E premte, 19.04.2024, 06:41 PM (GMT+1)

Kulturë

Zejnepe Alili - Rexhepi: Agim Mato - 'Fundo' dhe 'Jashtë eklipsit'

E enjte, 04.11.2021, 08:00 PM


DETI – POSTULAT FILOZOFIK I POETIT TË PRIVUAR NGA LIRIA E METAFORAVE

“Fundo” dhe “Jashtë eklipsit” - Agim Mato

Nga Prof. Dr. Zejnepe ALILI REXHEPI

Të njohësh poetin që udhëtonte i menduar në pritje të apostujve të lirisë individuale, drejt sfondeve të lirisë kolektive, nënkupton të njihesh me synimin e tij, për vizionin intelektual dhe emocionin e papërsëritshëm.

Agim Mato, poet që vazhdon ta quajë Shqipërinë, ajo e “paëndërrta”, që u rri përballë shtigjeve poetike e që nuk shkëputet dot nga miti sizifian… Poet, që njohu kapërcimet e vështira nëpër një det të tërë sfidash, përmes përpëlitjeve të pulëbardhës, kur pafundësisht e joshte liria! Ndonëse ai, gjatë këtij trazimi, njohu rryma të fuqishme kritike.

Janë dy vëllimet poetike: “Jashtë eklipsit” (2012) dhe “Fundo” (2012), në të cilat poezitë si në një simfoni vargëzuar, përvijojnë kryqëzimin e heshtjes dhe censurës. Në to, hasen plot imazhe asociacionesh filozofike, meditime e refleksione të një lloji balade të heshtur, të cilën Atdheu e ngjiz në çdo pore të qenies së poetit. E poeti, është bartës i metaforave që i mësyejnë një rrugëtimi përndjekjesh e vuajtjesh, por që nuk reshtnin kurrë së shpërthyeri…! Kur marim të drejtën të flasim mbi këto vepra, duhet të jemi të vëmendshëm edhe mbi paradokset e realitetit historik të vendit, si perceptim i krijuesit mbi referencat politiko - shoqërore e kulturore.

Dhe, ato 30 vjet ndrydhjeje, heshtjeje..., poetit, veç me magjinë e këtij ishulli - Atdhe, mund t’i rikthehej forca, pas shijes së hidhur nga mospërfillja, tëhuajësimi emocional e njerëzor, e mbi të gjitha nga vdekshmëria e artit. Pas aq shumë vitesh mohim, poeti i dalë jashtë eklipsit, e ndien se jeton! Atëherë, vargëzime metaforash i vijnë si në ëndërr, gjatë zgjimit të madh. E pabesueshme, por e përjetuar...!

E ju lexues, me këtë rast, edhe po të përdorni ironinë si terapi, nuk e tejkaloni dot shijen e hidhur të përndjekjes e internimit poetik të Matos. Në dukje, si një legjendë e largët..., të të kthehet në karton e tërë puna disa vjeçare, pikërisht atëherë kur krijuesi e pret me entuziazëm të papërshkrueshëm, daljen në dritë të veprës. E pas kaq vitesh të trazuara, vetëm një gjë nuk e mposhti harresa - frymëzimin e poetit.

Po vallë, të jetë atdhedashuria kthellje për poetin, megjithëse të sfilitur ia dorëzon frymëzimit në rikthim, pas aq kohësh të lodhshme, të papërshtatshme?! Po ky varg, që të rëndon si shkëmb në shpirt: “Kam vënë në sprovë dashurinë për ty dhe jam mundur nga mungesa jote” (47). Si një klithmë ngulfatëse që prej kohësh kishte zërë vend në shpirtin e poetit, vargu shtjellohet më tej, kur të përngjet në një “varrezë largësish fshehur në guvat e nëndetit/si një shishe e vulosur që mban brenda/pergamenin e udhëtimeve që nuk i bëra!” (48).

Tërë kjo, përjetohet si një shpërthim emocional poetik, dhe jo vetëm…!

Ai është më se i vetëdijshëm, përderisa shpesh rikujton një thënie të F. Dostojevski-t: “Arti dhe revolta nuk do të vdesin deri tek njeriu i fundit”. E ndien pra, përplasjen me trishtimin dhe harenë qenësore, ligësinë dhe mirësinë për mosrrënimin e artit. Për Maton, vetëm kjo është jetike…, përjetësia e artit!

Si ftillues i një realiteti të ri poetik, me kode cilësore të lashtësisë, veprat e Matos, përjetohen si balans spektresh të gjera tematike nga e kaluara, që vijon edhe në të sotmen. Kjo ndërlidhje kohërash, realizohet, jo vetëm si formë intimizuese e unit lirik. Në të vërtetë, janë këto libra që të pasurojnë mendjen dhe shpirtin, për gjatë kohë…!

A kishte ideal Agim Mato?

Të merrje mbi vete rrezikun, duke i qëndruar përballë mesazhit poetik, t’i qasesh në mënyrë të veçantë jetës, si në një autopsi përkufizimesh mbi të, nënkupton, të të rrëmbejë filozofia e njohur ndërgjegja përcakton qenien. Është e njëjta gjë, si të dish të komunikosh përmes vargut, përmes artit të fjalës. Në të qëndron edhe brishtësia e poetit, edhe rebelizmi i tij…, varësisht qasjes shpirtërore dhe bagazhit kulturor që ka përkapur krijuesi ndër vite. Agim Mato qe ndeshur me këtë prioritet.

Më pas, natyrshëm pyetesh: a kishte ideal Agim Mato dhe a ndodh zhgënjimi ndaj atij ideali, në qenien e tij?

Poezia e tij është pasqyrim imagjinate apo vetë magjia e funddetit?

E vështirë, për ta përcaktuar linjën ndarëse se kush, kë e paraprinë! Edhe po të përdorësh metodën e së panjohurës së Frojd-it për zbërdhimin e simboleve..., formula X dhe Y që do të jepnin një përshkrim mbi ngjarje e situata…, është “Fundo” që të mbërthen, si vetë magjia e funddetit. Kjo vepër, krahasuar me lirikë - guri, del lirikë - deti, lirikë për lirinë. Po vallë, si të emërohet ideali i Matos, luzmë drite apo fikje shpresash?!

Në të dy vëllimet poetike ndihet imagjinata, si proces psiqik, që vazhdoi të riprodhonte të bukurën e jetës, artit, përfytyrimit ndryshe të së ardhmes, edhe atëherë kur çdo gjë ishte e pamundur të funksiononte, si e këtillë. Dilema është: a mbetet poezia e tij, në suaza të imagjinatës apo e tëra shpërthen si një përvojë krijuese?!

Megjithatë, poeti ynë, Mato, nuk do mbetej kurrë në suazat e krijimit të Pastërnak-ut, sepse vepra e tij, realisht, është antiteza e veprës antipolitike të kohës. Ai, nuk lejon kurrfarë kompromisi ideor, ndonëse në përmbajtje ruan një shije të caktuar estetike.

Me ndjeshmërinë e madhe ndaj gjuhës, do thosha një thesar i tërë fjalësh shqipe, deri në perfeksion, poeti i zbërthen kodet, gjë për të cilën, ideologjizmi komunist e mori në shënjestër, për të censuruar veprën e tij e për ta kthyer në karton. Para dhembjes së poetit nuk mund të jesh pa ndjeshmëri, teksa në “Mia culpa” shkruan: “Kur zbrita sërish pas tridhjetë vjetësh në minierën/e braktisur të poezisë/e po çapitesha në galeritë e lëna përgjysëm,/duke kërkuar arin e fshehur nëpër guva,/veglat e mia të punës,/të shpërndara pa kujdes në çaste zemërimi me/perënditë…”. Dhembja e tij ka një emër, është pikërisht ai “Hiri i ditirambeve” (9), kur “…dhe nën dritën e një qiriri/nisnin përsëri ditirambet për tiranin/dhe përsëri hiri i letrave si hiri i kufomave u mbetej në duar”.

Efektet e tëhuajësimit në poezi vijnë si një procedim dialektik i ndërlidhur me ca fije panteiste, duke vënë në fokus një ironizim të thellë metaforik përmes katrenës nismëtare: “Liria kishte mërguar nga Franca”, për të vijuar më pas: “E shoqëronte atë Hygoi i veshur tebdil/me emrin e një punëtori tipograf/në pasaportën e tij të rreme”. Po kjo gjendje i rëndoi në shpirt poetit, më shumë se gjithçka tjetër, dhe shkruan: “Sa herë që ulesha të shkruaja, tavolinën time e brente një krimb…/…Ç’ishte ky sizmograf i ndjenjave të mia?/Ndërgjegja apo censori im?” (11). Këto mesazhe poetike duhet pasur parasysh, meqë me të krijohet një lloj imazhi mesazhesh të gjera realitetesh të reja e të ndërthurura. Veçmas, kur poezitë i përkasin një periudhe të caktuar historike, ato sajohen me anë të disa karakterizimeve.

Simbolika që përshkon artin poetik të Matos, edhe më tej mbetet deti. Po cilat janë fshehtësitë e detit…?

A preku vargu i tij gjëra që s’preken apo censura ndaj tij erdhi si rezultat i një fatkeqësie të urtisë?

I fashitur nga dhembjet e Atdheut, poeti shfaq parandjenjën e tij, me anë të pyetjes retorike: “Ç’tragjedi bëhet gati në kaltërsinë verbuese të Jonit?” Shpërthimi i dhembjes derdhet mbi vargun: “Tanket derdhin gjakun e luleve”. (18). Në këto vargje, çdo dihatje poetike do ndiente frymëzënien e poetit dhe pulsimin e rënduar, kur trishtimi mban emrin e fatkeqësisë së Otrantos. Atë çast, vargjet sajojnë vetëm numërimin: “algjebra e lulishteve,/gjeometria e trotuareve,/Shtrirë përtokë shteti”, në përshkrimin e poezisë “Gjaku i luleve” (17-18), e cila mban datën e shënuar - Sarandë, 1997.

Saranda, vendlindja e poetit, s’është e rëndomtë, por vetë thesari kombëtar e njerëzor, para të cilit edhe përmbytja zbrapset, megjithëse ka çaste kur dëshpërimi poetik përvijon nostalgjinë për braktisjen e Perëndive pagane. Për analogji frymëzimi, vë përballë poezinë “Jon” (11-13), nga “Fundo” dhe ”Nga kush kishe frikë, o Zot”, nga “Jashtë eklipsit”, ku përshkrimi i një stili konciz e eliptik, qasjet stilistiko - strukturore sajojnë pothuajse një simfoni të qarash, mbi braktisjen e liqenit Pelod, tronditur nën “Sezamin e bukurive”. Nga thellësitë e shpirtit ndihet rrënkimi: “O Zot, si nuk u gjende pranë nesh, në ato dimra/të mërive të mëdha? (“Fundo”, 29) dhe “Kush jam unë?/Si më braktisën kështu perënditë pagane/dhe më lanë të vetëm në mes të sirenave/që fillojnë të mbushin/radhët e koreve jonike të polifonisë?” (“Jashtë eklipsit”, 13).

Sikurse librin “Jashtë eklipsit”, ashtu edhe “Fundo” e përshkon “Një botë e tërë fanepsjesh”, me ecjet e rënduara mbi mitet e përgjumura të Butrintit e Jonit. Nganjëherë, poeti i frymëzimeve të detit ndihet i  trishtuar dhe ia beson sekretin e trishtimit një albatrosi që i përshkon pafundësitë qiellore… “Pres të iki nga ky trup…”, megjithëse në thellësinë e shpirtit pret, mos ndoshta e gjen “…dhe poçin e një dritëze të shuar nga stuhitë” (14 - 15). Dhe pritja…, ah pritja për një çikëz liri,  është vrasja e poetit!

Poezia e Matos brenda një Panteoni librash metaforik

Të sigurosh ekzistencën letrare për një vepër vlerash të mirëfillta, nuk është fare e lehtë, veçmas në nënqiellin tonë, ku kritika letrare është e pakonsoliduar akoma dhe joreale në qëndrimin, kundrejt krijuesit. Në këto përkufizime letrare, rri zgjuar frymëzimi dhe pritshmëria e poetit…, as ëndrrat e tij nuk janë fanitje! Bindshëm, ai kërkon vlerat njerëzore, vetë njeriun, pandaj në një varg shkruan: “I dal Noes përpara dhe marr në dorëzim listën/me të gjitha speciet e tokës/që mbarti në arkën e tij/, në poezinë: “Përmbytja zmbrapset” (11) Kjo pra, nuk është vetëm përpjekje intelektuale, por edhe obligim i përditësuar i ruajtjes së vlerave të shkruara kombëtare, përkapur nga përjetimi i një poeti…, dhe poeti është shpirti i kombit.

Komparacioni i tillë, për disa çaste na shpie në Weltliteratur, panteonin e veprave të mëdha, të konsideruara si pronë e përbashkët e gjithë njerëzimit, pavarësisht gjuhës, në të cilën janë shkruar. Përderisa, poeti bën një zografisje nëpër Atdheun e kujtimeve, sado të  gërvishtura të fëmijërisë, dhembja nuk i shmanget, prandaj shkruan: “Erdhe vonë hyjnia ime/Nga pritja e gjatë e modelova shtatoren tënde” (22).

Në këtë sfidë, një gjë nuk e lë që të dorëzohet, pikërisht dëshira e fundit e një kapedani plak, e trajtuar mrekullisht tek “Dita e fundit e kapedanit plak” (51), në të cilën ai i përmbush ditët e zijosura të sakrificës vetanake, në trajtë betejash të njëpasnjëshme për të rikthyer dinjitetin! Detari plak i Jonit të papushtueshëm, është sozia e detarit Santiago (“Plaku dhe deti” - E. Heminguej), për të cilin sfida e jetës për të ndjerë ripërtërirjen, krenarinë, suksesin, madhështinë…,  është njëlloj sikur që: “Mbush një grusht me guaska deti” (55). Mirëpo, kapedani nuk ka kohë dhe dorëzohet i pakënaqur përpara dallgëve të trazuara, si te poezia “Varrimi i kapedanit” (52)…, e me përgjërim në buzë, pëshpërit: nuk dua të ndiej përbuzjen. Asgjë në këtë degdisje ndërgjegjesh, nuk e trondit më shumë se përbuzja, nuk e shpërfill më shumë se rrethanat, po kjo ndoshta, është lidhja me jetën, tokësoren, dinjitetin…, që e përafron kah e përjetshmja! Poezia e A. Matos është sendërtim vlerash të thella, andaj me atë dozë filozofish sokratike, vargjet do të udhëtojnë gjatë në kohë!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora