E enjte, 25.04.2024, 11:33 PM (GMT+1)

Kulturë

Shazim Mehmeti: Letërsia dhe injoranca

E diele, 07.12.2008, 02:55 AM


Shazim Mehmeti
LETËRSIA DHE INJORANCA

Nga Shazim Mehmeti

Para ca vitesh, në Strugë, në njërin nga ambientet e hotel “Drini”-t  pinim kafe me një poet me shumë emër  nga Tirana. Ishim të ftuar të merrnim pjesë në mbrëmjet e atjeshme të poezisë, dhe vapën që bënte gushti e kalonim duke pirë ndonjë gjë e duke llafosur ngapak për letërsinë.
     Sakaq, poeti nga Tirana sikur i vrënjti  vetullat e ma tha mes tjerash edhe këtë: “ More Shazim, ta kam parë një ese në “Ars”. Si më thua ti, ia vlen ta lexoj apo jo?”, dhe u gagas si gagaset një laraskë.
     Ishte tepër fyese ironia që përdori, ndaj Demoni që frymon brenda meje (s’besoj se ka shkrimtar brenda të cilit s’banon një  demon kryeneç) u zgjua sakaq dhe aty për aty iu përgjigj: “Po, ku më ha palla, or, lum miku, në do ta lexosh ti eseun tim, ose jo?!…”
     Përgjigjja e tij ishte akoma edhe më fyese:
 “Më fal, or mik, por unë ty të konceptoja si në fillim, d.m.th. … si një nga ata  …, ose… ” 
M’u duk sikur donte të më thoshte, e s’e thoshte dot: “… ose..unë ty të konceptoja më keq se këta bosët a kryetarët  e këtyre shoqatave tuaja letrare që…, meqë janë kryeparë, natyrisht se do duhej letrarisht të qëndronin mirë…, e ata janë… aq për gjynah, e…!”
E kuptova hallin e tij, por më lehtë do ta kisha sikur të më thoshte: të konceptoja si një leshko nga provinca, si…!!!…
          Prapë se prapë, s’i mbajta inat mikut. E konsideroja veten  nikoqir në Strugë (nga Gocë Tivari shkohet më shpesh në Strugë se nga Tirana). Por, gjuha e tij prej nepërke më shtyri të filloj të meditoj për  hendikepet e letërsisë shqipe në kushtet që ajo krijohet brenda e jashtë Shqipërisë, dhe në kushtet kur, këtej nga ne, edhe sot e kësaj dite me shumësi mendohet se pikërisht ky soji i nepërkave, i kryetarëve të shoqatave letrare, e bën letërsinë e vërtetë shqipe aktualisht.
Kësisoji, fillova të besoj se përveç shkaqeve të sipërpërmendura (për të cilat besoj se s’është folur e shkruar mjaftueshëm), shkak qenësor që letërsinë bashkëkohore shqipe e bën të mos njihet si e tërë, është edhe injorimi (ta quaj letrar) që shkrimtarët shqiptarë ia bëjnë njëri tjetrit.
Natyrisht, më duhet ta them hapur se ajo që më ndodhi në Strugë me mikun nga Tirana, ka mundur të më ndodhë edhe me ndonjë mik tjetër, nga Prishtina fjala bie, e pse jo edhe nga Shkupi ndoshta?!!…
Asisoji , besoj se mendojnë vetëm të gjymtuarit, apo që të jem më i saktë, ata që janë verbuar nga fama e rrejshme, ata që mendojnë se s’ia vlen t’i lexojnë letrarët nga provincat a ngado qofshin ata që s’kanë bërë emër, sepse ata pa emër e ata të provincave letrare na qenkan balta domosdo.
Gjykuar sipas këtyre narcisëve të letërsisë shqipe, këta të provincave, kot e harxhokan atë pak laps. Por, e bëjnë me sens narcisët injorimin, e bëjnë me takt, si me atë pyetjen e mikut nga Tirana… 
Dua të them se letërsia shqipe nuk krijohet vetëm në kryeqytete, as nuk është vetëm ajo që krijohet brenda kufijve shtetërorë të Shqipërisë. Madje edhe sikur t’ishte letërsia shqiptare vetëm ajo që krijohet brenda kufijve politikë të saj, besoj se ajo as në atë kuptim nuk është mjaft e njohur si e tërë.  Jashtë Shqipërisë, letërsia shqiptare është e prezentuar tepër e segmentuar, pikërisht nga shkaku i atij injorimi që është prezent akoma te injoranca letrare, e që bëhet shkak që letrarët shqiptarë të mos dijnë gjë për letrarët shqiptarë.
Ekzistmi i klaneve, privatizimi i institucioneve letrare e kulturore nga hallkeqët letrarë e kulturorë, mosgatishmëria e tyre për pranimin e vlerave të reja e të vjetra si vlera reale, mosfunksionimi i kritikës letrare si përmasë e vërtetë vlerësimi, kufijtë që e bëjnë të ndarë Shqipërinë edhe sot e kësaj dite dhe e reduktojnë lëvizjen e librit shqip, etj, etj,…janë shkaktarët konstantë që letërsinë shqipe e bëjnë jo të tërë.
Hendikep më vete janë botimet. Shumica e botuesve e vuajnë atë sëmundjen e fillimtarit në biznes, domethënë mungesën e parave. Besoj se akoma nuk ka një përkujdesje të instaluar cilësore dhe kombtare për bërjen e letërsisë shqipe letërsi të tërë. Fatkeqësisht , shumica  e shkrimtarëve shqiptarë janë pak të njohtuar, ose fare të panjohtuar për njëri tjetrin.
Libri shqip nuk qarkullon në masën e duhur nëpër hapësirat shqiptare, edhe nga shkaqe kufijsh, edhe nga shkaqe të dobësive financiare që i kemi, edhe nga shkaqe injorance. Përderisa të jetë kështu, letërsia shqipe domosdo do rrezatojë si fragmentare. Është gjuha, dhe janë motivet (motivet jo gjithëherë) që mund ta shpëtojnë nga  kurthi tashmë i instaluar i fragmentarizimit letërsinë shqiptare.
Fatmirësisht, kohëve të fundit, atë që s’e bëjnë dot injoranca institucionale dhe injorantët institucionalë, e bëjnë ca letrarë asketë , ca të rinj që me botimin e  revistave letrare e kulturore, na e bëjnë të mundur, së paku të lexojmë ndonjë gjë të bukur, ndonjë gjë ndryshe, nga letrarë të ndryshëm nga të gjitha viset e atdheut letrar .



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora