E premte, 29.03.2024, 02:09 PM (GMT)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Demokracia lokale e Kosovës ndjek një logjikë tjetër nga ajo e nivelit qendror

E hene, 15.11.2021, 07:56 PM


Blerim Latifi:

Çfarë ndodhi?

Vetëvendosje i humbi zgjedhjet nga pafuqia për t'u kthyer në realitet pas ekstazës së 14 shkurtit. U futën në fushatën e zgjedhjeve lokale me idenë se gjithçka kishte ndryshuar radikalisht dhe përgjithmonë në atë datë dhe mjaftonte të ndiqnin formulën e atij ndryshimi për të korrur sërish një fitore spektakolare. Dhe kjo formulë mbante emrin e Albinit. Nuk e konsideronin fare të rëndësishme çështjen e kandidatëve për kryetarë të komunave. Besonin verbërisht se do të mjaftonte për ta që Albini do të qëndronte pas tyre dhe fitorja do të vinte.Doli që ky kalkulim ishte krejtësisht i gabuar.

Partitë opozitare, ndërkaq, ndoqën strategji krejt të ndryshme. Të nisur nga koncepti se këto zgjedhje ishin garë midis kandidatëve lokalë, e jo betejë e kauzave nacionale, ato u orientuan në emra me background të respektuar në komunitetet lokale dhe në strukturat partiake. Dhe kjo rezultoi krejtësisht e suksesshme.

Këto zgjedhje na e treguan qartë se demokracia lokale e Kosovës ndjek një logjikë tjetër nga ajo e nivelit qendror.

Dhe Vetëvendosje i humbi këto zgjedhje ngase nuk arriti me kohë ta perceptonte dhe vlerësonte këtë fakt.

_______

Ja po kryhen edhe këto zgjedhje! Që prej verës jemi duke u marrë me to. Pothuajse gjysmë viti ne e harxhojmë për çdo palë zgjedhje. Dhe gjatë kësaj kohe shpenzojmë fjalë dhe emocione të pafundme për t'i punësuar një grup njerëzish në zyrat e shtetit, njerëz që premtojnë t'i rregullojnë gjërat në këtë shoqëri, dhe kur vjen dita për të ikur, e shohim se problemet e para katër viteve janë po aty ku ishin. Ndërkaq, zhurma e premtimeve të reja e mbytë kujtesën e premtimeve të vjetëra. Kështu, nga viti në vit, vazhdon cikli në të cilin zgjedhim vazhdimisht dhe nuk zgjidhim asgjë realisht. Në fakt zgjidhim diçka: i bëjmë më të pasur ata që i zgjedhim!

_______

Sapo më erdhi nga Tirana ky libër shumë i çmuar: Apologjia e Sokratit, e shkruar nga Platoni. Qenka botuar në shqip, në Shkodër, nga Shtypshkronja “At Gjergj Fishta”, si sot 80 vite më parë.

Kush e di se çfarë kalvari ka përjetuar ky libër pas vitit 1944?

Ku mund të jetë ruajtur i fshehur gjatë kohës së komunizmit, i cili bashkë me Fishtën e kishte futur në indeksin e librave e autorëve të ndaluar edhe Platonin?

A është lexuar ky libër fshehurazi apo thjesht është lënë diku në ndonjë skutë të harruar të ndonjë arkivi privat apo shtetëror?

Kush mund ta thotë të vërtetën?

Përkthyesi i kësaj vepre, ndër më të famshmet në historinë e filozofisë, është Spiro Konda, një njohës i shkelqyeshëm i asaj kohe i gjuhëve klasike, greqishtes së vjetër e latinishtes.

Në atë kohë nuk mund të përkthente vepra të tilla gjithkush. Duhej të ishte filolog i njohur, që të mund ta bëje një gjë të tillë. Ky standard, për fat të keq, sot ende nuk është rikthyer në fushën e përkthimeve shqipe të literaturës filozofike dhe teorike në përgjithësi.

Periudha midis dy luftërave botërore ishte periudhë e njëlloj bumi intelektual e kulturor në Shqipëri. Botoheshin shumë revista kulturore, zhvillohej një jetë letrare e intelektuale shumë dinamike, dhe sapo kishin filluar të përktheheshin në shqip veprat e para të mëdha të mendimit filozofik. Ky përkthim i Apologjisë së Sokratit ishte fryt i asaj periudhe. Me ardhjen në pushtet të komunistëve, e gjithë kjo dinamikë kulturore u këput me rrënjë. U shpall borgjeze, reaksionare dhe armiqësore. Bartësit e saj, shkrimtarët e intelektualët liberalë, u persektuan sistematikisht. Shumë prej tyre përfunduan burgjeve të regjimit komunist, shumë të tjerë u detyruan të largohen nga atdheu, e të tjerë që mbetën në vend u detyruan të mbyllnin gojën. Kështu, ende pa lëshuar mirë shtat, kultura perëndimore në shoqërinë shqiptare u kosit. Vendin e saj e zuri ideologjia staliniste me degëzimet e saj kulturore, realizmin socialist dhe filozofinë marksist-leniniste, të kanonizuar nga Stalini. Atë që e kishin bërë osmanët me literaturën e vjetër shqipe shekuj më parë, tani po e përsëritnin në një formë tjetër vetë shqiptarët, të dehur nga ideologjia e një perandorie tjetër lindore. Edhe njëherë Europa ishte larguar nga horizonti shqiptar.

Përfytyrojeni për një moment sikur ky bum kulturor i asaj kohe të mos ishte ndërprerë! Sot kultura shqiptare do të kishte përmasa të tjera të zhvillimit. Mbase të barabarta me ato të vendeve të zhvilluara europiane. Dhe sigurisht sot shqiptarët nuk do t’i ngrysnin ditët e jetës së tyre duke ëndërruar për ditën kur do të jenë pjesë integrale e familjes së demokracive perëndimore. Sepse kjo ëndërr do të ishte realizuar shumë më herët.

_______

Gjuhëtarët thonë se sintaksa dhe fonologjia përbëjnë armaturën kryesore mbrojtëse të një gjuhe, ndërsa leksiku vetëm pjesën e jashtme të kësaj armature. Kur një gjuhë "sulmohet" nga një gjuhë tjetër, goditjet e para bëhen mbi leksikun e saj. Fonologjia kundërpërgjigjet duke i mbajtur jashtë gjuhës fjalët e gjuhës "sulmuese", ose duke i pranuar ato në formë të modifikuar e të adaptuar brenda gjuhës së "sulmuar". Ja një shembull : fjala shqipe ftoni. Etimologët thonë se ftoni është modifikim fonologjik në shqip i fjalës latine cotoneus. K-në latine shqipja e ka shndërru në f dhe kështu cotoneus latin është bërë fillimisht fotoneus dhe në fund në shqip e ka marrë formën ftoni.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora