Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lea Ypi: Të Lirë (Fragment)

| E marte, 16.11.2021, 04:48 PM |


Ja një tjetër fragment nga Libri "Të Lirë" i Lea Ypit që del për pak ditë... - Edison Ypi

Në ditët që vijuan u themelua partia e parë e opozitës. Vetëm atëherë prindërit e mi e zbuluan si në një skenë të gjallë teatri krejt të vërtetën. Të vërtetën e tyre. Për pothuajse gjysëm shekulli, vendi ynë paskësh qenë një burg i errët. Ata më treguan se universitetet që familja ime kishte ndjekur, vërtet ishin institucione edukimi, por i një lloji të veçantë. Më thanë se kur flitej për diplomimin e të afërmve, kjo nënkuptonte lirimin e tyre nga burgu; se përfundimi i shkollës nënkuptonte mbarimin e viteve të dënimit; se inicialet e qyteteve universitare në fakt nënkuptonin vendet e burgjeve dhe të internimit - B për Burrelin, M për Maliqin, S për Spaçin - se lëndët e ndryshme të studimit përkonin me akuzat e ndryshme. Të studioje marrëdhënie ndërkombëtare do të thoshte të akuzoheshe për tradhëti kombëtare. Letërsia ishte "agjitacion dhe propagandë". Filozofia ishte dënimi per kritika të rrezikshme të tipit buka është e ftohtë, mish s'ka, qumështi nuk mjafton, radhat s'durohen. Diploma në ekonomi nënkuptonte krime më të vogla, si fshehja e thesarit apo varrosja e qypave me florinj. Prindërit me rrëfyen gjithashtu se studentët që bëheshin mësues përfaqësonin ish-të burgosur politikë që ishin kthyer në spiunë, si kushëriri ynë Ahmeti dhe gruaja e tij Sonia; se një profesor i rreptë ishte oficer për shkak të të cilit shumë njerëz kishin humbur jetën, si Hakiu, që gjyshi i kishte shtrënguar dorën pas daljes nga burgu; se kur dikush arrinte rezultate të shkëlqyera, kjo do të thoshte se dënimi kishte qenë i shkurtuar, por se të ngelje në klasë e të përjashtoheshe nga universiteti, do të thoshte të ishe varur, pushkatuar e shpesh groposur në një varr që ende nuk ishte gjetur. Ndërsa të braktisje shkollën vullnetarisht, siç kishte ndodhur me shokun e ngushtë të gjyshit,  do të thoshte të kishe vrarë veten.

Mësova e tronditur edhe se ish-kryeministri ynë, ai që kisha përbuzur gjatë gjithë fëmijërisë pse mbante të njëjtin emër dhe mbiemër me tim atë, nuk ishte hija e një keqkuptimi fatkeq. Ai ishte stërgjyshi im dora vetë. Gjatë gjithë jetës, barra e asaj atësie të kthyer në njollë të zezë në biografi, kishte thërrmuar si një dallge e egër çdo varkë shprese të tim eti. Ja pse ai nuk i kishte ndjekur dot studimet që dëshironte. Në çdo hap, i ishte dashur të ndalej para hendekut mes biografisë së tij dhe shoqërisë në të cilën jetonte; të kërkonte falje për një krim që nuk e kishte kryer dhe të justifikohej për pikëpamje në të cilat as ai vetë nuk besonte. Edhe më keq e kishte pësuar im gjysh, që pas zënkave me familjen, ishte arratisur për t’iu bashkuar republikanëve spanjollë në anën e kundërt të luftës civile dhe prapëseprapë e kishte shpaguar lidhjen e gjakut me të atin me rrumbullak pesëmbëdhjetë vite në qeli. Shumë shpejt do të më kishte ardhur radha edhe mua të laja dreqi e di se si, ku, e për sa kohë, mëkatet e një të panjohuri, fajet e një tradhtari, gjaku i të cilit rridhte edhe në dejet e mia. Sikur prindërit të mos e kishin mbuluar të vërtetën për të më ruajtur nga shkarjet e mundshme, rojtarët e shlyerjes së atij borxhi të hatashëm një ditë do të trokisnin edhe në portën e jetës sime. Nuk dihej kur, por që do të ndodhte herët a vonë, për këtë nuk kishin asnjë fije dyshim.

"Po unë jam pioniere," kundërshtova unë. “Unë u bëra pioniere para kohe.»

"Pioniere? Pionierë bëhen të gjithë", u përgjigj nëna. “Kush do të linte ty të hyje në organizatën rinore? Kush do të linte të hyje në Parti? ”

"Të kanë ndaluar ty? " pyeta unë e habitur.

"Mua?". Ime më vuri buzën në gaz me ironi. “Unë nuk e kam marrë ndonjëherë mundimin. Një koleg i ri i ardhur në shkollën tonë e bëri propozim në mbledhje dhe hoqi dorë sapo i vunë përpara biografinë.”