Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Veton Surroi: Sterpikja nga qerbelaja

| E diele, 07.12.2008, 01:27 PM |


Veton Surroi
Sterpikja nga qerbelaja

Nga Veton Surroi

1.

"Për shkak të predikimit", do të ishte përgjigjja e shkurtër e teologut Xhabir Hamiti ndaj pyetjes se përse e rrahën gjatë kësaj jave në Prishtinë. Kishte ndjenjën se donin ta vrisnin, pesë gjysmë të maskuar, ndërsa provonin ta fusnin në garazh, ku ai sapo kishte futur veturën. "Vetëm më thanë: të të pyesim diçka", shpjegonte të nesërmen Hamiti. Nuk pyetën gjë, filluan ta rrahin dhe në një moment u përpoqën ta hedhin nën një veturë që afrohej me shpejtësi.

Xhabir Hamiti i përket një gjenerate të re studiuesish të Islamit në Kosovë, të atillë që përpiqen t‘i përgjigjen pyetjes thelbësore të definimit të vendit të kësaj feje në shekullin XXI, por duke pasur parasysh traditën e Islamit në Kosovë për pesë shekujt e kaluar. Sulmuesit, thotë ai, po ashtu i përkasin një gjenerate të re, por që përpiqen të imponojnë një formë interpretimi islamik që nuk është traditë e Kosovës.

Kur u zgjodh Kryetar i Kuvendit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Hamitit filluan t‘i vinin mesazhet kërcënuese nga interpretuesit e rinj. Mesazhet, në fakt, nuk janë të reja, datojnë prej shumë kohësh para zgjedhjeve në Bashkësinë Islame të Kosovës, gati 1.400 vjet më herët. Së paku kështu e kuptova unë, nga leximi i njërit prej librave thelbësorë për zhvillimet e tanishme në Lindjen e Mesme "Rilindja shiite", e profesorit iranian-amerikan Vali Nasr (W.W Norton, New York, 2006).

2.

Çështja, e prezantuar në formë të thjeshtësuar, ka të bëjë me trashëgiminë. Kur vdiq profeti Muhamed, u shtruan dy shkolla të mendimit për atë se kush do të ishte pasardhësi i tij. Njëra, e përfaqësuar nga shumica, mori rrugën tradicionale të zgjedhjes fisnore, pra që pasardhësi të zgjidhej nga gjiri i përcjellësve të tij besnikë (më vonë anëtarët e fisit). Këta u quajtën sunitë, pra tradicionalë. Shkolla tjetër, e mbetur në pakicë, kërkoi që trashëgimtari të kërkohet nga familja dhe kush më mirë nuk do të mund ta kryente detyrën se Aliu, i cili ishte jo vetëm besnik i devotshëm, por edhe dhëndër i profetit. Këta u quajtën shiitë, apo partizanë, gjegjësisht partizanë të Aliut. Që në fillim, pastaj, vunë edhe arsyetimin e këtij dallimi. Shiitët shpjeguan se K‘urani ka dy kuptime, një të jashtëm dhe një të brendshëm, dhe se këtë të brendshmin mund ta interpretonin vetëm "të ndriturit", pra ata që rrjedhin prej qarkut të brendshëm familjar të Profetit. Sunitët shpjeguan se K‘urani është i qartë për këdo, dhe se ka vetëm një kuptim, atë që i dha Profeti.

Sunitët, që, si sot, përfaqësonin 90 për qind të besimtarëve, vazhduan të thellonin dallimet me shiitët. Meqë prijësi fetar u bë në formë të zgjedhur, pranuan edhe subordinimin e pushtetit politik, në formën e dinastive të kalifateve, Umajide dhe Abaside, kalifateve që jo vetëm do të zgjeronin kontrollin arab të Mesdheut, por njëkohësisht me të do të zgjeronin edhe Islamin prej Spanjës deri në Azinë Qendrore. Shiitët konsideronin se besimin e tyre nuk mund t‘ia subordinojnë pushtetit botëror, pra as kalifatit të Umajadëve. Më 680 të erës sonë, në Qerbela (atë që në transmetime televizive nga lufta në Irak quhet Karbala), i biri i Aliut, Hyseni me 72 besnikë, i rezistoi ushtrisë së Jezidit I deri në vdekje dhe martirizim.

Në gati 1.400 vitet pasuese, hendeku mes sunitëve dhe shiitëve do të zhvillohet për aq sa sot ka përfshirë në njërën formë a tjetër, qoftë edhe me stërpika, tërë botën. Në Liban, lëvizja shiite Hezbollah, e suksesshme në luftën kundër Izraelit, mund të ridefinojë natyrën e këtij shteti rë brishtë, i cili është balancuar mes të krishterëve e sunitëve prej kohës së themelimit. Në Irak, tashmë është në ekzistencë shteti federal, i dominuar prej shiitëve. Në Pakistan, gjenerali Zulfiqar Ali Bhutto u vra nga junta tjetër ushtarake, mes të tjerash, sepse ishte shiit. Në Afganistan, njëri prej krimeve më të mëdha të talebanëve ishte drejtuar kundër shiitëve të këtij vendi. Në Arabinë Sauditë, shiitët, edhe pse pakicë prej 10-15 për qind, jetojnë mbi fushat e bollshme të naftës së këtij vendi. Kur të përfundojë lufta në Irak, në Lindjen e Mesme, të dominuar tradicionalisht prej tri kryeqyteteve sunite, Kairos, Bagdadit dhe Damaskut, fuqia e vërtetë regjionale do të jetë e përqendruar në Teheran, ndoshta edhe me një bombë atomike në duart e regjimit. E madje as Bagdadi nuk mund të identifikohet më me dominimin sunit.

Gjeopolitika e re e tërë regjionit të Lindjes së Mesme, thotë autori Vali Nasr, po kalon prej pikës së Levantit arab kah Irani, Iraku dhe Gjiri, kah shiitët.

3.

Po ç‘kanë Xhabir Hamiti dhe në përgjithësi shqiptarët nga ky lëmsh?

Drejtpërsëdrejti shqiptarët nuk janë pjesë e tij. Për pesëqind vjet, kush ndër shqiptarë nuk ka shtruar ndonjë pyetje qenësore për sunitët a për shiitët. E kremtja e Ashures, apo poezitë e Naim Frashërit (Qerbelaja) nuk janë trajtuar si pjesë të ndara të Islamit ndër shqiptarë, e që të dyja janë në fakt të lidhura me shiitët dhe pjesë të një dite, të së dhjetës së muajit Muharrem, kur u martirizua imami Hysein, me simbolikën e mosnënshtrimit të bindjes a besimit hyjnor ndaj pushtetit botëror. Për Naim Frashërin, bektashi, si dhe për poetët e mendimtarët e tjerë sufi, feja kishte një dimension të brendshëm, ezoterik, që do zbuluar me filozofi e shkrim artistik.

A do të thotë se tashmë do të futet hendeku sunitë-shiitë ndër shqiptarë dhe se pjesë e tij ishte mesazhi kërcënues ndaj Xhabir Hamitit?

Në njëqind vitet e kaluara të shtetndërtimit ndër shqiptarë, hendeku sunitë-shiitë është zhvilluar në Lindjen e Mesme si një konflikt që ka marrë manifestimin e tij etnik. Sunitët ishin kryesisht arabë, shiitët ishin kryesisht iranianë. Parë nga ky aspekt, shqiptarët nuk qenë pjesë e ndarjes, aq më parë kur, për dallim prej katolicizmit, as në njërin e as në tjetrin interpretim të Islamit nuk kishte një qendër hierarkike.

Por, paralelisht me shtetndërtimin e shqiptarëve, në gërmadhat e Perandorisë Otomane u zhvilluan dy lëvizje shtetndërtuese ndër popujt me besim Islam në Lindjen e Mesme, lëvizje këto që do të kenë reperkusione në ditët tona.

E para ishte lëvizja panarabiste, e identifikuar me Naserin në Egjipt. Kjo lëvizje, që në vete kishte elemente të nacionalizmit dhe socializmit u popullarizua në kryeqendrat tradicionale sunite (Kajro, Damask, Bagdad) dhe dështoi në luftën gjashtëditëshe, kur Izraeli mposhti ushtritë arabe.

E dyta ishte lëvizja islamiste, e cila u ngrit pas dështimit të naserizmit. Kjo lëvizje u përpoq që të krijojë një platformë të re për rezistencën ndaj regjimeve ushtarake arabe, Izraelit dhe politikën amerikane në regjion.

Dhe kjo lëvizje u ndërtua prej interpretimit të një libri, "Katër udhët" të mistikut shiit Mulla Sadër, shkruar në fazat e hershme të Safavidëve. Në të, njeriu fillon udhën e parë duke kërkuar të vërtetën, e mbërrin të dytën duke e gjetur Zotin, hyn në të tretën duke u pasuruar nga mençuria e Tij dhe e përfundon në të katërtën duke u kthyer në Tokë, i bashkuar me Zotin, duke i demonstruar atributet dhe cilësitë e tij. Interpretuesi më i mirë i këtij teksti ndër teologët iranianë ishte ajatolla Homeini, madje aq sa në fund kishte besuar se e kishte mbërritur udhën e katërt në formë të veçantë, se pas takimit të tij me Zotin, ai dhe Zoti ishin shkrirë në një dhe se flisnin me një zë.

Njëri prej kolegëve të tij, klerik Haeri, kur Homeini tashmë kishte marrë pushtetin në Iran nëpërmjet revolucionit islamik, i lodhur nga lufta irako-iraniane, kishte shkuar të bisedonte me të.

"Nuk është e drejtë që myslimani ta vrasë myslimanin", tha Haeri dhe vazhdoi "qindra mija janë duke u vrarë në një luftë që nuk ka as fund e as qëllim". Homeini nuk bëri zë deri sa i përfundoi fjalët Haeri dhe pastaj iu kthye me një ton të baraspeshuar, por qortues:

"A e kritikon Zotin edhe kur dërgon tërmete?"

4.

Prapë mbetet pyetja se ç‘kanë Xhabir Hamiti dhe shqiptarët me këtë lëmsh?

Përgjigjja nuk është në ndarjen mes sunitëve dhe shiitëve, por në një proces i cili filloi me Homeinin, e që po zhvillohet deri në ditët e sotme. Revolucioni në Iran nxori islamin në një rrafsh fundamentalist, me interpretimin totalitar të Homeinit dhe vendosjen e një sundimi teokratik në vend, por edhe me suksesin që kishte ky revolucion për të pasur përkrahjen sociale të shtresave të gjera popullore. Suksesi i Homeinit fillimisht trimëroi lëvizje islamike në vendet arabe, por edhe frikësoi regjimet e tyre. Për Arabinë Saudite dhe regjimin e saj konservator, Homeini ishte rreziku i inspirimit të një kryengritjeje popullore, por njëkohësisht ishte edhe njeriu me ambicie që, duke qenë shiit, të dominojë Islamin. Forcimi i Homeinit dhe vendosja e teokracisë shiite në Iran shkaktoi disa reagime. Përndjekjen shiite nga Sadam Hyseini, më vonë edhe luftën me Iranin. Forcimin e vehabizmit në Arabinë Saudite, me financim të drejtpërdrejtë nga familja mbretërore.

Zhvillim të konkurrencës mes arabëve e Iranit deri tek armatosja e njësiteve islamiste pakistaneze që do të sulmonin në territorin e Indisë. Shiitët dhe sunitët, kështu hynë në një cikël të ri konflikti, i cili ka marrë përmasa shumë më të mëdha territoriale dhe intensitet të paparë deri tani.

Arabia Saudite, e frikësuar nga depërtimi shiit, financoi talebanët dhe nikoqirët e tyre pakistanezë; Teherani me lëvizjet Hezbollah në jug të Libanit dhe Hamas në Palestinë është faktor jo vetëm në luftën kundër Izraelit, por edhe faktor kyç në vendosjen e paqes në Liban e Palestinë/Izrael.

Dhe, pas 1.400 vjetësh, martirizimi i Qerbelasë duket si formë e veprimit ushtarak. Në luftën me Irakun, gjeneralët e Homeinit dërguan qindra mija njerëz duarthatë që të shpërthenin fushat e minave tokësore irakiane, me premtimin se do të përfundonin drejtpërdrejtë në Xhenet. Më 1982 ndodhi sulmi i parë vetëvrasës i formacioneve shiite në Liban, duke vrarë ushtarë amerikanë e francezë. Kjo tashmë u bë formë e përditshme luftimi, posaçërisht në Irak dhe Afganistan.

5.

Thonë se falen ndryshe, se i mbajnë duart larg e jo ngjit, siç e do rendi. Thonë se i mbajnë pantallonat më të shkurtra e mjekrat më të gjata. Çka nuk thonë për ata që mund të kenë qenë sulmuesit e Xhabir Hamitit.

Mua më duket se shpjegimin për ta e ka dhënë më së miri vetë teologu i sulmuar, duke thënë se kërkojnë predikim tjetërfare në Kosovë. Dhe kjo kërkesë, e dhunshme, imponuese, nuk vjen pse dikur u bë ndarja rreth trashëgimtarit të Profetit, por për shkak të një gjeopolitike të re, asaj të fundamentalizmave islamikë që i konkurrojnë njëri-tjetrit në Lindjen e Mesme.

Stërpikjet e kësaj konkurrence kemi filluar t‘i ndiejmë.

G. Shqip