot (këmbë) dhe feet (këmbët), tooth (dhëmb) dhe teeth (dhëmbët).

Disa shprehje frazeologjike të anglishtes kanë si barasvlerës një vargan të tërë shprehjesh frazeologjike të shqipes, të cilat formojnë vargje sinonimike me ngjyrime të ndryshme stilistikore. Gjatë përkthimit të letërsisë artistike, në varësi të kontekstit, përkthyesi mund të përzgjedhë shprehjen më të përshtatshme.

Për një sërë shprehjesh frazeologjike, në përkthim jepet motivimi i krijimit të tyre, që përcillet me një shpjegim etimologjiko-enciklopedik, çka, në këndvështrimin e autorit, përbën një informacion me vlera kulturore.

Nga krahasimi i pasurisë frazeologjike të të dyja gjuhëve në këtë fjalor, rezulton se shqipja ka një thesar jashtëzakonisht të pasur me shprehje frazeologjike. Prandaj ajo mund të ballallafaqohet denjësisht me  pasurinë frazeologjike të çdo gjuhe tjetër, siç ka dalë në pah në Fjalorin frazeologjik italisht-shqip (me autorë Naim Balla, Irena Lama, Eshref Ymeri, botim i Shtëpisë Botuese “EDFA”, Tiranë 2007), dhe në Fjalorin frazeologjik rusisht-shqip (botim i Shtëpisë Botuese “Bota Shqiptare”, Tiranë 2015).

--------------------------

*Fjalori, me parathënie të Prof.dr. Hajri Shehut dhe pasthënie të Prof.dr. Rami Memushajt, zë një vëllim prej 1254 faqesh dhe përmban 25 440 shprehje frazeologjike. Është botim luksoz i Studios Intergrafika, me drejtor Eduard Shima, dhe e ka vënë në qarkullim Shtëpia Botuese “Bota Shqiptare”, me drejtor Genti Gjonaj. Tiranë 2019.