E enjte, 28.03.2024, 11:03 AM (GMT)

Kulturë

Kujtim Mateli: Matematicieni i suksesshëm dhe shkrimtari i karaktereve të spikatura Muçi Fezga

E diele, 24.10.2021, 05:19 PM


Matematicieni i suksesshëm dhe shkrimtari i karaktereve të spikatura Muçi (Mustafa) Fezga

Nga Kujtim Mateli

Muçi (Mustafa) Fezga si rrallë ndodh me njerëzit e tjerë, u shqua në dy fusha të dijes njerëzore që duket sikur i qëndrojnë larg njera-tjetrës: në matematikë dhe letërsi dhe, në të dy këto fusha ku ai i kushtoi gjithë jetën e tij, na ka lënë disa dhjetwra libra. Numërohen më shumë se dhjetë libra në fushë të matematikës, si dhe disa dhjetëra tregime e novela e deri tek romani i tij i mrekullueshëm “Financieri rebel i Përmetit”.

Muçi (Mustafa) Fezga u lind në Xhanar të rrethit të Përmetit më 6 dhjetor të vitit 1939 dhe u nda nga jeta disa ditë më parë, më 6 Tetor 2021, në Baden të Austrisë ku jetonte prej disa vitesh. Muçi u dallua që në rininë e tij si studenti i shkëlqyer  i fakultetit të Matematikës të Universitetit  “Lomonosov” të Moskës, si pedagog i përkushtuar në Universitetin e Tiranës, në Ministrinë e Arsimit, Shef i Seksionit të Arsimit në rrethin e Përmetit etj. Kudo ku punoi shfaqi aftësi organizative dhe nivel të lartë të përgatitjes shkencore. Si pedagog i matematikws, ai bëri botimin e parë në dy vëllime pwr studentwt. Ka botuar shumë tekste shkollore dhe punoi pa ndërprerje, për të plotësuar serinë e botimit online “Kjo është matematika ime” për klasat e shkollës nëntëvjeçare.

Muçi Fezga, edhe pasi doli në pension, përkushtimin ndaj matematikës nuk e ndërpreu asnjëherë. Madje përkushtimi i tij u bë i dyfishtë: ndaj matematikës si shkencë dhe ndaj brezave të rinj për ta mësuar atë sa më shpejt, për të krijuar njohuri të plota e të thelluara, që vazhdimësia nga njëra klasë në tjetrën të shoqërohej edhe me një rritje cilësore. Kështu ai ndërtoi tekste mësimore për të gjitha klasat e nëntëvjeçares. Madje edhe përtej njohurive që kërkon ky cikël mësimor, me probleme dhe ushtrime që i thellojnë dhe i zgjerojnë njohuritë e tyre siç është teksti: “Matematika për Konkurse, Olimpiada E...” viti 2016.

Po talenti i tij do të shfaqej në një fushë tjetër që siç duket qëndroi i fjetur deri pak vite më parë. Shkroi disa tregime e novela, si dhe romanet “ Financieri rebel i Përmetit” dhe  “Vila Misterioze”. Në krijimtarinë e tij letrare, autori bëri pjesë të krijimtarisë njeriun e përkushtuar ndaj vendlindjes dhe Atdheut, ndaj familjes dhe shoqërisë, madje pjesë e krijimtarisë së tij u bënë edhe mjediset e Badenit të Austrisë ku ai jetoi në vitet e fundit të jetës. Lexuesi dashurohet me personazhet e Muçi Fezgës që në leximin e parë, kërkon t`u ngjajë atyre dhe të reagojë fort ndaj padrejtësive që i bëhen shoqërisë. Krijimtaria e tij letrare është e spikatur, mbart nga njera anë shqetësimet e kohës që jetojmë dhe nga ana tjetër atë që duhet të arrijmë: atë përsosmërinë e qënies njerëzore e cila lufton për të mirën dhe të bukurën në shpirtin e njeriut.

Tregimi “Gruaja e bukur”, nuk tregon vetëm bukurinë e rrallë të formave dhe tipareve të një gruaje që admirohet nga çdokush. Nëpër rreshtat e këtij tregimi shpaloset edhe bukuria e saj e mahnitshme, gati e pabesueshme, që rrezaton shpirti i saj i përvuajtur.

Karaktere të spikatur do të gjejmë edhe te tregimet: “Vija e trëndafilave”, “E the bukur, Abas” apo “24 orët e para...” si dhe novelat: “Mësuesi i Gorumit”, “Aksioma e pestw” etj.

Te vëllimi me tregime: “Nga bisedat në pyllin kurativ të Bádenit”, shtjellohet një debat rreth dukurisë së kopjimit në shkollat e mesme dhe streset që përjetojnë jo vetëm nxënësit, por jo rrallë edhe mësuesit, të cilët për hir të dashurisë ndaj tyre arrijnë të gabojnë ndonjëherë shumë rëndë. Specialistët e aftë përjetojnë shpesh shqetësime të dhimbshme, kur detyrohen të bëhen, jashtë vullnetit të tyre, shërbëtorë të shefave që kanë mbi krye. Përshkruhen bukuritë e Badenit pranë Vjenës dhe ndodhi të këndshme mes vizitorëve të përhershëm të pyllit kurativ të tij.

Tek novela: “I dënuar pa e ditur”, botim i vitit 2016, shtjellohen ngjarje të viteve 1970-74 në një qytet të skajit jugor të Shqipërisë. Në këtë qytet kanë ardhur me urdhër nga qendra për të punuar tre punonjës të rinj, një pedagog universitar dhe dy mësues kosovarë që kanë kaluar ilegalisht kufirin shtetëror. Motivet me të cilat janë përcjellë të tre janë formuluar me fjalë shumë të mira, por në vazhdim zbulohet gradualisht se kanë ardhur të dënuar. Në praktikat e reja shtetërore fjala e tmerrshme internim ishte zëvendësuar me sloganin patriotik e të nderuar “të punojmë ku të ketë nevojë Atdheu, edhe në skajet më të largëta të vendit”.

Një tjetër vepër ku autori ka shënuar një nga ato pikat e tij kulmore është dhe romani “Vila misterioze” i përkthyer në anglisht nga Diana Keci “Mysterious villa” botim i vitit 2020. Në këtë roman, trajtohen  ngjarje që ndodhin menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në Shtabin e Përgjithshëm Ushtarak të Komitetit Nacional-Çlirimtar të Shqipërisë. Personazhi kryesor i romanit Sabri Ebrik është mbikqyrës i personazheve që veprojnë te “Vila Misterioze”, e cila mbart një enigmë të madhe për ato ngjarje që ndodhin brenda atyre mureve.

Ngjarjet më të rëndësishme të përshkruara në roman ndodhin te “Vila Misterioze” dhe “Selia Ushtarake”. Lexuesit do të dëshmojnë në këtë histori brenda këtyre mureve enigmatike rrëfimin, mëkatin, kërcënimin, trishtimin, dëshminë e virgjërisë, mashtrimin, thashethemet, frikën për të folur, gëzimin dhe dashurinë.

Në shoqërinë konservatore, të prapambetur, të pas Luftës së Dytë Botërore, në të cilën jetojnë personazhet tanë, njerëzit shfaqin edhe cilësitë e tyre më të mira, të zhvilluara e të ruajtura në rrjedhë të historisë, cilësi që janë në themel të shoqërisë njerëzore si: sinqeriteti, besnikëria, vërtetësia, bujaria etj.

Tek romani i tij i parë “Financieri rebel i Përmetit”, marrja e pushtetit nga komunistët u shoqërua shpejt me probleme të mprehta jo vetëm në shtresat e gjera të popullsisë. Më të mprehta ishin ato në administratën e re shtetërore. U dukën thuajse hapur të tjera synime, ndryshe nga ato për të cilat ishte premtuar me zhurmë. Shumë nga të punësuarit u zhgënjyen dhe heshtën, ndërsa të tjerë u rebeluan, bënë gati të pamundurën, por nuk ia dolën dot.

Ngjarjet e romanit  zhvillohen në dy luginat më të bukura të Shqipërisë jugore: në atë të Drinosit ku qyteti i Gjirokastrës  ngjason me një shqiponjë që ngrihet në fluturim dhe në Luginën e Sipërme të Vjosës ku hijeshon Përmeti, që njihet si qyteti trëndafilave. Një galeri e pasur personazhesh, sjellin mentalitetin e viteve të Pas Luftës. Zyrat e pushtetit u mbushën me njerëz të Luftës pa asnjë përvojë drejtimi dhe organizimi siç ishte Rrapi që u bë i pari në zyrat e Gjirokastrës apo dhe z. Mero, një njeri i paarsimuar dhe që i mungonte dhe dëshira të shkollohej. Sofia, një tjetër personazh i këtij romani, paraqet tiparet më të mira të gruas shqiptare, kurse Shehati, do të jetë simboli i mirësisë dhe i luftës së pakopromis në shoqërinë shqiptare të Pas Luftës.

Muçi Fezga iu përkushtua një jete të tërë shkencës dhe artit. Të dyja këto degë të dijes njerëzore e ndihmojnë njeriun të kuptojë më mirë botën që e rrethon. Por kur këto dimensione zotërohen nga një njeri i vetëm, atëherë veprat që ata na lënë pas kanë tjetër ngjyrë dhe emocion, realja dhe misteriozja, e dukshmja dhe e padukshmja, i zhdukin kufijtë midis tyre dhe dimensioni ku njeriu jeton bëhet më i plotë dhe më i bukur. Matematika dhe letërsia, në dukje janë në ekstremet e njëra-tjetrës, por ato ndikojnë njësoj te njeriu që ta kuptojë sa më mirë realitetin në të cilin jeton, të depërtojë sa më lehtësisht në misteret që e rrethojnë, e ndihmon në zbulimin e të vërtetave historiko-shoqërore që shpesh ndodhen të mbështjella me lëvozhgën e mashtrimit, të bëra nga individë apo grupe të caktuara.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora