Editorial
Enver Bytyçi: Open Balkan është i paligjshëm nga pikëpamja juridike!
E shtune, 13.11.2021, 05:53 PM
Open Balkan është i paligjshëm nga pikëpamja juridike!
Nga
Enver Bytyçi
Kemi
shkruar e kemi folur pa fund për disavantazhet shqiptare e avantazhet serbe të
iniciativës Rama-Vuçiq të Minishengenit apo të Open Balkan. Tashmë është shumë
e qartë se Ballkani i Hapur i shërben interesave serbe në rajon. Por është
interesant fakti që disa përfaqësues të SHBA-ve, pavarësisht kësaj, e
mbështesin këtë iniciativë. Ndërkaq Bashkimi Europian, përfshirë Komisionin dhe
Parlamentin, është kundër saj. Ndër vendet europianekundër Open Balkan është më
së shumti Gjermania. Kjo edhe për faktin se Minishengeni në fillim e Open
Balkan më pas u krijuan si kundërshti e Iniciativës së Berlinit. Vetë
protagonistët e Ballkanit të Hapur e pranojnë se ai është një alternativë
ndryshe. Nuk thonë se është një alternativë kundër, natyrisht!
Por
askush nuk është ndalur të mendojë se cila është baza juridike e Open Balkan?
Askush nuk ka parë një dokument themelimi dhe pranimi nga krerët e shteteve dhe
qeverive të Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë! Unë nuk e di se çfarë ka
ndodhur në Beograd e Shkup. Megjithatë të gjithë e dinë se në Tiranë Edi Rama
është i vetmi që flet për Ballkanin e
Hapur. Të tjerët ose kundërshtojnë, ose heshtin. Heshtjen e preferon edhe
opozita edhe presidenti i vendit!
Inciativat
ndërkombëtare e rajonale, projektet në marrëdhëniet ndërkombëtare si rregull
duhet të kenë autorizimin e presidentit të Republikës. Por shqiptarët nuk kanë
asnjë informacion nëse presidenti Meta ka nënshkruar ose ka dhënë ndonjë
autorizim të tillë që shefi i ekzekutivit të angazhohet në përmbylljen e një
iniciative si kjo! Do të duhej që dokumentet e marrëveshjet e kësaj
iniciative të paraqiteshin, të
diskutohej e të miratoheshin në Parlamentin e vendit. Por kjo nuk ka ndodhur
asnjëherë, megjithëse iniciativa është promovuar në nëntor 2019, d.m.th para dy
vitesh, në Novi Sad të Vojvodinës.
Qytetarët
shqiptarë nuk kanë parë dhe nuk kanë dëgjuar për asnjë debat të zhvilluar nga
komisionet parlamentare për këtë iniciativë. Nuk kanë dëgjuar për asnjë tryezë
me diplomatë, ekonomistë, financierë, juristë dhe specialistë të fushave të
ndryshme, me të cilat është angazhuar iniciativa Beograd-Tiranë e Open Balkan.
Madje as në mbledhjen e qeverisë kjo çeshtje nuk është bërë objekt diskutimi.
Debatet mbeten thjesht në kuadrin e thash e themeve dhe të ekraneve
pro-qeveritare të televizioneve shqiptare.
Gjithçka
që ka të bëjë me iniciativën e Ballkanit të Hapur është e mbetet ekskluzivitet
i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Vetëm ai mund të flasë për këtë
çeshtje! Vetëm ai mund të bëjë presion mbi liderët e Kosovës që ata ta pranojnë
iniciativën e Aleksandër Vuçiq në kushte diskriminimi të shtetit të tyre për
shkak të mosnjohjes nga ana e Serbisë! Vetëm ai mund të përcaktojë se kur
Beogradi do të duhet të kërkojë ndjesë për krimet dhe genocidin e ushtruar
kundër shqiptarëve në Kosovë! Vetëm ai ka të drejtë të vendosë se çfarë është e
drejtë ose e padrejtë, çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe për
Shqipërinë, për Kosovën dhe për shqiptarët në Ballkan!
Edhe
sikur Minishengeni apo Open Balkan të sillnin parajsën për ne, protagonizmi i
tillë I Edi Ramës do të duhej të shqetësonte çdo qytetar të vendit tonë.
Ndërkohë që jemi para një terri informativ dhe mungesës së informacionit që
duhet të kenë qytetarët shqiptarë rreth samiteve që bëhen. Jo për kuriozitet,
por që njerëzit të binden për atë se kryeministri punon për interesat e
qytetarëve do të duhet që gjithçka të autorizohet nga presidenti, të diskutohet
në parlament dhe komisionet parlamentare, të debatohet me grupet e
specialistëve, sidomos të diplomacisë.
Dhe
ajo çfarë e bën akoma më të errët situatën lidhet me faktin se opozita formale
e Partisë Demokratike qëndron indiferente, e patrazuar. Ajo nuk e ngre çeshtjen
në parlament, jo më të kërkojë ndonjë interpelancë me kryeministrin e vendit.
Them me kryeministrin, sepse ministrja e Jashtme është thjesht një kukull në
poltronin e kabineti të saj!
Në
këto kushte askush nuk beson te iniciativa të tilla. Aq më tepër kur shohim se
që tani kanë filluar serbët të "pushtojnë" territorin shqiptar,
sidomos në bregdet, me qëllim tjetërsimin e pronës së shqiptarëve! E bashkë me
ta edhe investitorë të shumtë, madje mafiozë, të Rusisë!