E enjte, 18.04.2024, 09:07 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Agron Xhagolli: Veprimtari në vazhdimësi

E diele, 31.10.2021, 06:54 PM


Pjesëmarrësit e Konferencë shkencore “Zejtaria dhe tregtia në Luginë të Preshevës dhe në viset shqiptare

VEPRIMTARI NË VAZHDIMËSI

Shkruan: Prof. Dr. Agron XHAGOLLI

Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore Preshevë e ka bërë tashmë një traditë pozitive organizimin e veprimtarive shkencore, në fusha të ndryshme të trashëgimisë kulturore të Luginës së Preshevës dhe të viseve të tjera shqiptare. Për më tepër, të gjitha këto veprimtari, nga kumtesa janë realizuar si punime shkencore dhe janë përmbledhur në vëllime të veçanta studimore, gjë që ia shton edhe më shumë vlerat kësaj nisme të mirëseardhur.

Kjo praktikë e këtij viti u realizua edhe më 23 tetor 2021, kur u organizua Konferenca Shkencore, që kishte marrë përsipër trajtimin e një teme me interes të posaçëm, siç është “Zejtaria dhe tregtia në Luginë të Preshevës dhe në viset shqiptare”. U paraqitën për të trajtuar, brenda kuadrit të temës bosht, 25 studiues, nga të cilët kumtuan 18 prej tyre. Mospjesëmarrja fizikisht në veprimtari e shtatë studiuesve ka të bëjë me situata të ndryshme në të cilat ata ndodhen, me kushtet e pandemisë. Por, siç u theksua në përfundim të Konferencës, të gjitha punimet e zgjeruara janë të mirëpritura dhe do të përfshihen në një vëllim të veçantë, që do të shohë dritën e botimit.

Konferenca Shkencore i filloi punimet e veta në sallën e Kuvendit Komunal të Preshevës. Duhet thënë se në Konferencës u vu re një mungesë interesimi për pjesëmarrje, si nga drejtuesit e pushtetit lokal, ashtu dhe nga banorë të Luginës së Preshevës. Kjo ndofta ka të bëjë edhe me kushtet gjatë situatës së pandemisë por, sidoqoftë, trajtimi i temave të kësaj natyre është e nevojëshme që të përcillet nga sa më shumë të pranishëm.

Pamje nga Konferenca shkencore dhe drejtuesit e séancës solemne

Punimet u hapën nga kryetari i Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore Preshevë, z. Xhemaledin Salihu, i cili shpalosi edhe rrugën nëpër të cilën ka ecur Shoqata. Ai falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, veçanërisht studiuesit e paraqitur me kumtesa, krahas sponsorëve, që bënë të mundur organizimin e kësaj veprimtarie, siç ishin konkretisht Këshilli Komunal i komunës së Preshevës; z. Qenan Haxhi Vlora Hamdiu, nga Kumanova; z. Skënder Rexhepi, nga Rainca e Preshevës.

Kryetari i Shoqatës për Trashëgimi  ndan një Dhuratë- Falënderimi për donatorin kryesor, Z.Qenan Haxhi Vlora Hamdiun

Pastaj u kalua në mbajtjen e kumtesave të përgatitura. Kumtesat më të shumta numerikisht i kushtoheshin zejtarisë dhe në një numër të kufizuar apo të lidhura dhe me zejtarinë, ishin kumtesat për tregëtinë. Kumtesat, fryt i kërkimeve në terren dhe shfrytëzimit të literaturës shkencore, sollën dëshmi të ndryshme rreth pranisë, zhvillimit dhe pasurimit të zejtarisë, por edhe të tregëtisë, jo vetëm në Luginën e Preshevës, por dhe në treva të tjera shqiptare, përgjithësisht më të afërta me të. Dhe duhet thënë se ngado vihet re një histori praktikimi dhe zhvillimi mjaft e pasur, e cila u dëshmua që nga fillimet e shekullit XVI, për t’u pasuruar në informacione dhe dëshmi konkrete për gjatë shekujve XIX dhe XX dhe deri në ditët tona.

Përcjellja e kumtesave të mbajtura të shtyn që të arrish në disa përfundime vlerësuese rreth veprimtarisë së mbajtur në Preshevë, midis të cilave theksoj:

Fillimisht do të vlerësoja përzgjedhjen e gjetur të temës bosht të Konferencës Shkencore. Duhet thënë se rreth kësaj teme nuk ka pasur në përgjithësi shqyrtime që do e trajtonin këtë problematikë në përmasa mjaft të gjera, të shtrira në tematikë dhe në gjerësinë e parashtrimeve. Ndaj e shoh si një meritë kryesore të organizatorit të veprimtarisë, që ka ditur të përzgjedhë dhe t’i japë vëmmendjen e merituar një teme të tillë kaq të rëndësishme.

Drejtuesit e seancës së parë

Pastaj do të vlerësoja shumë pozitivisht faktin se pjesëmarrësit në Konferencë ishin të mirëseardhur nga pothujase të gjitha viset shqiptare, duke përfaqësuar jo vetëm studiues nga Lugina e Preshevës, por dhe nga Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës, nga Maqedonia e Veriut. Kjo pjesëmarrje, në tërësinë e saj, sillte shqyrtime mjaft të shtrira në hapësirat shqiptare, duke na dhënë një tablo me karakter më të përgjithshëm.

Me shumë interes ishte dhe fakti se, krahas studiuesve me më shumë përvojë, në Konferencë morën pjesë dhe u paraqitën përgjithësisht me trajtesa të arrira mjaft studiues të rinj. Kishte prej tyre edhe nga ata që merrnin pjesë për herë të parë në një veprimtari shkencore të këtij niveli, por që kumtuan bindshëm dhe me dinjitet.

Drejtuesit e séances së dytë dhe studiuesja e re për herë të parë

Së fundi, lidhur me notat vlerësuese të Konferencës Shkencore të mbajtur në Preshevë, sidomos pas botimit të vëllimit studimor që do të përfshijë të gjitha kumtesat e zgjeruara, të kthyera në punime të mirëfillta shkencore, do të mund të shërbejn edhe si një tërheqje të vëmendjes së studiuesve të tjerë shqiptarë për t’i marrë edhe me këtë tematikë bosht të Konferencës së Preshëvës. Përfituese do të jetë vetëm kultura popullore shqiptare, për një thellim të kërkimeve burimore dhe dokumentare që do e zgjerojnë qerthullin e shtruar.

Vlerësime si këto që theksova më lart krijojnë bindjen se Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore Preshevë është në rrugë të mbarë dhe ka mundësi që ta thellojë edhe më shumë ndihmesën e saj në regjistrimin, dokumentimin dhe analizën, studimin e problematikave të veçanta, por edhe më të përgjithëshme, që ngërthehen në realitetet shqiptare, në fusha të ndryshme të trashëgimisë kulturore shqiptare.

Duke u rikthyer edhe një herë te Konferenca Shkencore e organizuar në Preshevë, mund të shprehem lirisht se veprimtari të tilla janë të kufizuara dhe mjaft sporadike në hapësirat e ndryshme shqiptare. Është e nevojëshme që shëmbulli i kësaj Shoqate, me një drejtues të palodhur dhe ngulmues, një studiues pasionant dhe të përkushtuar për çdo aspekt të etnokulturës së Luginës së Preshevës, siç është kryetari i saj, z. Xhemaledin Salihu, të ndiqet, jo vetëm nga shoqata analoge, por dhe nga institucione shkencore shtetërore, kudo që ato ekzistojnë ndër shtetet shqiptare.

Gjithë kjo trashëgimi e pasur, e ruajtur dhe e përcjellë, në një farë mase, deri në ditët tona, jo vetëm që dëshmon traditat shqiptare në këta dy përbërës etnokulkturorë, zanate dhe tregëti, por shërben edhe si një thirrje për një rijetëzim të tyre, edhe si veçori karakteristike dhe identifikuese të popullit shqiptar.

Në përfundim të kësaj parashtrese do të thosha se gjithëshka e realizuar deri më sot nga Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore Preshevë të krijon bindjen e plotë se ajo nuk do e ndërpresë punën e saj në aspekte të ndryshme të trashgimisë kulturore shqiptare, kryesisht në Luginën e Preshevës, duke shënuar veprimtari të tjera shkencore në vazhdimësi. Janë të mirëseardhura!

Tiranë, më 28 tetor, 2021



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora