E premte, 19.04.2024, 09:04 PM (GMT+1)

Kulturë

“Mimoza llastica”,vajza që fati s’e përkëdheli kurrë

E diele, 07.12.2008, 02:20 AM


Zhaklina Dhimojani (djathtas) ne ''Mimoza Llastica'' se bashku me Violeta Manushin
Nga Ilir Çumani

Të gjithë e njohim Mimoza llasticën. Pakkush e njeh Zhaklina Dhimojanin. Edhe pse është i njëjti person i fshehur pas dy "identiteteve". Në të vërtetë, mbi 30 vjet të shkuara, filmi i Zhanfize Kekos, "Mimoza llastica" bëri jehonë. Jo vetëm për subjektin, për mënyrën e ndërtimit, sinqeritetin e shumëçka tjetër të kësaj natyre. Mbi të gjitha, ajo që ende sot lë përshtypje të mirë është aftësia interpretuese e aktores së vogël.  Shumëkush, logjikshëm mund të mendojë se, aktorja e vogël do të vazhdonte në rrugën e saj, do të ecte nëpër të vazhdimisht, pa u shkëputur, për t'u bërë, pse jo, aktore e madhe. Ku ta dish. Mund të kishte ndodhur kështu dhe Zhaklina Dhimojani mund të ishte bërë star. Por fati ka kapriçot e veta. Ka të ngjarë që arsyeja pse Zhaklina bukuroshe nuk u bë aktore të jetë një arsye e cila jo pak bashkëmoshatare të saj i ka penguar të realizojnë ëndrrat e tyre. Edhe ajo vetë e zbulon: kanë qenë prindërit shkak. Ishin ata që nuk e lejuan të përfshihej në atë botë magjike, por tejet të përfolur. Mimoza llasticën, do ta kërkonin, kur ajo tashmë ishte e rritur, të përfshihej në filma të tjerë, por prindërit vunë veteon: jo, nuk mund të shkosh. Tradicionalizmi i tyre e pengoi vajzën e re, e cila sipas këndvështrimit prindëror, do të ishte mirë të bëhej ekonomiste…
Familja e Zhaklinës, përbëhej nga gjashtë pjesëtarë. Babai i saj Pirroja, nëna Aishja, dy vëllezërit Kreizi dhe Frenku, si edhe motra e saj Regova. Të gjithë ishin më të vegjël se Zhaklina, dhe i takonte asaj  të kujdesej si motra më e madhe. Por më pas, me kalimin e kohës natyrshëm do të ndryshonin gjërat… Viti 1990 do ta gjente Zhaklinën përtej kufijve.
"Në verën e vitit l990, u nisa për në Greqi. Atje qëndrova për afro dy muaj pranë gjyshit tim, - rrëfen ajo - Por edhe atje nuk mund të qëndroja më gjatë. Sërish u ktheva në Shqipëri. U ktheva  në një moment kur të gjithë shqiptarët iknin... Iknin dhe  vetëm iknin nga Shqipëria,  pa e ditur se ku dhe pse".
Ishte koha kur Shqipëria po pësonte ndryshime te mëdha politike. Vendi po përjetonte një kaos të vërtetë. E megjithatë Zhaklina do të kthehej në Tiranë. Arsyeja nuk ishte e paktë, nuk ishte e papërfillshme. Ajo do ta bënte rrugën e kundërt, në emër të dashurisë. E kujt nuk i ndodh të ecë kundër rrjedhës, në emër të dashurisë?! Gjithkujt. Por kësaj here ishte radha e vajzës së bukur që ëndërronte të qëndronte pranë njeriut që donte. "E kisha njohur që kur ai studionte në Fakultetin e Inxhinierisë"- tregon ajo e rezervuar, për t'ia pranuar emrin të dashurit të saj të dikurshëm, në të vërtetë, një njeri që ka të bëjë me një pjesë të jetës së saj. Në të vërtetë historia e Zhaklinës me inxhinierin ishte një dashuri e njëanshme. Ajo ndjehej e pakur pas ndjenjës e ai jo. Rezultati ishte ndarja. "Do ta quaja  më mirë një dramë dashurie. Po, e vërtetë! Ajo ishte një dramë e vërtetë e  dashurisë time të pastër, që zgjati plot tetë vjet. Tetë vjet me shpresa dhe zhgënjime, ndarje dhe bashkim, brenga dhe vuajtje...". Ndaj dhe Zhaklina e gjente veten duke menduar se: "Shpesh herë me dukej vetja se kisha ardhur rastësisht në këtë botë. Herë herë, ndjeja dëshirën të rikthehesha në vitet më bukura të fëmijërisë, për të injoruar dhe shpërfillur të gjitha të këqijat e kësaj bote..." .

Pikërisht mes kësaj dileme, vendosi ta zgjidhë vetë fatin e saj. Kësaj here duhej të bënte të njëjtin rrugëtim me shqiptarët e tjerë. Të ikte nga Shqipëria. Njeriu që dashuronte, por me të cilin fati i kishte parashikuar që të ndahej do ta ndihmonte: "Më mundësoi vajtjen time në Itali së bashku me familjen". Kompromisi ishte ndërprerja përfundimtare e marrëdhënieve me të.
Zhaklina dhe të sajtë u vendosën përfundimisht për të banuar në Como të Italisë, në kufirin midis Italisë dhe Zvicrës. Aty filloi punë si përkthyese në një zyrë për refugjatët shqiptarë. Punoi afro dhjetë vjet në atë vend,  nga viti l99l - 2002 dhe natyrshëm do të lindte një tjetër idil. Kësaj here i dashuri i Zhaklinës ishte një italian. "Ai banonte në Como. Duheshim shumë". Fryt i kësaj dashurie ishte vajza e tyre, Aleksandra. "Ai më donte shumë. Shpesh më thoshte që të martoheshim". Shpresonte se lidhjen e tyre në martesë do ta bënte të pashmangshme vajza e përbashkët. Por Zhaklina nuk ishte e bindur për këtë. Ndoshta diçka nuk funksiononte përsosmërisht në atë lidhje që e kish bërë gruan e bukur të hezitonte për ta vulosur lidhjen? Gjithsesi asaj i pëlqente të ishte e pavarur, ekonomikisht por edhe profesionalisht. "Përvoja jetësore më kishte mësuar shumë gjëra, ndaj duhej të mendohesha mirë për të marrë një vendim kaq të rëndësishëm siç ishte martesa". Duhej të kalonin edhe disa vite të tjera që Zhaklina të bindej të kryente martesën e saj. Atë që me njeriun e parë që dashuroi deshi ta bënte pa u menduar gjatë, martesën që gjithnjë e kishe ëndërruar me inxhinierin shqiptar, që më pas nuk u bind kurrë ta bënte me italianin e dashuruar, babain e vajzës së saj, e bëri kur e ndjeu dashurinë t'i lëvrinte deri në palcë. Ndodhi në mjediset e punës që të njihej me njeriun që përfundimisht ia fitoi zemrën. Ai ishte zviceriani Stefan Blatter, një jurist me profesion, që ka studiuar në Fakultetin e Drejtësisë. Sot, ai është një funksionar i  rëndësishëm në shtetin e tij.
Ditën kur Stefani u njoh me Zhaklinën, ai e pranoi atë si bashkëshorten e tij të ardhshme, ndërsa Aleksandrën si bijën e tij. Ajo që ishte kundër kësaj here ishte vajza e Zhaklinës, Aleksandra, siç mund të ishte, natyrshëm një vajzë e moshës së saj, që e sheh martesën e nënës si një tërheqje të vëmendjes ndaj fëmijës. Por gjërat do të ndryshonin. Më në fund fati kish trokitur në derën e Zhaklina Dhimojanit, që deri asokohe në të vërtetë nuk ishte ndjerë aq e përkëdhelur prej tij. Gjatë ceremonisë së martesës, Aleksandra bëri një veprim mallëngjyes. Ajo ia "rrëmbeu" vulën nëpunësit të lidhjeve martesore dhe e vendosi e para atë vulë në aktin e celebrimit. Zhaklina dhe Stefani ishin burrë e grua, kurse Aleksandra, ndjehej thellësisht bijë e të dyve.
Tashmë Zhaklina flet me shumë simpati për bashkëshortin e saj zvicerian. E konsideron atë si tepër tradicional. Sakaq, është shumë xhentil dhe i dashur në marrëdhënie me të shoqen. Një fëmijë tashmë, biologjikisht i të dyve? Ndoshta më vonë, ku ta dish. Hë për të dy të martuarit kanë vendosur të respektojnë dëshirën e Aleksandrës, e cila nuk është fort dakord me këtë ide. Eshtë ende e lidhur fort me të ëmën, por janë shfaqur shenjat e një të ardhmeje optimiste të saj. Sepse është sakaq një fëmijë i preferuar e Agjencitë së Modës për Fëmijë në Milano të Italisë. Mamaja e saj ndjehet tepër e sigurt në udhën e saj drejt suksesit. Ndoshta do të ketë rastin të realizojë nëpërmjet të bijës, edhe vetveten. Ndoshta e bija do të bëjë gjërat të ngjashme me ato që mami do të kish dashur t'i bënte por që nuk mundi, pasi nuk e lejuan.
Gjithsesi, e shkuara është e shkuar. Ka ikur tashmë dhe për më tepër është larg. Zhaklina Dhimojani, ndjehet mirë në të sotmen. Gruaja 42-vjeçare mund të kishte bërë një karrierë tjetër... E megjithatë, mjaftohet që ndjehet me fat për vajzën e saj, dhe shijon atmosferën e mirë që i ka krijuar familja e saj e re.

Zhaklina Dhimojani Rastësisht aktore

Si ndodhi që u gjendët në një shesh xhirimi?

Isha në klasën e parë, në shkollën 8–vjeçare “Alqi Kondi”. Një ditë kur kthehesha nga shkolla, pashë që ishin grumbulluar  shumë njerëz në rrugë. Afrohem dhe shikoj se po xhirohej një film. Në një çast pushimi, regjisorja Xhanfise Keko më vështron me vëmendje, afrohet dhe më thotë: “Ti vajzë i përshtatesh shumë figurës kryesore…(!) A vjen të të marrim në film…?”. Për momentin  u ndjeva shumë ngushtë, por nga dëshira e madhe bëra pohimin tim me kokë. Gjithçka filloi nga ai pohim i imi.

Dhe pastaj kinoprova?

Të nesërmen zonja Keko vjen në shkollë, në klasën time  dhe më merr për të bërë një  kinoprovë. Në fillim më shpjegoi rolin që do të luaja dhe esencën filmike. Kinoprova doli me sukses, dhe u vendos që atë rol do  ta luaja unë. Pas pak ditësh filluan xhirimet.

Si u ndjetë në atë mjedis të panjohur për ju, aq më tepër që ishit fëmijë?

Që nga ajo ditë,  ndjeja se njerëzit që më rrethonin dhe  grupi i xhirimit ishin shumë të interesuar për mua. Çdo ditë që kishim xhirime, vinin dhe na merrnin  në shtëpi me një makinë të vogël tip “Gaz”.

Ndonjë episod?

Njëherë  isha  inatosur,  sepse erdhën e më morën të fundit nga fëmijët e tjerë që merrnin pjesë në rolet episodike. Shtëpia ime ndodhej pranë Lanës. Unë nuk e kuptoja që në fillim merreshin ata që e kishin shtëpinë më afër. E inatosur futem poshtë urës së Lanës dhe i detyroj që të zbresin të gjithë nga mikrobuzi për të hipur unë e para... Që nga ajo ditë, ata vinin dhe më merrnin mua gjithmonë të parën.

E përkëdhelur nga stafi i xhirimeve? A ishte e njëjta gjë gjithandej për ju?

Nuk isha aspak e përkëdhelur. Prindërit e mi ishin të rreptë me mua. Por vetvetiu seç lind një ndjesi që natyrshëm fëmija e provon kur bëhet objekt i vëmendjes për të tjerët.

Le të kthehemi te xhirimet...

Nuk mund të thuhet se çdo gjë shkonte mirë gjatë xhirimit të filmit. Kishte raste kur xhirimet ndërpriteshin për fajin tim:  Njëherë, gjatë xhirimit duhet të qaja, por nuk qaja dot.  Xhirimet u ndërprenë disa herë dhe regjisorja Xhanfise Keko, e shqetësuar  vjen në shtëpi dhe i thotë mamit tim:  “Çfarë t’i bëjë asaj vajze që  ta bëj  të qajë…!?” Nuk mbaj mend se çfarë i tha mami, por di që regjisorja diçka më tha dhe unë nisa të qaja me dënesë...

Çfarë kujtoni nga aktoret profesioniste?

Pavlina Mani ishte nëna ime në film. Ishte një grua mjaft e bukur që më bëri shumë për vete. Gjithmonë pasi mbaroja xhirimin, shkoja me vrap në shtëpi dhe krahasoja mamin tim me Pavlinën. Sa shumë dëshiroja që ajo t’i ngjante asaj. Por kjo ishte e pamundur. Ishte një dëshirë absurde që mund ta ketë vetëm një fëmijë... Një vlerësim të jashtëzakonshëm kam edhe për regjisoren Keko. Prej saj kam mësuar shumë e shumë gjëra. Vlerësoj tek ajo grua  dhe artiste e madhe, personalitetin e saj artistik, por edhe si  Nënë dhe Njeri...

Po kur e patë veten në kinema?

Xhirimet e filmit “Mimoza llastica” filluan në dimër dhe përfunduan në verë të vitit l973. Kur u shfaq për herë të parë si premierë, kuptova se protagonistja kryesore në këtë film isha unë, Zhaklina. Më pas ky film u dha në të gjitha kinematë  e vendit, dhe ishte  më  i pëlqyeri  në atë kohë  nga të gjithë, në veçanti nga fëmijët... Që atëherë,  fëmijëve të përkëdhelur, mamatë e tyre u thoshin: “Mos u bëj si Mimoza llastica....”. Ndjehesha edhe keq, por edhe mirë. Sepse kisha mundur ta realizoja bukur atë rol.

A ju janë afruar role në filma të tjerë?

Ishte një rol që duhej ta luaja në filmin “Përtej Mureve të Gurta”, por që më duhej të shkoja me xhirime në Shkodër dhe në Elbasan. Mirëpo duke qenë se prindërit e mi ishin  konservatorë dhe me paragjykime, nuk më lejuan të shkoja. Ato filma nuk munda t’i realizoja asnjëherë... Dëshira ime për t’u bërë një artiste kinemaje  ishte si një yll që u shua dhe nuk u ndez më kurrë... “Loja” ishte bërë dhe më dukej gota gjysmë e zbrazur... Duhej t’i nënshtrohesha fatit.

Dhe zgjedhja juaj profesionale, ishte një kompromis?

Pasi përfundova shkollën e mesme ekonomike, vazhdova Fakultetin Ekonomik, dega Financë. Kjo ishte dëshira e prindërve të mi.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora