E merkure, 24.04.2024, 10:12 AM (GMT+1)

Kulturë

Sabit Rrustemi: Secila stinë është e etur për ty

E marte, 02.11.2021, 07:55 PM


Sabit RRUSTEMI

SECILA STINË ËSHTË E ETUR PËR TY …

(Cikël me poezi)

SA TË AGOJË NJË TJETËR MËNGJES

Hapësirave të djegura të qenies sime

nxito ngadal

Rastësisht në ma prekësh ndonjë plagë

mos thuaj më fal

flladite me një puhizë flokësh e ec

se dhimbjet pastaj shpërndahen mal më mal

Psherëtimat humbi diku ecejakeve

mbi gjithë atë prush të gjallë po shkele

mos ofshajë se më le pa gjumë

Ti tashmë e di

zjarrin e një ofshame s'e shuan asnjë lum

Si flutur e njomë përkthelmë

buzë ditës së re të kësaj nate të vonë

po deshe

gjeje ndonjë pjesë që t'pëlqen

ndalu e pusho

Po t'u rënduan qepallat

mbështetu në cilëndo pjesë timen

fli nëpër ëndrra të mia me dashuri

fli

Fli

e rri në mua sa të agojë një tjetër mëngjes

që brenda shpirtit tënd përjetshëm të mbes

PA ATË STINË QË SYSH KE NDRY

Kur s' të shoh

të ndjej

aq thellë sa pushtohem i tëri prej teje

A ti e gjallë s' ndjehesh

Strukur diku

në një cep të jetës sime vështron

Vargjet m'i lidh nyje

përmes heshtjes sate

tej vetes sime i kodon

E unë sillem mbështillem

ulem ngritem

hapësirën e vetmisë duarsh s'e zë dot

Të çajë nëpër mjegull

pa ty s' frymoj

Si nuk e jep një shenjë a një zë

më pret mua

mungesën

a tjetërkë

Boshësia e kësaj mesnate vallëzon pa pra

Pa atë stinë të blertë që sysh ke ndry

nuk rrihet më

PARASTINËS SË BARDHË

Nëpër pika të imta shiu

rigon syve të shkruar dita që ikën

me etjen tonë të pa shuar

Na gjenë të ftohur udhëve pritjeve

mbështjellë me dhera të tharë

të ngrirë e shkrirë stinëve

Të mëparshmet s’janë më

e pangopshmja kohë i zhbiu

bashkë me ato fryte jete

Trungje të zhveshura mbetëm

para stinës së bardhë

Ardhja jote shprush nëpër dej

gacat e një zjarri mbledh

Rigo e mos prajë

derisa të njomen majat e rrënjëve

thellësive të paprekshme

aty ku drita jote i jep jetë një sythi të ri

Secila stinë është e etur për ty

njësoj si unë

MUNGESA JOTE NUK TROKIT TE UNË

Pak kohë ka mbetur për t'u nisur

andej prej nga nuk kthehemi

Ato që m'u deshën tashmë i mbylla

të tjerat që s'i mora me vete

janë shpërndarë gjithandej stinëve

Në shenjë proteste heshtin

e unë

me mallin tënd fshehur diku bebëzave

jetoj kohën që ikën pa ty

me fjalët që tresin e përzjarrjen deri në hi

po ndjenjat ende s' njohin kufi

Dita ime e pritshme

kur të shpërgjumesh ëndrrash

zgjohu e dil nën qiellin gri

rimbushi dejt me dashuri

kthjellu e shih

Mungesa jote

asnjëherë nuk trokit te unë

sall vetja ime te Ti

ËNDRRA TË PAEPURA MBETËM

Na grishi një çast

një zjarr ndjenjash na mbërtheu

As gishtave të vegjël s'na kurseu

deri në xixë na shterri

ngjyrë e pashlyer hiri

S'e dinim në jemi ëndërr

përgjumur hapëruam drejt një planeti

që ende s'e gjetëm

Hapësirave të paprekura endjesh u tretëm

të dergjur pritjesh nëpër rrathë vetmie

anëve të pashijuara të dashurisë

Sot e asaj dite

ëndrra të paepura mbetëm

mes qepallash

MJALTINAVE TË ZEMRËS SATE

Ti nuk luan prej fjalës

mësa ai guri i moçëm prej vendit

E di ku të kam dhe kjo më mjafton

Një jetë do të pres për të të shijuar

qoftë dhe për një ditë të vetme

a një çast

Ai çast i rrallë që duket si ëndërr

është i pashmangshëm

Stallaktitët e stallakmitët qenieve tona

do të puqen një ditë

në një pikë kohore

Kurdo që kjo të ndodh

nëpër çdo pore të trupit tënd

lule do t’mbjell

Mbrëmeve e mëngjeseve

prej buzëve të mia do t’i ujis

e dheun me këto duar do ta shprush

tërë jetën e lume

atë jetë që veç ëndrrave e jetojmë

Për shpirtin tim të rilindur

mjaltinave të zemrës sate

dashurinë e munguar do ta shijoj

VETËM TË PAMUNDURËN MOS MA KËRKO

Ndeza dritën

për ta dëbuar natën që nuk të solli

e këtë vetmi që gati më heshti

Fjalët Tua që më munguan

nëpër variante të ndryshme po i lexoj

duke ruajtur thellë syve të mi

atë portret ëndrre që s'po kthehet

E dashur

tash e tutje të shoh sall përmes zemrës

e të ndjej përmes shpirtit

Ti u bëre krejtë e pa qenë

pas një mal fjalësh që u murosën

e rrënjë lëshuan thellë në mua

Rri e qetë tash po munde

nëpër furtunat e ndjenjave tê mia

vetëm të pamundurën mos ma kërko

Do të doja

oh sa do të doja

po hiç nuk di qysh me t' harrue

_______

Shënime për autorin

Nga Timo Mërkuri

Sabit Rrustemi u lind më 3 prill 1959 në fshatin Terzijaj të Karadakut ( Gjilan ).

Shkollën  fillore e të mesme e kreu pjesërisht në vendlindje, Zhegër si dhe në Gjilan, ndërsa studimet i mbaroi në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Filologjisë, për letërsi dhe gjuhë shqipe ( 1987)

Nga viti 1977 e këndej është i pranishëm në letrat shqipe,përmes poezisë, prozës dhe shkrimeve publicistike.

Në vitin 1981 u burgos dhe u dënua për një tregim që ishte shkruar dy vite para demonstratave të atij viti,  por që botimi i tij koincidoi me ngjarjet.

Pas një ndalim botimi prej nëntë vitesh, në verën e vitit 1990 i botohet libri i parë me poezzi,KU I LA LISAT ERA.

Nga viti 1990 – 2021, botoi afro njëzet vëllime me poezi, tri vëllime me tregime  dhe po aq me tregime popullore nga Karadaku dhe një prozë dokumentare.

Por, libri poetik prej 12 vëllimesh, HYJNORJA IME JE TI, realisht është kryevepra e tij e jetës.

Është i përkthyer në disa gjuhë të huaja, i përzgjedhur në disa antologji të njohura.

Dy nga librat e tij kanë fituar Çmime vjetore në nivel të Kosovës ( 2013, 2014 ) si dhe mes viteve 1979 – 2020, është fitues i dhjetëra konkurseve për poezi e prozë, në Kosovë, Maqedoni të Veriut e Shqipëri.

Mes viteve 1990 – 2014 ka qenë pjesë e jetës publike përmes LDK-së dhe institucioneve të Kosovës.

Pas këtij viti i kthehet tërësisht letërsisë dhe familjes së tij.

Aktualisht, udhëheq asociacionin alternativ të shkrimtarëve të Kosovës, Ars Clubin “Beqir Musliu”, me seli në Gjilan si dhe është drejtues i Shtëpisë botuese “Beqir Musliu”.

Jeton  me familjen e tij në Zhegër, ngjitas malit të tij të zemrës dhe frymëzimit - Çepurit , aty ku nis dhe një nga grykat më të bukura shqiptare – Gryka e Karadakut.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora