E enjte, 18.04.2024, 04:51 PM (GMT+1)

Vërtetësi

Partizani Namik Kadiu: Ja si i pushkatuam 70 fshatarë të pafajshëm në Lushnje

E shtune, 30.10.2021, 04:32 PM


Nga kujto.al

Thirrja e ish-partizanit Namik Kadiu që iu bashkua Ballit Kombëtar/ “NDAL!- më tha ndërgjegja, kur pash se 70 fshatarë të varfër, ...u pushkatuan në Golem të Lushnjes pa mëshirë prej Llaz Bozos, Mehmet Shehut dhe gjakpirsit të huaj Dushanoviçit, për të vetmin shkak se bënin pjesë në rradhët e Ballit Kombëtar...”

Një prej dokumenteve të luftës që dëshmojnë për luftën vëllavrasëse është edhe kjo thirrje e Namik Kadiut, ish-partizan i Brigadës së Parë, që e braktisi, për t'iu bashkuar forcave të Ballit Kombëtar. Thirrja e tij ku dëshmon krimet ku ka qenë dëshmitar, është shpërndarë si trakt nga Balli Kombëtar në janar 1944 dhe ruhet mes dokumenteve të kësaj organizate në fondin 270 në AQSH. Mes të tjerash Namik Kadiu tregon për pushkatimin e 70 fshatarëve në Golem të Lushnjes nga Brigada I.

Më poshtë e sjellim të plotë tekstin e këtij trakti.

“SHQIPNIJA SHQIPTARËVE VDEKJA TRATHTARËVE”

Fillimi i mbarimit

NAMIK KADIU

student i klasës së VIII-të të Lyceut të Shkodrës, nji nga partizanët qi rrokën pushkën që në fillim të lëvizjes kundra italjanve, Namik Kadiu, nën-intendancjer i Brigatës së Parë të Mehmet Shehut,

NDAHET NGA BRIGATA E NGA PARTIJA me kët thirrje qi i bân popullit shqiptàr.

VLLEZËR SHQIPËTARË!

Kur zëri i Atdheut kërkonte ndihmën t’onë, pse cipa e zezë e Fashizmit e kishte mbuluar an’e mb’anë, unë – si bir i tij – rroka pushkën, dola malit e bëra pjesë në frontin Nacjonal-Çlirimtar, në të cilin për një kohë të gjatë e luftova armikun me vullnetin e pathyer të një të riu shqiptar që i rreh zemra dhe i kërkon shpirti Liri e Drejtësi. E luftova armikun për muaj të tërë, sa në çeta aqë edhe në Brigatë pa m’u dhembsur jeta aspak, mbasi e dinja se bënja një nga detyrat kryesore që i ngarkohet njeriut përgjithsisht e veçanrisht rinis intelektuale.

Por, ndërsa në luftën për Atdhe më shtynte një dëshirë e mbrëndshme, një vullnet i patundur, një guxim i pa fré, në luftën kundra njeni tjetrit – shkaktuar nga Partija Komuniste – më dual përpara Buka e popullit, Gjaku i tij, Gërmadhat e djegura nga italjanët, Vuajtjet e tmerrshme dhe më thanë: NDAL!

Ky zë i mbrendshëm NDAL! më tinglloi së pari në shpirt kur Partija Komuniste e cila predikon demokracinë por që punon për diktaturën më të tmerrshme, filloi terrorin, luftën dhe masakrat e saj!

NDAL! më tha ndërgjegja, kur pash se 70 fshatarë të varfër, nga ata që në fillim të punës s’onë na kishin dhënë neve ose shokve t’onë sa herë buk, sa herë strehë, sa herë buzëqeshje, u pushkatuan në Golem të Lushnjes pa mëshirë prej Llaz Bozos, Mehmet Shehut të mësuar me gjak spanjollësh dhe gjakpirsit të huaj Dushanoviçit, për të vetmin shkak se bënin pjesë në rradhët e Ballit Kombëtar.

NDAL! më tha ndërgjegja, kur pash torturat që i bënë popullsis së Belshit e të Dumres n’operacjonin e Brigatës, ku krisi druja për kijamet; qante burri nga dhembja, qan nëna për djalin, qante foshnja për babën, gruaja për burrin e motra për vllan!

NDAL! më tha ndërgjegja, kur pash në Mallakastrën e djegur e të shkretruar nga fashizmi, operacjonin e Brigatës së Parë që e shkretoi edhe më keq me vrasjet e shëmtuara! Sidomos klithma e mbrendshme NDAL! arriti kulmin e saj kur pash me sytë e mij vrasjen e dy vllezërve të Isuf Hasanit nga Belishova, shqiptarë të thjeshtë, punëtorë të mirë e të padjallëzuar, për të vetmin faj se vllai i tyre, Isufi, bënte pjesë në Ballin Kombëtar!

O ironi e fatit! Kjo është “Lirija” që ne deshëm dhe trumbetuan aqë fort se do t’i apim popullit?!

NDAL! NDAL! NDAL!

Ja ku po ndalem nga rruga e terrorit, e gjakut dhe e gënjeshtrës e po futem në rrugën e shqiptarizmës së vërtetë: në Ballin Kombëtar.

RROFTË SHQIPËRIJA!

Ish-Nën intendancier i Brigatës së I-rë

Namik Kadiu d.v.

_________

Djelmët e rij si Namik Kadiu me shokë, Balli Kombëtar i pret me krahë hapur e len vendin çilë për t’ushtrue veprimtarin e tyne patriotike e djaloshare në të mirën e Atdheut t’onë të dashur.

“BALLI KOMBËTAR”



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora