E premte, 19.04.2024, 06:00 PM (GMT+1)

Faleminderit

Lek Pervizi: Mbi paraqitjen trupore të Gjergj Kastriotit Skanderbeut.

E hene, 08.12.2008, 07:02 PM


Në përgjigje të atyne qe hedhin baltë mbi Heroin e Madh Kombëtar


(Monumenti i Skanderbeut në Tiranë, ku parqitet forca trupore e tij. )

Kohet e fundit, nji fushate sa e çuditshme aq absurde po zhvillohet kundër figurës ma madhore të historise sone, Gjergj Kastriotit Skanderbeun. Përveç disa lloj historianesh me diplloma, doktorata, e me tituj akademike (ose pa to fare), që kerkojne te gjejne bishta e pretekste per ta denigrue figuren dhe veprën e Heroit ma të Madh Kombëtar,
jane perfshi edhe disa shkrimtare qe me pretekstin e krijimtarisë së lirë letrare, shkruejne romane apo tregime, ku kerkojne te hedhin nje grusht baltë tjetër mbi baltën që kanë grumbullue « historianët » e nderuem të sipërmermendur (pa emna). Këta zotni, si duket kane harrue se balta baltë mbetët dhe me rreshjen e parë të shiut tretet e zhduket. Ky shi, ne rastin tonë, vjen (simbolikisht) nga e vërteta historike, që nuk mundet të ndalohet e vërshon si stuhi për të përfshi bashkë me baltën edhe baltaxhinjtë.

E kemi fjalën për një shkrimtar që me fantazinë e tij të tejkalueme e paskej përfytyrue e përshkrue Gjergj Kastriotin si një burrë trupshkurt, që çuditnisht duhet ta kishte shpatën ma të madhe se veten. Por, nuk e fajsojme, sepse aq ia ka pre mendja. Si duket ai ka qene ne Bruksel të Belgjikës, pikërisht ne komunen e Skarbekut ( ku rrinë shumë shqiptarë), ku në një qoshe të Parkut Josafat, asht ngritë një e ashtuquejtun përmendore e Skanderbeut, ku Princi i Madh paraqitet vertet si xhuxh, me nji shpatë pothuej ma te madhe se vetja, sa qe po t’ishte se statuja e Skanderbeut të shëndrrohej në njeri nuk mund ta mbante dot në dorë e jo ma të luftonte me të. Meritë për këtë (statujë i thençin) kanë bashkatdhetarët tanë të asaj kohë (1968) që veprën ia besuen një saldatori hekurishtesh. Shqiptarët qe aty jetojnë ose ata që kanë ardhun ma vonë, ndërrojnë rrugë e nuk kalojnë aty së pari, sepse u vjen turp ta shohin Skanderbeun të katandisun në një burrec shtatvogël.

Po qe se zoti Ben Blushi e ka vizitue Brukselin dhe e ka pa atë pseudo “permendore” aq të deformueme, ka pasë të drejtë që ta përshkruej Skanderbeun ne librin e tij si te tillë si shtat ulët. Por ne qofte se ai nuk e ka pa atë lloj “statuje”, nuk i falet, si intelektual qe mbahet, që te sajojë një gja të tillë te paqenë aq bajate sa qe dhe budallejve injorantë (pse po ka edhe budallenj me tituj e grada) nuk mund t’u shkonte ndërmend.

Por ka edhe diçka tjetër, mundet qe autori i ynë ka shkue ne Romë në Piazza Albania, ku ngrihet madheshtor monumenti i “kalit të Skanderbeut” siç thoshim ne shqiptarët që studionim në Romë, sepse ndërsa kali ishte një alamet kolosi, figura e Skanderbeut mbi shalë dukej e vogël, prandaj e quenim monumenti i kalit. Pra, në qoftë se zoti Blushi eshtë marrë me të tilla frymëzime, të shkojë e të pyesi skulptorin, Romanini, tashmë në botën tjetër, se nga e ka nxierrë atë model. Por ndoshta skulptori si italian qe ishte e ka sajue kastile atë lloj papërputhje përmasash për të dënigrue heroin tonë, që italianëve u kishte dhanë dërmen në fushatën e tij në Itali. Po qe se janë këto dokumentat që i kanë shërbye Benit me na e katandisë Skanderbeun si trupshkurt, atëhere mund të themi se ka lajthitë nga trutë.

Ai, patjetër se asht një intelektual, dhe i mirë, për deri sa ka aftësi të shkruej, dhe libri i tij po kerkohet, po blihet e po lexohet masivisht, me perjashtim të disave që ngulin kambë ta quejnë veten ma mirë turq se sa shqiptar, për arësyena të tjera. Si duket ai Beni i ka prekun ne telat e besimit, e kjo nuk ka qene aspak e mirë për të, duhet ta pranojmë. Justifikimi del se libri i tij nuk trajton historinë por asht nji vepër letrare ku gjen mundesi të fluturoje mendja (siç thotë populli). Sipas gjasës nuk ka prek libër që flet për Gjergj Kastriotin Skanderbeun, e në qoftë se e ka lexue ndonjë, patjetër se ajo vepër i përket ndonjë kronikani me kalamar shoqërues i Sulltanit, ku Sulltani paraqitet luan e Skanderbeu nje mi.
Në ma shumë se 500 vepra, historike, letrare (prozë e poezi), në vepra teatrale (drama, tragjedi e opera), si dhe në të gjithë veprat e arteve figurative, Gjergj Kastrioti paraqitet ashtu siç ishte e siç e kanë njohun ata që kanë jetue me të dhe e kanë shoqnue në të gjithë jeten e luftën kundër pushtuesit osman. Një shqiptar shtatgjatë e i pashëm. I fortë e trim. Luftëtar e strateg. Princ e sundimtar.
Fjala ma e bukur e popullit asht ajo, se uji i kulluet rrjedh te burimi, dhe ne per fate te mirë ja kemi gjet burimin historisë së Skanderbeut, për ata që duen të shuejnë etjen te ky burim i freskët.
E nisim dëshminë me shqiptarin e parë që ka shkrue për Gjergj Kastriotin, Dhimitër Frangun, bashkëjetues e bashkëshoqnues i jetës dhe i luftave të Skanderbeut. Ja si flet për këtë shqiptar fisniku venedikas, “kavaliere” Gian Maria Monardo më 1484, në botimin italisht të veprës së Frangut : “…ku libër asht shkrue me dorë në gjuhën latine prej At Dhimitër Frangut, i cili ishte i personalisht i pranishëm dhe i mirë informuem për të gjitha betejat dhe veprat e guximshme të atij Princi.”

Duhet ditun se vepra e Frangut latinish asht shrue prej tij 12 vjet pas vdekjes së Skanderbeut më 1480, në Tivar e në Venezia. Ma vonë vepra e tij asht përvetesue dhe përkthye edhe në gjuhën italiane e të tjera. Por atij i kushtohet biografia ma e saktë e Skanderbeut.
(Tabllo e S. Polaroli, ku Skanderbeu paraqitet ne kambë me një pamje madhështore, si Princ e luftëtar.)

Dhimitër Frangu paraqitet në vepren e historianit, dijetarit dhe enciklopedistit të shquem italian, Paolo Jovio, që ishte dhe Pëshkop i Qytetit Noçera : “….Skanderbeu, me thanë të drejtën, nuk mundi të përfitojë nga ky udhëtim ( Romë) veçse 3000 dukatë, që iu dorëzuen Dhimitër Frangut, i Keshillit të Drishtit, kushëri i kryepëshkopit Pal Engjëlli, dhe arkëtar e këshilltar i Skandërbeut.”
Pra ishte Frangu ai që mund të na tregonte se ç’paraqitje kishte Skanderbeu, siç do shohm ma poshtë.
Ja çfar shkruen Dhimiter Frangu në librin e tij « Veprat e lavdishme të Skanderbeut » :
Kreu VIII, rreshtat 11 – 19 :
« Vërtet se dukej sikur ia tepronte me ushqime e pije, po ata që e shikonin nga shtatmadhësia, muskujt, si dhe ushtrimet e vazhdueshme, e gjykonin se ngrania e tij vetëm njëherë në ditë nuk ishte fare e teprueme por shumë e matun. Skanderbeu paraqitej me shtat të madh e të bukur, me përmasa të rregullta të gjymtyrëve, trup të fortë e të ngjeshun, sa që nuk donte t’ia dinte as nga të nxehtit, as nga të ftohtit, as nga vështirësitë. Kjo përsa i përket cilësive trupore.

 


(Monumenti ne Rome, fotografoi Paul Tedeschini)

Kemi pra dëshminë e një njeriu që i ka qëndrue afër Skandërbeut gjatë gjithë jetës duke e shoqnue kudo (deri në Romë) e duke i shërbye si arkëtar, sekretar, përkthyes, fetar e luftëtar. Frangu ishte me origjinë fisnike, e pavarësisht se ishte fetar (Frat) ai merrte pjese ne betejat si luftëtar. Asokohë edhe fetarët merrnin pjesë ne betejat. Kemi shembuj klasikë . Një nga heronjt e ‘”Chanson de Roland”, shok lufte i kryetrimit Roland ishte pëshkopi « Olivier », që u vra në betejen kundër arabëve në “Ronceveaux“ ( italisht Roncisvalle) në Spanjë.
Patjetër se kjo asht dëshmia e parë mbi paraqitjen trupore të Skanderbeut, sepse libri latinisht i Dhimitër Frangut asht shkrue më 1480, dhe ai mbete i pari shkrimtar shqiptar që thuer biografinë e Princit Kruetan.
Vazhdojmë me Marin Barletin, nga vepra e përkthyeme italisht nga Pietro Roka (Rocca) Venezia, 1506 :


(Mbishkrimi ne monumentin ne Rome) Në librin e Parë, faqe 6, rreshta 18-26 (Ne dy luftimin me Tartarin nga Skythia): “Në sytë e njerëzve shfaqej keqardhja (per moshën e re) dhe deshira në favor të tij (që të fitonte Skanderbeu) të shtytun nga bukuria e trupit dhe përmasat e rregullta të gjymtyrëve. Shtat naltë, i drejtë, me ato krahë që s’ishin pa ndonjëherë ma të bukur. Qafën e fortë, si të mundësve. Shpatullat mrekullisht të gjana.

Trup bardhë, sapo kish dalë nga veshjet e purpurta. Shikimin as të egër as të butë, por shumë tërheqës. Këto të dhana së bashku me virtyte të tjera jepnin me shpresue për mirë. »
Siç dihet Skanderbeu e vrau kundësrshtarin e fitoi lavdi të madhe.
Ma poshtë paraqesim dëshminë e historianit Paolo Jovio, Pëshkop i qytetit Noçera, në veprën enciklopedike latinisht : « Elogia virorum bellica virtute illustrium et virorum litteris illustrium.” (botue pas vdekjes në Bazilea më 1575-1577)- (Lavde për njerëzit e shquem të luftës dhe për njerëzitt e shquem të letrave), në faqet 144-147 paraqitet një biografi e shkurtën e Skandërbeut ku shkruhet :
Në faqet 144 :
« Meqenëse ai po tregonte në moshën para shërbimit ushtarak një forcë të papërmbajtun prej shtatit të tij të naltë dhe prej zgjuarsisë së jashtëzakonshme, Murati e dërgoi në Azi kundër mbretit të Cilicisë.
Po aty në faqen 147 :
“Kishte një shtat të naltë dhe të ngjeshun me muskuj e me gjymtyrë të forta, me hundë të dalun e të harkueme bukur si të shqipes, pamje e gjallë e një Heroj të Madh. Këto veçori trupore i kemi dallue edhe te princat e familjes së tij që janë vendosun në Pulje.
Pse Paolo Jovio ishte njohun e kishte takue në Pulje me disa princa të familjes Kastrioti.

Në veprën e një Anonimi italian botue në Palermo më 1845 : “Storia di Giorgio Castriotto….” përkthye nga vepra greqisht e dijetarit Eugenio Bulgari botue më 1812, që ky e kishte përkthye nga një përmbledhje frengjisht të historisë së Heroit, mjaft e afërt me të vërtetën historike, nxierrë nga dëshmi e burime të kohës së Skanderbeut.

Në faqen IX të parathanies shkruhet : Egli era di una taglia colossale: si vedeva il suo capo al di sopra de’ suoi più alti soldati. Aveva il naso aquilino, il colorito bianco sparso di un color vermiglio, il fronte ampio e il mento un po ricurvato.

( Ai kishte një trup kollosi ; koka dallohej mbi ushtarët e tij ma shtatnaltë. Hundë shqipe. Fytyrën e bardhë me spërkatje vishnje, ballin e gjanë e mjekrrën pak të dalun.)
Kjo informatë asht marrë nga një përshkrim i shkurt prej 112 faqesh i një anonimi botue në Paris më1779, - Le Grand Castriotto d’Albanie, Histoire, Paris 1779 -. Autori ka dashun të mbetet anonim, por sipas kushtimit që i ban perandorit të Gjermanisë Jozefit II-të del se ai ishte një princ fatkeq i dëbuem nga vendi i tij dhe që rridhte nga Heroj, të cilit i tregonte trimnitë. Në këtë broshurë jepen të dhana mjaft interesante qe nuk përmenden nga autorë të tjerë.

(Mëndohet se princi në fjalë të ketë pasë dokumentë të saktë dëshmues të familjes nga koha e Skanderbeut, prandaj në shkrimin e tij gjënden fakte të pa përmenduna prej të tjerëve. Por ky dokument nuk dihet se në ç’skut arshivore gjënden.

Në faqen 4 të botimit të Palermos shkruhet : ….la natura per costituirlo in tutto superiore agli uomini suoi contemporanei, l’adorno’ di una simmetrica bellezza, di una maestosa statura e di una stupenda analoga complessione.
(….natyra e kishte krijue krejtësisht më të paraqitshëm ndaj bashkohësve të tij, duke e pajisun me nji bukuri simetrike, me një shtat madhështor dhe me një kompleks trupor të mrekullueshëm)
(Gjergj Kastrioti ne Prishtine)

Duke pasë mbeshtetë këtë ndërhyrje te koncepti i burimit ku uji del i kulluet nuk e shohim t’arësyeshme ta shtojmë shembuj të tjerë nga ato të literatures historike apo artistike, që, të gjitha njezanit, e paraqesin Skanderbeun si një njeri me trup te formuem mirë, shtat naltë dhe muskoloz. Dhe, siç e thamë, ma se 500 vepra i janë kushtue atij, nga shkrimtarë të të gjithë vendeve, duke fillue nga Venediku (Venezia) me Frangun, Barletin, Jovion, Sansovinon, Biemmin e të tjerë e në gjithë Evropën : Itali, Francë, Gjermani, Angli, Spanjë, Hollandë, Belgjikë, Danimarkë, Suedi, Poloni, Austri, Hungari, Rusi, vendet e Ballkanit, e pertej oceanit ne Amerikën e Veriut e atë të Jugut. Pa dallim, historia e figura e Skanderbeut paraqiten ne madheshtinë e tyne të vërtetë. E sa pë historianët e shkrimtarët shqiptarë që merren edhe me subjekte historike, ishte mirë që para se të nisin me shkrue, të lexonin disa dhjetra nga këto vepra, ato ma historike, që u shkruen nga historianë të vjetër e modernë të shquem, se sa te kerkojnë ta zgjidhin problemin me andrra në diell e fantazi bajate, kote e absurde, sepse ka dhe fantazi te bukura e e terheqëse.

Edhe krijimtaria artistike, nuk mund t’i shmanget së vertetës së fakteve historikisht të pranueme, pa çka se shkrimari ka te drejtë të livadhisi sipas tekjes e qejfit, por në rastin tonë konkret si shqiptarë që jemi dhe e mbajmë veten, nuk mund te pranojmë se Heroj vigan i historisë sonë të na paraqitet si burrec shtatvogël.. Kjo asht e padurueshme, e z. Ben Blushi, duhet të përulet e të kërkojë falje gjithë kombit shqiptar për këtë lajthitje të tij të pashpjegueshme. Për të tjera që ka shkrue nuk e shohim t’arësyshme të ndërhyjme, ua lajmë të tjerëve. Unë personalisht ndërhyna për një problem që njoh mirë, përsa i përket Skandërbeut, sepse që në moshën e re shkollore në Itali me ka ndjekun fati që të më bien në dorë e të lexoj çdo libër që shkruhej për Skanderbeun, dhe jam ma se i sigurtë, se sasia e veprave mbi Skanderbeun që kam lexue prej asaj moshe, ua kalon numurit të veprave që mund te kenë pasë nëpër duer historianët, shkrimtarët e akademikët, me tituj e pa tituj. Mjafton fakti qe, edhe vepren e Dhimitër Frangut qe “shkencëtarët” e kishin ne sirtar, nuk e kishin zbulue dot ose nuk donin ta zbulonin, e mu desh mue, 45 vjet në kafazet e diktaturës, që të vij e ta zbuloi e ta përkthej nga origjinali në Itali e Belgjikë. Prandaj çeshtja nuk qendron me pozita e tituj, por me perkushtim të palodhun ndaj problemeve historike e kulturore shqiptare, qe nenvleftësohen e disa pushojnë në skutat e arshivave ku hyn vetëm miu, i cili, ne mos tjeter ka privilegjin të brejë fletër e zverdhuna të doreshkrimeve të harrueme. Pse nuk u zbulue dorëshkrimi latinisht i Frangut ? E pra, ta dini mirë, se ai dorëshkrim, pushon diku, mes mija shkresurinave te atyne që e pervetesuen, e përkthyen dhe e paraqiten si të tynën. Nji ditë ai do të gjëndet.

Si përfundim, jam i sigurt, se po qe se Ben Blushi do te kishte lexue librin e Dhimitër Frangut ‘Veprat e lavdishme të Skanderbeut”, nuk do ta kishte shkrue atë marrëzi mbi një Skanderbeg trupvogël. Por nga ana tjetër sido që të paraqitet Skanderbeu e nga kushdo qoftë , i vogël, i zi, i kuq, i verdhë, mjekrrosh apo tullac, katolik, orthodoks apo islamik, për shqiptarët (por dhe për botën) ai mbetet gjithmonë kolos, trim, shqiptar i vertetë, Strateg i Madh, mbrojtë i lirisë e Hero i Madh i Kombit Shqiptar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora