E marte, 23.04.2024, 01:50 PM (GMT+1)

Kulturë

Hajrije Rondo: “Dhimbje e dashurisë” një film surprizë

E diele, 07.12.2008, 11:26 AM


Hajrije Rondo
Hajrije Rondo: Është një film që i ka hyrë në thelb problemeve të kohës, i ka bërë prezente
 
“Dhimbje e dashurisë” një film surprizë

Nga Albert Zholi
 
Ditët e fundit në RTH ka filluar të shfaqet filmi “Dhimbje e dashurisë”, një film që përcjell problemet e sotme të shoqërisë shqiptare. Në një nga rolet protagoniste është dhe Artistja e Merituar, Hajrije Rondo. Ajo për këtë film shfaq impresionet e saj duke vënë në plan të parë rolin e regjisorit Ylli Pepo. Ky film sipas saj është një arritje e kinematografisë shqiptare dhe ka rol shumë edukues. 
 
Sa është aktivizuar Hajrija në filma dhe drama në vitet postkomuniste?

Duke pasur parasysh ndryshimet, mendoja se do ishte e vështirë të mbaja ato nivele kërkesash. Por me kalimin e viteve ndjehem mirë. Tashmë luajta në telefilmin- serial me një temë shumë aktuale “Dhimbje e dashurisë”

Pasi lexove skenarin, si u ndjetë?


Pasi mora skenarin e lexova disa herë. Doja t’i hyja rolit në thelb. E sillja shumë herë në mend këtë rol, pasi doja të sillja gjithë eksperiencën time si nënë, si gjyshe, si aktore, atë bagazh që kisha grumbulluar ta vija në funksion të tekstit. Të fusja edhe ato fjalët popullore të grave të jugut, atë mençurinë e tyre popullore që ka një filozofi që të mbërthen dhe të shtang. Filozofi popull disa herë shërben si musht dhe për akademikët. Kështu dhe roli im.

Pra në këtë rol ju çfarë përcillni?

Tradicionalen tek të rinjtë e sotëm. Cilësitë dhe virtytet më të mira të grave shqiptare tek mbesa ime. Doja që mbesa ime të shkonte në shkollë me përparëse, të fliste me edukatë, të ishte e sjellshme. Këtë dëshirë e kanë të gjitha gjyshet. Unë futa disa shprehje jashtë tekstit që i përshtateshin rolit tim. Futa shprehje që i përdorin nënat tona në jug në jetën e përditshme. Një moment unë i them mbesës, hajde bëji punët mirë, jo vetëm pëç, pëç meset e meset, po anët e anët, mut e kak në sokak?! Kur teksti ishte, bëji mirë të keqen gjyshja..etj..Këto shprehje i përdorin nënat e jugut për nuset dhe fëmijët që kanë shumë dëngla, llafe shumë dhe punë pak. Ose, drang e dung këmborë e madhe, qumështi gjysmë okare. Pra llafe shumë bylmet pak, gjysmë litër (okare).

Ky film a përcjell mesazhe të qarta në raport me problemet e kohës?

Po, është një film që i ka hyrë në thelb problemeve të kohës. I ka bërë prezente. Si regjisori Pepo, skenaristi Kozeli dhe Drejtori i Fotografisë Astrit Omeri, kanë punuar me përgjegjësi. Është një film me shumë interes që duhet ndjekur.

Më konkretisht?

Atëherë nuk kishte hatëre, tarafe, për të marrë shkollën. Përkundrazi. Kush e meritonte e meritonte. Nuk mund të kaloheshin skenare apo tekste të dobëta. Ana profesionale ishte e para. Aktorët e atëhershëm ishin heronj. Luanim në mes të shiut, breshrit me ushqime që sot nuk përfillen. Aktorët e atëhershëm u bënë me stomak, me mëlçi, me kolit. Atëherë ana profesionale ishte pika e parë.

Po sot?

Më vjen çudi kur kam parë aktorë të rinj që sapo dalin nga banka e shkollës, gjëja e parë që bëjnë kur i thërrasin për një rol, thonë “Dum kaq apo aq lekë”. Akoma pa dalë në role. Pa u provuar. Akademia e sotme, e them me dhimbje prodhon viktima. Ku janë vlerat e tyre? Ç’është ky tangërllëk, kjo mendjemadhësi. Janë përmbysur raportet.

Pra Akademia e sotme nxjerr aktorë pa formimin e duhur?

Të vjen çudi. Sot aktorët kur luajnë filma, duan të duken të bukura edhe kur roli nuk i do të tilla. Edhe kur roli është në kontrast me atë që ato mendojnë apo dëshirojnë, serviret. Kujtoj thënien e një regjisori të madh italian, Viskonitit, i cili kërkonte një aktore për një rol për filmin “Netë të Bardha”. Dhe ai shkoi për ta kërkuar aktoren në Suedi. I thonë shokët pse shkon aq larg, pak aktore ka Italia ? Italia ka aktore, por aktoret italiane duan të duken të bukura edhe kur qajnë. Pra, edhe në këtë rast, ato duan të mos u duket asnjë rrudhë. Rrudha, muskuli janë elementë të rolit, preokupim. Pra, këto femra duhet të luajnë rolin e femrës shqiptare dhe duan të vishen si madama. Ç’është kjo. Pra kjo është mungesë kërkese. Roli, marrëdhënia, fjala, tipi, plastika, mimika, janë elementët e një roli.

Role dramatike, komike filmike, ku e gjeni më mirë vetveten?

Mua rolet më janë ngjitur në të tria gjinitë, thuajse kam luajtur në mënyrë të barabartë. Secila ka të veçantat e veta, por që unë kam gjetur me punë atë që duhet mes këtyre roleve

Sot në shumë komedi apo skeçe përdoret fjala banale?


Unë jam kundër banalitetit. Unë jam për humorin inteligjent. Të fjalës së zgjuar dhe të bukur, tek batuta popullore jo te zhargoni. Ato skeçe kalojnë pa mbresa. Më kanë kërkuar në një komedi duke më dhënë një rol komik ku përdoreshin fjalët banale. Më ofruan 5 milion lekë që nuk janë pak. Nuk e pranova rolin. Mu duk shumë jashtë meje. Nuk mund të sakrifikoja 38 vjet në skenë për 5 milion lekë. Jam ngrohtë me këto që kam bërë.

Kush nga fëmijët ta ka “vjedhur”, profesionin ?

Vajza. Ajo quhet Klea. Konkurroi për aktrim, dramaturgji si Klea jo si vajza e Hajrije Rondos. Fitoi me dinjitet. Është një vajzë me kërkesa, plot sharm, tradicionale, familjare, studiuese. Ajo po ndjek rrugën time dhe jam shumë e kënaqur. Ndërsa djali pasi shkoi disa vjet në emigracion në Greqi sot studion për ekonomist. 
 
Roli i filmit “Dhimbje e dashurisë”

Një film interesant. Ishte regjisori i talentuar Ylli Pepo që më ftoi në këtë film. Më mori në telefon dhe më thotë se kam një rol tek një telenovelë e Bashkim Kozelit. Keni rolin e Kanos. Kano është një grua pensioniste. Faleminderit i thashë që më ftove, pasi e kam një peng që nuk kemi asnjë realizim bashkë që para 30 vjetësh kur më ftove tek “Emblema e dikurshme”. Në atë film Ylli Pepo më kishte besuar rolin që luajti Rajmonda Bulku, por unë isha shtatzënë dhe kështu që nuk mora pjesë. Ishte viti 1978, kur unë isha shtatzënë me djalin dhe filmi u luajt në Apolloni. Kështu fillova bashkëpunimin pas 30 vjetësh me Ylli Pepon.
 
Shkolla e sotme të aktrimit

Nuk ka atë kërkesë llogarie. Unë bashkohem me këtë mendim që kanë shumë regjisorë apo aktorë. Në monizëm kishte shumë probleme disa që trajtohen në këtë film. Të gjithë kemi vuajtur në sistemin komunist. Të gjithë ishim njëlloj (përjashto 5 %). Visheshim thuajse njëlloj. Të gjithë me tallona- Të gjithë njëlloj të mobiluara shtëpitë. Fruta për fëmijët nuk bëhesh fjalë. Ku zinim radhë për qumësht. Ku në çdo rol do të ishte dhe heroi pozitiv, pra ideologjizmat ishin të pashmangshme. Por për shkollë, kërkesat ishin të mëdha. Për teatrin, filmin, kërkesat dhe kritika ishte e madhe.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora