E enjte, 25.04.2024, 09:32 PM (GMT+1)

Kulturë

Edit Mihali: Opera “Mrika” më hapi rrugën e suksesit skenik

E hene, 08.12.2008, 01:31 PM


Edit Mihali
Flet sopranoja e talentuar, pedagogia e Akademisë së Arteve Edit Mihali

Talentin tim e ka zbuluar Dhora Leka

Opera “Mrika” më hapi rrugën e suksesit skenik

Nga Albert Zholi
 
Një nga sopranot më të talentuara shqiptare të të gjitha kohërave. Gjithmonë thuhet se jeta e artistëve ka dimensione të tjera më të veçanta më të spikatura dhe një jetë e tillë mbetet ajo e Edit Mihalit. Dhe pse shumë e talentuar si këngëtare lirike, ajo ngjitet në skenë jashtë dëshirës së saj shumë vonë. Por megjithatë ajo i arrin shkallët e suksesit menjëherë. Ka kënduar veprat skenike më të rëndësishme botërore si: “Berberi Seviljes”, “Traviata”, “Rigoleto”, por rrugën e suksesit ia hapi opera shqiptare “Mrika”. Ajo vepër ngelet si “Kutia e Pandorës” në jetën e saj skenike. I vjen keq që në sistemin komunist hapësirat për të vënë në skenë veprat botërore operistike ishin tepër të papërfillshme pasi kishte kufizime ideologjike, por megjithatë, në ato vite ajo mësoi dhe perfeksionoi në maksimum artin e të kënduarit skenik lirik. 
 
Kur është zbuluar si talent apo kush e ka parë se ju mund të jepnit rezultat në muzikë?

Nuk është se kam spikatur unë si talent, por është një nënë që ka njohur një nga artistet e shumë njohura Dhora Leka. Kjo grua ka qenë nga artistet e para, kompozitoret e para “Artiste e Popullit” (ka disa vjet që na ka lënë). Është ajo që më ka zbuluar, është ajo që ka thënë fjalët e para për mua. Ose më mirë të themi nuk është ajo që më zbuloi, por është ajo që i tha nënës që provoje vajzën. Shiko se mos ajo ka talent muzikor, pasi ajo provoi zërin tim. Pra ajo pikasi zërin tim. Ajo këshilloi nënën që të më provonte mua për zërin. Se mos ndoshta kisha zë për këngë. Si përfundim ime më, më provoi vetë dhe më futi për konkurrim në Liceun Artistik. Unë pasi fitova, u futa në konvikt. Ndenja plot 7 vjet në konviktin e Liceut. Jeta e konviktit ishte shumë shoqërore. Këtu filloi të ndryshojë jeta ime. Isha e detyruar të shoqërohesha me shoqe dhe të bëja një jetë paksa më të hapur se në shtëpi. Në fillim në Lice kam studiuar për violinë. Nuk kam studiuar për kanto. Në konkurs provohej se sa vesh muzike ka kjo fëmijë. Pas violinës kam kaluar për teoritikë. Teoritikë do të thotë, për kritikë muzikore. Ishin shumë pedagogë të përgatitur që më jepnin lëndë të veçanta teoritike si solfezh, harmoninë, polifoninë, e shumë lëndë të tjera që përgatisnin kritikët muzikorë. Pra, për këtë mësova unë në Lice për kritikë muzikore ose Teoritikë siç quhej.

Më pas si vazhdoi jeta e Editit?

Në atë kohë si Institucione të artit muzikor ishin Lice, TOB (ishte viti 1967), Instituti i Arteve. Pra këto tre institucione të rëndësishme ishin për artin. Ose më mirë të themi shkolla të plota të muzikës. Ajo që është për t’u nënvizuar (theksuar), ishte se këto tre institucione kordinonin në mënyrën më të përkryer me njëri-tjetrin. Pra TOB lidhej me Liceun dhe Institutin e Arteve dhe thithte talentet. Ishte një lidhje zinxhir, ku institucionet lidhnin dhe koordinonin punën e njëri tjetrit. Sepse TOB, pa këto dy institucione, pa këto dy lidhje, nuk do të kishte këto prurje dhe lavdi.

box
Puna e veçantë e institucioneve dhe drejtuesve

Këto institucione drejtoheshin nga njerëz të talentuar, njerëz shumë të njohur dhe intelektualë të vërtetë. Në Liceun Artistik, Drejtor Artistik ishte Simon Gjoni dirigjent që kishte mbaruar studimet në Çeki. Njeri me kulturë të madhe, me dije, me horizont. Sikur t’i thuash sot ndonjë dirigjenti të ri që ka pak talent që shko drejtor artistik në Lice, do t’i duket si ulje. Kishte shumë kuadro të përgatitur në atë kohë që sot nuk janë. Që kanë lënë gjurmë në muzikën shqiptare. Dhe fatkeqësisht nuk kujtohen. Po harrohen. Këto vite u shuan shumë: Simon Gjoni, Nikolla Zorqi, Çesk Zadeja, Feim Ibrahimi, Tonin Harapi etj... Koka e artit muzikor thuajse ka ndërruar jetë. Kanë qenë baza e krijimit të shkollës shqiptare në shumë drejtime. Unë kam pasur fatin që kur kam qenë në Lice kur Drejtor ishte Simon Gjoni (dirigjent), kompozitor i mirë, i cili ka kompozuar një nga këngët e mia më të dashura:
Tuj shëtit në mal’ e kodër
Tuj prek lulet gjith me dorë
Ty të gjeta lule borë
Je e vogël..

Kjo këngë është bërë si himn. Ky që ka bërë këtë vepër është Simon Gjoni njeri i përkushtuar.

Sa ka ndikuar në jetën tuaj si këngëtare operistike Simon Gjoni?

Unë isha 17 vjeç kur Simoni vjen në klasën tonë dhe na vë gishtin ne 7 vajzave. Pa na zgjedhur. Ju të 7-ta do vini me mua tani. Ne nuk dinim ku do shkonim dhe përse. Ne shkuam mbrapa. Na çoi në Akademinë e Arteve. Aty është dhoma nr.1 e pianos. Ishin brenda 3 personalitete të artit lirik (të kantos). Maria Kraja, Mihal Ciko (e para soprano i dyti bariton), Llukë Kaçaj (bas). Të tre artista të mëdhenj. Ne na futën me radhë para tyre. Ata na bënin disa ushtrime si bëhen në muzikë. Kur mbaruan pyetjet, mua më thanë se ti do të vish të bësh konkurs për kanto. Unë as që e mendoja këtë moment se do kaloja në konkurs për kanto. Isha shumë e ndrojtur. Shumë e tërhequr. Të ishte për mua kurrë nuk do ta merrja përsipër këtë rrugë, të konkurroja për kanto. Pra ishte Simon Gjoni ai që ma shtroi këtë rrugë.

Atëherë si konkurrove?

Pra unë konkursin e dhashë për kritike muzike. Ata e kishin marrë vesh që ky njeri kishte zë të bukur. Pra mund të konkurronte për kanto. Por unë nuk këndoja, më vinte rëndë. Dola nga konkursi për të vazhduar për kritike muzike. Por ky moment e ngacmoi nënën time. Të pasurit zë të bukur ngacmoi jo vetëm nënën, por edhe Marie Krajën Aty të dyja ranë në një mendim që unë të konkurroja edhe për kanto. Pra në shtator konkurrova për kritike muzikore në dhjetor konkurrova për kanto me këmbënguljen e nënës dhe Marijes. Marija nuk donte që të humbte zëri im. Pra, dhjetor 1967. E fitova konkursin. Kështu m’u dha e drejta të fitoj dhe të vazhdoj me të dy degët edhe kritikë edhe kanto. Këtë e them paksa me mburrje...

Ju keni dhënë mësim edhe kur keni qenë studente?

Pikërisht, kur isha në vitin e tretë për kanto dhe bile isha dhe shtatzënë fillova të jap mësim solfezh në Lice. Pra duke pasur rezultate të larta më kërkuan si pedagoge. Atëherë nuk isha veçse 20 vjeç kur kam dhënë mësim. Pra merrja mësime dhe jepja mësim. Qe kjo kohë që unë nxora një maturë të veçantë të solfezhit. E mora nga viti i parë dhe e nxora në fund të vitit të katërt. Është kënaqësi kur e çon deri në fund një klasë.

Pra skenën nuk e kishit menduar? Kur filloi ëndrra juaj skenike?

Besnike e dashurisë dhe e fjalës që i kisha dhënë burrit (se nuk do dilja në skenë), jetën skenike e fillova shumë vonë. Ai kishte presione të ndryshme nga personalitete që unë të dilja në skenë. Këto sinjale vinin nga njerëz që kishin emër në fushën e muzikës dhe kishin studiuar jashtë. Të gjithë i thoshin burrit tim se ti po e merr në qafë këtë zë, këtë grua. Në këtë kohë bëhem nënë dhe më vënë një fletë - rrufe në shkollë, pasi unë s’kisha vajtur në një mbledhje, pasi kisha pasur fëmijën sëmurë. Isha 24 vjeçe. Kisha dy vjet punë. Pra më vendosën një nga ato kinezëritë, dacibaot që vendoseshin në atë kohë. Kjo ishte e paimagjinueshme për mua, por ishte koha e revolucionit kulturor kinez. U trondita. Mora një vërejtje që nuk mund ta suportoja. Unë nuk mundja të shkoja në shkollë. Më vinte turp. Kjo u bë shkas që unë të jepja konkurs për t’u punësuar në TOB. Pra pasi nuk mundja të shkoja në shkollë.

Kjo është kthesa në jetën tuaj?

Po. Pikërisht në këtë kohë unë bëra një konkurs për t’u punësuar në TOB. Ishte dhjetori i vitit 1974. Fitoj konkursin dhe filloj soliste (soprano) në TOB. Fillova punë në dhjetor të vitit 1975.

Roli i parë në skenë

Një vepër skenike Opera “Bardhoshja” ku kisha një rol i vogël. Ky ishte sipari im skenik. Nuk ishte rol që binte në sy, primar, por që kishte të veçantat e tij.

Roli i parë që të bëri të famshme?

“Mrika”. Roli i parë, suksesi i parë. Opera “Mrika” ishte një përgjegjësi. Atëherë nuk ishte si sot. Isha unë artistja që lusja drejtuesit për të marrë një rol. Lusja udhëheqësin artistik, sekretarin e partisë, që hajdeni më dëgjoni. Kam një rol gati dhe dua ta luaj. Lutesha me lot për rolin që doja të luaja. Sot në demokraci Drejtori i lut i thërret dhe u thotë që çfarë keni dëshirë të këndoni. Dhe secili zgjedh. Ky është ndryshimi.

Të ndalemi tek “Mrika”..

“Mrika” e vitit 1976 më kujton lotët në korridore. Pra menjëherë sa u futa mora një rol të madh. Një rol që shoqet e mia kishin vite që e kërkonin. Në atë kohë unë kam gjetur Mrikë këtu, Nina Mulën dhe Irena Gjerkon. Nina ishte një artiste që mund ta respektoje, kishte të gjitha komponentët që duhej të dilje në skenë. Vullnetin, këmbënguljen, mobilizimin. Pra kur unë kam bërë “Bardhoshen”, Mrikë ishte Nina Mula.

Role të tjera kryesore?

Në vitin 1976, “Mrika”, në vitin 1978, “Lulja e Kujtimit” dhe në vitin 1979, fat që u dha direktiva për “Berberin e Seviljes”. Veprat e huaja duhej të ishin me ideologji përparimtare, ku klasa punëtore duhej të ishte kundër borgjezisë. “Berberi” ishte “bum”-i im i parë shumë i madh që fitova famën si sopranoja më e mirë shqiptare, pasi “Berberi” kërkon një teknikë shumë speciale. Do zhdërvjelltësi të zërit dhe zhdërvjelltësi fizike, të lëvizjeve (që mua nuk më përkiste kjo e dyta). N.q.s në lëvizje kisha mangësi regjisori pasi pa zhdërvjelltësinë e zërit bëri ndërthurjen. Kritika bëri shumë vlerësime. Ishte mars 1979. Ajo ishte koha e artë për mua. “Berberi...” ishte një rol dinakërie, koketërie, humori, zhdërvjelltësie. Në 4 akte ajo ka shumë lëvizje ndryshime të ngarkesës emocionale që nga një Violetë kurtizane që sakrifikon për dashurinë, që shkon deri në
sakrifikim fizik, që shkon në vdekje për dashurinë. Mora aq shumë vlerësime sa se besoja. Këtu u tregua siguria ime. Një siguri që e prisja me padurim. Por edhe pjekuria skenike. Tashmë kisha formuar një personalitet timin të konsoliduar.

Dhe...

Duheshin 4 vjet që të vinte viti 1983 që të luaja “Rigoleton”. Mars 1983 me “Traviatën” pata një tjetër sukses. 10 shfaqjet e para jo vetëm nuk kishte bileta, por njerëzit ishin ulur nëpër shkallë

“Lufta e fshehtë” dhe xhelozitë a ekzistonin në atë kohë?

Shkopinj nën rrota ka pasur. Viti 1983 më kishte hapur çdo rrugë. Kisha luajtur disa vepra ku maten sopranot. N.q.s “Mrikën” mund ta luajnë disa soprano, Berberin mund ta luanin vetëm dy soprano nga 10 që ishim. Në veprat e huaja bëhet seleksionimi. Por këtu hynë xhelozitë. Disa role mi mohuan padrejtësisht. Më hoqën “Gocën e Kaçanikut” për vetë faktin se thuhej duhet të luajnë dhe të tjerat. Më hoqën “Toka jonë” Lokja. Kisha dhe një problem biografie që sot duket si humor. Pra nuk mund të dilja jashtë shtetit. Ishte një pengesë. Isha në një filtrim më shumë se të tjerët.

Pra ju nuk keni dalë asnjëherë jashtë në sistemin komunist duke pasur parasysh këtë “kleçkë”?

Kam dalë, por me shumë vështirësi. Kam dalë në vitin 1981, kur bëra “Berberin...”. Por unë kisha bërë arien e Violetës që dirigjentët e mëdhenj si Ferdinant Deda, Eno Koço, që më kanë dirigjuar tek Travita dhe më kanë dhënë vlerësime dhe kanë bërë sugjerimet e tyre. Pra u desh një ndërhyrje nga lart pas këtij debutimi brilant që unë të dilja jashtë. Dhe pikërisht në këtë vit unë shkova për herë të parë në Kalabri. Isha veshur me rroba popullore. Pra nuk munda të këndoja arie apo opera. Kishte ikur ajo periudhë kur ne ishim lidhur me vendet ish -komuniste, kur opera jonë shkonte në Poloni Çeki, Bullgari. Ndërsa vitet pas 1963 ishin vitet e mbylljes së madhe.

Cila ishte dëshira e asaj kohe. Ku kishe më shumë dëshirë të shkoje?

Në Kosovë. Aty ishte vendlindja e gjyshit tim. Aty doja të dilja dhe të tregoja talentin tim. Aty doja që për herë të parë jashtë të shfaqja bagazhin tim. Të mos shkoje jashtë atëherë ishte një njollë. Një njollë që duhej shlyer.

Po më vonë a dole jashtë shtetit?

Në vitin 1983 dola me orkestrën e RTSH-së në Turqi së bashku me Gaqo Çakon, Eno Koçon dhe Ferdinant Dedën. Dolëm me shumë sukses. Aty u njoha me Shimshekun (personalitet i Turqisë që ka ardhur dhe ka drejtuar orkestrën tonë këtu) i cili na pyeti nëse ka ndonjë që këndon opera dhe i thanë për mua për rolin e Rozinës së Traviatës. Ai më tha që do të vish vitin e ardhshëm në Festivalin e Operas së Ankaras. Nuk e besova. M’u duk ëndërr, por ftesa erdhi. Shkuam në vitin 1984. Ishin shumë shtete. Bullgaria u paraqit me “Rigoleton”, Rumania me “Berberin e Seviljes”, Stambolli me “Përrallat e Ofmanit”, ne u paraqitëm me “Traviatën”.

Në këto vite çfarë do veçoje

Në vitin 1987, shtator unë shkova për specializim në Francë, Paris. Ky specializim vazhdoi deri në dhjetor 1988. Pra specializimi ishte për kanto. Lufta ishte e madhe, donin shumë të shkonin, por emri im tani ishte bërë prezent kudo si soprano e talentuar.

Mbas kthimit nga Franca?

Mbas suksesit të “Berberit...” në vitin 1979, unë u futa pedagoge e jashtme në Akademi. Pas kthimit nga Parisi më thanë të shkoja pedagoge e rregullt, e brendshme në Akademi. U tremba dhe nuk doja. Pra të jepja, mësim dhe të vazhdoja në TOB. Por atëherë ishte e vështirë. Gruaja kishte shumë punë në shtëpi. Nuk kishte komoditete. Pra nuk pranova që të isha pedagoge e rregullt. Paradoksi është ky, që sot dua të shkoj sot si pedagoge e brendshme pasi kam më shumë pjekuri, kam më shumë kohë dhe nuk më pranojnë. Unë kam qenë Prima Dona e TOB-it dhe sot pedagoge janë ato që nuk kanë qenë kurrë të tilla.

Pengu në skenë?

Ndoshta pengu është ky që nuk përjetova kohën e lirisë së teatrit që të luaja sa më shumë role, pasi sot nuk ka kufizime për veprat e huaja dhe së dyti, që kjo kohë që del lirshëm jashtë shtetit të ishte që në atë kohë. Për të treguar vlerat e tua.

Pas komunizmit, cilat janë momentet më të bukura skenike?

Një bashkëpunim me Ardit Gjebren, ku muzika e lehtë ajo popullore u ndërthur me ato lirike, apo kuartete të ndryshme me Aleksandër Gjokën. Pra, pas “Perëndeshë e bukurisë” do të doja të bëja një album me këtë lloj stili së bashku me Arditin sepse e vlerësoj shumë si artist dhe kapacitetin profesional muzikor. U bëra gati të bëj një projekt në vitin 1995, por u tërhoqa.

Rolet në vitet 1990-2008?

“Tronotore” (Leonorën), “Peshkatarët e perlave” (Lejlanë), “Don Zhuani” (Elvira), Kavaleria Rusikana” (Santuçion), “Toska” (Toskën), “Fjordeliçi”, “Zëri njerëzor” (gruaja pa emër), “Mikaelea” (tek Karmen), “Turandot” (princesha),

Idhujt?

Pas zërit të Maria Kalasit kam qenë e magjepsur. Rrija me orë të tëra dhe dëgjoja vibrimin e zërit të saj. Ngjyrat e zërit të saj më kanë bërë që ta dua, ajo është ajo, që thua “o perëndi ku jam”

Pedagoge apo skena janë më pranë Editit?

Skena është e jashtëzakonshme. Është e padiskutueshme. 
 
Si m’u besua Mrika

Atëherë bëje audicion. Nuk vije menjëherë sa kërkoje, apo të thoshin. E fitova me audicion me disa vërejtje të vogla. Qe një Mrikë që unë doja të dëgjoja pas shfaqjes se çfarë thoshin. Dëgjoja kryesisht profesionistët muzikantët, jo popullin në sallë që të duartroket. Pra doja të dija kualitetin e zërit sepse në kuptimin teknik është rol shumë i vështirë tekniko - profesional. U gëzova pas fjalëve që i kish thënë i madhi Avni Mula, bashkëshortit tim se të uroj me gjithë shpirt përzemërsi se Mrika është një kockë që të ngec në grykë po nuk dite ta luash. “Mrikën” nuk mund ta luaj kushdo.. Bravo Editit i tha. Këtë rol që kishte luajtur pedagogia ime Marije Kraja. Ishte roli kryesor apo më mirë ajo e kishte vënë për herë të parë në skenë. Pra dua ti them një flm të madhe Marie krajës. Dhe pedagogëve të tjerë që na mësuan me shumë dashuri dhe përgjegjësi. Në fillim Mihal Ciko
në Itali, Marie Kraja në austri. Ramiz Kovaçi në Bullgari. Nina Mula në Rusi. Avni Mula po aty etj.... Pedagogët që krijuan, themeluan degën e artit lirik, degën e kantos- dhe nxorën këngëtarë potentë që nuk kishin nevojë për kurse jashtë bile jashtë në skenat e huaja dolën dinjitozë
 
Turneu i Greqisë në vitin 1984

Në Greqi. Kur bëmë një turne nga Korfuzi në Athinë në vitin 1984. Ambasadori ynë në Greqi Ksenofon Nushi na tha se n.q.s do korrni sukses në Korfuz suksesi juaj në Athinë do të jetë i padiskutueshëm. Në fakt ashtu doli. Në Korfuz ne dhamë maksimumin. Duartrokitjet ishin maksimale. Gazetat të gjitha shkruan me superlativa për mua. Por unë nuk e dija çfarë kishin shkruar. S’më tha njeri dhe gjuhën nuk e dija. Kur u ktheva në Shqipëri im shoq më thotë se gazetat shqiptare kishin shkruar thatë dhe për mua kishin shkruar vetëm emrin. Këtë e kishte bërë Bardhyl Londo. Më shumë shkruhej për Ibrahim Madhin që ishte deputet i asaj kohe. U ndjeva keq. Por pas disa ditësh më takon Spiro Dede dhe më thotë se kanë ardhur axhanset nga Greqia dhe për t’i kanë shkruar me superlativa ndërsa për Ibrahim Madhin shkruanin që ishte mirë të kishte ndërruar program. Shkova tek Dritëro Agolli dhe i them të vërtetën e gazetave greke dhe shtrembërimin e fakteve nga shtypi shqiptar. I tregova axhanset e gazetave greke ku thuhej “skena lirike greke do të ishte krenare të kishte një soprano si Edit Mihali, që notat më të vështira i kalon me lehtësinë më të madhe”.
 
Të rejat në TOB

Sot nuk ka kërkesa ndaj vetvetes, ta harrojmë. Studiot e lirikëve atëherë ishin plot, sot i sheh bosh. Pra shihet puna si biznes, për përfitime vetëm ekonomike ndoshta se jeta është shumë e vështirë.
TOB tani ndodhet me fat se drejtohet nga Zhani Ciko. Nga vitit 1990 deri në 1999 kur iku Riza Hajro, TOB, arriti në greminë, ku mund të bëheshin 5 shfaqje në vit. Në vitin 1999 erdhi Zana Çela që e vuri në brazda në moto. Riktheu rregullin, skenën, filloi disiplina. Në vitin 2000, kur unë isha Drejtore Artisike doli kalendari i parë artistik. Në 2003 kur erdhi Zhani Ciko TOB, ra në duart e një profesionisti të vërtetë. Tani mund të thuhet si lum këta artista që kanë këtë drejtor, por jo që lum drejtori që ka këta artista. Ndërsa në atë kohë duhej të thoje, lum si drejtori që ka këta artista.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora