E shtune, 20.04.2024, 08:49 AM (GMT+1)

Mendime

Bardhyl Mahmuti: Rreziku vjen nga politika e diskriminimit të shqiptarëve në Maqedoni

E diele, 07.12.2008, 02:09 AM


Rreziku vjen nga politika e diskriminimit të shqiptarëve në Maqedoni

Nga Bardhyl Mahmuti
 
Fillimi i vitit 2008, sidomos ngjarjet që lidheshin me statusin politik të Kosovës, u shfrytëzuan nga qarqe antishqiptare për të përqendruar vëmendjen e opinionit publik dhe të institucioneve ndërkombëtare në një pseudoproblem: a e destabilizon pavarësia e Kosovës Maqedoninë? Kjo pyetje ishte rezultat i një konstruksioni mediatik që synonte të tërhiqte vëmendjen atje ku nuk është problemi, pikërisht ashtu siç është zakon tek partitë maqedonase. Pavarësia e Kosovës dhe njohja e vullnetit politik të saj u dëshmua se është faktor stabilizimi për tërë rajonin. Përkundrazi, Maqedonia, e cila ballafaqohet me shumë probleme të cilave duhet t’u jap përgjigje adekuate në mënyrë analogjike siç veprojnë vendet e demokracive perëndimore, luan një rol negativ për paqen dhe sigurinë në rajon. Mosmarrja e ftesës për anëtarësim në NATO të Maqedonisë duhej të shërbente si rast për rishikimin e politikave të brendshme dhe të jashtme që autoritetet shtetërore kanë ndjekur që nga krijimi i Maqedonisë si shtet i pavarur. Në vend që të plotësojnë të gjitha kushtet në përputhje me synimet e Aleancës për liri, siguri, demokraci dhe vlera të përbashkëta, ato vazhdojnë të funksionojnë me mentalitetin e vjetër të stërngarkuar me stereotipe dhe komplekse të pashëruara etnike.
Fatkeqësisht, strategjia e përqendrimit të vëmendjes jashtë kontekstit të brendshëm të Maqedonisë ka sjellë rezultatet e dëshiruara për Shkupin. Në vend që të kërkohet me ngulm heqja e diskriminimit racial që Maqedonia sistematikisht aplikon kundër shqiptarëve, kërkesa e vetme që dëgjohet lidhet me angazhimet diplomatike për të gjetur konsensus me Greqinë për emrin e këtij shteti. Në funksion të mbajtjes si kriter të vetëm për anëtarësim në NATO divergjencat lidhur me emrin e shtetit dhe sensibilizimit të autoriteteve të NATO-s, Maqedonia organizoi një Seminar për të dërguar alarmin e rrezikut të sigurisë rajonale. Për dy ditë rresht përfaqësues parlamentarë nga Maqedonia, Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi debatuan në Seminarin kushtuar mbikëqyrjes parlamentare ndaj sektorit të sigurisë. Emërues i përbashkët i këtyre debateve qëndroi në konstatimet se mosintegrimi i shpejtë i Maqedonisë në NATO destabilizon Maqedoninë dhe rajonin! Ajo që befasoi shqiptarët e Maqedonisë lidhet me rolin e avokatëve “pa pagesë” të cilët trumbetuan atë që autoritetet e Shkupit kishin dëshirë të dëgjonin: “Maqedonia ka të arritura të mëdha, por problemet rreth vonesës në integrim në NATO mund të shkaktojnë probleme në aspektin e sigurisë së rajonit”. Dy ditë pas këtij seminari, ministri i jashtëm dhe ai i mbrojtjes i Maqedonisë, Antonio Miloshoski dhe Zoran Konjanovski, i dërguan në letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jap de Hoop Scheffer, përmes së cilës i bëhet thirrje NATO-s që ta përshpejtoj procesin e pranimit të këtij vendi në aleancë, duke tërhequr vërejtjen se shtyrjet e mëtejshme mund të kenë "implikime negative" për rajonin e Ballkanit. Bartësit e institucioneve shtetërore të Maqedonisë janë të vetëdijshme se këtij shteti nuk i rrezikohet siguria nga jashtë. Përkundrazi, politikat antishqiptare të institucionalizuara në formën e diskriminimit etnik, do të gjenerojnë kriza të pashmangshme dhe do të rrezikojnë stabilitetin e vendit. Për këtë arsye autoritetet e Shkupi, përpiqen që sa më shpejtë të hyjnë nën ombrellën e NATO-s për të përjetësuar këtë diskriminim kundër shqiptarëve.
Të gjitha ata që janë të interesuar që kjo pjesë e Ballkanit të jetojë në paqe dhe siguri duhet të ushtrojnë ndikimin e tyre që Maqedonia të heq të gjitha format e dhunës dhe diskriminimit racial dhe të sillet në përputhje me orientimet e Aleancës për liri, siguri, demokraci dhe vlera të përbashkëta. Çdo mbështetje e Maqedonisë në integrimet euro-atlantike pa hequr diskriminimin që ky shtet aplikon ndaj shqiptarëve është politikë shkurtëpamëse dhe nuk i shërben paqes dhe sigurisë afatgjate të kësaj pjese të Ballkanit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora