Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Tahir Bezhani: Dje në fshatin Gri të Krasniqes - Tropojë, u varros Zeqir Lushaj

| E premte, 12.11.2021, 08:55 PM |


DJE NË FSHATIN GRI TË KRASNIQES-TROPOJË, U VARROS ZEQIR LUSHAJ

NGA TAHIR BEZHANI

Me 11 Nëntor 2021 në ora 13 00, në fshatin e lindjes Gri, të Krasniqes, Tropojë, u varros biri i nderuar i kësaj ane, gazetari, publicisti, poeti, shkrimtar e atdhetari i devotshëm i çështjes kombëtare, z. Zeqir Lushaj. Në varrimin e të ndjerit morën pjesë disa qindra qytetarë të rrethit të Tropojës dhe disa qyteteve të Shqipërisë, Kosovës, miq e shokë të shumtë të z. Zeqir Lushaj, të cilët me lot në sy e dhimbje të madhe, ia dhanë lamtumirën e fundit këtij doajeni të jetës dhe  kulturës sonë letrare e publicistke.

Zeqir Lushaj u varros në fshatin Gri të Krasniqes së Malësisë së Gjakovës me porosinë e tij, nga se vendlindja e tij e dashur Gria, ishte më e  dashur e madhështore se sa Amerika ku i kaloi afër njëzet vite jete e pune. Dëshiroi poeti t’i pushojë trupi në dheun qe e lindi dhe e rriti, dëshiroi që edhe në atë jetë të jetë pranë babait të tij, Sadik Selmanit zëmadh, i cili ishte i njohur në tërë Malësinë e Gjakovës për bujarinë, fisnikërinë e mençurinë nëpër breza. Aty, te Blini, te ai simbol i pritjeve bujare të udhëtarëve të lodhur nga largësitë, nga Lekbibaj, ku i priste buka e kripa dhe fjala e urtë e Sadik Selmanit.

Mu aty  deshi edhe Zeqir Lushaj që t’i pushojë trupi në përjetësi, rrethuar me bukuri të rralla të atyre Alpeve, nën hijet e gështenjave pambarim. Nuk është e rastit dëshira dhe amaneti i tij për t’u varrosur në fshatin e lindjes, Gri, kur e dimë se penda e mprehtë e poetit Zeqir Lushaj, kurrë nuk ka pushuar se shkruari për vendlindjen, Tropojën,  Valbonën, bjeshkët e bukura dhe gjithë atë hark Alpesh me bukuri mahnitëse, për ata njerëz që i deshi aq shumë. Gjeneratat do ia lexojnë veprat dhe do ia  vlerësojnë e shpërblejnë  gjithë punën e tij. Në këtë tubim mortor, pranë varrit të ndjerit Zeqir Lushaj, mori fjalën miku e shoku i pandashëm i jetës studentore e deri në ditët e sotme, z. Sabit Lleshi, i cili foli për jetën, punën dhe veprën e z. Zeqir Lushaj, si student, gazetar, pedagog, atdhetar, publicist e krijues i disa veprave poetike e jo vetëm.

Në biografinë e të ndjerit z. Zeqir Lushaj, vend të veçantë zë jeta plot përplasje  gjatë kohës së tranzicionit në Shqipëri, i cili qe i detyruar që të merrte rrugën e largët për në SHBA, si shumë të tjerë, për të mbijetuar krizave të thella në Shqipëri. Atje qëndroi me bashkëshorten Sabrien për afër njëzet vite, ku kthehet në atdheun e tij të dashur, Shqipëri, në Shëngjin, për të filluar jetën e re, ndërsa djali i vetëm, ishe vendosur në shtetin e Zvicrës, ku ndodhet edhe sot.

Dje, dita e enjte, e 11 Nëntorit 2021, do mbetet një nga ditët më të dhimbshme në kujtesën e shokëve e miqve të z. Zeqir Lushaj, të cilët ia dhanë lamtumirën e papritur, të hershme, këtij kolosi të kulturës sonë kombëtare. Me lot në sy vargohej kolona e njerëzve në drejtim të Bajram Currit, duke lënë prapa një varr, një dhimbje që nuk harrohet kurrë....

JETA ËSHTË E MBUSHUIR ME KONTRASTE TË THELLA....

Jeta gjithmonë  sjellë befasira, kontraste të papritura, të hidhura, të papërballueshme, të dashura e kështu me radhë. Kush do të më bindte me datën një tetor, se pas  një muaj e pak, do i shkoja në varrim mikut tim të dashur, poetit e njeriut emblematik të kohës sonë?!.... Kurrë nuk do e besoja! Por, jeta i ka këto të papritura, befasi që të provokojnë deri në shpirtë. Nuk do e harroj kurrë takimin e kësaj dite të një tetorit në  Shkukës të Gjakovës, kur erdhi me dr. Domenika Gjekmarkaj, (Kapllaj), bashkëshortin e saj, motrën e dy nipa nga Shëngjini. Pas një orë ndeje donim të ishim bashke edhe të nesërmen në Tropojë, Valbonë e kudo, por nuk ishte e mundur.

Në kujtimet e mia mbetën përgjithmonë të paharruara takimet që nga i parë deri te  i fundit, dita e një tetorit, foto që më përcjellin kujtimet e pasosura dhe respektin e pa harruar kurrë....

Njerëzve të mëdhenj e të dashur, ua kemi borxh kujtimin, mos harresën e përjetshme, sepse ata na obligojnë me veprën e tyre.

Pushofsh në Paqe miku im i shtrenjtë dhe i paharruar kurrë!...

Takimi i fundit me Zeqir Lushaj, motrën e tij dhe Dr. Domenika Gjekmarkaj, 1 tetor, 2021