E premte, 29.03.2024, 07:40 AM (GMT)

Kulturë

Enkel Zhuti, 15 vjet karrierë në dhe të huaj dhe olimpiadat e dansit

E diele, 23.04.2006, 10:30 PM


Koreografi shqiptar, në vallëzim me Italinë e Veriut

Enkel Zhuti
Ishte viti 1991 kur balerini Enkel Zhuti e la Teatrin e Operas e të Baletit në Tiranë dhe u vendos në Itali. Në atë kohë u bë shkak një kurs special për t’u larguar nga Shqipëria, së bashku me katër balerinë të tjerë të talentuar (kohë të cilën Enkeli e quan “koha e revolucionit të madh demokratik”). Kujtimet e Enkel Zhutit tashmë janë të ngrira në ditët e para të ikjes e të përballjes me jetën e re, të cilën as që e kishin njohur më parë. “Ferri” nga kishin ikur, nuk do t’i lejonte balerinët shqiptarë që të kthenin kokën pas edhe pse u ndeshën me shumë vështirësi në një vend të huaj. I mësuar me disiplinë të fortë në Akademinë e Baletit të Tiranës, gjë që ai nuk harron ta çmojë në çdo rast, Zhuti pohon për gazetën “TemA” se pas mbarimit të kursit special, atë e pranuan menjëherë në trupën e baletit të Milanos. I angazhuar me këtë trupë ka qenë në 150 shfaqje të zhvilluara brenda dhe jashtë Italisë. Më pas ai ka krijuar dhe kompaninë e tij të baletit, që e ka quajtur “Danza Viva” dhe si primabalerin ka dhënë shfaqje kudo nëpër Italinë e Veriut, Austri, Gjermani, Paris, Angli, etj. Por puna më e çmuar e tij në vite është është organizimi në Veri të Italisë i olimpiadave me nxënësit e shkollave të dansit e të gjimnazeve, aktivitet që tashmë ai e ka kthyer në një traditë. Shqiptari Enkel Zhuti sot njihet si një balerin e koreograf i suksesshëm në teatrot e Italisë.

Intervista

Zoti Zhuti, çfarë ju kujtohet kur u larguat për herë të parë nga Shqipëria?
Unë kam 15 vjet që jam larguar nga Shqipëria, që në 1991-in, së bashku me katër artistë të talentuar të Teatrit të Operas dhe Baletit të Tiranës, që në atë kohë ishin të gjithë të rinj, të sapodalë nga shkolla. Ishin Leonard Xhokaxhiu, Enis Kaceli, Lindita Ahmataj, Urani Tagaruli dhe unë. Ne atëherë u nisëm për një kurs specializimi në Mantova të Italisë, në kuadrin e bashkëpunimit midis Italisë dhe Shqipërisë. Kjo ishte përpara hapjes së ambasadave, përpara shumë ngjarjeve që ndodhën pikërisht përpara revolucionit të madh demokratik të marsit, në vitin 1991.

Të bën kurioz fakti se, si ju u ballafaquat me të panjohurat dhe disiplinat e reja?
Atje unë u përplasa me të panjohurën dhe me mënyra jetese të ndryshme, por edhe me shumë shumë gjëra që ne na ishin mohuar në Shqipëri. Sapo arritëm atje filluam natyrshëm të ambjentohemi. Ishte një kurs specializimi, por nuk ishte në të vërtëtë në atë nivel që prisnin ne, duke e krahasuar me përgatitjen e lartë që kishim marrë në Akademinë e Baletit të Tiranës. Por këto janë gjera që ndodhin në jetë dhe sigurisht duke i përballuar e duke filluar të njihemi me ambjentin, dalëngadalë njerëzit fillojnë të njohin e të vlerësojnë ty, e kështu nis të interesohesh për rrugë e mundësi të reja, derisa secili nga ne filloi të gjente, pra, rrugën e vet.

Cila është vendlindja juaj dhe kur e ku i hodhët hapat e para si balerin?
-Unë u linda në Korçë, më 11 maj 1968, mirëpo familja ime ka shumë shumë vite që është transferuar në Tiranë dhe fëmijëria ime kaloi këtu. Hapat e para si balerin i hodha në shkollën e baletit të Tiranës. Ishte ajo kohë ku si rregull zgjidhnin për çdo vit nga 20 elemente; dhjetë djem dhe dhjetë vajza. Ishte një trupë e kualifikuar koreografësh me artistë 40-50 vjeçar, që kishin shumë eksperiencë në Teatrin e Operas dhe Baletit të Tiranës dhe ata zgjidhnin pikërisht ata që mund të vazhdonin kursin e baletit. Shkolla ishte shumë e mirë, një nga më të mirat, dhe prandaj kanë dalë shumë balerinë të talentuar nëpër botë, në sajë të atyre profesorëve, Petrit Vorpsit, Agron Aliajt, Pëllumb Agalliut, Ida Shtunit e shumë e shumë të tjerëve, që e kanë bërë atë shkollë shumë të fortë, ku në saj të punës së atyre dhe ngulmimit e dëshirës sonë janë arritur rezulate shumë të mira, saqë tani që kemi ecur kaq mirë jashtë, ne e vlerësojmë. Nganjëherë ne nuk e besonim që mund të bënim kaq përpara.

Kishit ju një traditë artistike në familje?
Jo, ne nuk kishim një traditë të tillë në familje. Prindërit e mi ishin njëri mjek e tjetri farmacist, por ata kishin bindjen se në atë kohë në Shqipëri në regjimin e Komunizmit ishte diçka më e mirë që të ishe artist. Fëmijëria ime është pak e veçantë. Unë mund të quhem si një fëmijë me dy palë prindër, sepse jam rritur tek xhaxhai, pasi ata nuk kishin fëmijë, me prindërit e mi më shumë rrinte vëllai im. Madje unë nuk kisha as një lloj dëshire në atë kohë, as për artin, as për muzikën, por me sa duket ngulmimi i prindërve në atë kohë ka qenë me sa duket vendimtar. Mbase ata e dinim më mirë këtë gjë, edhe pse thuhet që prindërit nuk duhet të ndërhyjnë. Në rastin tim pashë se prindërit kishin të drejtë, sepse mua më konsideronin si një nga nxënësit më të mirë në atë shkollë. Kam punuar me profesor Pëllumb Agalliun, që ishte shumë-shumë i zoti në Profesion. Duke parë që më çmonin thashë me vete “atëhere t’i futem dhe unë punës, të mos jenë vetëm prindërit ata që interesohen për mua”.

Zoti Enkel, a mund të na kujtoni disa nga sukseset e para si primabalerin në Itali?
Një shfaqjet e para të sukseshme ka qenë Karmen në Mantova. Menjëherë pas këtij suksesi unë ndërrova edhe mënyrën e punës dhe projektet e mia, sepse pas këtyre shfaqjeve njerëzit filluan të më njihnin dhe treguan më shumë interes, më shumë mundësi komunikimi dhe mundësi për ushtrimin e profesionit dhe pastaj unë kam punuar në Milano në Rovereto, etj. Kur pashë që Rovereto, një qytet në Veri të Italisë, ishte një qytet i qetë dhe kontrata e punës ma lejonte që të rrija, atëhere unë u vendosa atje. Është afër Bolzanos, që është afër Austrisë dhe Veronës. Është një qytet i qetë. Rezidencën e kam gjithmonë atje dhe që nga ajo kohë unë fillova jo vetëm të kërcejë, por edhe të organizoj shumë aktivitete, të cilat zakonisht i kam filluar vet i mbështetur në idetë e mia dhe kjo ka pasur shumë efikasitet. Njerëzit sot nuk kanë shumë besim tek bashkëpunimet.

Si ja dolët?
Shfaqja e parë ka qenë organizimi i një festivali të rëndësishëm në qytetin ku unë jetoja. Kjo gjë bëhej për herë të parë, sepse askush nuk kishte mundur që t’i mblidhte në një aktivitet të gjitha shkollat bashkë. Me sa duket, kishte një lloj xhelozie mes tyre, sepse në qytetin e Roveretos në asnjë rast shkollat e dansit nuk pranonin që të kërcenin të gjitha së bashku. Unë duke mos e pasur nacionalitetin italian, i ftova të gjitha shkollat dhe shfaqja vërtetë shkoi shumë mirë. Kështu unë pata të njëjtin sukses edhe në qytetet e tjera me organizimin e shkollave të dansit, në Balzano, në Verona, në Mantova, në Torino, në Rimini, në Milano, në Bolonja, etj.

Në këtë rast ju po ngjani si një koreograf shëtitës, apo jo?
Edhe kjo mund të jetë...Mund të thuhet se jam një farë organizatori shëtitës, që ndoshta në Itali është kërkuar me ngulm. Është dashur të jetë një organizator i tillë, por asnjë nuk e merrte përsipër. Me sa duket, të biesh dakort me njerëzit është gjithmonë e vështirë. Unë e kam kapërcyer besoj këtë vështirësi, duke kapërcyer edhe shumë-shumë probleme; të merresha me shfaqjen, me kërcimin tim, me organizimin e shumë shkollave dhe të gjeja mënyra për të bindur shkollat se ky është një projekt serioz. Duhet të merresh me kaq shumë gjëra...

Për punët më më të mira jehona vjen pak vonë, çfarë thonë tani për arritjet tuaja në Itali?
Punët serioze dhe punët e rëndësishme gjithmonë kanë nevojë për kohë dhe njerëzit duhen gradualisht të binden me seriozitetin e projektit dhe rëndësinë e tij dhe kur ti e mbaron ajo lloj pune gjithmonë ka fituar dhe nuk humbet kurrë, dhe ja tani kjo punë vlerëosohet kaq shumë, saqë edhe unë vet nganjëherë bezdisem. Tashmë janë harruar pretendimet që ata kishin, “shkollat e zëna”, “nuk kemi kushte organizimi”, etj. Ndërsa tani gjërat kanë ndryshuar. Në të gjitha prenontimet e aktiviteteve për vitin që vjen, të gjitha shkollat luten, “ka dhe vend ose mundësi për mua”, etj. Unë tani jam i detyruar që të bëjë, jo vetëm një, por edhe dy shfaqje për një natë, që do të kërkonte në një kohë më të lirë dy ditë. Kështu nisa unë nga puna. Ky ishte vetëm fillimi. Pasi bëra dhjetëra festivale nëpër këto qytete me shkolat e baletit, unë thashë “le të mundohemi t’ia afrojmë baletin edhe shkollave publike”. Kam biseduar me mësuesit edukimit fizik e me drejtorët e shkollave dhe hartova një projekt, sipas meje, shumë-shumë të mirë, ku unë dërgoja në çfarëdolloj shkolle një koreograf dhe ai merrej me përgatitjen e një lloj koreografie për skuadrën e shkollës për të gjithë vajzat e djemtë e interesuar për çfarëdolloj shkolle. Të gjitha shkollat filluan të interesoheshin shumë dhe që nga ajo ditë unë bëj dyzet e dy shfaqje në të gjithë Italinë e Veriut. Jo vetëm kaq, por unë organizova edhe në Isbruk të Austrisë një shfaqje të kësaj natyre dhe pata shumë sukses. Vjet shkova dhe organizova një shfaqje në Londër, që mori emrin projekt i vitit nga Departamenti i Shtetit, për të rinjtë në Londër.

Pjesë e jetës tuaj artistike nuk janë vetëm këto vallëzime pa kufi në Italinë e Veriut e gjetkë. Me siguri ju kujtoni disa nga rolet tuaja më të dashura si primabelerin në skenë, cilat kanë qenë?
Pas Karmenit janë Don Kishoti, Arrëthyesi, Zhizeli që i kam luajtur në Shqipëri. Këto ishin rolet më të rëndësishme për të formuar një balerin. Prandaj kur unë shkova në Itali nuk e pata shumë të vështirë që të kem sukses në prodhime të tjera edhe të baletit modern, jo vetëm në baletin klasik. Tani mua më bëhen shumë-shumë kohë që kam kërcyer, sa unë gati nuk i mbaj dot mend të gjitha rolet në teatër.

Marrëdhëniet tuaj me Shqipërinë, si janë?
Deri para tre-katër vjetësh unë vija tre ose katër herë në vit në Shqipëri. Nuk gjeja kohë të vija më shpesh. Këto dy vitet e fundit puna ime ka qenë kaq e madhe dhe kaq e stuhishme, saqë unë për gati dy vjet nuk kam mundur të vi në Shqipëri fare. Kam qenë këtu që në përvjetorin e shkollës së baletit, dy vite më përpara, ku unë kam kërcyer me një partnere italiane.

Cili është një nga projektet e tua më të mira që do të vijë pas largimit tuaj nga Shqipëria?
Më i miri besoj se do të jetë një shfaqje që unë do ta bëj në Romë me pjesëmarrjen e shumë artistëve të njohur, ndërsa në 28 janar do të organizohet dhe organizoj në Verona një shfaqje me të gjithë fituesit e olimpiadave, por kjo ka të bëj me të shkuarën. Gjatë periudhës së verës unë bëj një konkurs, ose audicion siç thuhet në Shqipëri, për dhjetë kërcimtarë dhe me kompaninë që unë drejtoj që quhet “Danza Viva”, bëj një turne prej 32 shfaqjesh në të gjithë Italinë e Veriut. Këtu vijnë vallëtarët më të mirë që kanë punuar prej vitesh me koreografi të gjinive nga më të ndryshmet të baletit; klasik, konteporan, zhaz e modern, që janë shumë të përhapura në Europën Perëndimore. Nuk mbarojnë projektet...

Jetoni në familje?
Jo jetoj vetëm në Itali, ndërkohë që gjithë këto punë s’më lënë kurrë vetëm...

Enkel Zhuti- Drejtor artistik i Olimpiadës së Vallëzimit:
Fillimisht është diplomuar si balerin në Akademinë e Operas në Tiranë, qytetin e tij të lindjes, nën udhëzimin e mësuesve të shkollave sovjetike. Si balerin i parë, ka shëtitur gjithë Europën me teatrin e Operas. Më pas transferohet në Itali në vitin 1991 ku interpreton kërcimet Jazz, sëbashku me Catherine Campell të American Baller Theatre, si dhe kërcime klasike me Jorge Esquivel të Baletit Kombëtar të Kubës dhe Deborah Ëeaver (balerinë e parë soliste e Nevv York City Baller). Ka interpretuar si balerin në Teatrin Nuovo në Torino, në Donizetti të Bergamo-s, në Civico të Virceli-t, në Romolo Valli të Reggio Emilia-s, në Smeraldo të Milanos, në role primare tek “Don Kishoti”, “Carmen”, “Giselle”, “Bukuroshja e Fjetur”, si dhe prodhime të kërcimit bashkëkohor të jazzit. Që nga viti 1996, ai kërcen me shoqëruesen e tij “Danza Viva” si balerin i parë, në prodhime ku shpesh herë është edhe koreografi. Ka interpretuar si i ftuar në vende të shumta europiane si Austria, Gjermania, Zvicra, Britania e Madhe, Malta, Republika Çeke, Franca, Spanja.)

Ai ka qenë i angazhuar edhe në shkolla kërcimi që nxjerrin balerinë profesionistë, si dhe ka punuar me studentët më të mirë të shkollave të Italisë së Veriut. Ka organizuar, në rolin e drejtorit artistik, manifestime dhe evenimente të shumta të lidhura me kërcimin, të cilat kanë marrë pjesë në qytetet e Veriut të Italisë. Ka qenë i pari në Itali që ka propozuar idenë e Olimpiadës së Vallëzimit për shkollën, ngjarje kjo në të cilën marrin pjesë qindra të rinj e të reja. Që nga viti 2001, Olimpiadat zhvillohen në Bolzano, Merano, Trento, Rovereto, Verona, Mantova, Brescia, Rimini, Crema, Bologna, Torino, Roma madje dhe në Londër. Në cilësinë e presidentit të Shoqatës së vallëzimit, gjatë dhjetë viteve të fundit është impenjuar për shpërhapjen dhe vlerësimin e kërcimit, duke kontribuar në këtë mënyrë në zgjimin e interesit të publikut të gjerë për këtë disiplinë artistike. Përkushtimi dhe puna e madhe i garantojnë atij suksesin dhe mirënjohjen në të gjitha nivelet.

Disa vlerësime për sukseset e koreografit Enkel Zhuti

-Të shkollohesh mund të thotë edhe të vallëzosh. “Është një eveniment vallëzimi që ka në të qindra të rinj protagonist...Qëllimi im-shpjegon Enkel Zhuti- është ai i të afruarit të vallëzimit me të rinjtë, të cilët nuk kanë kërcyer asnjëherë”- Ilaria M.Dondo Brescia Oggi

-Qyteti “që vallëzon” ka fituar zemrat e të gjithëve: Pantallona të gjera, këmbë elastike dhe entusiazëm i paparë: kështu janë paraqitur në skenë rreth 400 të rinj, me koreografi të mësuesve të papërtuar, të cilët janë duartrokitur gjatë, edhe nën sytë vigjilentë të Enkel Zhuti, i cili është edhe shpirti i këtij manifestimi të jashtëzakonshëm” Annamaria Eccli Trentino-Rovereto

-Sfidë ndërmjet studentësh, me ritme funky “Ideja ka qenë e koreografit shqiptar Enkel Zhuti...duke ndërmarrë kështu një traditë e cila është prezente në shumë shtete europiane. Në këtë konkurs kanë marrë pjesë gjashtë shkolla të mesme në gjuhën italiane dhe gjermane dhe dhjetë shkolla të larta” Patrizia Binco Il Mattino-Bolzano

-Spektakël i madh me Enkel Zhutin “Kisha nisur me organizimin e grupeve për shkollat e vallëzimit-tregon Zhuti- më pas mendova se do të ishte më interesante që ta aplikoje këtë disiplinë edhe në ambjente të tjera, pak më të ndryshme , për të pasur vlerë më të madhe, si shprehëse ashtu edhe krijuese” Annamaria Eccli Trentino- Rovereto

-Nisin Olimpiadat “Të gjithë në kërcim. Duket se iniciativa e Zhutit do të shpërhapet me shpejtësi...Është konsideruar një sukses i vërtetë inisiativa e marrë nga Enkel Zhuti, e cila është sjellë nga jashtë, si një risi absolute për Italinë” Cristiana Martinelli Trentino-Rovereto. Etj, etj...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora