E enjte, 28.03.2024, 07:26 PM (GMT)

Kulturë

Daniel Gazulli e Fritz Radovani: 111 vjetori i nanës sonë shqiptare!

E diele, 14.11.2021, 02:24 PM


Punue nga: Daniel GAZULLI e Fritz RADOVANI

111 VJETORI  I  NANËS  SONË  SHQIPTARE!

“Nuk mund të jetë popull i vogël ai që ka dhanë një Nanë kaq të Madhe.”  - Kardinali Paskal

E shihni këte Portret të qeshun e të lumnueshëm?

E dini ku asht le Nana Jonë Fisnike?

- Këtu, zotni mësues! Këtu! – nxitohet Kelmendi i vogël tue ndalë gishtin e njomë në hartë, diku në Veri të Shqipnisë.

– Pak ma andej.., edhe pak ma andej.., edhe pak, se edhe aty asht Toka jonë Shqiptare. E shikon aty ku  lexohet Shkupi? Aty asht le Nanë Tereza!

Mandej mësuesi, si tretet për një çast në mendime, u drejtohet rishtas vocrrakëve:

- Aty asht Toka jonë. Pikërisht aty u le dhe luftoi për Atdhe Leka i Madh, Aleksandri i Maqedonisë. Ishte i biri i mbretit Iliro – Shqiptar, Filipi II dhe i Olimbisë, një princeshës Ilire, e bija e mbretit të Epirit - Neoptolemi I.Leka i Madh asht Ilir, si Katrioti, Fishta, si Nana, si ti e unë.

Ajo tokë Shqiptare, që sot thirret Maqedoni, në veri kufizohet prap me një tjetër tokë Shqiptare, Dardania, që edhe ajo mbas pushtimit nga sllavët u quejt Kosova. Aty gjendet Prizreni prej nga shkuen në Shkup familja Bojaxhiu. Gonxhja e vogel, asht lé me 26 Gusht 1910 në Shkup, prej prindëve Kolë e Drande Bojaxhiu, nga Prizreni. Kur ishte vajzë shumë e re shpëton përmrekulli nga sëmundja e tuberkulozit, që aso kohe fshinte njerëzimin nga faqja e dheut.

Për Gonxhen e re ai asht momenti vendimtar i gjithë jetës së Saj, kur Ajo i përkushtohet “mjerimit” material të njerzimit, skamjes, vuejtjes, sëmundjeve shfarosëse, e asaj ma të randës nga të gjitha këto në mbarë botën: Përbuzjes së këtyne miljona viktimave njerëzore nga njeriu!

Nga Shkupi i Shqipnisë, me 13 Tetor 1928, Ajo shkëputët si meteor, kalon nëpër Kroaci, Austri, Zvicërr, Francë e përfundon në një kuvend Motrash në Dublin të Irlandës.

Por “Tereza e Krishtit fëmijë” nuk ndalohet ma, Ajo vazhdon udhtimin e Saj rreth planetit  tue u ndalë në  një prej “mbretnive të vorfnisë”, pranë botës së panjohun të Indisë ku, shpati i Himalajave bie poshtë e pushon i zhytun në një skamje të dhimbëshme e gropë sëmundjesh të mënershme ngjitëse për njerëzimin. Në atë humnerë të shfarosjes së njeriut  ndalet Ajo!

Nana e njihte përbuzjen, shtypjen dhe dëbimin nga njeriu i pashpirtë qysh fëmijë, kur populli i Saj ishte nën sundim të shkajut aqsa, tue folë për ato mizori sllave mbi shqiptarë, At Gjergj Fishta thonte se; “ .... edhe vetë historia ka t’keq e turp me i përmendë e me i rreshtue ndër fletët e veta”. (Kanibalizmi sllav, HD, 1, 1913.). Po përbuzja nuk e kishte prekë zemren e saj, përkundrazi, në Te ajo kishte mbjellë një dashuni që do të rrezatone në mbarë botën.

Bengal e Kalkuta janë qendrat e Misjonarës së panjohun. Në vitin 1948 arrin me bindë Papën Piu XII, se Motra e Loretos, ka zgjedhe një rrugë shumë ma të vështirë se ajo që njihej ndër kuvendet e Europës dhe të shumë shtetëve të zhvillueme. Kështu, Ajo, në vitin 1949 bahet shtetase Indjane dhe formon Kongregatën “Misioni i Dashnisë”, që u miratue edhe nga Vatikani, tue fillue rrugën e vështirë, të panjohun e plot të paprituna, por me bindje të patundun në qellimin e madh për të cilin gati askush nuk i besonte!

Ajo deklaron: “Vorfnia për né asht Liri, nuk asht turp as ndëshkim...!”

Piksynimi i Saj asht pikërisht ai, që At Mëshkalla shkruen në vitin 1942: “Kisha kërkon vetëm të drejtën me shpallë lirisht mësimet e Ungjillit dhe me theksue detyrën e ndërgjegjes me rrokë Fenë e Krishtit”. Poaty, vazhdon: “ ... zelli për Fé, si çdo gja tjetër e mirë, mundët me u largue prej qellimit të Shénjtë, tue u teprue. Atëherë bahet fanatizëm”. Thotë apo e ka thanë? Jo më kot përdora të tashmen “thotë”. Se ai e “thotë” për dje, për sot e për nesër. Ta marrin mirë vesht shqiptarët, pavarësisht të ç’besimi janë! Pse kemi shumë nevojë ta kuptojmë këte. Kemi shumë nevojë. Po Ajo, e Madhja Nanë, e kishte kuptue qysh para se të merrte “udhën e Indit”. Prandaj edhe  “muslimanve u lexonte Kuranin, Induve u jepte uji nga Gange, e katolikët i kungonte”. Ja edhe fjalët e Saj të vlefëshme si kurrë për sot, por edhe për gjithmonë: “E kam thanë gjithmonë se duhet të ndihmojmë një indù të bahet një indù ma i mirë, një musliman të bahet një musliman ma i mirë dhe një katolik të bahet një katolik ma i mirë”.

Ma të vorfënit e ma të vorfënve, që Ajo i mori nën mbrojtje, nuk ishin katolikë, siç thonë disa mendjeshkurtë, po indù, muslimanë, protestanë e gjithëfarë besimesh e kombësishë, që mblodhi streha e Saj, se i tillë ishte brumi me të cilin Ajo arriti me gatue dashuninë për njeriun, pa kurrëfarë dallimi mjeran apo rracor.

A nuk kishte ndodhë po kështu gjysë shekulli para saj me të madhin At Fishta, që në shkollat e tij kishte nxanës nga të gjitha besimet dhe krahinat e Shqipnisë së zhytun në errësinën e padijes otomane? Shumëkujt, pikërisht ndër ne, vllaznit e bijtë e Saj, shpirti edhe i birret tue nda në parcela ata që vetë Zoti i fali një: SHQIPTARË.

Ajo asht shumë e sigurtë se do të mërrijë me u kuptue një ditë nga gjithë bota për këte vëpër që ka ndërmarrë për të mirën e njeriut, dhe koha provoi se vëndosmenia e Saj lidhej me diçka ma shumë se “pasunia” materiale e njeriut. Ndër të parët njerëz që arrijtën me kuptue Nanë Terezën ishte Xhon Kenedy, të cilit Ajo i kërkoi me e ndihmue me ardhë në Shqipni, për me takue Nanën e motrën e vet, mbasi rregjimi komunist nuk e lejonte me shkelë në Atdhe. Presidenti Kenedi i siguron Nanë Terezës se mbrenda 24 orëve mund të urdhënohet Tirana për me hy Ajo, por, “për Ju unë, nuk e këshilloj këtë veprim...” dhe, Nanë Tereza tërhiqet dhe nuk vjen në Atdhe.

Ata e mohuen dhe ka që vazhdojnë edhe sot rrugën e tyne, pse Ajo, siç ka me u ngja brezave të ardhëshme do t’i duket porsi legjendë, Ajo imcakja dhe e Madhja si askush në shekull të Saj, se kishte arrijtë me dashuninë dhe fjalën e Zotit të bahej Mësuese e 7 500 fëmijëve në 60 shkolla, mjeke e 960 000 të sëmuetëve në 213 dispanseri, shërbëtore e 47 000 viktimave të lebrozës në 54 klinika, kujdestare e 400 pleqëve të braktisun, Nanë e Vertetë e 160 fëmijëve jetimë a të mohuem nga të katër anët.

Asht ajo kohë kur India e largët e vlerëson Nanë Terezën ma shumë se Shqipnia. Vetë Nehru, i jep shpërblimin “Padna Shri”, në emen të qeverisë.

Mahatma Gandi u thotë gazetarëve për Nanë Terezen:

“Trendafili nuk ka nëvojë të predikojë, aroma asht predikimi i tij..”

Dhe, njenimbastjetrit, vazhdojnë vlersimet: Po në 1962, Filipinet, Tanzania, dhe pason Australia; Melbourne, Angli, Amerikë, Romë, prap New York, hapën institucionet e reja në Bangladesh, Los Anxheles, e deri në Vietnam në vitin 1975.

Në vitin 1976 në Indi, ka 66 shtëpi që administrohen nga Nanë Tereza, dhe 34 tjera jashta Indisë, ku Motrat dhe gjithë personeli i sherbimit kalon shifren 1350 vetë. Spitalet, shkollat dhe qendrat e mjekimit ku janë përfshi edhe strehimoret, arrijnë në 729. Ndërsa shifra e njerëzve që mjekohet ndër ato qendra apo strehohet ndër jetimore, të sëmutë me gërbulë etj.., kalojnë shifrën 6 miljon vetë. Me datën 22 Gusht 1968 u hap Kuvendi i Parë i Misionarëve të Bamirësisë edhe në Evropë. Shtëpia ishte një kësollë me çati llamarine.., shkruen, Franca Zambonini.

Në vitin 1979, me datën 10 Dhjetor, Nanë Tereza asht e pranishme në Oslo, ku, merr çmimin “Nobel” për Paqë... Aty, Ajo, kërkon korrigjimin e dokumentit, tue deklarue: “Nga gjaku dhe prejardhja jam Shqiptare, kam shtetësi Indjane, jam murgeshë Katolike. Nga primja i përkas gjithë Botës. Në zemër i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit!”.

Në sallë i drejtohet Mbretit Olaf V: “Po përsëris, Madhni, aborti asht një vrasje!”

Dhe pak ditë ma vonë deklaron: “I mora paret nga duert e lypsit dhe ndjeva në zemër që prej tij kishe marrë ma shumë se çmimin ‘Nobel’...”

Akademia që i dha Çmimin Nobel jo gjithmonë asht dallue për zgjedhje të paqortueshme. A nuk e moren atë çmim edhe nga ata që kishin derdhë gjak të pafajshmish? Vetë themeluesi i këtij çmimi, a nuk ishte pak “nobel” (fisnik) e se pasuninë e pamatë e kishte sigurue me barut për me ndezë luftnat e jo për paqë? Si po ndodh edhe sot ndër ne, kur çmimi “Nderi i Kombit” po u jepet edhe atyne që, si e thamë në fillim, historia “do të ketë keq e turp edhe me i përmendë”. Por, kur iu dha Asaj Çmimi Nobel, Akademia, pa ma të voglin dyshim, pat një ndriçim hyjnor. Mjaft të lexojsh motivaciononi: "per veprën e kryeme në luftën për të mundë vorfninë e mjerimin, që përbajnë edhe një kërcënim për paqën”.

Vorfëninë dhe mjerimin. Jo “edhe një kërcënim për paqen”, por “një kërcënim për paqen”, pa ate “edhe” të panevojshme. E një fyemje për denjitetin njerëzor. Pse i vorfëni, bashkë me mungesën e kafshatës së gojës, mungesën e sherbimit mjeksor, të shkollës për fëmijtë, humb, s’do mend, edhe denjitetin.

Ajo, imcakja, e Madhja, Nana jonë, e desht Njeriun NJERI ME DENJITET, të barabartë para Zotit e në mes gjithë anëtarëve të tjerë që formojnë atë që na e quejmë “Shoqni Njerëzore”. Po a asht ajo vërtetë “njerëzore” nëse nuk mposhtim, ma së pari, vorfëninë e mjerimin?

Janë shtetet që tashti kërkojnë praninë e Motrave të Saja, me “Sarin e Bardhë me vija ngjyrë qielli dhe të ngjeshun për parzëm Kryqin”, tue fillue nga Gjermania, Spanja, Kili, Belgjika, Etiopia, Argjentina, Guinea, Franca, Kolumbia, Japonia, Korea Jugut, Bolivi dhe Gjermania Lindore. Në atë muej që ishte Papë Pali II, në vitin 1980, Ai takohet me Nanë Terezen, dhe Motrat e Saja, ndërsa, “Misionarët e Dashnisë”, janë në Milano, Primavalle të Romës, Napoli, Bari, Raguzë, Kalabri etj.

Papa Gjon Pali II, me plot gojë mund të quhet se asht ndër Ata pak njerëz që arrijtën me kuptue Shejtninë e Nanë Terezes, qysh ku Ajo ishte në mes njerëzve në këte Botë, pikërisht kur, Ajo me duert e Saja, mjekon lebrozët, të gerbulunit, të sëmutët me SIDA në qendrat “Gift of Love”, ku, “Dashnia asht me të vërtetë një dhuratë”, pikërisht aty ku, tue dhanë Shpirt, mes atyne vuejtjeve dhe dhimbjeve të papërshkrueshme, ku nuk ndigjohet asgja tjetër veç ofshamjes, Papa Gjon Pali II, kur vizitoi Shtëpinë Nirmal Hriday në Kalkuta, tha:

“Kjo ishte dita ma e gëzueshme e gjithë jetës seme!...” (4 Shkurt 1986). Një gazetar pyeti Papën Gjon Pali II: “Si mund të flasë Kisha, në gjuhën kristjane evangjelike në Liban...?”...Ishte ajo kohë kur armët aty nuk pushonin për asnjë çast...

Papa përgjegjet: “E di Nanë Tereza, që shkon në Liban për atë punë, e di edhe pa studjue shumë libra. E di pse kjo, i përket Shpirtit të saj, gjenisë së saj, Zemrës së saj...”

Për 24 orë, sa Nanë Tereza ven kambën në Liban, shpallët armëpushim...

Në vitin 1980 asht “Qytetare Nderi” e Shkupit...

Në vitin 1988, Ajo hapë një Shtëpi edhe mbrenda rrethimit të Vatikanit.

Depërton në Moskë në 1987, në Çeki, Kamboxhia dhe Emni i Saj, tashma, ka pushtue pothuej gjithë skutat e globit njerëzor...

Në vitin 1989, ma në fund, vjen edhe në Shqipni.., ku, Ajo zbaton porosinë e Krishtit: “Duejni anmikun tuej...!” Nanë Tereza ndezi edhe një qiri mbi vorrin e diktatorit ateist...

Mbas vitit 1989 Nanë Tereza ka disa probleme të randa shëndetsore, por dëshira e Saj për të çue deri në fund Misionin e Madh, nuk e len me u terhjekë nga vështirsitë që i janë krijue nga shëndeti dhe, sigurisht, edhe nga mosha. Në vitin 1991 Ajo vjen prap në Atdhe, por këte herë me pikësynime të tjera...Shqipnia, ndër të fundit shtete socialiste, asht e detyrueme me e pritë në “Pallatin e Sportit” në Shkoder, i cili, posa fillon me u rikthye në thëmelet e para të Katedrales së dhunueme më 1967... Shqipnia asht vendi ku “Muri i Berlinit” s’ kishte ra ende!

Ardhja e Nanë Terezes në Atë Kishë të shkatrrueme dukej sikur një prej veprave të artit, kur Jezu Krishti, me kamxhik në dorë, po dëbonte tregtarët nga Tempulli i këthyem në treg...Por jo, Nanë Tereza vjen me Rruzaret e Zojës në duert e Saja të Bekueme dhe asht Ajo, që dëboi njëherë e përgjithmonë nga zemra e Popullit Shqiptar ateistët e mallkuem të doktrinës rrënuese të Shekullit XX, jo vetëm në Shqipni, po në gjithë Evropën Lindore... E, deri larg në brigjet e tokave të akullta siberiane... Marksizëm – Lenizmi dështoi në gjithë Botën...Feja filloi shpejtë ripërtrimjen e Saj në gjithë shtetet komuniste, tashti të lira e demokratike.

Data e paharrueshme historike e pranverës së shumëpritun nga gjithë Shqiptarët, me 25 Maji 1993, shënon në kujtesën tonë historike ato çaste të paharrueshme, kur në Katedralën e Shkodres, tashma të rindërtueme, erdhi Papa Gjon Pali II, dhe bashkë me Té asht edhe Ajo, që tashma gjithë Bota e quen “Shqiptaria e Madhe, Nanë Tereza”, për të cilën, Papa tha:

“Ju falnderoj sot në emnin e Kishës Katolike, për këte Bijë të Tokës Suej dhe të Popullit Tuej...”

E, shka mundesh me i shtue kësaj frazë..?

Ja, pra, në pak rreshta kush ishte Nanë Tereza e Kalkutës...

Edhe pse, Shqipnia u rikëthehët trazimeve më 1997, Ajo me ngulm kërkon Paqë... Me forcë thërret ndalimin e armëve dhe shkrepjet e tyne barbare... “...Ju lus, mos i shkaktoni njenitjetrit ma shumë vuejtje...!”

Sa domethanëse asht kjo fjali.., sikur do me na kujtue: “A nuk ju dalin boll ato vuejtje që keni kalue..,po kërkoni edhe ma shumë...?”. Megjithate, Shqipnia vazhdon rrugën e saj drejtë pushkës e vrasjeve, drejt armëve e djegëjes së njeriut në zjarr, në rrugët e zharrituna të Vlonës.., sepse, komunistët nuk njohin demokraci...Janë ata që ishin edhe para vitëve 1989 – 90, janë ata që drejtonte Ramiz Alia nga Presidenca me datë 2 Prill 1991, po nuk duhet të harrojmë kurrë, se janë edhe bijtë e atyne, që kështu kanë veprue edhe në 1944, kur erdhën në pushtet, tue brohoritë: “Me gjak...Me gjak...!” dhe me të vertetë “me gjak.., e me plumba ... Po kërkojnë me mbajtë pushtetin...!”

Dikush sot (tue qenë shqiptarë) thotë, se shtatoren e Nanës të mos e vendosim këtu apo aty, jo jo, diku ma andej, ma në anë, ma ... e, dikush thotë: “Për turpin e tyne..!” –  Jo, jo pra, kjo asht edhe për “turpin tonë”. Po Nana e Madhe vazhdon të lutët: “O Zot, hiqja mallkimin Tand Shqipnisë!..”

Mjeku thonte për Nanë Terezen:

“Mendoj se zemren ia kanë damtue dhimbjet dhe shqetësimet  që Ajo ndien për tjerët...”...E, kush janë “të tjerët..”? Një pjesë janë bashatdhetarët e Saj... Ndërsa, shumica, – janë pikërisht, Ata që, tue kenë në mjerim, vuejtje, dhimbje...por tue ndje veten në duert e Nanë Terezes, janë “të lumtun”.., kur shohin vetën nën Sarin me vija ngjyrë qielli...Po, nën Sarin që sot valvitët rretherrotull globit tokësor...

Vepra e Nanë Terezes asht e pavdekshme, këte e tregon vazhdimsia e saj.

Sot janë 759 shtëpi të hapuna për ma të vorfnit e të vorfënve, ku shërbejnë mbi 5000 motra, tue mos harrue se edhe afro 1000 të tjera janë në prëgatitje për këte mision.

E nuk janë aq pak sa kujtojmë na, Ata që besojnë tek Mbrekullia e Nanë Terezes, .., po janë miljona njerëz të mjeruem, që kanë provue dhe provojnë çdo ditë lumninë e lutjes së Saj!...

Po cili në botë nuk u mrekullue prej mrekullive që Nana i bani në të gjallë: kur ndali luftën me tërheqë të plagosunit, kur iu përkulen e i puthen dorën ma të fuqishmit e botës – të të gjitha besimeve e të të gjithë sistemeve? Pse Ajo ISHTE. Pse Ajo ASHT e Ajo DO TË JETË.

Papa Gjon Pali II ka thanë: “Nanë Tereza asht grueja që i dha trajtë Shekullit XX.”

Ronald Regan: “Kishte fjalët në përputhje të plotë me jetën, diçka vërtetë e rrallë në botën e sotme.”

Mark Krasniqi: “Simbol i traditës sonë”.

Helmut Kohl: “Shembull i mirësisë së humanizmit njerzor.”

Indira Gandi: “Me u takue me Te, domethanë me ndje pushtetin e butsisë, forcën e dashnisë.”

Bill Klinton: “Nanë Tereza, ishte e para Ajo që më bani me e dashtë kombin Shqiptar. Dhe tashti ndjehem shumë krenar që plotësova një detyrë morale ndaj Saj dhe ndaj vlerave të lirisë”.

Toni Bler: “Shpirti i Saj do të rrnojë si frymzim për të gjithë ne!”

Martin Camaj: “Legjendë e gjallë. Luftare kundër mjerimit njerëzor”

Shqiptarët, po të çelin sytë e shpirtit, kanë kah me shtegtue: Udhën tonë e ka ndriçue përjetësisht AJO me dritë prej bebëzes së një Zemre të Madhe, që ka vend për Shqiptarë sa janë në mbarë njerëzimin pse, Ajo ishte, asht e do të mbesë në shekuj të shekujve NANA JONË E LUMNUESHME. Ajo ndërroi vërtetë jetë një ditë të largtë gushti, por nuk vdiq. Nana rron e do të rrojë në qenjen e në veprën e saj hyjnore.

Nana së shpejti mbush 111 vjet.

Mandej do të mbush dyqindë, njëmijë, dymijë ...Pafundësisht!

Gusht, 2010.

Melbourne, 26 Gusht 2021.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora