E premte, 19.04.2024, 04:32 AM (GMT+1)

Kulturë

Qazim Shehu: Kthimi

E marte, 19.10.2021, 08:01 PM


KTHIMI

TREGIM NGA QAZIM D. SHEHU

Arseni po kthehej në vendlindje, pas kaq vitesh. Nuk kishte lajmëruar as vëllanë, as nënën. Makina e tij e shtrenjtë tronditej rëndshëm nëpër gurët e kalldrëmit të rrugës. Peizazhi i kodrave me dushk, lumi gjarpërues, i dukeshin tjetërsoj. Tisi i mallit ia bënte më të panjohura, më tërheqëse. Kur u afrua te Kodra e Thatë,ndali makinën, ndezi një cigare. Gjer aty, e përcolli nëna para sa vitesh, duke iu lutur me lot në sy të kishte kujdes;si tani, i kujtohej ai përqafim i butë, i ngrohtë i saj.

“Sa duhet të jetë plakur”” mendoi ai vetëtimthi, ndërsa e hodhi bishtin e cigares së mbaruar përfund një rrase guri. Mendimet i vibronin nëpër fije kujtimesh, ai ndiente një tkurrje të ëmbël përmes një pafuqie inaktive, që lëvrinte nëpër gjymtyrët e tij. Ndezi makinën dhe u nis. Ishte herë e parë që këto kthesa të Kodrës së Thatë i bënte me makinën e vet. Dikur s'kishte makina, furgonët rrallë vinin këndej, dhe njerëzit e vendlindjes, të cilët ai i quante njerëz-mitologjikë, gati vraponin, duke ecur me ngut kthesave gjarpëruese të Kodrës së Thatë, për të kapur orarin e nisjes së autobusit ,pak më tutje, në qendër të komunës. Dhe kështu gjithnjë, ndoshta edhe sot.

Kur zbriti në luginë, aty ku niste rruga drejt për në fshatin e vet,pa burimin, një gurrë e vjetër, të cilën e mbante mend shumë mirë. Ndaloi makinën, zbriti nga ajo, mori një shishe plastike dhe u nis drejt tij. Burimin e kishin rregulluar me mur betoni,prej nga dilnin tri gypa me ujë. Ai e hodhi tej shishen plastike, lau duart, bashkoi dy pëllëmbët në formë kupe, i mbushi me ujë dhe piu. Kështu i jepte ujë nëna, atëherë kur ishte i vogël, dhe ai e bëri këtë përqasje, para se ta bënte këtë veprim. Uji ishte i ftohtë- akull,vapa e freskët dukej se nuk e fashiste hijesinë e pemëve të mëdha.

Ndjeu një kënaqësi të thellë, një lehtësim imponues, dhe u nis drejt makinës. Por kur ktheu kokën për të parë edhe njëherë burimin, sikur ai t'i çuçuriste fjalë, papritur vuri re një ndërtesë të bardhë njëkatëshe, pak metra më tutje. Duhej të ishte ndonjë lokal,se në bahçen me mana kishte disa stola e tavolina prej dërrase dhe dy tenda të sajuara me plastmasë. Nuk do të ishte keq që , pas atij freskimi, të pinte një kafe, pastaj të nisej. Lokali e kishte derën gjysmë të mbyllur dhe Arseni, jo pa drojë, e shtyu atë ngadalë, sikur të hynte në ndonjë shtëpi. Sa u habit, kur pa prapa banakut Marselën, ish-shoqen e vet të fëmijërisë dhe të dashurën e rinisë së hershme.  Ndoshta në ato momente do t'i kishin ngrirë fjalët në buzë e s'do kishte ditur ç'të thoshte, po të mos buzëqeshte ajo. Ishte vërtet Marsela e parë, e gjatë, elegante, me flokë të lëshuar gjer në mesin e kurrizit, me sy të kaltër -natyralë e ballë të lëmuar, faqekuqe si mollë e vjeshtës së vonë.

- Marsi, - thirri ai, - sa gëzohem që të shoh!

Ajo e pa edhe njëherë me kujdes, hezitoi pakëz,pastaj foli:

- Mirë se erdhel

Në Greqi ai kishte  shuar etjen me sa femra, të bukura, të mira e të sprovuara, lozonjare e me teka të kultivuara që përvidheshin me një artic joshës, por, prania e befasishme e Marsit i ra atij si shok në kokë dhe i solli një vetëzgjim të kujtesës. Ku nuk kishte ndenjur me të, në pyll e në ara me misër, s'kishte lënë cep lëndine ; me një zjarr të vetvetishëm, kishte ngrohur përbetimet  e tij dhe ajo I kishte premtuar besnikëri të përjetshme.. Ai bëri një turrje instiktive për ta përqafuar, por Marsi i vuri dorën përpara ,duke krijuar një distancë penguese, si masë sigurie. .

- Jam e martuar, - tha ajo, - pastaj,në lokal!...

Arseni u ul në një tavolinë andej nga fundi. Në lokal s'kishte njeri dhe ishte freski. Ajo e la  një fletore, me të cilin si dukej ishte marrë kaq kohë, erdhi pranë tavolinës, fshiu syprinën e saj. Edhe një herë Arseni përcaktoi me mendje se  kishte mbetur po ajo:faqekuqe, shend e verë, e gjatë e kolme, e shkathët si drenushë. Atij i erdhi mirë për këtë  dhe i tha  të ulej, ndërsa ajo e pyeti se çfarë mund të pinte.

- Buzët e tua, -i tha Arseni me një afsh rinor.

- Kemi kohë për to, - iu përgjigj Marsi, ndërsa bëri një rreth- rrotullim të lehtë dhe i solli një dopio raki kumbulle nga të vendit, pak djathë, ullinj dhe. qepë.

Arseni e ngriti gotën e rakisë me ngadalë, uroi, piu, pastaj filloi ta pyeste  për jetën e saj, duke i shprehur edhe një pezmatim të sinqertë për fatin e ndarjes. Marsi ishte martuar në këtë fshat që kur Arseni iku në Greqi, burri i saj rropatej gjithë ditën në mal duke djegur dru për qymyr, ndërsa ajo kullandriste vetë punët e tregtisë: furnizimet, priste e përcillte klientët, ndonëse njerëzit u rralluan sikur të mos ishin rritur këtu;ishte e qetë, e kënaqur  deri diku dhe atij i vinte mirë se kjo qetësi ia kishte ruajtur bukurinë e dikurshme. Vuri re duart e saj të bardha, gishtat e gjatë e të hollë, mbushur me unaza, byzylykët, varësen prej floriri në gushën e bardhë, poshtë së cilës teptisej një vijë e thellë midis gjinjve. Dhe nën këtë bardhësi kishte një zjarr që s'mund të flinte kurrë. Hiri i saj femëror vazhdonte të përpinte dëshira dhe lakmime. Atij iu duk sikur s'e kishte njohur asnjëherë dhe po e takonte për herë të parë. Guxoi dhe ia shtrëngoi dorën e bardhë. Marsi  nuk e tërhoqi. Dora e saj ishte e ftohtë, ai ia tha këtë, por gjithë ditën në ujë, qe përgjigjja. Arseni ia shtrëngoi dorën më fort: atëherë  ajo e tërhoqi duke thënë: ”Më vrau unaza”. I afshuar nga malli I dikurshëm, filloi të guxonte më tepër. Me dorën tjetër ai preku gjinjtë e saj ,të cilët ishin squllur pak. Marsi, lulëkuqe në fytyrë, bëri një vetëtërheqje të sprovuar ,duke kthyer kokën nga dritarja.

- Vjen gjithnjë një njeri në këtë orë, - tha ajo, - është një pijanec i lagjes.

Pastaj  u ngrit dhe zuri vend pas banakut ,duke vënë dy bërrylat sipër tij. Arseni u çua dhe bëri nga dera.

- Ku po shkon? - pyeti ajo, ndërsa ai kuptoi në fjalët e saj lëvrimin e një ankthi të befasishëm. Ajo kujtoi ose kuptoi se ai po ikte.

- Po shkoj të mbyll makinën dhe rikthehem, - tha ai.

Kur ai u rikthye, Marsi rregullonte diçka në raft, Arseni u fut brenda banakut, vuri në raftet e tij tri shishe me uzo greke, një kampari dhe deshi ta përpijë në krahët e tij, po kjo qe gabim, se ajo premtoi për më vonë, ndërsa ai digjej nga dëshira. Arseni bëri të ikte, po në këtë çast ajo iu lut të rrinte edhe ca. Zëri saj lutës ia zbrujti manovrën, dhe ai u riul sërish në tavolinë, duke porositur dopion tjetër të rakisë. Po ndërkohë Marsi po vinte me të në dorë, sikur ta kishte kuptuar që ai e donte atë shpejt. Ajo u ul pranë tij. Arseni pati ndjesinë se goja e saj lëshonte frymë avulluese. Për këtë i erdhi mirë, ndjeu siguri dhe vala e tensionit ndjesor i shtohej në vetvete; e kuptoi se çdo veprim i ngadalshëm s'do kishte kuptim, prandaj ia çoi dorën  për tentime t ë mëtutjeshme. Ajo u përpoq të bënte një spostim, por nuk mund,i sepse e ulur pranë tij ose duhej të ngrihej të ikte, ose të bindej. Veçse e gjeti një mënyrë që ai ta largonte dorën nga vendi i fshehtë.

- Erdhi dikush!, - tha ajo.

Kjo fjalë e bëri Arsenin ta tërhiqte dorën me shpejtësi, por edhe ajo u ngrit rrëmbimthi duke dalë vrik te dera. Ishte një fëmijë i vogël i cili kërkoi një çokollatë, Arseni i tha të mos ia merrte lekët, ai, madje, u ngrit vetë dhe ia mbushi duart fëmijës me çokollata, biskota dhe karamele.

- Ç'më bëre!, - tha Marsi, - prit kur të vijnë edhe fëmijët e tjerë këtu, dhe ajo u rifut brenda banakut duke rregulluar disa mallra që kishin rënë përtokë.

Arseni u riul pranë tavolinës, kur erdhi dopio e tretë. Ai e piu atë me ngut. Kishte dëshirë të pinte atë ditë. Ishte rindezur nga pija dhe dashuria. Gjithnjë e më shumë buzëqeshja e bardhë- torturuese, që ndriste në fytyrën lulëkuq të ish-të dashurës po e sëkëlldiste.

Në dopion e pestë a të gjashtë ai nuk po mendonte më, por veç i tha Marsit se dëshironte të paguante: nxori portofolin e fryrë dhe pagoi .

- Janë shumë, - tha ajo.

-Jo, - tha ai, - janë pak. - Ti je gjithçka për mua!

Ishte pasdite e vonë, kur  gruaja bukuroshe i tha atij se mund të dilnin jashtë, në tavolinën e oborrit së lokalit. Dielli, me kohë, e kishte fshehur syrin në malin përballë, hijet e pemëve dhe të drurëve ishin njëtrajtësuar ,duke u theksuar e humbur në trashjen e muzgut. Kur ai  zgjati dorën drejt saj , ndjeu se ishte i pafuqishëm . Në ajrin e pastër,u  lehtësua disi, por pas pak mendja iu turbullua aq shumë, sa u ul në karrige si i lëshuar.

Derdhi gotën e rakisë mbi pjatë dhe në atë çast mbështeti kokën mbi tavolinë sipër bërrylave. E zonja e lokalits'dinte ç'të bënte. Vonë, kur erdhi burri,i tha se atë ditë ia kishte kaluar mirë, ishte lodhur ca, por sidoqoftë puna s'kishte ecur keq.

Ndërsa mbyllnin të dy derën e lokalit, duke futur brenda karriget , befas ai pa në tavolinë një njeri që gërhiste.

- Po ky?! - pyeti.

-Ë shtë  një dehur,- i tha ajo qymyrxhiut,- ka pirë shumë.

- Ç'të bëjmë me të?

- Asgjë... do t'i dalë rakia dhe do ikë vetë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora