Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sami Repishti: Nën hijen e Rozafës (XVIII)

| E diele, 07.12.2008, 03:38 AM |


SAMI REPISHTI
Nën hijen e Rozafës
Narrativë e jetueme

XVIII

Nata për mue ishte simbol i qetësisë, i prehjes dhe këtu, në kampin e punës së detyrueshme, edhe i marrjes së fuqive të reja. Gjatë muejve të gjatë në qelitë e Sigurimit të Shtetit, nata ishte e torturës dhe e torturuesve. Për ne si viktima, nata ishte bashkëkonspiratore, krahu i djathtë i mbrapshtësisë, mbrojtëse e së keqes, e çoroditjes morale, e krimit. Por këtu në kamp, nata ishte orët e gjata në mes të dy ditëve të vështira, e dy përpjekjeve kundër vdekjes. Nata ishte edhe hapësina e kohës që na jepte heshtazi, gëzimin e papërshkrueshëm të qenies vetëm, me veten tonë e terri i saj, dora e bekueme që mshehte fëtyrët e xhelatëve, baltën e kampit, e kuadrin e vdekjes që na rrethonte. Nata na ofronte mundësinë e shtrimjes së krahëve të dërrmuem mbi leckat tona, pa u gjuejtë me gurë prej rojeve të kuqe, mundësinë me mendue symbyllun, ose me sy hapët me andrrue ndoshta të tjerët, ata që nuk ishin në kamp me ne, e që do të na shihshin përsëri, e përsëri do të na trajtojshin si “njeri”. Nata na mundësonte me shpresue me qenë përsëri të lirë. Me u ringjallë? Asht pak! Ajo që andrrojsha, ishte me rijetue me gjithë shpirt, me trup, me çdo pjesë të qenies sime, jetën e njeriut të lirë, të lirë si druni që gjelbëron i harlisun në pyjet e paprekuna, si pisha që shijon hijen e vet, si shiu që bien pa pengesë, si era që na ledhaton ambëlsisht, me qenë i lirë, ashtu si dëshirojsha unë, me gjithë shpirt. “Krajli”, si e quejshim ëe gjithë njenin nga shokët ma të ngushtë, u këput në kanal. Kishte mjaft kohë që vuente nga nji phlebitis në kambën e djathtë. E vendosën mbi grumbullin e dheut, në pritje të kthimit në kamp. I mbajtun mbi supet tona me turne, grupi jonë e shpëtoi nga të rrahunat e policëve. E dërguem në infermieri. Mjeku na tha se ka nevojë për mjekime, që ai nuk ishte në gjendje me i dhanë. Pak ditë ma vonë, e tërhoqën nga kampi. “Krajli” ishte nji student i ri si unë, që rezistoi torturat e Sigurimit, me nji guxim jo të zakonshëm e u dënue me pesë vjet burgim. I gjatë me trup, natyrë e shkathtë, zemërak, por shumë i shoqnueshëm, ai gëzonte simpatinë e të gjithë shokëve. Për ne, ai ishte nji shok i pazëvendësueshëm që, asnjiherë nuk humbi humorin në ditët ma të vështira.

Me ardhjen e vjeshtës, puna në kanal u vështirësue. Balta na mbuloi në rrugë e në punë. Në mëngjes, mbas shiut të natës, dheu ishte i qullun e i randë për transportim. Plotësimi i normës u vështirsue e dënimet, pa bukë e pa ujë, u rritën. Rreshti i fatzezve ishte i gjatë. Nji gjendje e këtillë krijonte edhe probleme morale për të tjerët, sepse ashtu të uritum si ishim, na duhej të ndajshim pjesë të bukës sonë të racionueme, me të dënuemit. I urituni hiqte bukën nga goja, për ata që rrezikoheshin me vdekë nga uria! Cuditërisht, me këtë shtrëngim brezi që na imponohej, gjejshim lehtësimin shpirtnor që na jepte fryma e solidaritetit të lindun në mes të mjerëve në kamp. Kjo frymë friksonte edhe “brigadierët” që ruheshin nga zemërimi jonë. Ishte krijue nji mënyrë jetese e pasanksionueme, e mbajtun në kambë nga frika e të dy palëve. Ditët me shi u banë ma të shpeshta e nevoja me përfundue kanalin qendror, ishte urgjente. Presioni i policëve u rrit. Të rrahunat u shpeshtuen e viktimat e dërrmueme nga druni e puna, ktheheshin mbi krahët tonë çdo mbramje. Ma në fund, u ba e pamundshme puna në kënetë. Ujnat e kodrave filluen me mbushë kanalin, e na zhyteshim deri në brez në ujë, që në mëngjes deri në darkë. Në fund të nandorit, puna u ndalue. Të burgosunit zbrazën kampin e u kthyen në burgjet përkatëse, me kalue stinën e dimnit. Ishim të këputun nga lodhja, e të uritun. Por kishim mbijetue!

Në burg, gjetëm shokët e smurë në nji gjendje edhe ma të keqe. Disa kishin vdekë. Kërkova avokatin plak me të cilin bisedojsha, por nuk e gjeta. Ishte lirue prej burgut. Djali i tij shtatëmbëdhjetë vjeçar, Bardhoshi, ishte vra në kufi në nji përpjekje me u arratisë në Jugosllavi. E kisha njoftë djaloshin e ri, studentin entuziast që kishte organizue grupe studenteske në gjimnazin e Shkodrës, për veprime antiqeveritare. Megjithë lëkundjet që kisha pësue që në ditët e para të tiranisë së kuqe, kur lexojsha listat e gjata të personave të ekzekutuem, ose ndigjojsha në orët e para të mëngjesit krizmën e thatë të mitrolozit mishngranës, prapë se prapë, vrasja e djaloshit të ri më erdhi si grushti i fundit që thërrmoi bindjen time në “shejtninë” e tokës amtare! Mbas vrasjes së djaloshit e dy shokëve të tij të nji moshe, fillova nji proces vetë-kritike që më solli në përfundimin se, dheu, ku kishte ra dëshmor grupi i tre të rijve, nuk vlente sa gjaku i derdhun, dhe se toka që ishte tashma vorri i tyne, nuk mund të ishte atdheu im. Tashti e mbrapa, për mue atdheu do të ishte vetëm vendi i lirë që ushqen e rrit rininë e vet, e jo ai që i han për së gjalli, si lugati i tregimeve të Vjetërsisë. Oh, në moshën tuej, o djelmosha shtatëmbëdhjetë vjeçare e të pajetë, nuk lëshohen breshnitë e plumbave të mitrolozit mishngranës .... ashtu si ngjet sot në Shqipninë komuniste!

Burgun tonë e ka mbulue uria. Për mungesë organizimi, të burgosunit nuk mor racionin e bukës ditën e largimit nga kampi, as në burg ditën e ardhjes. Të nesërmen, buka erdhi vonë, mbas dreke. Të lodhun e pa ushqime, mungesa e bukës për afër dy ditë, ishte grushti i fundit. Nji ndjenjë frike, se çdo gja bahej me qëllim për torturimin tonë të matejshëm, ishte e përgjithshme. Takimi me familjet u shty për nji javë. Shpresa për ushqim nga familja, u shue. Fytyra të shtrembënueme nga vuejtja e gjallë, silleshin nëpër dhomat e burgut si hije pa drejtim. Ishte nji skenë e kobshme. Rojet ishin të pamëshirshme, rregullat e burgut shumë të rrepta, e aftësia jonë me përballue këtë ferr mbi tokë, e dobsueme.

Edhe ditët e dimnit janë të gjata, të pambarim, të padurueshme në dhomat e errëta të burgut tonë të vjetër, ndërtesa që mbahen në kambë me riparime të përhershme. Koha e keqe, shiu i pandërpreme, bora e të ftohti që hyjnë nga dritaret e vogla e detyrimisht të hapuna, pa xhama, oborri katror brenda kuadrit të mureve të nalta që, mbyllë si në nji grusht hapësinën e ngushtë të qiellit të kufizuem, dhomat nga ku nuk shihet tjetër, veçse muri përballë, dritat elektrike që fiken vazhdimisht e zëvendësohen me llampa vajguri, ku mezi dallohen fytyrat tona të zbehta, heshtja e madhe që zotnonte, sepse askush nuk kishte çka të thonte, shikimet e tretuna që nguliteshin në gjysëmerrësinën e oborrit, të burgosun që flejshin, të tjerë që mendojshin, ndërsa shumica nuk ishin në gjendje me mendue, të gjithë të uritun e pothuejse të gjithë, të ushqyem kryesisht me urrejtjen që rritej pa pushim, e shpresën për hakmarrje që i mbante të gjallë.

Në nji ambient të këtillë brumoseshin shpirtet e rij të atyne që do të ishin përfaqësuesit e së nesërmes, kalitësit e së ardhmes, për nji komb e nji vend që nuk kishte pushue kurrë së vuejtuni, e ku skami e frika kishin qenë buka e shujta e përditshme. Në këtë humnerë që thërmonte trupat e ndrydhte shpirtin, duhej formue breznia e ndërtimit të nji shoqnie të re, ku njeriu i ri të lindë në mes të njerëzve të lirë e të ndërgjegjshëm për dinjitetin e tyne, ku çdo njeri, ishte ma shumë se nji punëtor, nji fshatar, nëpunës ose ushtar, ku njeriu ishte nji qenie njerëzore si unë, e vlla për mue! Në këtë burg me muret e trasha mesjetare, bota e jashtme që më rrethonte, ishte aq e vogël, sa edhe vetë qelia, dhoma e burgut, e kampi i punës brenda rrethit policor e telave me gjemba. Por mendimi nuk kufizohet me mure e zinxhirë. Në këtë burg të ngushtë, mendimi gjeti fushë të gjanë e të lirë. Bota ime e brendshme filloi të zhvillohet, të zgjanohet, të zajë vendin e parë, dhe për hir të përsëritjes së vazhdueshme, të mbizotnojë veprimtarinë, qëndrimin, e mënyrat e mia të mendimit. Njifsha veten çdo ditë e ma shumë! Në mes të sublimes dhe banales, jeta në burg vazhdonte të ishte monotone, përveç kur ndërpritej nga çastet e humorit shkodran. Megjithatë, kishte situata ku komiku mbetej me gojë mbyllë, nga ultësia e aktit të policit në kurrizin tonë. Nji ditë që oficeri urdhnoi heqjen e mjekrës së bardhë të imamit shtatëdhjetevjeçar, gjithë burgu ra në nji heshtje vorri. Imami plak nuk foli. Lotët i rrjedhshin poshtë molletave të faqeve të vyshkuna. Por kur oficeri me tallje i tha: “Hoxhë, he, si të duket tani, a ndjehesh mirë?”, hoxha plak përgjegji thjesht e me nji za që dridhej nga dëshprimi e lodhja fizike: “A nuk turpnoheni prej pleqnisë sime?” Oficeri u largue pa folë, por me këtë përgjegje, imami na dha nji fitore të madhe morale. Viktima ngrihej mbi torturuesin, si fitues i duelit të pakompromis. Nji zhurmë theu heshtjen e mbarsun të burgut. Ishte natë! Nji grup rojesh të kuqe hyni në oborr, u drejtue kah qeliza e izolimit e përpiqej me pengue britmat e shamjet e nji të arrestuemi që nuk kontrollonte veten. Të rrahunat vazhduen me shkelma e shkopij, e për çdo të rame, ai përgjegjej me nji të shame. U duk sikur urdhnojshin me u zhveshë lakuriq. Ai refuzonte. Ata i bijshin pa mëshirë e i hidhshin mbi trup kovat e ujit të ftohtë. Viktima bërtiste. Rojet qeshnin. Na ishim të shtanguem nga egërsia që dëshmojshin. Askush nuk fliste ma! Pak minuta ma vonë, rojet e kuqe e nxorën me forcë nga qelia me dru. Plaku shpejtoi hapin e filloi me vrapue rreth e rrotull oborrit të brendshëm, tue sha. Rojet qeshnin, sikur kjo tallje kriminale, bahej vetëm për dëfrimin e tyne. Ma në fund, viktima ra në gjuj, ashtu me duer të lidhuna me zinxhirë, shau përsëri, derisa shkopijt e panumërt e hodhën në shesh, të shtrime, pa lëvizje, pa za. Rojet qeshnin. Gjithë natën, qindra të burgosun nuk fjetën nga përshtypja zemërçjerrëse që shkaktojshin grahmat e fundit të plakut që jepte shpirt. Të nesërmen, morëm vesh se nji polic kishte rrëmbye në shtëpi vajzën e plakut nga Oblika e dy ditë ma vonë, ai kishte tentue pa sukses vrasjen e policit e të vajzës. I arrestuem, u mbyll në burgun tonë, ku vdiq nga të rrahunat natën e parë.