E premte, 29.03.2024, 01:18 PM (GMT)

Përjetësi » Lushaj

Kolec Traboini: Djalë Tropoje

E enjte, 11.11.2021, 01:35 PM


DJALË TROPOJE

-Për shokun e bankës në pedagogjike, Shkodër,

Zeqir Lushaj (1949-2021)

Nga Kolec P. Traboini

Me mbarimin e shkollës pedagogjike 2 vjeçare në Tiranë, Ministria e Arsimit nuk pranoi të na pajiste me diplomat e arsimtarit dhe na rekomandoi të ndiqnim shkollat Pedagogjike në rrethe.  Mua me një grup shokësh e shoqesh na caktuan në Shkodër. U paraqita në shkollë dhe u regjistrova në vitin e tretë. Klasa ku më caktuan kishte mësuese kujdestare Emine Oktrovën. Dija se ajo ishte bashkëshortja e regjisorit të njohur të teatrit “Migjeni” Esat Oktrova. Kur u gjenda në klasë mësuesja po lexonte emrat në regjistër për tu njohur me secilin nxënës. Pasi thirri emrin tim, më tha të ulesha në një bankë me Zeqirin. Unë nuk e dija kush ishte Zeqiri. Vështrova përreth dhe me ra në sy një djalë i qeshur, i cili ngriti dorën duke më treguar se do të isha shok banke me të.

Ka qenë e njohur ndër nxënësit e shkollave të mesme se shoku i bankës ishte disi më i afërt se sa bashkënxënësit e tjerë. Pasi u ula, Zeqiri më dha miqësisht dorën e më tha “Jam Zeqir Lushaj prej Tropoje” e unë ja ktheva “ Jam Kolec Traboini nga Hoti”. As e kisha idenë nga binte Tropoja se kisha qenë dy vjet në Tiranë, kisha shkuar edhe në Korçë tre muaj, në Shëngjin tek kushërinjt e mi vllaznit Pjetër e Ndoc Ujka, por në asnjë qytet tjetër.

Kështu u bëra shok me Zeqirin. Ajo çfarë më pëlqente tek shoku i bankës ishte natyra e tij e çiltër. Ai nuk nxehej kurrë, nuk fliste ashpër e nuk mbante mëni edhe kur ndonjë i binte në qafë. Se adoleshentë ishim e frynim erë. Madje e kalonte gjendjen me një buzëqeshje të sinqertë.

Që në njohje i thashë “djalë Tropoje” të cilën ai e priti mirë. Por në klasën tonë në shkolle Pedagogjike në Shkodër nuk kishim vetëm Zeqir Lushën nga Tropoja. Mbaj mend se ishin edhe katër djem të tjerë nga Tropoja, Frrok Vuka, Rifat Hajdarmataj, Halil Gjoni dhe Sadri Ponari, por mua më pëlqente që vetëm Zeqirit ti thosha “djalë Tropoje”. Ajo çfarë ruaj në kujtesë është së një herë që Zeqiri shkoi në Tropojë, na solli gështenja. Gështenja kishte edhe Shkodra andej nga Reçi, por gështenjat e Tropojës ishin më të mëdha dhe u shkëlqente lëkura. Vija re se ndër biseda herë pas here me fliste për vendlindjen. Këto biseda më së shumti bëheshin kur ishim në konvikt. Dimri, bora, pranvera, Shkëlzeni, Maja e Hekurave, Maja e fushave, Sopoti, Grija, Dragobia, Valbona, ajri i pastër, gështenjat, por edhe arrat, pa harruar kumpirat, se kështu u thoshte patateve.

Një prej atyre ditëve që po fliste me pasion për Tropojën më tha: “Kur të mbarojmë vitin mësimor e të vemi me pushimet e verës, do të marr në shtëpinë time të rrish tërë verën në Tropojë e do të bindesh sa e bukur është. Dhe më tej më pyeste: “Do të vish?”. “Po!”, - ja ktheja,- “do të vij”.

E kisha ndare mendjen, do te shkoja sa të vinte vera. Mirëpo përpara verës ishte dimri, po afronte dhjetori kur pa pritur më thirrën në Degën Ushtarake Shkodër. Nuk e dija përse. Sapo hyra në ndërtesën e Degës Ushtarake vura re një grup djemsh të rinj që prisnin në korridor. Na thirrën brenda një e nga një dhe gjëja e parë që na thoshin ishte “zhvishu”. Një doktor ushtarak na vizitonte e thoshte “i aftë”. Si mbaruam vizitat na thanë se për dhjetë ditë do të shkonim ushtar. Madje na caktuan edhe datën.

Kuptohet dëshpërimi im. Do të ndahesha nga shkolla dhe shokët për të shkuar kush e di se ku. Më vinte keq se kësisoj më prishej edhe ëndërrimi të bëhesha mësues.

“Kështu, djalë Tropoje”,- i thashë shokut tim të bankës Zeqir Lusha kur ndamë!- “Por ti mos u mërzit se unë do të vij në Tropojë kur të mbaroj ushtrinë, veçse ti mbaje fjalën.”

U ndamë të përmalluar. Por ndodhi ajo që nuk pritej. Më vunë në kamion me një grup rekrutesh shkodranë e drejtë e në Tropojë.

“Eh, more Zeqir Lushaj”, - thashë kur u gjenda në Tropojë në mes të dimrit e ku bora binte deri në brez, - Si ma ndolle kështu, o djalë Tropoje!”

I shkrova një letër duke i thënë se të gjitha ato bukuritë që më ke thënë, o djalë Tropoje, më dolën “të vërteta,... por ke harruar të më thuash se këtu të ngrijnë veshët e të dridhet mjekra”.

Dimri ishte i gjatë, madje një herë na ra borë edhe në mes të majit. Por kur erdhi vera, vërtetë vendi kishte një bukuri mahnitëse. Bjeshkë, ajër i pastër e i freskët, qiell i kaltër, bari i blertë dhe lulet, luginat e malet që të shoqëronin kudo.

Kur isha në shkollë në Tiranë vuaja nga morthi i këmbëve dhe duarve, më ënjteshin sa më bëheshin gjak. Por për dy vjet në Tropojë nuk e njoha më morthin, madje nuk mu shfaq kurrë më. Tropoja kishte një të ftohtë e borë të shëndetshme.

Djalin e Tropojës nuk e pashë më. Duhej të kalonin vite që ta takoja.  Kur vazhdova studimet universitare e takova shokun e bankës, ai tashme ishte student në Institutin e Kulturës Fizike dhe Sporteve.

Të dy u emëruam në Tiranë, unë në Kinostudio dhe ai në gazetën “Zëri i Rinisë”  e kësisoj takoheshim herë pas here. Kishim edhe një shok të përbashkët gazetar, Tonin Shtjefnin me të cilin Zeqiri e bashkonte puna. Pastaj ndodhi emigrimi. Me gjithë atë nuk u harruam. Ishte dhe në Amerikë, por vendosi të kthehej në Shqipëri dhe zgjodhi si vendbanim Shëngjinin. Këto ditë nëntori Zeqir Lushaj ishte shtruar në spital i infektuar me Covid, sëmundje që i mori jetën.

Paç dheun e lehtë shoku im i bankës, djalë Tropoje, Zeqir Lushaj!

11 nëntor 2021

https://traboini.blogspot.com/


Zeqir Lushaj: Pak njerëz të njohin sa unë



(Vota: 14 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora