Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Latifi: Bashkimi Europian nuk është më ai i dikurshmi

| E enjte, 21.10.2021, 07:54 PM |


Blerim Latifi:

Kanë hequr dorë nga zgjerimi i Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor. Edhe afatet e anëtarësimit, që premtoheshin dikur, nuk i përmendin më. Liberalizimi i vizave për Kosovën nuk është më në agjendë. Dhe në këtë situatë burokratët e Brukselit vazhdojnë të na dërgojnë "Raporte të Progresit".

Raportet e Progresit kanë kuptim vetëm kur ekziston realisht procesi i integrimit europian dhe dy palët, BE-ja dhe vendi që kërkon anëtarësim, bashkëpunojnë në këtë proces. Sot ky proces është praktikisht i vdekur, ndërsa "matjet e progresit" janë vetëm mbetje të kohës kur ai ishte i gjallë. T'i marrësh seriozisht ato, do të thotë të mos e kesh marrë vesh ende se Bashkimi Europian nuk është më ai i dikurshmi.

__________

Ka qenë një kohë, nëse u kujtohet, kur aq i fuqishëm ishte besimi në Ibrahim Rugovën, saqë secilin që ai e vendoste kandidat për kryetar komune, pavarësisht kualiteteve që kishte, fitorën e kishte të garantuar. I frymëzuar nga fitorja e 14 shkurtit, Kurti, me gjasë, deshti të përsëriste të njëjtën gjë, por dështoi. Kohët kanë ndryshuar. Kandidatët e dobët komunalë nuk mund të llogarisin më në hijën e Shefit të Madh! Ky është një nga leksionet themelore të këtyre zgjedhjeve.

__________

Edhe në tragjeditë më të mëdha duhet të mbijetojë dikush për t'ia tregu botës të vërtetën e tyre, thotë Shekspiri. Dhe sa e sa herë gjatë historisë njerëzore ka ndodhur kjo. Na e tregojnë legjendat dhe kujtesat e popujve anë e kënd botës. Na e tregon edhe historia jonë. Ajo jetoi për t'ia treguar botës tri ditët e tri netët e Jasharëve që e ndryshuan historinë përgjithmonë. Besarta Hamëz Jashari.

__________

Po endesha midis bimësisë së zverdhur nga vjeshta dhe m'u kujtua Sh'Mitri. Në Iliri, në Greqinë e Lashtë dhe në Romë në fund të tetorit kremtohej kulti i Demetrës, hyjnisë së prodhimeve të tokës. Demetër do të thotë toka nanë. Kremtimi i kultit të saj në fund të tetorit lidhej me faktin se tetori është koha kur një pjesë e prodhimeve të tokës merret nga njerëzit dhe një pjesë tjetër i kthehet vetë asaj. Më pas këtë kult krishterimi do ta kthente në kultin e Shën Dimitrit, prej nga vjen edhe shkurtesa gegnishte Sh'Mitri. Emrin e dimrit ne e kemi prej këtij kulti, ngase në kalendarin e vjetër popullor dimri fillon me Sh'Mitrin.Po ashtu edhe emrin e Mitrovicës e kemi prej këtij kulti.