E shtune, 20.04.2024, 12:19 PM (GMT+1)

Kulturë

Fatmir Halimi: Bislim Aliu - Rruga e vështirë e Fatlum Selishtës

E diele, 07.11.2021, 07:41 PM


VËSHTRIM PËR ROMANIN

“RRUGA E VËSHTIRË E FATLUM SELISHTËS”,  TË BISLIM ALIUT

Rruga e vështirë drejt një fati të lumtur

Nga Ma. Sc. Fatmir Halimi

Duke pas parasysh se shkrimtari dhe piktori i njohur Bislim Aliu me një përvojë mbi 50 vjeçare të krijimtarisë artistike, si në pikturë, e po ashtu edhe në letërsi, para lexuesve çdoherë sjell vepra me nivel të lartë artistik. I tillë është edhe romani “Rruga e vështirë e Fatlum Selishtës”

Bislim Aliu te romani ‘Rruga e vështirë e Fatlum Selishtës”,  me përshkrimin e detajeve në mënyrë perfekte, dëshmon për një krijim letrar që përpos anës përmbajtjesore, ka më vete edhe anën e mesazhit të qartë, me të cilin e plotëson përmbajtjen dhe mbarështrimin e rrëfimit të tij.

Kurse, sa i përket fabulës së romanit “Rruga e vështirë e Fatlum Selishtës”, të Bislim Aliut, në kuptimin më të shkurtër do ta kisha konkretizuar me disa fjali; si një rrëfim mbi jetën e një familje, mbi jetën e një njeriu apo prindi, të cilit pas martesës mbi pesëmbëdhjetë (15) vjeçare u lind djali i tyre, shtylla e vetme e familjes, Fatlumi, të cilit në rrugë e sipër për ta mund vetminë brenda familjes, ku jeton vetëm me të ëmën dhe gjyshen, duhet ta vazhdoi jetën dhe të inkuadrohet në procese shoqërore, kulturore e sociale të vendit.

Pra fatlumi mbetet i vetmi filiz i familjes, ku pas largimit të babait në mërgim, i cili nuk u kthye asnjëherë më, ndjehet krejtësisht si një jetim pa baba. Fatlumi, si një jetim dhe si shtylla kryesore e familjes gjen forcë të vazhdojë më tutje, duke u shkolluar, duke u shpall çdoherë si nxënësi më i mirë dhe duke u bërë një piktor i shkëlqyeshëm, dhe shumë i talentuar ai do të inkuadrohet në jetë, dhe në shoqëri. Përveç kësaj gjatë rrugëtimit të tij has edhe në dashurinë e madhe të jetës, në Eneidën e bukur, me të cilën dhe përfundon i lumtur.

Pas një leximi të kujdesshëm do të vërejmë se Bislim Aliu romanin e tij me vëllim jo shumë të madh, por me përmbajtje tematike e ndërtim të thukët, ka përdorur disa kategori stilistike, të cilat romanin e veçojnë si rrëfim e shkrim modern. Kjo tashmë është vetëdije letrare, të cilën e zhvillon shkrimtari ynë Bislim Aliu në gjithë diskursin e tij letrar, e sidomos te romani Rruga e vështirë e Fatlum Selishtës” . Ndërsa, sa i përket vendit-toposit dhe hapësirës marrim informacione qysh në fillim të veprës se toposi quhet Selishtë, që do të thosha se është një topos fiksional, ose imagjinar. Autori e komplikon kronotopinë-kohën, ku mbi të gjitha mund të them se romani u përket të gjitha kohëve shqiptare. Mund të emërohet si roman i kohës sonë, por edhe i një kohe pak më të largët të jetës bukolike të popullit tonë.

Prandaj si përfundim mund të them se romani ‘Rruga e vështirë e Fatlum Selishtës”, na vjen si perlë në letërsinë tonë, i cili të lë pa frymëmarrje nga kureshtja se ç’do të ngjet në faqet pasuese të tij. Është roman, i cili vazhdimisht ngreh idenë e kërkimit të fatit të individit dhe integrimit të tij në shoqëri.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora