E hene, 24.01.2022, 07:25 PM (GMT)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: ‘Si t’u mbush mendja e pader me i shkrue atij krimineli?!

E enjte, 04.11.2021, 07:22 PM


Nga Fritz RADOVANI: (Pjesa XLIX)

“SI T’U MBUSH MENDJA O PADER,

ME I SHKRUE ATIJ KRIMINEL ?!

AT MESHKALLA ju pergjegjë Nanës sime kur e pyeti per leter:

“Jam mendue shumë perpara dhe, vetem mbasi Ju luta së Lumes Zojë, me më shndritë mendjen sesi me veprue, Ajo më tregoi mënyren e veprimit. U ula tek tavolina ime dhe i kam shkrue këte leter Mehmet Shehut: Ka nxjerrë një kopjo nga një sirtar dhe ja ka lexue... Tregonte Nana ime se aq ishte tronditë sa, “gati më ra njisend”! Po, a e din o Pader, se kush asht ai kriminel që i ke shkrue, e sa e sa Priften i ka vra ai në Spajë?

-          Po, po, të gjitha i dij, po ashtu më mësoj Zoja e Bekueme!

Jam shumë i sigurt se Ajo më ka ndihmue gjithmonë edhe kur unë ishe në hetuesi heren e parë. Ajo asnjëherë nuk më ka lanë me gabue dhe gjithmonë më ka shpetue nga torturat mizore që hetuesit bajshin mbi ne. Persa e sa muej heren e parë, asht pak e vështirë me e besue, po mue vetem një shputë ftyrës më ka ra hetuesi. Prej asaj ditë që Ju mështeta Zojës, nuk më ka prekë ma kush me dorë. E prap tashti, i jam mështetë Asaj... Mandej, kur mendoj aq shumë të pafajshem nder ata tortura e vuejtje pa asnjë mështetje e, pa pasë kush me u lutë per ata, besoje se mendja atje më rrin! Nuk asht koha me mendue ma per vedi!

O Pader, Zoja uroj që të shpetojnë, prej duerve t’ atij krimineli se, askush në Shkoder, nuk besoj se ta don të keqen!

-          Ashtu asht. Shkodra e dij se më don me shpirt! Kudo që unë kam hi e kam dalë gjithmonë kam gjetë mikpritjen!

Mandej, unë nuk jam mjaftue me vizita vetem nder familjet e besimit Katolik, unë kam shkue n’ familjet e të burgosunve të besimit Mysliman, mbasi per 15 vjetë që ishe në burg unë atje kam nda të miren dhe të keqen me të gjithë njësoj, pa asnjë paragjykim fetar as krahinor e kjo, ka ba që na e kemi ruejtë unitetin tek rinia, tue e largue sa ma shumë prej fanatizmit që, nuk duhet nenvleftësue asnjëherë: Fanatizmi asht dami ma i madh që trashigohet dhe rrenon perjetsisht kombe e popuj...

Nuk ka fat ma të madh se me kujtue djelmët tonë të rij në burg të Burrelit dhe nder kampe pune, tue ndihmue njenitjetrin si t’ ishin vllazen ose kushrinjë, dhe kur ndanin me njenitjetrin një frut pergjysem ose, i piqnin miku mikut kafe si t’ishin vllazen.

E unë e kam ruejtë edhe sot miqsinë me familjet e nderueme t’ atyne vllazenve që kemi kalue vuejtjet e mnershme në hetuesi e burgje, e që koha nuk na ka lejue me i  harrue asnjëherë...

Po, ajo ma e randsishmja që unë sot due me të tregue asht edhe kjo që do të shpjegoj tashti: O Vidë, po t’ flas si Motres s’eme, unë kam hi e kam dalë në gjysen e shtëpijave të qytetit të Shkodres. Kudo e kurdo gjithmonë të survejuem e t’ruejtun mbas shpine se, ku po shkojmë, ku rrijmë, me ke flasim, me ke takohemi, e madje, edhe kur shkojmë nder vorre, kujt i napim doren? E ba me i mendue të gjitha takimet tona, sot na fikum e marrim në qafë gjysen e Shkodres, tue llogaritë se të gjitha ato lidhje ka njerzë që i kanë raportue nder zyre të sigurimit...

Unë, jo pa qellim i shkrova leter atij dhe, jam i sigurt se letra e eme ka me e nervozue fort, kur ta lexojnë, mbasi nuk e pret prej meje ate që unë i kam shkrue tash atij... Ai ka me ju dhanë urdhen vartësve të vet që me më arrestue. Askush nuk mundet me ia kthye fjalen atij dhe ashtu kanë me veprue. Kështu, ata do të më arrestojnë dhe do të kerkojnë me më dënue “Vetem per letren e dergueme Mehmet Shehut...”, e kjo, asht ndihma e Zojës së Bekueme, që unë mos me i ba dam e mos me marrë në qafë asnjë njeri e mik t’emin në Shkoder. Ajo dhe Vetem Ajo, jam i sigurt, se do të më plotsojnë deshiren teme, jo vetem si Klerik Katolik, po edhe si Shkodran e bashkvuejtës i disa qinda të burgosunve, me të cilët vazhdojmë me kenë Vllazen!

Pra, kjo asht mështetja eme kryesore tek Zoja e Bekueme: Ruejtja e Nderës, e Ftyrës, e sedres, emnit të fisit në Shkoder si, dhe Emnit tim Pjeter Meshkalla në Shoqninë Jezus.”

***

Ja pra, vetsakrifikimi per shpetimin e qinda qytetarve!

Ja pra, humanizmi i vertetë i një Kleriku Katolik Atdhetar!

Një parashikim i sakt dhe i persosun, sigurisht nga një mendje e ndritun dhe shumë e Nderueme në Shkodren tonë Martire!

Ky ishte i madhi At Pjeter Meshkalla S.J.!

Melbourne, 4 Nandor 2021.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora