Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lea Ypi: Të Lirë

| E shtune, 13.11.2021, 04:10 PM |


(Kurioziteti i lexuesve duhet respektuar.

Ja një fragment prej librit "Të Lirë" nga Lea Ypi që del pas pak ditësh - Edison Ypi)

Përpara dyqaneve kishte gjithnjë radhë, një radhë që ngjizej në pritje të kamionit të furnizimit. Po të mos kishe miqësi me shitësen, radha ishte e detyrueshme. Ky ishte rregulli i përgjithshëm. Por brenda tij kishte edhe një përjashtim të çuditshëm. Në vend që të qëndroje vetë në radhë, mund të vendosje një send. Ky kalim pushteti tek sendi, jo vetëm që lejohej, por edhe këshillohej. Sendi në radhë shërbente si përfaqësues i radhëmbajtesve; ai u jepte atyre lirinë të largoheshin për të bërë një pushim të shkurtër. Natyra e këtij sendi ndryshonte: ai mund të ishte rrjetë për psonisje, bidon teneqeje, shishe bosh, tullë ose gur. Ama funksioni përfaqësues mbetej i njëjtë. Por të gjitha këto kishin me pak rëndësi sesa ajo çka duhej kuptuar thelbësisht. Dhe ky ishte rregulli i dytë, i cili kishte miratim të njëzëshëm dhe zbatohej me përpikmëri. Sipas këtij rregulli të dytë, sendi i zgjedhur për të zëvendësuar njerëzit i humbte plotësisht vlerat e tij përfaqësuese në çastin e mbërritjes së kamionit të furnizimit. Nuk kishte rëndësi nëse kishe të bëje me rrjetë, kanaçe, tullë, gur apo çfarëdoqoftë. E thënë shkurt, rrjeta ishte thjesht rrjetë. Me të ardhur ai çast vendimtar, nuk mund të quhej më njeri.

Radhët dalloheshin në ato monotone, ku nuk ndodhte asgjë dhe në ato ku gjithnjë diçka lëvizte. Në rastin e parë, për vendosjen e rendit mbanin përgjegjësi sendet përfaqësues. Në rastin e dytë, radhët ishin të zhurmshme dhe kaotike. Sendet përfaqësuese zhdukeshin papritur dhe në vend të tyre mbinte nga dheu një turmë njerëzish: qindra gjymtyrë në lëvizje, koka që zgjateshin përtej barrikadës njerëzore për të parë ç’furnizim kishte ende matanë banakut, shpatulla që përplaseshin me njëra-tjetrën, duar që kapeshin e lëshoheshin në hesap të tyre, psherëtima ankthi e piskama zemërimi, shitëse me sytë e mobilizuar katër në kërkim të miqve në radhë per t'u dhënë përparësi, e plot si këto.

Si pjesë e stërvitjes për të kuptuar funksionimin e sistemit të radhave, pyeta të rriturit se përse duhet të linim një tullë në radhën e djathit dhe të vraponim me bidon për tek radha e vajgurit, kur faktikisht në asnjërën prej tyre nuk po ndodhte asgjë. Atëherë më shpjeguan se radhët vazhdonin për ditë të tëra, ndonjëhere edhe natën. Ishte e domosdoshme që rrjetat e pazarit, bidonët e vajgurit ose gurët e madhësive të ndryshme, të ngarkoheshin me funksionet e tyre përfaqësuese që përndryshe do të mundonin njerëzit vetë. Sendet në radhë kontrolloheshin  rregullisht dhe ata që i kishin vendosur i vizitonin shpesh për t’u siguruar se rrjetat, bidonët metalikë ose tullat e gurët nuk kishin lëvizur nga vendi gabimisht ose nuk ishin zëvendësuar tinëzisht nga përfaqësues të fshehtë të llojit të tyre. Në rastet e  rralla në të cilat sistemi kërcënohej, plaste sherri e shamata dhe radhat bëheshin të egra, të shëmtuara dhe të stërzgjatura. Njerëzit luftonin ashpër për gurë që i përngjisnin njëri-tjetrit, çanta prej fijesh kauçuku që ishin zëvendësuar me thasë të ndotur, ose bidona vajguri që befas ishin zmadhuar dyfish.

Mirësjellja në radhë dhe mbrojtja e qëllimit të përbashkët në respekt të vlerave të saj, bëheshin zanafilla e miqësive të ngushta. Fqinjët me të cilët kalohej koha në radhë ose miqtë e zënë gjatë ndarjes së përgjegjësive mbikëqyrëse, shumë shpejt ktheheshin në burim të vazhdueshëm aleancash për lloj-lloj rastesh me natyrë humanitare; fjala vjen kur një i moshuar i familjes sëmurej papritur e dikush duhet të kujdesej për fëmijët, apo kur mbaronte sheqeri, për dreq pikërisht në ditën që duhej përgatitur një tortë ditëlindjeje, ose kur duhej gjetur dikush me të cilin të shkëmbeheshin triskat e frontit.

Ne mbështeteshim tek miqtë dhe fqinjët për gjithçka. Sa herë që në shtëpi mungonte ndonjë vegël pune apo përbërës ushqimor, mjaftonte të trokisje në derën e një fqinji, në çdo orë të ditës apo natës. Kur edhe ata nuk e gjenin dot atë që kërkohej, ose kur e kishin të pamundur të jepnin ndihmë, jepnin këshilla për të gjetur zgjidhje ose i bashkoheshin operacionit të kërkimit.