E enjte, 25.04.2024, 03:16 PM (GMT+1)

Kulturë

Sabit Rrustemi: Ajo që duhet thënë e ditur për Ramadan Musliun

E shtune, 23.10.2021, 04:32 PM


AJO QË DUHET THËNË E DITUR PËR RAMADAN MUSLIUN

(Në njëvjetorin e mungesës së Tij *)

Nga Sabit RRUSTEMI

Njëzetedy tetori i vitit 2021 shënon njëvjetorin e mungesës së shkritarit të shquar nga Krahina e Anamoravës, Ramadan Musliut, i cili tashmë i përket amshimit.

Virusi Corona, ky armik i përbotshëm që preku dhe Kosovën, gjeti strehë në organizmin e këtij njeriu të madh të letrave shqip dhe, pas një përballje prej gati një muaji, e shuajti njërin nga penat më të veçanta në fushën e poezisë dhe të kritikës letrare në katër dekadat e fundit, përkatësisht njëzetvjetëshit të fundit të shekullit të shkuar ( XX ) si dhe njëzetvjetëshit të parë të shekullit XXI .

Për mbamendësit por dhe brezat e tashëm, kryesisht të rinjtë, Ramadan Musliu, pas mbarimit të studimeve, për një kohë të shkurtër punoi si profesor i gjuhës shqipe në Vendlindjen e tij, në gjimnazin e Vitisë.

Po prej kësaj pjese të Kosovës, Ai, përmes të vetmes gazetë të përditshme që kishim si dhe revistave "Zëri i rinisë" e "Fjala", zuri t'i dëshmojë prirjet e veta për poezinë e kritikën letrare, duke e sprovuar veten ngapak edhe në prozë, madje me sukses, ku edhe triumfoi nëpër konkurse anonime letrare, por, më vonë, gjatë viteve të Nëntëdhjeta të fundshekullit të shkuar, ai u dëshmua binshëm edhe në fushën e publicistikës. Opinionet e tij për sfidat dhe situatat me të cilat përballej Kosova, edhe sot janë aktuale.

Vëllimi poetik PARODIA E TRUPIT, i botuar në vitin 1981 nga Redaksia e botimeve "Rilindja", e përuron në mënyrën më të mirë si një poet në ardhje me një talent dhe përkushtim të veçantë gjë që e dëshmuan edhe veprat e mëpastajme deri te ajo e fundit që u botua për gjallje të tij, GJENDJE NEUTRALE .

Secila vepër e tij, ishte një provokim i bukur si për lexuesin, ashtu edhe për kritikën letrare dhe njohësit e letërsisë.

Tepër i spikatur , i saktë por edhe i guximshëm u tregua edhe në fushën e kritikës letrare., madje

që në librin e parë të këtij lloji - MBINDËRTIMIN POETIK , dhe të tjerët që i shkroi gjatë periudhës 1980 - 2020.

RILINDJA dhe FJALA ishin dy hapësirat mediale, në të cilat, mendja dhe pena e tij iu dha e iu la brezave vlerësime e shtjellime letrare për shumë emra e vepra që kishin sjellur prurje të reja në letërsi, po edhe për dukuri të tjera me të cilat ballafaqohej dje, e sot ( po do të përballet edhe nesër ) letërsia jonë.

Për dhjetë vite, 1994 - 2004, Ramadan Musliu ishte njëri nga intelektualët më autenntik e më origjinal, thënë më troç, vetë zëri i së vërtetës, në shtetin Amë - Shqipërinë, ku përmes gazetës RILINDJA që dilte në Tiranë, jo veç e njohu pjesën tjetër me letërsinë shqipe që ishte krijuar në Kosovë, e që fare pak njihej në Shqipëri, por, përmes kontakteve dhe shkrimeve, ai krijoi dhe një shkollë të re letrare me brezin e ri të krijuesve, të cilët, përmes tij, jo vetëm e rizbuluan Kosovën po, edhe shpirtin e saj përmes letërsië që e kishin shpërfaqur nëpër veprat e tyre të botuara në Prishtinë.

Ramadan Musliu, nuk ishte indiiferent as ndaj zhvillimeve politike dhe fateve nëpër të cilat po kalonim si popull.

Si shumica dërmuese e popullit që i përkiste dhe sidomos të asaj shtrese intelektuale, nga fundi i viteteve tetëdhjeta e këndej, u rreshtua dhe u bë një me kërkesat gjithëpopullore për Republikën e Kosovës dhe, lirinë e saj.

Ishte nismëtar dhe prijës i parë i Lidhjes Demokraike të Kosovës në Viti, dhe njëri ndër zërat më progresiv të lëvizjeve dhe turbulencave demokratike nëpër të cilat kaluam gjatë këtyre tri dekadave. Jo vetëm nëpër gazeta e revista të kohës, jo vetëm nëpër libra por, një mandat edhe nga vetë Kuvendi i Kosovës, dhe, për pak vite dhe nga ekzekutivi më i lartë i vendit, nga pozita e këshilltarit.

Mjerisht, shoqëria jonë e pasluftës, veçanërisht institucionet tona qendrore, nuk i shfrutëzuan mjaftueshëm potencialet e tij intelektuale dhe sugjerimet e kritikat parimore të Ramadan Musliut. Për më keq, edhe e anashkaluan dhe, vitet e fundit, Ai, të vetmin ngushëllim e kish dhe e gjeti në letërsi dhe në Familjen e tij.

Në raport me Gjilanin , Ramadan Musliu ishte tejet i lidhur, po përmes letërsisë dhe emrave me të cilët nga fillimeve të tetëdhjetave e këndej, ishte i pandashëm, jo vetëm shpirtërisht po, edhe fiizikisht. E kam fjalën këtu për Beqlr Musliun, Ibrahim Kadriun, Musa Ramadanin e Ramadan Rexhepin. Dhe jo vetëm me këta po edhe me plejadën më të re të krijuesve nga kjo krahinë kosovare.

Shkroi për ta, përkatësisht veprat e tyre, edhe sa punonte në Prishtinë, po edhe nga Tirana zyrtare.

Pas luftës, ishte pjesë thuaja e shumicës së veprimtarive letrare, sidomos e Manifestimit kombëtar të kulurës, "Flaka e Janarit", ku e dha kontributin në vlerësimin e krijmeve letrare, dhe jo vetëm njëherë. Pastaj në dhënien e Çmimit letrar "Beqir Musliu" , ku ishte disa herë edhe përcaktues i tij e, në vitin 2017, edhe vetë laureat i tij, sepse e meritoi dhe u nderua me atë Çmim.

Mungesa e tij në jetën tonë publike dhe veçmas në atë letrare, ështb evidente. Thënë shkurt, shumë e hetueshme. Një emër i nivelit të tij, aq i thellë, aq i urtë , i pathyeshëm gjithastu e, tepër i thjeshtë e njerëzor, vështirë të na paraqitet së shpejti.

Deri te ai moment, për ta kompenzuar mungesën e tij fizike, duhet t'i rrekemi më me përkushtim trashëgimisë së tij letrare që la, duke e lexuar e rilexua, duke e vlerësuar por, edhe duke e vënë pikërisht në vendin që i takon .

Një përpjekje në këtë drejtim është dhe përzgjedhja poetike SHTJELLË SHPIRTËRORE, e cila s'do të ishte sot në duart tona, pa një emër si Anton Nikë Berisha dhe, pa Shtëpinë botuese "Beqir Musliu"

( 22 - 23 tetor 2021 )

*Fjala përkujtimore mbajtur në Vjeshtën Letrare të Gjilanit më 22.10.2021



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora