E hene, 24.01.2022, 07:16 PM (GMT)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: ‘’Ndergjegja, e verteta dhe e mira’’

E hene, 01.11.2021, 07:11 PM


Nga Fritz RADOVANI: (Pjesa XLVIII)

“NDERGJEGJA, E  VERTETA  DHE  E  MIRA...”

Në rreshtin e fundit të letres që i dergoi kryeministrit  Pader Mëshkalla, shkruen: “Nuk me ka shty me Ju shkrue Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi por vetëm ndërgjegja, e vërteta dhe e mira.” Asht e vështirë me pranue se lexuesi të cilit i drejtohët letra ka mujtë me kuptue se Pader Mëshkalla, me këto pak fjalë, ka thanë një të vërtetë aq të madhe, që nuk mund të kuptohet nga diktatorët, tiranët a terroristët, të cilëve u drejtohej letra. Ata lloj diktatorësh që kishte mbi kokë Populli Shqiptar, nuk mund të dijnë me kuptue asnjëherë se çdo vërejtje që bahet nga një njeri nuk ka qellim kryesor urrejtje, ambicion apo interes kundrejt tyne, e sidomos nga një kundërshtar i tyne, sepse të gjitha këto kushte janë ideja, mendimi e vepra e tyne, që gjithmonë tek ata janë te lidhuna me krimin e organizuem, sepse, vetëm ashtu ata mendojnë se sigurojnë pushtetin personal të “plotfuqishëm e të përjetshëm” dhe, pa asnjë kufizim moral apo njerzor, ashtu siç ishte sistemi totalitar komunist në Shqipni, që kërkonte me çdo mënyrë përjashtimin e Zotit nga historia. Pikërisht aty ku asht urrejtja, ambicioni, interesi, aty asht egoizmi. Ku asht egoizmi, asht kriza shpirtnore. Kriza shpirtnore asht pjesë e pandame e jetës dhe veprës së diktatorëve, tiranëve vrastarë dhe terroristëve të popullit, si dhe shërbëtorëve të tyne.

Për ata monstra, fjalët e Pader Mëshkallës: “...vetëm ndërgjegja, e vërteta dhe e mira.”, as nuk ekzistojnë, janë jashtë botkuptimit të tyne, dhe jo vetëm ata nuk dijnë me i shpjegue, po as nuk dijnë me i kuptue.

Ata nuk veprojnë me ndërgjegje asnjëherë, sepse vetë ky “Revolucion Kultural”, zhvillohet nga “një pakicë e pandërgjegjeshme”. E vërteta dhe e mira janë prap dy cilësi që nuk mund të bashkjetojnë me gënjeshtrën dhe të keqën, me hipokrizinë dhe servilizmin, me torturën dhe vrasjen e kundërshtarit tyne të pafajshem.

Ndersa, ajo që asht edhe ma keq në këta raste, asht inferioriteti moral, edukativ dhe kulturor i një klase pseudointelektuale e terroriste të pashpirtë, kundrejt dijetarëve që kanë vu themelët e kulturës së një shteti përparimtar, dhe që nuk munden me kenë kurrë trathtarë të Atdheut, sepse pabesia dhe trathtia ndaj Popullit dhe Atdheut, janë themelët mbi të cilat asht i ndërtuem sistemi totalitar komunist. Te trija këto cilësi: Ndërgjegja, e vërteta dhe e mira, shkatrrohen dhe shpartallohen në mënyren ma mizore, kur  “Një popull asht i lidhun për kafshatën e bukës.” Pra, kur një popull jeton në kushtet e një kafshës së lidhun tek huni i grazhdit  të barit të thatë, e do të pijë ujë vetëm kur “kujtohët” diktatori, ndryshej, po kërkoj me zgjidhë litarin, e pret vuejtja, mjerimi e plumbi.

Kjo e vetem kjo, ishte jeta “e lumtur” e Popullit tonë!

“Ndërgjegja, e vërteta dhe e mira”, janë e drejta, pikërisht, ajo që mungon gjithmonë aty ku mungon Zoti. e në sistemin komunist asht e padiskutueshme mungesa e Zotit. Anasjelltas, ku mungon Zoti mungon e drejta. Kjo asht edhe një ndër arësyet që ky sistem nuk pranon të drejtën e kritikës ndaj së keqës, që asht pjesë e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Pader Mëshkalla asht i vetdijshëm se tek komunistet jo vetem mungon e drejta, po aty mungon edhe dashnia e vllaznimi, e tue mungue të gjitha këto, shpejt do të mungojë edhe uniteti kombëtar, që asht përfundimi ose shkatrrimi i pashmangshëm i Atdheut. Mosnjohja e këtyne vityteve shpirtnore asht shkatrruesi i kushedi sa kombeve e shteteve që sot kanë humb gjithshka, e jo larg kësaj katastrofe asht sot edhe shteti Shqiptar.

Në sistemin komunist “kafshata e bukës”, asht kenë dhe vazhdon me kenë piksynimi i diktatorëve barbar e shpartallues të virtyteve kombtare, të ruejtuna në gjak dhe në shpirt persa shekuj tue sakrifikue edhe jeten.

Pikrisht këta virtyte naltësuen figurat e pavdekshme të

Shqiptarve Gjergj Kastrioti-Skenderbe’ e Nanë Tereza.

Melbourne, 1 Nandor 2021.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora