E shtune, 03.12.2022, 03:26 PM (GMT)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Një intervistë me rastin e dekorimit të At Pjetër Meshkallës

E hene, 15.11.2021, 06:29 PM


Nga Fritz RADOVANI: (Pjesa LII.)

Më datën 25 shtator 1992, ora 12.00, kam dhanë këte intervistë në Radio “Shkodra”, me rastin e dekorimit të At Pjetër Meshkallës S.J., prej Presidentit të Republikës

“Me Medaljën e Artë  PISHTAR  I  DEMOKRACISË”.

Kjo ishte medalja e parë që i jepej një Kleriku Katolik Shqiptar prej një forumi të naltë të Shtetit Shqiptar, që nga themelimi i Tij.

Drejtor’i Radio “Shkodrës” atëherë ishte z. Anton Çefa, ndërsa intervistuesi im ishte z. Albert Kurti.

Pyetje: Asht ba një peticion nga një grup qytetarësh për dekorimin e të Nderuemit Padër Pjetër Meshkalla. Mëqë në këte grup keni ba pjesë edhe ju, çfarë mund të na thoni ?

Përgjegje: Peticioni që kemi ba në bashpunim me zotnijtë: Anton Benussi, Kolec Çefa, Refik Bushati dhe Sandër Kaçinari nga Tirana, gjeti përkrahjën e të gjithë nënshkruesve, si në qytetin e Shkodrës, ashtu edhe në Kryeqytet. Na ndihmuen në mënyrë të veçantë: Shoqata e të burgosunve politikë të Shkodrës, si edhe Kryetari i Bashkisë së qytetit tonë, z. Filip Guraziu. Pranimi për shqyrtim dhe aprovimi i kërkesës sonë nga ana e Presidentit Sali Berisha, tregon se me të vërtetë ka ardhë koha e vendosjës në piedestalin e merituem të demokracisë, së figurës së Pader Pjetër Mëshkallës, Këtij “Biri të rrebtë, të një Nanës së ashpër”, që gjithë jetën punoi për Lirinë, Unitetin e Përparimin e Atdheut.

Pyetje: Ku konsiston vepra atdhetare e Këtij Patrioti?

Përgjegje: Pader Pjetër Mëshkalla asht ndër figurat ma të mëdha të Atdheut dhe Klerit katolik Shqiptar, të salvuem nga diktatura komuniste. Për qytetin e Shkodrës asht nder i madh që nxori një Burrë si Ky. Ai ishte atdhetar i flaktë, se primare për Té ishte kenja Shqiptar!

Që në moshë të re, rreth vitëve 1925-30, prej vjershave të para e deri tek artikujt e Tij të randësishëm, në të cilët dallohët “Udhë e gabueme”, Ai lufton fanatizmin. Ai thotë: “Vëllazën me të gjithë, këso dore kemi me provue me fakte, se asht e mundun bashkjetesa ma paqësore dhe ma e frytëshme me besimet tjera.”

Ai luftoi me gjithë shpirt ndasitë fetare në gjithë Shqipninë. Libri që do të botoj për këte figurë të ndritun ka me i vlejtë rinisë me njohë edhe ma mirë figurën e Tij.

Pyetje: Meqë materiali vlenë per rininë, a ka lidhje kjo me ceremoninë që do të zhvillohët në Universitetin tonë “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës?

Përgjegje: Sigurisht që po! 25 vjet ma parë, në “Revolucionin Kultural”, dijetarët dhe klerikët mendjendritun thirreshin po në këtë auditor dhe aty u viheshin hekurat. Pikërisht aty, me 29 prill 1967 u arrestue edhe Pader Mëshkalla, Ai Burrë që edhe i pranguem gjujzoi para Tij bishat komuniste, bashkë me ata pseudointelektualë shërbëtorë besnikë të marksizëm-leninizmit, shkatërrues të artit, kulturës dhe arsimit tonë kombëtar.

Për të gjithë qytetarët e Shkodrës dhe mbarë Popullin Shqiptar, jeta dhe vepra e Pader Mëshkallës mbetet simbol i atdhetarizmit, besës, burrnisë, fesë, trimnisë, bujarisë, fisnikisë Shqiptare dhe, Nderës ndaj Flamurit tonë Kombëtar!  Ju falëmnderës!

•Shenim FR: Botohet pa asnjë ndryshim nga intervista.

Melbourne, 12 Nandor 2021.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora