E shtune, 20.04.2024, 04:45 AM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Fund Mosndëshkimit të Krimeve kundër Gazetarëve

E merkure, 03.11.2021, 09:33 PM


DITA NDËRKOMBËTARE PËR T’I DHËNË FUND MOSNDËSHKIMIT PËR KRIMET KUNDËR GAZETARËVE

Nga Frank Shkreli

2 Nëntori, 2021 shënon Ditën Ndërkombëtare për t’i Dhënë Fund Mosndëshkimit të Krimeve kundër Gazetarëve, është një ditë që shënohet çdo vit nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, (OKB-së), nga qeveritë anëtare të OKB-së dhe nga organizata jo qeveritare, mbrojtëse të lirisë së shtypit dhe të drejtave të gazetarëve, anë e mbanë botës. Është një ditë që bota i kushton vëmendje krimeve të dhunëshme kundër gazetarëve dhe përfaqsuesve të medias si dhe lirisë së shtypit, në përgjithësi.  Shkeljet e lirisë së fjalës dhe mosndëshkimi për krimet kundër gazetarëve, anë e mbanë botës, vazhdon të rritet nga viti në vit, sepse qeveritë e ndryshme kanë dështuar të hetojnë krimet kundër gazetarëve. Me këtë rast, Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe një numër qeverish anë e mbanë botës e shënojnë këtë ditë me veprimtari të ndryshme dhe me deklarata, ku shprehin mbështetjen e tyre për lirinë e fjalës dhe shtypit të lirë në vendet e tyre dhe në botë. Ashtu ndodhi edhe sivjet.

Bazuar në statistikat e agjencisë ndërkombëtare, UNESCO e cila ndër të tjera, merret edhe me mbrojtjen e gazetarëve dhe të punëtorve të medias në përgjithësi, vetëm vitin e kaluar, janë vrarë 62 gazetarë, vetëm e vetëm, se pse kryenin detyrën e tyre. Gjithnjë sipas UNESCO-s, nga viti 2006-2020, mbi 1,200 profesionistë të gazetarisë kanë humbur jetën në, duke bërë detyrën e tyre si gazetarë. Në 80 për qind e rasteve, vrarësit e gazetarëve i kanë shpëtuar ndëshkimit. Si rrjedhim, për arsye të statistikave si këto thuhet se -- në “Ditën Ndërkombëtare për t’i Dhënë Fund Mosndëshkimit të Krimeve Kundër Gazetarëve”, 2021 -- është vendosur që t’i kushtohet një vëmendje më e madhe rolit të prokurorëve, për të sjellur para drejtësisë vrasësit e gazetarëve por edhe për të ndjekur penalisht personat që kërcnojnë me dhunë gazetarët, për arsye të profesionit të tyre.

Në mesazhin e tij, duke shënuar këtë ditë ndërkombëtare në mbrojtje të gazetarëve dhe të lirisë së fjalës, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-ës, Z. Antonio Guterres vuri në dukje se shumë gazetarë/e janë vrarë ndërsa raportonin nga zona konfliktesh, ndërsa numri i gazetarëve të vrarë jashtë zonave të konfliteve, është rritur vitet e fundit, gjithashtu.  “Unë u bëjë thirrje shteteve anëtare (të OKB-ës) si dhe komunitetit ndërkombëtar të jenë solidarë me gazetarët anë e mbanë botës sot dhe, çdo ditë tjetër dhe të demonstrojnë, njëkohësisht, vullnetin politik për të hetuar dhe për të ndjekur penalisht krimet kundër gazetarëve dhe puntorëve të tjerë të medias, me kompetencat dhe me fuqinë më të madhe të ligjit”, është shprehur me këtë rast, udhëheqsi i organizatës botërore (OKB-ës), Z. Guterres.  Kjo ditë kujton që të gjithë dhe jo vetëm qeveritë dhe organizatat e ndryshme mbrojtëse të gazetarëve, duhet të kundërshtojnë dhe të luftojnë kërcënimet me dhunë dhe krimet kundër gazetarëve – si pjesë e përpjekjeve për të mbrojtur lirinë e fjalës, për të gjithë, thuhet në deklaratën e organizatës botërore në “Ditën Ndërkombëtare për t’i Dhënë Fund Mosndëshkimit të Krimeve Kundër Gazetarëve.”

“Kur kërcënohet e drejta dhe mundësia për të pasur informacionin, krijimi i një atmosfere të tillë, dërgon një mesazh shqetësues që, njëherazi, minon demokracinë dhe shtetin e së drejtës”, ka nënvijuar udhëheqsi i OKB-së, Z. Antonio Guterres, me këtë rast, duke shtuar se, “Në shumë vende të botës, thjesht, hetimi i korrupsionit, trafikimit, shkeljeve të drejtave të njeriut, ose edhe çeshtjeve të mjedisit, venë në rrezik jetën e gazetarëve”.  Sipas Sekretarit të Përgjithëshëm të OKB-ës, “Krimet kundër gazetarëve kanë një ndikim të madh në mbarë shoqërinë, sepse ato bëjnë të pamundur që njerëzit të ndërmarrin vendime, bazuar në informacione të sakta.”  Z. Guterres i kujtoi botës se femrat gazetare, veçanërsiht, përballen me rreziqe të mëdha në punën e tyre të përditëshme.

Këtë ditë e kujtuan edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nepërmjet një deklarate të Zëdhënsit të (DASH), Z. Ned Price --The International Day to End Impunity for Crimes against Journalist - United States Department of State

“Shtypi i lirë dhe i pavarur mban përgjegjës udhëheqsit, mbron të drejtat e qytetarëve dhe siguron që komunitetet tona të jenë të mirëinformuara. Në shumë vende, gazetarët përballen me kërcënime, me dhunë dhe burgosje për punën e tyre gazetareske.  Shtetet e Bashkuara dënojnë kërcënimet, bezdisjet dhe dhunën që ve në shënjestër gazetarët dhe puntorë të tjerë të medias.  Gjithnjë e më tepër këto kërcënime bëhen nga qeveri që shtrijnë influencën e tyre përtej kufijve, përfshirë përgjimet digjitale të komunikimeve dhe vendndodhjes së gazetarëve, me qëllim për të kufizuar mundësitë e gazetarëve për të raportuar korrupsionin në qeveri dhe shkeljen e të drejtave të njeriut. Asnjë pjesëtar i medias nuk duhet të kërcënohet, të bezdiset, të sulmohet fizikisht ose të arrestohet, thjesht, se bejnë punën e tyre si gazetarë”, thuhet në deklaratën e Zëdhënsit të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Zëdhënsi i DASH përmendi me këtë rast, deklaratën e Presidentit Biden të para do kohe, me të cilën lavdëroi Komitetin Nobel, për nderimin që u bëri gazetarëve Maria Ressa nga Filipinet dhe Dmitri Muratov nga Rusia, duke iu akorduar atyre Çmimin Nobel për Paqë. “Nevoja jonë për lajme dhe raportime të sakta, bazuar në fakte si dhe nevoja për një diskurs të hapur dhe publik, por edhe përgjegjshëmëria, nuk kanë qenë kurrë më të mëdha”, shprehet zëdhënsi i diplomacisë amerikane, në “Ditën Ndërkombëtare për t’i Dhënë Fund Mosndëshkimit të Krimeve Kundër Gazetarëve”, të shpallur nga OKB-ja. Sot më shumë se kurrë, tha zyrtari i lartë i diplomacisë amerikane, duhet të kundërshtojmë ashpër përdorimin, në rritje e sipër, të sulmeve fzike, nagcmimeve “online” kallximeve në gjyq, si mjete frikësimi si dhe presionet për rregullimin dhe centralizimin e kontrollit të medias me anë ligjesh – që përdoren anë e mbanë botës për t’i mbyllur gojën gazetarëve dhe medias në përgjithësi, tha Z. Ned Price.

Zëdhënsi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Z. Ned Price, në përmbyllje të deklaratës me rastin e “Ditës Ndërkombëtare për t’i Dhënë Fund Mosndëshkimit të Krimeve Kundër Gazetarëve”, u zotua në emër të administratës që ai përfaqëson se, “ne ritheksojmë vendosmërinë tonë për të promovuar një shtyp të lirë e të hapur, larg kufizimeve të padrejta, duke mbajtur përgjegjës të gjithë ata që sulmojnë lirinë e medias. Ne kujtojmë, gjithashtu ata gazetarë dhe profesionistë të tjerë të gazetarisë, të cilët janë vrarë gjatë kryerjes së detyrës. Departamenti Amerikan i Shtetit zotohet se do të çojë përpara përpjekjet për promovimin e fjalës së lirë në vendin tonë dhe në botë, ndërkohë që u bëjmë thirrje qeverive të tjera të mbajnë përgjegjës të gjithë ata aktorë që venë në shënjestër gazetarët, me qëllim për t’i bezdisur, për t’i frikësuar dhe për t’i dhunuar”, ka përfunduar zëdhënsi i DASH, Z. Ned Price, deklaratën e tij mbi angazhimin e qeverisë amerikane në mbrojtje të lirisë së fjalës dhe në mbështetjte të gazetarëve dhe të profesionit të tyre, anë e mbanë botës, në “Ditën Ndërkombëtare për t’i Dhënë Fund Mosndëshkimit të Krimeve Kundër Gazetarëve”, (2 nentor 2021).

Ndërsa, Drejtoresha e Përgjithëshme e UNESCO-s, Z-nja Audrey Azoulay në mesazhin e saj me këtë rast u shpreh se, “Shtetet kanë përgjegjësinë të mbrojnë gazetarët dhe të sigurojnë që ata që kërcënojnë dhe që kryejnë krime kundër gazetarëve, të dënohen. Sidomos, gjykatësit dhe prokurorët, tha ajo, kanë rolin kryesor në promovimin e zhvillimit të proceseve penale ashtuqë ata që kryejnë krime kundër gazetarëve, të mos i ikin drejtësisë, të pa ndëshkuar. “Vetëm duke lejuar të flitet e verveta, ne do mundemi të çojmë përpara dhe të sigurojmë paqën, drejtësinë dhe zhvillimin e vazhdueshëm për shoqëritë tona”, tha Drejtoresha e UNESCO-s, Z-nja Audrey Azoulay.

Shtetet e Bashkuara dhe Evropa Perëndimore kanë një traditë të gjatë të lirisë së  shtypit dhe të fjalës së lirë.  Me shembjen e Murit të Berlinit, këtij grupi i janë shtuar një numër vendesh ish-komuniste – tani anëtare të Bashkimit Evropian dhe Aleancës Nato – ku mund të thuhet se liria e fjalës dhe e medias në përgjithësi, zbatohet, respektohet dhe mbrohet me ligj.  Vende këto të cilat konsiderohen si vende “plotësisht të lira” nga vlersimet e organizatave ndërkombëtare që merren me lirinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut anë e mbanë botës.

Ka të tjera vende, si Shqipëria dhe Kosova të cilat nga të njëjtat orgnaizata konsideorhen si “pjesërisht të lira”.  Arsyeja për këtë klasifikim si pjesërisht të lira është fakti se organizatat që merren me të drejtat e njeriut, nuk konsiderojnë se këto dy shtete të shqiptarëve janë të lira plotësisht, pjesërisht, edhe për mënyrën se si Shqipëria dhe Kosova trajtojnë gazetarët dhe të drejtën e lirisë së fjalës në përgjithësi në vendet e tyre.

Dihet se një prej kushteve në procesin e zgjërimit të Bashkimit Evropian (BE) është edhe liria e medias, si një tregues i gatishmërisë së një vendi për tu antarësuar në (BE). Liria e medias dhe liria e fjalës janë të paprekshme ashtu siç përcaktohen në Kartën e të Drejtave themelore të BE-ës dhe në Konventën Evropiane të Drejtave të Njeriut për të mos thenë asgjë për Kartën Universale të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara – dokumenti kryesor që shërben si një udhëzim për liri dhe barazi – në mbrojtje të drejtave të çdo individi, kudo dhe pa dallim – përfshirë lirinë e fjalës dhe të medias.  Veç një Zot e di se si dhe pse nuk u hynë në kokë ky mesazh udhëheqësve shqiptarë në Shqipëri dhe në Kosovë, se liria e fjalës dhe liria e medias janë baza themeltare të një shteti të lirë e demokratik.



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora