Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kastriot Dervishi: Tërheqja e kufomës së të pushkatuarit

| E marte, 02.11.2021, 07:44 PM |


Tërheqja e kufomës së të pushkatuarit

Nga Kastriot Dervishi

Palok Mark Pikolinin (1916-1945) Gjykata Ushtarake e Krahinës Ushtarake të Korparmatës së 3-të Shkodër, me vendimin nr.2, datë 24.1.1945, e deklaroi fajtor, e dënoi me vdekje dhe me konfiskimin e pasurisë. U ekzekutua në Shkodër më 26.1.1945, pa hyrë në fuqi vendimi i shkallës së parë. Pasi kishte vdekur, u la në fuqi me vendimin nr.25, datë 28.2.1945 të Gjykatës së Lartë Ushtarake. I vëllai i Palokës, Kolec Pikolini (1923-2019), u arrestua më 9.8.1948, u dënua me 20 vjet burgim, por u arratis më 21.8.1952, teksa vuante dënimin në Tiranë. Ai emigroi në Belgjikë, Kanada dhe në vitin 1967 u vendos në Miçigan të SHBA-së ku edhe ndërroi jetë në shkurt 2019. Për fat të mirë, ndryshe nga shumë të tjerë, ai shkroi e botoi kujtimet e tij. Ndër të tjera, në to gjendet edhe pjesa se si mundi familja të tërheqë kufomën e të vëllait të pushkatuar nga regjimi komunist.

Pjesë nga libri i Kolec Pikolinit:

“Në fundin e varrezave bri një muri, u panë dy gra të moshuara me një thes e një arkë të vogël, të shoqëruara prej një burri që kishte në dorë një qysqi e një lopatë. Të dy gratë ishin motra. Ata ishin nëna e tezja e Palokë Pikolinit, ndërsa personi që i shoqëronte ishte Preka kujdestari e administratori i varrezave katolike në fushën e Rrmajit. Nëna e tezja kishin menduar si të tërhiqnin kufomën e djalit të saj. Preka ishte në dijeni se ishin edhe kufoma të tjera, por edhe varrezat survejoheshin nga spiunët. Kështu këto dy motra i ishin drejtuar Prekës në besën e Zotit që t’i jepte lejen për këtë iniciativë. Preka jo se i dha menjëherë leje, por se me shpirtin burrëror e antikomunist i dha ndihmën pa marrë parasysh konsekuencat e Sigurimit të Shtetit.

Në dritën e hënës së zbehtë të varreve, nën heshtjen e fletëve të çinarëve që mbulonin tokën ku pushonin shumë martirë të persekutuar nga shpirti antishqiptar. Këto, pasi thyen tokën me durim, mbërritën të preknin me duart e tyre të veshura me lagështi. Atje gjetën në xhepin e palltos një stilograf dhe krehrin. Nëna menjëherë njohu kufomën e të birit të saj, prej kostumit dhe këpucëve të reja që babai i kishte punuar kur ishte liruar prej kampit Gjermanisë. Këto motra lagën me lotët e tyre kufomën e tij dhe së bashku me kujdes e mbështollën me një batanije dhe e futën në armën që kishin sjellë. Preka, një ditë më parë, kish hapur gropën e familjes ku pushonin dy motrat e tij, gjyshi e gjyshja. Kjo ishte nata më misterioze që unë pashë nga larg, duke qëndruar i strukur bri mureve të rrugës për vëzhgim”.

(Kolec Pikolini, “Regjimi i hienave”, Shkodër 2001, faqe 112. Në foto, varreza e Rrmajit dhe dy çinarët e famshëm në mes të fotos).