E hene, 29.11.2021, 08:17 PM (GMT)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: E shenjta Voskopojë

E diele, 31.10.2021, 06:00 PM


E SHENJTA VOSKOPOJË

Ekskluzive nga Pëllumb Gorica

Të udhëtosh në Voskopojë, në këtë magji të shenjtë, duhet të përgatitesh shpirtërisht, për të përballuar dhe shijuar bukuritë e saj. Voskopoja është frymë e legjendës së begatë mesjetare, e veshur me vello mistike e përpjesëtime të panatyrshme qytetërimi e zhvillimi ekonomik, i ushqimit shpirtëror të kulturës dritë-art dhe historive të bujshme, që sot me fanatizëm ruajnë gjurmët e tyre.

Kjo nuk e step asnjëherë kureshtjen e njeriut për të mësuar nga historia e saj e hershme dhe me kënaqësi, mund të shprehësh mbresat e tua me entuziazëm.

Është një ditë e ngrohtë, fund tetori. E ndjen ajrin e freskët, sikur të jetë pranverë. Ecën në fushën e Korçës dhe, pa e kaluar orën, duke medituar e vëzhguar natyrën në të dyja anët e rrugës, makina përshkon Voskopin (Deapolin e antik, qyteti i Zotit), përmes pishave, arave të mbjella e livadheve, ku kullotnin tufa bagëtish.

Voskopoja të shfaqet para syve krejt befas rrëzë maleve të Oparit. Sot, ashtu si dikur me kultin e madhështisë, që vetë Perëndia i kishte vënë dorë, është përveç se kënaqësi e të jetuarit dhe shtëpi mikpritëse për të gjithë, me një lloj ngrohtësie në shpirt, që të afron pothuajse gjithçka, kjo është fare e qartë, më pak se sa është vlera e vërtetë e saj.

Kumte nga historia e largët

Voskopoja ishte një qendër e rëndësishme e besimit ortodoks, të kulturës dhe historisë shqiptare, në fillimet e qytetërimit urban, si shembulli më kuptimplotë i vlerave. E kaluara historike dhe madhështore e saj, është një “kapërcim” i jashtëzakonshëm kohor, me shumë pika të errëta e të pathëna, ngjyra të kohës, shkëlqim dhe kulturë qytetare. Një vend ku dashuria njerëzore u shkatërrua, nga ata që urrenin zhvillimin.

Dëshmohet të ketë filluar të jetohet intensivisht në shekullin XIV. Sipas Martininianit në Kodikun e Shën Prodhromit, si vit i themelimit të Voskopojës mbahet 1330. Themeluesit e saj ishin nga familja e Muzakajve. Ajo tërhoqi drejt vetes banorë, edhe nga etnia e vllehëve, që për nga identiteti dhe origjina, hyjnë në popujt me rrënjë të lashta historike të Evropës, në gjuhë, zakone, besim, tradita, kostume, antropologji etj. Në trojet shqiptare vllehët në fillim ishin të vendosur në trevat e Korçës, Pogradecit, Përmetit, Kolonjës, Gramshit, etj. Ata ngritën këtu dora-dorës Voskopojën dhe bijëzat e saj të qytetëruara: Grabovën, Lllëngën, Niçën, Shipskë- Krushovën e Nikolicën, me njësi matëse të mundshmes së një qyteti, për nga zhvillimi dhe kultura. Aty e kulturuan banorin shekullor të tyre në binarët e paqes dhe të moralit.

Studiuesi gjerman, Thunmann, shkruan se Voskopoja në kulmin e saj ka pas 30 mijë banorë.

Ndikimi i lëvizjeve të mëdha përparimtare të iluminizmit europian të kohës e bëri Voskopojën vatër të zjarrtë, ku shpërndahej kulturë dhe përflakje qytetërimi. E thënë më qartë u krijua një qytet, me vlera të pashlyera të një ‘’përsosje’’, që sot përfytyrohet mes heshtjes së padukshmërisë.

Akadamik Aleks Buda e quante Voskopojën djep të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, me librat e shtypshkronjën e themeluar në vitin 1720 nga murgu voskopojar Johan Kostandini. Ata shkruanin, shtynin dhe botonin traktate të inspiruara nga Decart, Liebnic etj.  Është e njohur biblioteka me dorëshkrime të shumta në greqisht dhe latinisht, me korifejtë Teodor Kavalioti, me gramatikën katër gjuhëshe, mes tyre shqip e vllahçe, sigurisht me shkronjat e kohës e më pas me shkronja latine nga Danil Voskopojari, Boiagi etj. Kontributi i tyre është i paçmueshëm në jetën historike, politike dhe ekonomike të shoqërisë shqiptare, duke u tretur për të shëndoshur themelet e saj e, mbi të gjitha në ngarkesat e kohësisë për të ndriçuar dije. Ndërsa Kadare do të shkuante se, Voskopoja ishte një mini Trojë, ku zuri fill iluminizmi shqiptar, nga e para akademi në Ballkanin Perendimor për shkenca që më 1744: psikologji, filozofi, astronomi, matematikë, fizikë, gramatikë, theologjia e sofizëm, duke pajtuar petagogët më në zë e duke rritur numrin e nxënësve që vinin nga familjet e shtresave të larta. Pa të nuk do ishte as Korça që është sot, duke përfituar jo pak nga influenca e saj.

Lindi, lulëzoi, u shua...

Voskopoja ishte një krijesë e magjishme, një copëz drite që lindi e rrezatoi në errësirën e shekujve me intesitet material e ndjesi njerëzore. Një gravurë në ballinën e kishës së Shën Kollit tregon shtrirjen e dikurshme të Voskopojës me kupola guri; sa që, befas, para syve të mendjes të konturohet historia e saj e madhe dhe e bukur, me banorë që, duke jetuar në paqe e harmoni, si askund tjetër në trojet shqiptare, me normat e qytetëruara, me bazë e drejtime ekonomike dhe prirje për dije e kulturë; më rrugët e kalldrëmta që tingëllonin nga paktojt e karvaneve, shtëpitë e gurta, të mbuluara me plloça e tjegulla romake, hanet, ku bujtnin udhëtarë e tregëtarë, portat me qemer guri, sofatet dhe çezmat, kishat me këmbanoret e tyre, ku banorët faleshin e respektonin simbolet e krishterimit. Bukuria e natyrës, freskia e pyjeve dhe gurgullima e ujërave unifikoi shpirtin e tyre. Begatia e saj u rrit e evuloi në mënyrë të konsiderueshme. Familjet e mëdha të kohës zhvillonin një tregti, art, kulturë dhe marëdhënie me qytete të tjera, duke e kthye në një qendër të lulëzimit ekonomik me: banka, shoqëri sigurimesh, shtëpi për të vobektit, me zejet e përpunimit të metaleve, në mjeshtërinë e leshpunuesve (derstilat), për guna, velenca e veshje, të gëdhendjes së gurëve dhe drurëve, të përpunimit të produkteve ushqimore, etj. Çdo krijim kishte dy ndjesi: ekonomike dhe artistike. I patën rënë me karvane kuajsh dhe mushkash kryq e tërthor jo vetëm territoreve  rreth e qark, por shfrytëzuan edhe hapësirat e gjëra të Ballkanit, që nga Serbia, Mali i Zi, Bullgaria, Rumania, Greqia deri edhe në Turqi e Egjypt. Për t’u njohur nga të tjerët kishin të gdhendur stemën e shqiponjës në mallrat që tregtonin në tërë portet e Mesdheut, Napolit, Venedikut, Selanikut e Bosforit.

Në kohën kur po dridhej Perandoria Osmane nga lëvizjet kombëtare (Voskopoja i verboi me dritën rrezatuese) u egërsuan veprimet ndaj qytetërimit të saj. Mënyra më mirë për ta shpërbërë, në formën më të dhimbshme, që dhimbja mund të njohë, ishte djegia e shkatërrimi i pamëshirshëm i kësaj qëndre të iluminizmit në Ballkan.

Në një pllakë guri në Voskopojë lexon: “Në kujtim të viktimave gjatë tri djegieve të Voskopojës 1769, 1789, 1916”, që shënuan fundin e lulëzimit të Voskopojës, nga mëndjembrapshtësia e dashakeqësve turq e grekë dhe bejlerëve të Dangëllisë, duke e ndëshkuar në altarin e vdekjes për së gjalli, nga njerëzit e deri te gurët, (kufomat njerëzore dhe bagëtitë dergjeshin nëpër rrugë, ku thuhet se me ditë të tëra edhe qentë janë shqyer me to), sa u kthye Voskopoja në një peizazh të rrënuar dhe në një farë forme në errësirë letargjie.

Ata që i shpëtuan asaj mizorie, e cila mund të krahasohet me ekzodin biblik të popullit të Davidit, morën udhën, ashtu kuturu, në drejtime të ndryshme për të mbjellë jetë të re në Korçë, Ohër, Manastir, Shkup, e më tej në Elbasan, Berat, Vlorë, Kavajë, Durrës e deri në kodrat e Tiranës (sot Parku i Madh), ku paria e qytetit u dha tokë për të ndërtuar shtëpitë dhe dyqanet, e njëkohësisht disa kisha më kryesoren kishën e Shën Prokopit dhe kullën e Sahatit. Ata kishin profesione të ndryshme si esnafë, bakërxhinj, kujunxhinj, terzinjë, karvanxhinj, gurëgëdhendës, zdrukdhtarë etj, zeje këto për të cilat qytetet kishin nevojë. Të tjerë të larguar, morën me vete edhe këmbanat për të siguruar vetëqenien, atje ku u vendosën, në Lushnjë, Kuçovë e Fier. Ndërsa pjesa tjetër për të gjetur valë të qeta në shpirt përmes vështirësish, me ndjenja e mendime të fisnikërisë kapën fate të mpleksura, në tokat e Hungarisë, Austrisë, Gjermanisë, Italisë, si vatra politike e kulturore të rëndësishme të Evropës së asaj periudhe, duke ngritur atje perandorinë e kulturës dhe zhvillimit ekonomik të tyre për të shkruar histori, duke kontribuar për institucionet dhe kulturën e tyre kombëtare, në të gjitha fushat e mundshme, si bamirës filantropë, bankierë, resturatorë me besimin, mirësinë, thjeshtësinë dhe edukatën e të parëve, merita që bota e ditur nuk i ka mohuar. Ata ikën me logjikën pragmatike të mbijetesës së qetë dhe kësisoj kthimi i kokës për të shkuarën, si heshtje ndaj ndjeshmërisë për vendin, i bënte të lirë nga “skllavëria” që po kalonin trojet shqiptare.

U larguan nga Voskopoja dhe në mënyrë të pavetëdijshme të duket sikur ajo fjalia e bukur, me të cilën nobelisti Gabriel Garsia Markesi e përmbyll romanin e tij “Njëqind vjet vetmi”, për fiset e dënuara u shkon përshtat voskopojarëve “…nuk u jepej asnjë fat tjetër këtu”.

Ngjarje tronditëse të historisë së saj, të endin në përfytyrimin e një plage që kur e gërvisht rrjedh hidhërim. Emri i Voskopojës është domethënës dhe e mban gjallë atë histori dhe ata që banuan aty. Ajo edhe pse e djegur dhe shkatërruar nga duar ogurzeza kurrë nuk e humbi erëmimin magjik, si një gur xhevahiri ndër shekuj.

Arti e tregon bukurinë

Jo gjithmonë e reja zhduk e le në harresë të vjetrën, atë simbolikë të lidhur me historinë, ngjarjet, emrat, kohën, arkitekturën, artin e religjionin. Në Voskopojë, krahas gërmadhave të mureve, të flasin me bukurinë e tyre, faltoret e shenjta, këto monumente thesare me elementë ndërtimorë që datojnë, nga shekulli XV deri në XVIII.

Teksa i vështron kishat e stilit bazilikal, që kanë mbetur sa gishtat e dorës, hyjnore e të magjishme, por edhe të mistershme, të mahnit arti i tyre i pazakontë nga dora e David Selenicës, Kostandin Shpatarakut, vëllezërve Katro (Çetiri), Konstandin Leromonakut, Kostandin dhe Athanas Zografit, që të ndikuar nga shkolla fiorentine e pikturës, me afreskat, ikonografët, ikonostaset dhe skulpturat e shdërruan Voskopojën në vezullim estetik dhe magji. Sa lutje kanë dëgjuar muret e tyre, sa herë jehuan e ranë këmbanat dhe sa herë ikonat e shenjtorëve, të pikturuar me dekore florale u vështruan me dashuri. I varfëroi trauma e komunizmit, që jo vetëm përdhosi shënjtërinë e tyre, duke i përshtatur në magazina prodhimesh e stane bagëtish, por dhe i grabiti e i shkatërroi afreskat e ikonostaset koha e demokracisë. Noli në vitin 1906 shkruante me plot krenari se në Voskopojë, vetëm në kishën e Shën Thanasit, ishin një mijë ikona.

Ecim oborrit të gurtë, të pastër dhe mistik, ngjitur harqeve të zbukuruara me ormanente në kishën e Shën Kollit. Mahnitesh nga arkitektura e saj, nga pllakat gjithë rombe, të cilat koha i ka hirësuar e i ka bërë si retë e zeza në qiell dhe rrasat e gurit që e mbulojnë, nga pikturat e panumërta dhe gdhendjet e shumta. Hyjmë brenda kishës përmes portës së dekoruar ndritshëm. Vezullonte flaka e kuqërremtë e qirinjve, që digjej pa pushim me një dritë të ngrohtë, ku përvijoheshin ca hije të gjata, si magjia e misterit. Asgjë nuk pipëtinte përveç llamburitjes së ngjyrave të afreskeve, që vetë Perëndia na e lejoi t’i kemi trashëgimi deri në ditët e sotme. Përballë të shfaqet froni dhespotik. Po aq e bukur është edhe kubeja e pikturuar me një gjuhë simbolike.

Ikonat e shenjtorëve sikur të ndiqnin me sytë e tyre të lodhur nga shekujt dhe të dhurojnë aq shumë emocione. Të pikturuara nga dora e artë e David Selenicës, në çerekun e parë të shekullit XVIII, duke anashkaluar skemën bizantine të pikturimit, këtu gjen figurat e të gjithë shenjtorëve të kishës ortodokse me në krye Jesu Krishtin, Virgjëreshën Mari dhe apostujt. Duke vështruar veprën e këtij piktori qiellor kemi këtu një nga veprat më të bukura të historisë së pikturës sonë mesjetare, “Farëhedhësin” e afërt me njeriun e gjallë, me veshje të kohës, të bujkut që e hedh farën e Perëndisë në tokë të mirë, me qëllim që ajo të mbijë e të lëshojë bimë të shëndetshëm.

At Thoma Samara, një prift i bëshëm, me rrobën e tij të zezë gjer në fund të këmbëve dhe me një kryq të madh varur mbi gjoks, na priti e na përcolli me dashamirësi. Nuk shterojnë temat e bisedës me të; për banorët e hershëm këtu dhe jetën e tyre, për atmosferën shpirtërore brenda shpirtit të amshuar, për mënyrën e të sjellurit dhe të vepruarit me kulturë. Njohuritë e tij historike, të argumentuara përçojnë thellë rreze kuruese. Të duket sikur shfleton një revistë dhe lexon devocionin, përuljen, besimin, përkushtimin, humanizmin, thjeshtësinë, besnikërinë, paqëtimin e mirësisë, fjalës së ëmbël e balsamit të shpirtrave.

-Në kishat e Voskopojës, si gjithandej,  -të thotë At Thomai, -mbruhej morali dhe kurohej zemra e njerëzve për krijuesin e ringjalljen shpirtërore, ku shkruhej e mësohej gjuha dhe edukohej për të mos u çnjerëzuar, ku edhe përjetoheshin ritualet si naforja, vera apo meshat e pagëzimet. Sa dëshpëruese do të ishte jeta nëse nuk do të egzistonte progresi i shpirtit pa dashurinë e pa paqen për mbi dhe, në rrugëtimin e vështirë drejt përsosjes së vlerave. Kjo ka qënë e është filozofia për të ndërtuar moralin njerëzor, ajo çka na mëson jeta, të ndërtojmë marrëdhënie shoqërore përmes dashurisë për të bërë të paqtë ndërgjegjen, moralin shekullor, që të mos ketë vend urrejtja.

Shumë syresh, më të ngeshmit, ngjiten drejt një kodre ku gjendej kisha e Shën Ilias (Profet Ilias). Ajo sikur të gozhdon me pamjen e zymtë. Këmbanorja e shkëputur nga ndërtesa e saj lartësohej dhe të ngjante si një roje. Përreth saj shkurret mbytnin rrënojat e ndërtimeve të hirnosura, nga koha e agjentët atmosferikë, që të flisnin në shpirt me një hije trishtimi. Ato shpërndajnë përfytyrimin e një jete të banuar. Në krah të derës së kishës qëndron një llamarinë e ndryshkur, ku me vështirësi lexon: “Monument kulture i ndërtuar në shek.VI-IX. Mbrohet nga shteti”, ndërsa një dry i varur me zinxhir mbyllte kanatat e saj. E shtyjmë derën mes gërvimave të çjerra, që gati të rrëzohej para syve dhe futemi brenda. Po sapo e kapërcen, shikon një botë trarësh, me cerga merimangash, aq sa ndjen prekjen e pëlhurave të tyre në fytyrë. Nga çatia hynin rreze drite, të cilat dukeshin si shigjeta të ndritura, që ndriçonin muret e zverdhura, që të jepnin imazhin e mbetjeve të fosilizuar prej shekujsh, ku ende ruhen shenjtorë e ikona të rrënuara, me një ngjyrë të zverdhur, që thërrasin për ndihmë. Ndërsa në dysheme libra fetarë të shkalafitur përziheshin me copa suvaje dhe qirinj të shformuar.

Kalojmë urën e Shën Prodhromit atje pranë ish-kampit të pushimit, ku shfaqet Manastiri i Shën Prodhromit, që zgjon kureshtjen për arkitekturën e rrallë, si një kështjellë. I ngjitemi kodrës së rrethuar nga gjelbërimi i pishave së bashku me turistë, prindër me fëmijë në krahë, të rinj, të cilët shpejtonin për të hyrë në manastir. Kur futesh brenda ndjen se je duke udhëtuar në largësinë e katër shekujve më parë, kur u ndërtua. Ai është rrezëllues me gurët e latuar. Aroma e paqes e shpërndarë në çdo cep të tij, sikur përtërihet në ringjallje çdo 24 qershor në festën e Shën Marisë me panairin tregtar. Atë ditë, si asnjë ditë tjetër, e ngjizur në shpirtin e njerëzve, shfaqet fryma magjike e tij në kohëra.

Një Korçë në miniaturë

Zëra të shkujdesur çapiten rrugicave, që të ngjajnë si duar të bardha njerëzish; në restorantet, hotelet e bujtinat; në tregun e vogël të mbushur me fruta e perime të stinës: arra, lajthi, rrush, ftonj, shegë, mollë të freskëta e të përpunuara, oshaf, raki, bimë medicinale, si çaji i malit, sherebelë, djathë, gjalp, gjizë e mjaltë dhe punimet me dorë e tezgja. Ne si bletët ngarkohemi me to, madje plot.

Të kaplon një ndjesi mirëqënie në Voskopojë. Përherë të bën përshtypje natyrshmëria, një ndjenjësi e pabëzajtë e ndërtimeve të reja e të vjetra, sa ngjajnë si një peizazh poetik, duke të kënaqur brenda tyre. Ato nuk janë jo thjesht vepra ndërtimi, por më shumë vepra artistike, aq, sa mendja të vjen në vend nga sugjestioni i utopisë dhe iluzionet e rrejshme të qyteteve tona, të pushtuara nga ndotësia, zvetënimi dhe banaliteti i pa fund. Kur mrekullia ecën paralel me vlerat e dorës së njeriut e thjeshtësisë dhe njëherazi gojëmbëlsisë së tyre, edhe në atë që nuk preket prej bukurisë së syve, druaj të them se janë aq shumë këtu teksa kultivojnë shije, mirësi, dashuri dhe natyrshmëri. Bukuria arkitekturore dhe natyrore me elementët e qytetërimit, të aristokracisë së re të qytetërimit të vjetër e hijeshojnë jetën e përditshme këtu, me mirsjelljen, njerëzoren, punën e tyre, mimikën dhe zërat gazmorë (edhe me një buzëqeshje e vleresojmë kujdesin e tyre). Ato patjetër janë frymëzuese për të kënaqur vizitorët, që i bëjnë voskopojarët të vetëdijshëm për të kërkuar më shumë nga vetja dhe të tjerët. Ndaj dhe përpiqen të ndërtojnë jetën dhe biznesin e tyre në bazë të këtyre parimeve.

Në Voskopojë shijon kuzhinën tradicionale, që është e vlersuar nga shërbimi i kulturuar dhe cilësia e ushqimeve nepsndjellëse, krejt të freskëta, i gatimeve tradicionale, si mishi i qengjit të pjekur në hell e sidomos i lakrorit të famshëm në saç, me shijen e vet të palimituar.

Së bashku me miqtë ulemi të çlodhemi në bujtinën Falo. E madhe, e bukur dhe e gjitha në gur nga jashtë dhe brenda aq këndshëm, me shijet e së sotmes moderne, aq sa është e vështirë të gjesh vend në fundjavë.

Biseda rrjedh këndshëm, por edhe gotat e verës njëra pas tjetrës. Emocionet në kësisoj rastesh bëjnë punën e tyre e mjaftojnë të ndizet atmosfera, sa eklipsohesh prej dëshirës së zjarrtë për t'u dëfryer me tingujt e një kitare, që përcjellë zëri i bukur i një të riu premtues  nga këngë të vjetra, por aq të dashura, mësuar e kënduar brez pas brezi. Të godasin në shpirt dhe të lind dëshira të këndosh edhe ti me ato tingujt të ëmbël, që na kujtojnë vitet e rinisë.

Në Voskopojë pamë, prekëm dhe ndjemë historinë e saj, si një hoje plot me mjaltë brenda mureve kokëfortë të shekujve. Me madhështinë që në formë e ruan edhe sot është zonjë plot nur.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i pjesshëm apo i plotë me çdo lloj mjeti apo forme, pa lejën me shkrim të autorit.

Copyright © Pëllumb Gorica & ZemraShqiptare.net



(Vota: 20 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora